Mendime
Albert Zholi: Dita e 5 majit apel për të gjithë - Ta duam më shumë Shqipërinë!
E merkure, 05.05.2021, 08:11 PM
Flasin Kastriot Bezati, Odise Porodini, Mersin Mixha, Astrit Miho, Bashkim Qeli, Myfit Mema
Dita e 5 majit apel për
të gjithë: Ta duam më shumë Shqipërinë!
Kush
hedh poshtë këtë luftë, hedh poshtë historinë më të lavdishme të popullit tonë
Nga
Albert Z. ZHOLI
Sot 5
maji! Dita e dëshmorëve. Tashmë është bërë domosdoshmëri që më 5 Maj të
nderojmë dëshmorët e kombit, që kanë dhënë jetën për çlirimin e atdheut nga
pushtuesit e huaj, ose në mbrojtje të pasurisë së popullit dhe jetës së
njerëzve ndaj fatkeqësive të ndryshme. E cilësuar zyrtarisht si Dita e
Dëshmorëve, ajo është caktuar të përkujtohet si e tillë në nderim të 5 Majit
1942, ditës kur nga fashistët u vra Qemal Stafa, i riu komunist, aktivist i
Luftës Nacional Çlirimtare. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i
kujtonte dëshmorët dhe i mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike
dhe trashëgimisë së historisë të tyre, kaluar nga brezi në brez. Ja si shprehen
për këtë ditë veteranë dhe pasardhës të tyre... Drejtojnë apelin publik që të
rinjtë e sotëm ta duan Shqipërinë, siç e deshën dëshmorët. Duke pohuar
gjithashtu me keqardhje se “sot zor se gjen djem idealistë, djem të sakrificës,
si dëshmorët që dashurinë për atdheun e kishin kthyer në një kult dashurie dhe
respekti”...
MERSIN MIXHA, ish-partizan i Brigadës VI sulmuese
Për
mua 5 maji është festa më e bukur e shqiptarëve. Një festë që kujton ata që
ruajtën atdheun gjallë. Sa herë vjen 5 Maji bëhem më i ri, më i fortë dhe më i
lidhur me atdheun. Ne që luftuam për këtë ditë, e përcjellim natyrshëm gëzimin
për ditën e dëshmorëve, ditën e heronjve të luftës. Një ditë historike që na
bën krenarë. Sot çfarë nuk dëgjojmë për luftën, çfarë nuk thuhen. Deformime nga
më të ndryshmet, shtrembërime nga më bajatet të historisë. Për mua, Lufta
Nacional-Çlirimtare nuk ishte vetëm luftë kundër okupatorit, por ishte dhe
revolucion kundër qeverisë kuislinge të asaj kohe. Lufta dhe revolucioni kundër
kësaj qeverie, do të thotë shkulje me themel e çdo gjëje që binte ndesh me
interesat kombëtare. Unë kam qenë pjesë e kësaj lufte që në moshën 13
vjeç. Në luftë ranë 28 mijë dëshmorë, 28 mijë yje të pashuar. Ishin të
gjithë të rinj, idealistë, me dëshirën për të shporrur pushtuesin nga atdheu.
Pa këtë luftë, Shqipëria do të copëtohej. Ndaj çdo 5 maj, ne veteranët shkojmë
tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Kujtojmë shokët tanë, vëllezërit tanë, atë
luftë heroike. Mund të them se i gjithë populli e respekton këtë luftë, veç
atyre që ishin bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit. Sot më tepër se kurrë është
rritur respekti për këtë ditë simbol të kombit shqiptar.
Kastriot Bezati, historian, pasardhës veterani
“Ndihemi
krenarë për atë luftë. Ajo na emocionon edhe sot, pavarësisht se duan t’i
hedhin baltë. Janë të shumta shtëpitë në Mokër të Pogradecit që mbajnë
pllakën: “Shtëpi bazë e LANÇ-it”. Një ndër to është edhe shtëpia e Istref
Brahollarit (Ceka). Jo vetëm si shtëpi, por edhe të afërmit e tjerë vëllezër
dhe fëmijë, kush më shumë e kush më pak, kemi dhënë ndihmesën në luftën për
çlirim. Ende qëndron si dikur shtëpia jonë në fshatin Çezmë e Vogël, si për t’u
thënë brezave se ajo ruan një histori, që nuk duhet harruar dhe duhet përcjellë
më tej. Këtu vinin partizanë për t’u mjekuar dhe për t’u strehuar. Te kjo
shtëpi vinin njerëz të luftës dhe vendosnin për krijimin e celulave të para në
këtë zonë, bëheshin takime e biseda për shtimin e radhëve të partizanëve. Ndër
të parët ka ardhur Heroi i Popullit, Reshit Çollaku. Kur Brigada I kaloi për në
veri me komandantin e saj Mehmet Shehun, ai është kthyer në këtë familje. Në
këtë familje ka kryer aktivitetin e saj komanda e vendit për rreth gjashtë
muaj”.
Astrit MIHO, pasardhës veterani
Unë
jam me origjinë nga Fushë Bardha, fshati I pushkës dhe I penës. Si fis dhe
familje kemi qenë shumë të lidhur me këtë luftë. Babai im Brahim Miho (në
Brigadën VI, VIII, XIV e në fund XIX Sulmuese) ka qenë një ndër partizanët më
aktiv në zonën e Gjirokastrës. Ndaj dita e 5 majit është një ditë historike,
një ditë që sa më shumë ecën koha, aq më shumë lartësohet. Historia është
histori dhe ajo shkruhet e përjetohet ashtu siç ka ndodhur, paçka se nuk i
pëlqen njërit apo tjetrit politikan me pushtet. Për luftën duhet thënë me zë të
lartë se ka hedhur themelet e një lirie dhe pavarësie reale e shpëtimtare për
kombin. Vlerat e saj i shijuan të gjithë afërsisht, kurse të demokracisë
që po zgjat si shumë, i gëzoi një grusht shumë i vogël, i cili aq më keq, nuk i
meriton ato. Kjo duket çdo 5 maj, ku mes qindra vizitorëve që vijnë tek
varrezat e dëshmorëve e përkulen me respekt para gjakut dhe sakrificave të
atyre djelmoshave e vashave të reja që e këputën jetën në lule të rinisë,
veteranët që bënë luftën dhe pasardhësit e tyre vijnë në këmbë. Kurse ata që e
gjetën sofrën shtruar ngjiten pranë përjetësisë së tyre me makina tepër
luksoze. E më kot marrin mundimin të thonë dy fjalë hipokrite për dëshmorët.
Këta burra flokëbardhë, kush me republikë e kush mbështetur në bastun nga
mungesa e fuqisë, nuk vijnë thjesht për nostalgji pranë bashkëmoshatarëve të
tyre që prehen në kodrën legjendare të Saukut, por ndjejnë një obligim të madh
për përhapjen e së vërtetës së madhe, se kush ishte Lufta NacionalÇlirimtare
dhe për të mbajtur të ndezur tek brezi i ri ndjenjën e respektit të përjetshëm
për të. Ndaj është domosdoshmëri që të investohet moralisht dhe materialisht,
që monumentet, lapidarët e pllakat përkujtimore që simbolizojnë gjakun e
derdhur në beteja, të rifreskohen, të meremetohen, të rikthehen në vendet që
ishin, si shenjë e respektit për dinjitetin e kombit”.
Axhem Gjoni, pasardhës veterani
Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për
të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Të rënët u bënë simbol
frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të
tyre reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në
fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi ceremonial partizan, ndihma për
familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha
këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit. Pas
çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar,
miratoi ligjin nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe
invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte
edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun
edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes
Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për
një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit
përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”.
Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan
në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë
dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan
edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”,
ku sot ne krenohemi para gjithë botës për nderimin që u bëjmë heronjve.
Myfit Mema, pasardhës veterani
Nga
babai im, kam dëgjuar shumë për LANÇ-in. Gjatë saj, fillojnë edhe përpjekjet e
para për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Ata u bënë simbol
frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të
tyre reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në
fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi ceremonial partizan, ndihma për
familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha
këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit. Pas
çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist-Nacional-çlirimtar,
miratoi ligjin nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe
invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte
edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun
edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes
Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për
një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Në vitet ´60-të, statusi i dëshmorit
përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”.
Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan
në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë
dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan
edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”,
ku sot ne krenohemi para gjithë botës për nderimin qe u bëjmë heronjve. Kush
hedh poshtë këtë luftë, hedh poshtë historinë më të lavdishme të popullit
tonë”.
ODISE PORODINI, ish-partizan, Sekretar i Përgjithshëm
i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it
5
Maji ditë e shenjtë, ditë historike. Nuk ka ditë më hyjnore se kjo ditë. LANÇ-i
ka qenë dhe do të mbetet periudha më e lavdishme në historinë e popullit
shqiptar, sepse solli çlirimin e atdheut nga nazifashistët. Pa LANÇ-in, e cila
e radhiti Shqipërinë në frontin e aleatëve dhe fitimtarëve të Luftës së Dytë
Botërore, Shqipëria do të ishte copëtuar, sikurse edhe në 2013-tën. Unë i quaj
turp të madh kombëtar, përpjekjet e disa neokolaboracionistëve, neoballistëve,
që të hedhin baltë mbi komandantët, komisarët e njësive të ushtrisë partizane
të LANÇ-it. Kemi paraqitur këtë problem në qeveri, por askush të mos u fërkojë
kokën këtyre spekulantëve të historisë, sepse kështu i inkurajon ata, që të
baltosin LANÇ-in, ta vrasin, atë që nuk bënë dot baballarët dhe gjyshërit e
tyre. Kur vjen 5 Maji, ne pasardhësit e veteranëve të Luftës Antifashiste
Nacional-Çlirimtare mbushemi me krenari. Një krenari e ligjshme kjo, një
krenari që na buron vetiu në gjithë qenien, për vetë faktin se prindërit tanë,
vëllezërit dhe motrat tona, kanë rënë për gjënë më të shtrenjtë në botë, për
idealin më të madh jetësor: çlirimin e atdheut. Nuk thotë më kot kënga: “Kush
ka rënë për atdhe, nuk ka vdekur, por ka le”. Pa trimëritë e atyre dëshmorëve,
pa luftën, sakrificat e panumërta të tyre, Shqipëria nuk do ishte kjo që është
sot. Në shekuj, armiqtë e jashtëm donin të na gllabëronin, ndërsa armiqtë e
brendshëm donin të na shisnin. Pra, kemi pasur armiq dhe tradhtarë. Kur shikon
historinë e popullit tonë, habitesh sesi kanë luftuar përballë superfuqive
ushtarake, përballë armiqve të armatosur deri në dhëmbë për të na shuar si komb
dhe si shtet. Por ishin këta dëshmorë, ishin këta njerëz, këta idealistë, këta
yje të pashuar, që vunë atdheun para jetës së tyre të re. Kushdo sot në
këtë demokraci të pafre mund të flasë dhe të hedh baltë mbi Luftën
Nacional-Çlirimtare, por askush nuk i rrëzon dot ato male. Guriçkat nuk e
gjuajnë dot malin, pasi thërrmohen... Dëshmorët, historia i ka shkruar në
Panteonin e pavdekësisë, i ka shkruar në gjirin e shenjtë të Atdheut. Sot zor
se gjen djem të tillë idealistë, djem të tillë të sakrificës që dashurinë për
atdheun e kishin kthyer në një kult dashurie dhe respekti. Vlerat njerëzore po
shikojmë se zhbëhen dhe dashuria për atdheun po venitet, ndaj duke kujtuar 5
majin ne bëjmë dhe një apel: Duajeni më shumë Shqipërinë. Duajeni si dëshmorët
tanë. Përvoja e jonë dhe ajo e vendeve të tjera tregon se një shoqëri e vërtetë
demokratike nuk mund të ndërtohet ndryshe veçse duke çmuar e ruajtur vlerat e
Luftës së Dytë Botërore, antifashizmin, frymën dhe idealet antifashiste dhe në
këtë kuadër, respektin e nderimin për dëshmorët dhe luftëtarët antifashistë, që
derdhën gjakun e tyre, për ta parë Shqipërinë të lirë, të pavarur e
demokratike”.
ALEKSANDËR DRAGOTI, djali i ish-komandantit të Brigadës VIII
Kur
vjen 5 maji ndjej diccka të veccantë në shpirt. Më afron me kujtimet e babait.
Sot për mua është një ditë e veçantë, është një ditë reflektimi e nderimi. Unë
jam djali i komandantit të Brigadës VIII Sulmuese, Asaf Dragoti. Dita e
dëshmorëve është në ditën më të bukur të luleve. Vetë natyra ka dashur t’i
mbulojë me lule këta djem dhe vajza që ranë për lirinë e atdheut. Lule ishin
ata, lule është vetë natyra në këtë ditë. Unë kam qenë pjesë e luftës në
qarkorin e Rinisë së Vlorës në zonën e Peshkëpisë. Kur dëgjoj sesi e mohojnë
këtë luftë, habitem. Ishte një luftë që bota e respekton, që bota e nderon.
Ishte një luftë që ne duhet t’ua përcjellim të shkruar brezave. Kudo në
botë, ata që kanë qenë pjesë e Luftës Nacional-Çlirimtare ndihen të respektuar,
krenarë dhe të nderuar. Ajo luftë na dha lirinë dhe na radhiti ndër vendet
triumfuese. Madje, duke pasur parasysh popullsinë e Shqipërisë mund të themi me
plot gojën se lufta jonë ishte e njëjtë me atë të vendeve me popullsi të madhe.
Këtë e bënë prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, ndaj ne duhet t’i
kujtojmë dhe respektojmë ata. Kudo në botë nderohen dëshmorët, madje shumë më
shumë se tek ne. Heronjtë japin jetën për atdheun ne duhet ti nderojmë dhe
respektojmë ata. 5 Maji mbetet një ditë historike, një ditë ndër më të bukurat
të historisë së Shqipërisë.
Bashkim
Qeli, historian, pasardhës veterani
Kjo
ditë është ndër më të bukurat për gjithë shqiptarët. Ne duhet të përulemi me
respekt e mirënjohje, për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për atdheun. Kjo
për mua është një ditë kur ne kujtojmë dhe duhet të kujtojmë duke vlerësuar me
veneracion të gjithë ata që dhanë jetën e tyre në atë Luftë të Madhe, që ndau
botën në dy kampe, fashiste e antifashiste. Fatmirësisht, në sajë të
përpjekjeve mbinjerëzore, gjakut të atyre që ranë, ne u rreshtuam me ata që iu
kundërvunë monstruozitetit fashist e nazist, me kampin e madh antifashist. Ne u
rreshtuam kështu dhe me vetë popujt gjermanë e italianë, për të cilët ato
regjime u shndërruan jo në një zgjedhje, por në një kalvar shtypje pa kufi.
Prandaj t’i kujtojmë me respekt sot të gjithë ata që u ndanë nga jeta në ato
beteja.