Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Themelimi i Komitetit 'Mbrojtja Kombëtare e Kosovës'
E diele, 07.11.2021, 07:16 PM
Blerim Latifi:
7
nëntor 1918 në Shkodër u themelua Komiteti "Mbrojtja Kombëtare e
Kosovës", organizata e parë politike me të cilën lindi edhe nacionalizmi
çlirimtar i Kosovës. Patriotët dhe intelektualët më përparimtarë të asaj kohe u
bashkuan rreth tri ideve themelore: ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës,
të cilën Konferencat e Londrës e të Versajës e kishin lënë nën Serbinë,
rezistenca e armatosur deri në çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me
Shqipërinë.
Komiteti
ia doli që grupet e rezistencës në Kosovë, të njohura si Kaçakët, t'i bashkonte
rreth programit të tij kombëtarist.
Në
rrafshin ndërkombëtar ai u përkrah politikisht dhe me armatim nga Italia. Për
të neutralizuar politikisht efektin e tij, qeveria e Pashiqit reagoi duke
krijuar Xhemijetin, organizatën politiko-fetare, e cila nuk avokonte për të
drejtat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, por vetëm për të drejtat fetare të
tyre. Kjo ishte strategjia e njohur e Pashiqit: neutralizimi i nacionalizmit të
shqiptarëve të Kosovës përmes afirmimit politik e kulturor të përkatësisë së
tyre fetare.
Komiteti
mori anën e krahut politik të Nolit në luftën politike që zhvillohej në Tiranë
dhe me kthimin e Zogut në pushtet ai pushoi se ekzistuari. Pas mbeti
trashëgimia e tij politike, programi për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj
me Shqipërinë. Do duhej të vinte viti 1999 që qëllimi i parë të përmbushej. I
dyti ende mbetet vetëm në rrafshin e projeksioneve për të ardhmen.
Në
fotografi shihet flamuri i Komitetit: flamuri i kuq me shqiponjën në mes dhe
një luleborë mbi shqiponjën. Lulebora nuk është vendosur rastësisht mbi
shqiponjën, por duke marrë parasysh faktin se lulebora simbolizon rilindjen dhe
shpresën. Dhe vërtet ajo ishte një kohë kur Kosova kishte nevojë të besonte në
rilindjen dhe të mbante gjallë shpirtin me anë të shpresës.
________
Një
grup anëtarësh të Kongresit amerikan i paskan kërkuar presidentit Biden që t’u
vihen sanksione atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe si shembull të
parë e paskan marrë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kohë
më parë mediat perëndimore botuan disa artikuj investigativ mbi lidhjet e
pushtetit të Vuqiçit me strukturat e mafias serbe. Zërat e paktë kritikë në
Serbi dhe institutet ndërkombëtare që masin trendet e demokracisë në botë,
raportojnë vazhdimisht për konsolidimin e regjimit autoritarist në Beograd,
shkatërrimin e mediave të lira, kapjen politike të sistemit të drejtësisë dhe
paralizimin e të gjitha formave të kundërshtimit opozitar. Krejt këtyre u
shtohen ndërhyrjet e hapura destabilizuese të Beogradit në Kosovë, Bosnjë dhe
Mal të Zi. Fakti se Serbia nuk u ftua në Samitin e Demokracisë në Washington
tregon qartë se gradualisht Perëndimi është duke e zbuluar fytyrën e vërtetë të
vozhdit të ri të Beogradit. Fatkeqësisht vetëm një njeri në Ballkan ende beson
se me të mund të punohet për të mirën e Ballkanit dhe ai është Edi Rama.
________
Cili
duhet të jetë roli i Amerikës sot në botë? Tri alternativa janë në diskutim:
Amerika e pavarur, Amerika racionale dhe Amerika e domosdoshme.
-
Mendimtarët e alternativës së parë mbrojnë idenë se ka ardhur koha që Amerika
të heq dorë nga përgjegjësia për t'i zgjidhur problemet e popujve të tjerë dhe
t'i kthehet forcimit të institucioneve të saj të brendshme për të vazhduar
storien e kombit më të suksesshëm në historinë moderne. Amerika duhet të
influencojë të tjerët përmes shembullit të saj, e jo përmes ndërhyrjes në punët
e tyre. Kjo alternativë na kujton doktrinën e vjetër amerikane të
izolacionizmit.
-
Mendimtarët e alternativës së dytë mbrojnë idenë se Amerika duhet të përfshihet
në punët e botës, por jo për çështje të vlerave dhe idealeve të saj morale, por
vetëm për t'i mbrojtur interesat e saj politike dhe ekonomike në marrëdhëniet
ndërkombëtare. Kjo duket të jetë një variant i ri i doktrinës klasike të realizmit
politik, që thotë se shtetet ndjekin interesat e tyre, e jo idealet.
-
Ndërkaq, mendimtarët e alternativës së tretë mbrojnë idenë e Amerikës si një
komb i domosdoshëm për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit global.
Sipas tyre ajo që e bën Amerikën komb të domosdoshëm janë vlerat dhe vizioni
moral për botën që ajo përfaqëson, gjë që u mungon rivalëve të mëdhenj të saj
siç janë Kina e Rusia. Amerika e cila e shpëtoi botën nga fashizmi dhe
komunizmi gjatë shekullit të kaluar, duhet të vazhdojë të udhëheq ose mbështes
betejat për liri dhe demokraci në botë.
Ian
Bremmer ka analizuar detalisht argumentet e të tri alternativave brenda këtij
libri të shkelqyeshëm.
________
Përveç
krishterimit dhe islamit, shqiptarët e kanë edhe një fe tjetër : politikën.
Madje mund të themi se kjo e fundit numëron qindra mijëra besimtarë. I shohim
këta besimtarë ditë e natë, gjatë gjithë vitit, se me çfarë devocioni e zelli
fetar i adhurojnë liderët e tyre partiakë. Fotografitë e tyre i trajtojnë si
ikonat e shenjta. Besojnë në pagabueshmërinë e tyre dhe përpiqen gjithë kohën
të na bindin se vetëm përmes tyre mund të arrihet në parajsën politike. Dhe nuk
lodhen kurrë. Kuptohet pse: sepse janë besimtarë.
________
Nesër
fillon fushata për balotazhin. Një javë plot tensione, debate të zjarrta në
televizione dhe çajtore, akuza reciproke, pazare partish e kandidatësh,
premtime të të gjitha llojeve, pa doganë. Thjesht edhe një javë interesante në
kët' moçalin tonë politik e shoqnor, i cili kur nuk ka zgjedhje zhytet në monotoni.Mbase
do të ishte mirë të mbajmë zgjedhje çdo gjashtë muaj, ngase kur nuk po ka
zgjedhje, s'po kemi për çfarë të flasim. Sepse asgjë nuk na duket interesante
nëse nuk lidhet disi me partitë. Sepse në një vend ku nuk ka ekonomi, partitë
shndërrohen në biznesin më të rëndësishëm.
________
2000
vite më parë, në kohën e Oktavian Augustit, Roma furnizohej me ujë pa ndërpre
24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit.Ajo ishte koha kur lindi kultura e pastrimit
të përditshëm të trupit.Gjurmët e akuadukteve romake ende mund të shihen në
Romën e sotme.
2000
vite më pas politikanët tanë ende mburren kur ndërtojnë ndonjë ujësjellës,
vrapojnë të fotografohen duke pre shiritin e përurimit, ndërsa furnizimi 24
orësh me ujë ende dëgjohet si çështje në fushatat elektorale.