Kulturë
Mevlud Buci: Fatmir Neli, poet i vlerave dhe i pasqyrimit të jetës
E diele, 31.10.2021, 04:15 PM
FATMIR NELI I MATIT, POET I VLERAVE DHE I PASQYRIMIT TË JETËS
Nga
Mevlud Buci
Puna e krijuesit
ngjan me pusin e thellë, me dritën e diellit, me forcën dhe bukurinë e
mineraleve të çmuara, të cilat kurrë nuk i tret dheu, nuk i vyshk koha.
Ka vite që kam
lexuar poezitë e Fatmir Nelit, ka vite që e mbaj një peng për të gdhendur
sadopak fjalët e zemrës, e të vërtetës për këtë krijues zemërdritë,
mendjendritur e mbi të gjitha një pendë e shenjtëruar për jetë, filozofinë dhe
dritën e shpirtit njerëzor.
Ç’është e vërteta,
të shkruash për një krijues matjan, cilido studiues do ta kishte të vështirë,
krenari legjitime, por edhe të lehtë, sepse baçja e sotme e Klubit Letrar “Pjetër
Budi” ka një brez të artë krijimtarie, pendëpalodhur e me plot sharm për
kombin, kohën, flamurin, filozofinë, traditat, dashurinë e mbi të gjitha janë
një zë lirie që i rrezatojnë kombit e brezave.
Në gjerdanin
krijues të matjanëve e të kombit pa mëdyshje ze vend të merituar dhe krijuesi,
gazetari, drejtuesi i palodhur në frontin e mësuesisë, Fatmir Nezir Neli.
Krijimtaria e tij që rrezaton prej vitesh ka dy shina: filozofinë dhe shpirtin
njerëzor, ka trinomin: jetë dashuri dhe shpirt.
Në vargjet dhe
poezitë e librave të tij gëlon zëri i jetës, i dashurisë dhe i shpirtit.
Sigurisht që as krijuesi i talentuar Neli, as lexuesi e cilido prej nesh, nuk
ka nevojë për hiperbola, elozhe a dyzina fjalësh. E vërteta nuk do dëshmitar, e
vërteta ndrit herët apo vonë. Fatmir Neli i Matit të barotit është poet i së
vërtetës. Puna prej intelektuali të përkushtuar, shembëllimi prej publicisti
serioz e human, takti e mjeshtëria si drejtues arsimi në bazë e kanë bërë
Fatmir Nelin poet të jetës, të filozofisë e të dritës së shpirtit. Vërtetë poet
i filozofisë dhe i kontrasteve jetësore, ku me sinqeritet bën diagnozën e atyre
që ngjiten e harrojnë nga vijnë, humbasin më kryesoren, qenien njeri:
Në atë sallë të mbushur plot e përplot,
kujt nuk ia dhash dorën sot,
titullarëve, deputetëve
mjekëve, poetëve,
por nuk e di,
dorën a ua dhash njerëzve?! “Pakt me kryedjallin”, faqe 131.
Ku rrjedh, pikon.
Kulla apo shtëpia
e çdo përmase qoftë, ka një themel, ka muret dhe çatinë. Fatmir Neli është gen
artisti, është i biri i artistit, rapsodit e luftëtarit të çetës së trimave të
Matit, Nezir Neli. Në librin “Gjerdan fjale”, i poetit e shkrimtarit
Hamdi Hysuka, midis të tjerash lexojmë: “Nezir Neli nuk iu nda punës, as
këngës. Për një të ardhme më të mirë të jetës familjare la Dukagjinin dhe u
vendos në fshatin Fshat të Klosit. Një festival folklorik i Matit, organizuar
në vitin 1959, zbuloi talentin e tij si instrumentist e rapsod. Orkestrina popullore
matjane i bëri vend në radhët e saj, pranë të të talentuarëve Hysni Hysnelaj,
Ymer Neli, Ibrahim Minxhozi, Shaqir Hazizi, Sali Haliti, Sabri Bala etj. Kënga
dhe çiftelia e tij u bënë të njohura. Në vitin 1966, në Festivalin Folklorik të
Elbasanit, rrethi i Matit zuri vend të dytë. Nezir Neli, këngëtar dhe
instrumentist i orkestrinës popullore, u nderua me diplomën e festivali”. “Gjerda
fjale”, faqe 216.
* *
*
Geni trashëgon
genin. Pra, një artist i lindur, i rritur me punë e atdhetarí, i rritur në
Dukagjinin historik matjan, i përkushtuar në luftë si luftëtar i çetës trime të
Matit, i përkushtuar në minierat e kromit në Batërr e Cërujë. “Vala e punës
në minierë, për artistin e ardhshëm u kthye në tinguj melodie e nota kënge.
Jeta e tij mori udhë përmes këngës folklorike” (“Gjerda fjale”, faqe 216).
Ky ishte i ati i poetit, publicistit, mjeshtrit të mësimdhënies e të drejtimit
arsimor, Fatmir Neli. Nga gjurmët e traditave e të artit, nga dritëkënga e
trashëguar burojnë edhe poezitë e mirërealizuara të poetit Neli.
Që nga libri i
parë, vëllimi poetik “S’e kam zili diellin” e në botimet në vijimësi të
cikleve e librave, krijuesi i talentuar Fatmir Neli shpërfaq me qartësi
thjeshtësinë e shpirtit, dritën e dashurisë, bën diagnozën e shoqërisë, pasqyron
rrezatimin e vlerave njerëzore. Pra, cilido lexues a studiues, kur lexon a
mediton rreth vargjeve të poetit Neli, do të ndjejë kënaqësi, fisnikëri e mbi
të gjhitha do të zbulojë filozofinë e mendimit, ide të cilat burojnë veçse nga
mendja dhe zemra e një intelektuali krijues, fisnik, pasionant, atdhetar e mbi
të gjitha një misionar e vizionar për punën, për jetën, për kohën dhe mirësinë.
Të analizosh krijimtarinë e të nderuarit Fatmir Neli s’do mjaftonin as dhjetëra
shkrime analitike e studimore, por u nisëm të pasqyrojmë sado pak filozofinë
dhe shpirtin njerëzor. Pse? Këto janë dy shinat që pa mëdyshje përshkojnë
krijimtarinë e këtij poeti.
Në krijimtari
shumë krijues, ndonëse të taletuar, nga mungesa e studimeve, ndonëse janë
vërtetë të ndritshëm, të talentuar, mbeten nën hije. Pse? Ngaqë mungojnë
vëzhgimet realiste, dashamirëse, argumentuese. “Shtëpia, thoshte një i
urtë matjan, nuk bëhet vetëm me gurë të mëdhenj, me qoshe, por dhe me gurë
të vegjël. Por gurët e vegjël, po të hiqen, shembin të mëdhenjtë”.
Sigurisht
krijimtaria e Nelit është e ndritshme, e gdhendur dhe e latuar me
mendjemprehtësi, duke ia kushtuar vargjet jetës, dukurive njerëzore, dialogut
me yllin (“Më tha një yll”). Poezitë e krijuesit matjan Neli kanë të
realizuar me mjeshtëri kontrastin, retorikën, fabulën mjeshtërore, ku autori
pasqyron, këndon, diagnostikon e demaskon atë çka i vyshk vlerat e shoqërisë.
Krahas shumë krijimeve mjaft të arrira, përmendim “Mburren poliglotët”, “Do
të bëhej rrap”, “Përralla poezi”, “Kuis një qen”, “Pandamë mirësore”, “Engjëlli
i kushërinjve” sipas motiveve nga “Kushëriri i engjëjve” të I.
Kadaresë, “Gjyshes sime”, “Sa zili”, “I ra mjegulla Bunës”, “Poetit”
kushtuar B. Bushkashit, “Pjetër Budi”, “Hafiz Ibrahim Dalliu”, “I dha zë
Matit” arkeologut D. Kurti, “Mrekullitë e tim biri”, “Vetëm për një
njeri”, “Qytetërim”, “Ura e Vashës” e plot të tjera të librit “Deti u
mbyt tek unë” përmbajnë filozofi jete e mendime, rrezatojnë dritën e
shpirtit njerëzor. Te çdo varg zbulohet “minerali” i vlerave të njeriut,
koha, mirësia dhe provat e jetës, dritëshpirti i atyre që kanë lënë gjurmë
vlerash. Nëse e rilexon me vemendje e dashamirësi krijimtarinë e poetit matjan
Fatmir Neli, duket qartazi mendimi filozofik, përshkrimi poetik, lirizmi e
veçanërisht pasqyrimi i kontrasteve në jetën njerëzore, drita e shpirtit,
blerimi i dashurisë.
Këngët e vjetra flasin
për dashuri luftrash,
këngët e reja flasin
për luftra dashurishë.
Të parat tundin djepe,
me ritme ninullash,
të dytat çajnë bokse
me makina shpejtësish... “Pakt me kryedjallin”, faqe 132.
Poeti Fatmir Neli
jeton me kohën, pasqyron kohën dhe dritëson kohën nëpërmjet vargjeve poetikë,
të cilat përmbajnë filozofi, ide, stigmatizime e mesazhe jetësore. Me plot të
drejtë mund dhe e meriton të quhet poet psikolog i vargut poetik, një
krijues shpirtbardhë, realist dhe demaskues nëpërmjet fabulave në disa prej
librave dhe krijimeve të tij. Poeti Neli shikon përtej pasqyrës, siç i thonë
“përdor sitën e mëndafshit”, shkruan thjeshtë, bukur, kuptueshëm, plot
frymëzim dhe ide, stigmatizon dukuritë negative, realizon mjaft mirë kontrastet
bashkëkohore.
Më duhet shumë gjak,
të ngjyros flamurin tim
të dalë boje,
më duhen shumë pëllumba të bardhë
t’i shpërndaj atje ku paqja
ka dalë jashtë loje... “Pakt me kryedjallin”, faqe 133.
Vargje që
pasqyrojnë kohën, faktet ku jemi, sikur thërrasin për të qënë më jetësorë, më
besnikë, më humanë, më paqësorë! Autori nëpërmjet antitezës, epitetit metaforik
dhe kontrastit kohor, na pasqyron qartë atë që secili duhet të ketë mision,
trinomin: gjaku, flamuri, paqja.
Poezi të thjeshta
e plot ngarkesë emocionale, pasqyrë e realitetit të traditave, të figurave e
mbi të gjitha të pasqyrimit të filozofisë e të shpirtit njerëzor.
Prova drite e përkushtimi
S’ka se si ta
mbyllja këtë shkrim për poetin dhe intelektualin matjan pa gdhendur edhe pak
radhë e fakte për udhët e jetës së këtij poeti e publicisti, mjeshtri të
palodhur të mësimdhënies e të drejtimit arsimor në Klos të Matit. Provat e
dritës e të përkushtimit janë dy shina jete, dy dëshmi të qenies njeri, janë “avokati”
i zotësisë dhe i drejtësisë. Që nga vëllimi i parë poetik “S’e kam zili
diellin” dhe librat e tjerë “Deti u mbut tek unë” poezi, “Ditëlindja
e një televizioni” monografi, “Pakt me diallin” poezi, krijimtaria e
tij ka ardhur në rritje, ka pasqyruar jetën, dashurinë, plot dukuri të kohës,
vlerat njerëzore, ka shpërfaqur ide, mesazhe të paqës e të traditave.
Krijimtaria e letrare e poetit Fatmir Neli, përveçse ka gjetur vend në gazetat
dhe revistat letrare “Drita”, “Muzgu”, “Fenik”, “Emathia”, “Mati” etj,
është bërë pjesë dhe e disa antologjive poetike me karakter lokal e
mbarëkombëtar: “Antologji matjane” 1618-2003, antologji e poezisë
matjane “Udhëtare me pranverën” 2015, “Antologji poetike për mallin”
9, botim i gazetës “Muzgu” 2015, “Antologji poetike për natyrën” 9,
botim i gazetës “Muzgu” 2015, antologjia “Malli poetik i Kosovës”
4, korrik 2017, antologjia “Shqipëri, nëna ime” Kosovë, nëntor 2017.
Fatmir Neli me
profesion mësues, prej tetë vitesh drejtor i shkollës 9-vjeçare “Tahir Hoxha”
Klos, prej dy dekadash ushtron gazetarinë në median vizive “Mat Tv”, përvojë të
cilën e ka pasqyruar më së miri në librin e tij të tretë “Ditëlindja e një
televizioni”. Në vitin 2018 botoi librin e katërt “Pakt me kryedjallin”
poezi.
Së fundmi, që prej
vitit 2016 Fatmir Neli mban detyrën e sekretarit të Klubit Letrar “Pjetër
Budi” Mat. Në vitin 2019 është çertefikuar “Ambasador për paqën” nga
Federata Universale e Paqës, ndërsa që nga viti 2013 është anëtar i Unionit të
Gazetarëve Shqiptarë.
Shembëllimi si
intelektual, pasioni për krijimtarinë, njohja e jetës dhe e traditave, zelli
dhe korrektësia në punë e kanë bërë të na dhurojë poezi, ku shpërfaqet
filozofia e brezave, vlerat e jetës dhe të shpirtit njerëzor.
Mevlud Buci,
studiues, poet, publicist.
Diplomati, biri i Kacnisë
Shokut tim të fëmijërisë, mikut, ish-ambasadorit,
diplomatit Bashkim Rama, i cili ndërroi jetë në
tetor 2021, në Tiranë, në moshën 71-vjeçare,
i lindur në lagjen Lunarë të Kacnisë së Katër-Grykëve
më 1951, nipi i Lalë Kobures të Qafë-Murrës.
U dha lajmi, u hap
gjama
ndëgjoi Dibra,
toka e Arbërisë
u nda nga jeta
Bashkim Rama,
diplomati, bir i
Kacnisë.
Diplomati, bir i
Kacnisë
burrë i urtë i
tokës dibrane,
qysh në Sofje të
Bullgarisë,
në Berlin, n’tokën
gjermane.
Në Berlin, n’tokën
gjermane
në Kosovë,
n’trimen Prishtinë
moj nënë Tema e
fisit t’Lale,
linde birin, dritë
lirinë!
Linde birin, dritë
lirinë
Bashkim Ramën, hov
shtrëngatë
shtatë pash e kish
burrërinë,
mendje ndritur e
diplomat.
Mendje ndritur e
diplomat,
shpirt lirie i
urtësisë,
emrin dhe veprat i
ka lart,
ky fisnik i nënë
Arbërisë!
I le toka, i le
nana
i le jeta e fati i
mirësisë,
rrallë le koha si
Bashkim Rama,
diplomati, bir i
Kacnisë.
Lurë e Mat bash si dy motra
Hej në beteja o përkrah
Matit,
me bij trima, bij
t’masatit
Lura jonë e Mati i
barotit
bash kryetrima të
Kastriotit.
Hej me kararet e
burrërisë,
Lura e lashtë,
votra e vllazërisë
je bajraku o i
Kastriotit
përkrah Matit, Mat
barotit...
Hej Mat e Lurë,
Lurë e Mat
si shqiponjat o në
shtrëngatë,
n’luftë me shkjá,
me Mal të Zi
Mat, Lurë, Grykë e
Kurdari.
Hej nëpër kohëra e
nëpër vite,
breza t’pushkës
moj Lurë i rrite,
bijtë e tu o zemër
luanë,
krah për krah me
bijtë matjanë.
Hej moj Lura, Lurë
me karare
bash si shqipja o
dykrenare,
ke rrit trima,
burra t’dheut
je bash sofra e
Skënderbeut.
Hej Mat trimnija,
tokë e mbretnisë
dritë i jep kohës,
o nan’ Arbërisë
bashkë me Lurën u
ndrit votra,
Lurë e Mat bash si
dy motra!