Mendime
Adil Fetahu: Historia dhe legjendat për Mbretëreshën ilire, Teuta
E merkure, 28.04.2021, 07:48 PM
HISTORIA DHE LEGJENDAT PËR MBRETËRESHËN ILIRE, TEUTA
“Çdo
tregim në Ballkan, fillon me Ilirët” - Aleksandër
Stipçeviq
Nga
Adil Fetahu
Histori e
shkurtër e Mbretëreshës Ilire, Teuta
Mbreti ilir, Agroni, në
vitin 250 para Krishtit, kishte bashkuar fiset
dhe kishte formuar një shtet, mbretëri të fortë ilire, që shtrihej prej
ujdhesës Hvar (të Dalmacisë) deri në Akarnani në Epir.
Pas një beteje dhe fitoreje
të lavdishme që korri, kur u kishte shkuar në ndihmë Akarnanasve
(maqedonë) kundër Etoliasve (grekë),
sapo ishte kthyer nga ekspedita, kishte vdekur, dhe për vdekjen e tij ka
dyshime se e ka helmuar Demetrije Hvarasi, komandanti i ushtrisë ilire. Vdekja
e tij ishte goditje e madhe për shtetin ilir.
Pas vdekjes së mbretit ilir
Agronit, mbretërimin e mori bashkëshortja e tij Teuta, si mëkamëse e djalit të
mitur të Agronit (Pinesit). Ajo
mbretëroi tri vjet shtetin Ilir (vitet 231-228 p.e.r.). Është paksa e
çuditshme, se si Teuta u bë mëkamëse e djalit të mitur të Agronit, që nuk ishte djali edhe i saj, por i gruas
tjetër të Agronit (Triteutës). Ky fakt i atribuohet zotësisë së saj, prandaj
Këshilli i Pleqëve (Këshilli i Miqëve të Mbretit) ia kishte besuar asaj
mëkamësinë, gjegjësisht mbretërimin, si gruaja e parë e mbretit Agron.
Mbretëresha Teuta ishte një
grua ambicioze, që synonte të vazhdojë me bashkimin e të gjitha fiseve ilire
edhe të Dardanisë, në një shtet të vetëm, më të fortin në Siujdhesën
Ilire (Ballkani i sotëm). Në këtë synim, pas luftërave dhe fitores në Epir, e
Korfuz, Teuta e zgjëroi kontrollin e saj prej Neronës (qytet i vjetër, në
Luginën e Neretvës, në Bosnje) në veri, e deri në Gjirin e Ambrakisë në jug,
dhe kështu shteti ilir u bë shteti më i madh në Mesdhe. Vazhdoi ekspansionin
kundër kolonive greke prej ujdhesës Issa (Vis) në veri, përgjatë bregdetit deri
në Durrah (Durrës) dhe Apoloni, në jug.
Mbretëria e Romës, që
synonte të pushtojë bregun lindor të Adriatikut, mori si pretekst për pushtimin
e Ilirisë shkakun se kusarët e Ilirisë po plaçkitnin anijet tregtare romake dhe
greke në Detin Adriatik dhe Jon. Roma e kishte dërguar një delegacion te Mbretëresha Teuta me kërkesë për t’i ndalë
kusarët në det dhe për të ndërprerë rrethimin e kolonisë greke në Issa (Vis). Me qenë se nuk ishte arritur
marrëveshje për këto kërkesa, një anëtar
i delegacionit romak kishte deklaruar: “ Roma ka zakon t’i ndëshkojë ata të
cilët bëjnë padrejtësi, dhe t’iu ndaihmojë atyre të cilëve iu bëhet e padrejtë”
(duke aluduar në koloninë greke të Issa-s). Thuhet se mbretëresha e ofenduar me këtë arrogancë dhe kërcënim, kishte
dhënë udhër që ai anëtar i delegacionit romak të vritet në të këthyer për Romë
dhe ky urdhër ishte kryer.
Derisa forcat e Ilirisë
ishin të angazhuara dhe mbanin të rrethuar koloninë greke (ujdhesën Vis), Roma
kishte dërguar forca të mëdha (200 anije, me 20 mijë ushtarë-legjionarë dhe
2000 kalorës), për të sulmuar në disa pika mbretërinë e Ilirisë. Komandanti i ushtrisë ilire, Demitrije
Hvarasi-Fari, që ishte me prejardhje nga kolonia greke e Hvarit, me arsyetimin
se nuk mund t’i bënte ballë forcës romake, e kishte dorëzuar pa luftë Këryren
(Korfuzin) dhe tërë flotën detare që kishte në atë pjesë. Kjo ishte tradhti e komandantit të ushtrisë.
Flota ilire u shkatërrua. Teuta ishte tërhequr në kështjellën e saj në Rizon
(Risan) dhe kishte vazhduar luftimet
kundër romakëve. Me qenë se flota detare i ishte shkatërruar dhe disa prijsa të
fiseve ishin kundër politikës së saj të vazhdimit të luftës, në vitin 228
p.e.r. mbretëresha Teuta abdikon dhe zhduket, ashtu që pas kësaj nuk ka burime
historike për fatin e Mbretëreshës Teuta. Por Teuta si mbretëreshë e Ilirisë
mbeti në histori dhe në legjenda deri në ditët e sotme.
Udhëheqjen e luftërave
kundër romakëve dhe mbretërimin e merr i
vëllai i Agronit, Skerdiliadi, por atëherë shteti ilir ishte nën protektoratin
e Romës. Skerdiliadin e trashëgoi Pleurati, për të cilin thuhet se i shërbeu me
besnikëri Romës. Pas tij vjen Genci (viti 180 para Krishtit). Genci deshi të
bënte aleancë me Maqedoninë, që asokohe ishte shtet i fortë, por këtë Roma nuk
e duroi, dërgoi një forcë të madhe e
pushtoi tërë Ilirinë në vitin 168, e mori Gencin me tërë familjen, e internoi
në robëri, në Itali. Ky ishte fundi i mbretërisë ilire, e cila pastaj u nda në
tri pjesë, me sundimtarë të ndryshëm, kryeparë fisesh, në shërbim të Romës.
Aty ku
sosin burimet (historike), fillojnë legjendat
Në mungesë të provave dhe
burimeve historike, për mbretëreshën Teuta janë thurur legjenda të ndryshme,
dhe ato jo në një vend, por në të gjitha vendet e mbretërisë së saj.
Sipas legjendës, Teuta ishte
vajza e një mjekeje popullore, Persena, nga Narona, e cila shëronte sëmundje të
ndryshme me barëra natyrale. Për shërimin e një sëmurje, mbreti Agron kishte
shkuar te ajo mjeke dhe kur e kishte parë Teutën ishte mahnitur nga bukuria e saj dhe
ishte dashuaruar në te e pastaj ishin
martuar. Nëna e Teutës kishte tri vajza:
Teutën, Diteutën dhe Triteutën. Sipas një verzioni tjetër të legjendës, pas
18-19 vjetëve martese, pasi nuk kishte pasur trashëgimtar, mbreti Agron ishte
martuar me motrën e vogël të Teutës (“Triteutën”), me të cilën jetonte në
Shkodër, që ishte selia e mbretërisë së
Ilirisë. Me Triteutën e kishin një
djalë, Pinesi, i cili ka vdekur në moshën 15 vjeçe.
Për bukurinë e Teutës,
legjenda thotë se “zotërat (atëherë besohej në shumë zotra), për herë të
parë ishin aq dorëlirë në dhënien e bukurisë, sa që më pastaj u bënë xhelozë
dhe e thyen “kallëpin”, që të mos lindë më as të mos përsëritet aso bukurie. Në
këtë bukuri të papersëritshme qëndronte madhështia dhe fatkeqësia e saj. Kështu
është gjithnjë. Edhe me Teutën u përsërit e vërteta e vjetër. Zotërat i
dhanë asaj gjithçka dhe të gjitha ia
morën, të bindur se do ta shkatërronin armën e saj më të fortë – bukurinë. Por
u mashtruan. Ajo shkëlqen qe 23 shekuj mbi tokën që dikur ishte mbretëri e saj.
Pas së gjithash, dhe përkundër së gjithash, ka mbetur legjenda për atë bukuri
që i ka mbijetuar zotërat dhe kohën. Dhe përsëri u realizua në këtë
libër”, thotë shkrimtari malazez Mirash Martinvoiq, në romanin e tij
historik - TEUTA.
Profesori i letërsisë në
Fakultetin Filozofik të Universitetit të Splitit (në Kroaci), Marko Dragiq, ka
mbledhur e botuar dhe interpretuar në një libër të tij 40 gojëdhana e legjenda
që flasin për mbretëreshën Teuta. Ato i ka mbledhur në periudhën e viteve 2001
– 2017, në disa qytete e fshatra të Kroacisë, të Bosnjes dhe të Malit të Zi.
Sipas një legjende të
banorëve të Bokës së Kotorit (Mali Zi), perenditë ilire e kanë mallkuar
mbretin Agron, që të mos martohet me Teutën, se është tepër e bukur, dhe është
gjaknxehtë që vetëm do t’i sjell kob e
fatkeqësi Mbretërisë ilire. Megjithatë, Agroni u martua me Teutën, e ndërtoi
një qytet, i quajtur Agronium, me arena, kështjella e lulishte. Derisa ishte në
luftëra, i erdhi lajmi se Teuta po bënte një jetë të shfrenuar, prandaj mbreti
u kthye për të vërtetuar lajmin. Teuta e priti me ibrik me verë, në të cilin
Demetrie Hvarasi kishte hedhur helm. Mbreti kishte vdekur pak kohë
pasi e kishte pirë helmin. Për shkak të vdekjes së mbretit, për dënim
prej perendive ishte bërë termet shkatërrues, sa që shtatë lumej mbitokësore që
rridhinin në ato anë, ishin fundos e shndërruar në shtatë liqej nëntokësor.
Asnjë lum nuk ka dalur më mbi tokë, dhe do të dalin vetëm kur një grua me
bukuri të tillë hyjnore, si Teuta, do të mbretërojë në Carine. Qyteti
mitik Agronium është shembur nën tok dhe e kanë mbuluar valët e detit”,- thotë
legjenda.
Në ujëdhesën Sholta, afër
Shibenikut (Kroaci), gojëdhëna thotë se Teuta ka pasur pallatet e selisë së saj
në Luginën e lumit Senj. Banorët e asaj ujëdhese akoma e quajnë ishulli i
Mbretëreshës Teuta, dhe peshkatarët tradicionalisht organizojnë një manifestim
të quajtur “Legenfeshta”, në kujtim për Mbretëreshën e tyre, e cila iu ka dërguar anijet dhe i ndihmuar të shpëtojnë kur
peshkatarët i ka përfshi stuhia në det të hapur.
Një banor i moshuar (Tonko
Millatiq) nga ishulli Hvar (Kroaci), thotë se MberetëreshaTeuta ka jetuar në
vendin e quajtur Doll, ku e ka humbur një enë për ujë, që ishte prej ari, dhe
banorët akoma e kërkojnë atë enë, të quajtur “siç”. Ata thonë gjithashtu se
Teuta ka pasur një klloçkë me zogjë, motiv të punuar prej ari, të cilin e ka
fshehur në tokë. Thonë se aty Teuta e ka pasur fabrikën e farkimit të monedhës
ilire ,të quajtur “cikin”, prandaj vendasit atij vendi i kanë dhënë emrin
Cikindol. Një shesh i Cikindolit mbanë emrin “Shetitorja e Teutës”. Thonë se
themelet e pallatit të Mbretëreshës Teuta në Cikindol vërehen edhe sot.
Nga ishulli Sveti Andreja
(Shën Andreu), afër Visit, që tashmë nuk
është i banuar, një banore e moshuar (Raketina Meshkatello, 1938), thotë se
“aty ka sunduar mbretëresha ilire Teuta, e cila ka zhvilluar luftëra të ashpra
kundër romakëve. Romakët ishin shumë të zemëruar nga piratët ilirë, Teuta nuk
dëgjonte t’i ndalë kusarët, plasi lufta të cilën e humbi Teuta. Ishte e njohur
për bukurinë, guximin dhe mençurinë. Edhe sot mendohet se fshihet thesar i madh nën kullën që kishte në
ishullin “Svetac” (Shenjtor), por deri sot nuk e ka gjetur askush”.
Një tjetër gojëdhënë (tregon
Boshko Radun), thotë se kur Teuta e ka humbur luftën kundër romakëve në Issa
(Vis), ka kërcyer prej kullës që e kishte në Krajicino, dhe kështu i ka dhënë
fund jetës. Atje disa toponime lidhen me emrin e Teutës.
Legjenda tjetër (e treguar
nga Marija Shtërkall nga Mërkonjiqgradi),
thotë se Teuta ka pasur rezidencë në Jezero, afër Jajcës në Bosnje. Aty
kishte urdhëruar hapjen e një kanali të madh, për të ndarë ujin e lumit Pliva,
dhe për të krijuar ishull midis lumit e kanalit. Për të kaluar kanalin e për
të hyrë në pallatet e rezidencës, ishte
ngritur urë e metalt, që hapej dhe mbyllej me xinxhirë me çekërk.
Një mjeshtër i poçërive prej
dheut (Pero Çeriq) ka trashëguar
gojëdhënën, se Mbretëresha Teuta ka pasur shtëpi të verës (vikendicë) në
kodrinën Borko, në Shiroki Brijeg (Bosnje), ku i ka kaluar edhe ditët e fundit të jetës dhe aty është
vorrosur. Dhe Teuta e ka mallkuar çdo ushtri që do të shkonte në atë vend e ta
shqetësonte, kështuqë asnjë ushtri, madje as ajo turke, nuk e ka shkelur atë
vend. Për historinë e Teutës, ky rrëfyes
i gojëdhënës flet sikur e thotë historia. Ky mjeshtër thotë se gojëdhënën e ka
dëgjuar prej gjyshit të tij, ndërsa ky vet ka bërë shumë vepra poçërie të cilat
i ka quajtur “Mbretëresha Teuta në Borkë”.
Një gojëdhënë tjetër, që
është larg realitetit dhe kohës, thotë se në Strazhnjë, afër Tomisllavgradit
(në Bosnje), edhe sot gjendën mbeturinat e kullës, në të cilën kanë jetuar
mbreti Agron dhe Mbretëresha Teuta, para ardhjes së turqëve. Kur mbreti ka
vdekur, mbretëresha ka mbetur e vetme. Kur kanë ardhur Turqit afër Strazhnjës
dhe kanë dashur ta marrin mbretëreshën, një plakë i ka thënë mbretëreshës, të
ikë në atë mënyrë që kuajve t’iu mbathën patkojtë prapësht. Mbretëresha arriti
të ikë, ndërsa Turqit silleshin vërdallë e s’mund ta gjenin. (Kjo legjendë
është 1700 vjet larg realitetit, duke
pasur parasysh kohën kur ka jetuar
Mbretëresha Teuta dhe kohën kur kanë ardhur
dhe kanë sunduar Turqit në Bosnje (1463-1878).
Është e kuptueshme se
legjendat për Mbretëreshën Teuta qarkullojnë më së shumti në popullsinë e Malit
të Zi, duke pasur parasysh se selia e saj ishte në Risan, të Bokës së Kotorit.
Aty edhe jane bërë dhe akoma vazhdojnë të bëhen gërmime arkeologjike në
lokalitetet e quajtura Carina dhe Gradina dhe janë gjetur shumë artefakte të rëndësishme,
veç tjerash edhe monedha të mbretit ilir Balajosh.
Në legjenda hyjnë vetëm
prsonalitete të zgjedhura, që janë të veçanta përkah pozita, karizma, fati a
fatkeqësia, bukuria, trimëria e veçori të tjera, ashtu që edhe pas vdekjes fizike të jetojnë
në kujtesën e popullit. E tillë ishte Mbretëresha ilire Teuta. Gojëdhëna e
legjenda që tregohën në Risan e gjithandej në Mal të Zi për Teutën, thonë se
“ishte e bukur si zana, e mençur si gjarpëri, e guximshme si luani; kishte
zemër burri në krahëror gruaje”.
Thesari i
Mbretëreshës Teuta
Jo vetëm për personalitetin,
por edhe për thesarin e Mbretëreshës ilire Teuta, janë thurur e tregohën
gojëdhëna e legjenda të ndryshme, në vende të ndryshme. Në vendin ku Teuta e
kishte selinë e saj të fundit, në Risan të Bokës së Kotorit (Mali Zi), thonë se
Ilirët kanë qenë popull i pasur, që kanë krijuar pasuri të madhe nga luftërat e
fituara, nga tregtia e zhvilluar dhe nga pirateria e anijeve tregtare të cilat
i kanë rrëmbyer ose plaçkitur në Detin Adriatik dhe në Detin Jon. Për mbretëreshën Tuta pas humbjes së
pushtetit, kanë dy verzione tregimesh. Sipas verzionit të parë, ajo është zënë
rob në ishullin Zakintos, në Detin Jon, ndërsa sipas verzionit tjetër, më i
përhapur, ka ikur në kodrat dhe malet pas shpinës së Rizonit, bashkë me të emën
e vet, Birsena, të shndërruara në fshatarae që mbledhin barëra dhe përgatitsin
ilaçe popullore, ashtu që askush nuk i njeh. Ushtria romake gjithnjë e ka
kërkuar, por kurrë s’ka mund ta gejë. Legjenda thotë se lulja magjike dhe e pazhdukshme
“Iliris”, ngjyrëkaltër, ka marrë ngjjyrën e syve të Teutës dhe është ilaç për
shumë sëmurje.
Sa i përket thesarit,
legjendat thonë se thesari është i mëshehur nën tokë, në liqejtë e Sopotit, ku
askush nuk mund të ketë qasje, dhe se atë e ruajnë gjarpinjë të mëdhenj e tejet
të helmueshëm. Kur bie shumë shi mbi Sopot dhe uji i liqejve derdhet në det, në
shtratin e terur të rrjedhës së ujit, gjendën monedha ilire?
Përkundër gojëdhënave e
legjendave të shumta për thesarin e Mbretëreshës Teuta, gjoja të mëshehur nën
tokë, dhe në vende të ndryshme,
historiani i vjetër romak, Tit Livi, ka lënë me shkrim, se kur kryekomandanti
romak Lucie Ancie e ka zënë rob mbretin e fundit ilir, Gencin (në vitin 168
p.e.r), ka marrë edhe thesar të madh, madje edhe të gjitha mobiljet luksoze të
pallatit mbretëror. Sipas historianit Livi, nga thesari i Ilirisë ka marrë 27
ngarkesa (qerre) ari, 19 ngarkesa argjend, 13000 denarë dhe 120.000 monedha
ilire prej argjendi. Para karavanit të qerreve të ngarkuara me thesarin dhe plaçkat
tjera, i ka vu mbretin Genci me gruan, fëmijët,
vëllaun (Karavanti) dhe disa fisnikë tjerë ilirë, të mbyllur në kafaze
metali, ka defilua nëpër rrugët e Romës, për të treguar madhështinë e fitores
së vet para romakëve që i duartrokisnin.
Ndërsa mbretëresha ilire
Teuta, ka hyrë në histori, në gojëdhana
e legjenda dhe ka mbetur në kujtesën popullore të popujve të ndryshëm që ma se
2300 vjet dhe vazhdon tutje. Askund nuk është i shënuar vorri i saj, prandaj
atij/asaj që nuk i gjendet shenjë varri, konsiderohet se është i/e gjallë. Të paktën
– në tregime e legjenda!