Mendime
Ilir Çumani: Guljelmi do gajasej duke e qesëndisur hipokrizinë e kryeministrit!
E enjte, 06.05.2021, 07:43 PM
GULJELMI DO GAJASEJ DUKE E QESËNDISUR HIPOKRIZINË E KRYEMINISTRIT!
NGA
ILIR ÇUMANI
Zoti
Kryeministër! Si mundesh të jesh kaq cinik, kaq i paskrupull, kaq i pacipë dhe
kaq i lëtyrosur në çdo qelizë të produktit tënd të pandjeshëm e të
padhembshur..!? Si mundesh ti, që për fat të keq je edhe Kryeministri i
shqiptarëve, sot, në ditvdekjen e Guljelmit, kësaj ikone të Artit tonë skenik e
kinematografik nuk ndalesh, nuk hesht, nuk reflekton pendesën për të
manifestuar qoftë edhe formalisht kodin e heshtjes dhe të respektosh sado pak
dëshirën e fundit të të ndjerit që e lë përgjithmonë botën e të gjallëve, së
paku si një gjest të një ndërgjegjeje të munguar për talljen, shpërfilljen,
përçmimin dhe përbuzjen sistematike që ke shfaqur hapur për atë pjesë të
konsiderueshme të komunitetit të nderuar të artistëve, ndaj atyre që hapur nuk
ishin në një mëndje me ju dhe me zullumet e tua...!? Si mundet me statuset e
tua në facebook të jesh kaq hipokrit dhe i gënjeshtërt në sy të njerëzisë edhe
në ditëmort me ata artistë që në gjallje i qesëndisje me cinizëm, me sarkazmën
tënde banale e vanitoze, duke synuar me sjelljet e tua delirante stigmatizimin
dhe poshtërimin e dinjitetit të tyre, vetëm e vetëm sepse në bindjet e tyre
këta artistë ishin me “ata” dhe nuk ishin me “ne”, (pra nuk ishin me ju...?!”).
O Zot! Ç’farë gjaku lëviz në dejet e tua o njeri, jam kurioz ta di...!!! Z.
Kryeministër! Ju e dini fare mirë se artisti i madh, gjigandi i skenës dhe i
ekranit Guljelm Radoja nuk kishte asnjë lloj empatie ndaj jush. Pra, nuk kishte
asnjë ndjesi pozitive ndaj jush, sepse ai nuk vlerësonte tek ju asgjë si qënie sociale dhe shoqërore, por, edhe në atë
humane! Si politikan dhe burrë shteti jo e jo! Përkundrazi! Në takimet dhe
bisedat e shumta miqësore me Lemin, (kështu e therritnin miqtë e ngushtë të
zemrës), kuptoja fare qartë se ju nuk gëzonit asnjë fije respekti prej tij.
Sikundërse, jam i bindur se edhe ju e keni ndjerë dhe e keni kuptuar qartë se
ky artist dinjitoz edhe si NJERI, me përmasa të jashtëzakonshme, nuk ka
ekzistuar dhe nuk ekzistonte kurrë për ju deri në çastet kur ai mbylli sytë dhe
zemra e tij pushoi së rrahuri në spitalet e mjeruara të Covid 19 të Durrësit
dhe Tiranës. Ai iku nga kjo botë me një mal zhgënjimesh dhe brengash që shteti
shqiptar dhe qeveria juaj me mosmirënjohje ndaj tij ia rëndoi edhe më shumë barrën e dhimbjes,
duke u dergjur në shtrat për një muaj rresht, ashtu, i cflilitur nga flama e
pandemisë, por sërish dinjitoz si Ai, por pa të shtrirë dorën dhe pa të kërkuar
asnjë ndihmë për një shërbim mjekësor më të specializuar jashtë vendit. Iku,
ashtu siç dinë të ikin dinjitarët e mëdhenj të kombit, të cilët e përçmojnë
mëshirën dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit Njerëzor! Sot, në ditvdekjen e Guljemlit
të dashur për të gjithë shqiptarët, pa pritur më erdhi në mendje komedia e
njohur e Andon Zako Çajupit, “Pas
Vdekjes”. Nëse i madhi Guljelm Radoja për një çast do të ishte në rolin e
doktor Adhamudhit, e, nëse do të shikonte në facebookun e z. Rama nekrologjinë
e shkruar prej tij, ai nuk do ta merrte fare seriozisht, por si okatar i
këndshëm që ishte në jetën e përditshme do gajasej duke e qesëndisur
hipokrizinë e Kryeministrit tonë!