Mendime
Nikë Gashaj: Shteti qytetar apo nacional
E hene, 03.05.2021, 04:55 PM
SHTETI QYTETAR, APO NACIONAL
Nga
Nikë Gashaj
Në shtetet
bashkëkohore, qytetaria është forcë kryesore e unitetit, por dhe kombësia
është e pranishme në të gjitha vendet multietnike, mandje edhe në
demokracitë e zhvilluara. Bëhet fjalë për lidhjen e ngushtë midis strukturës
qytetare dhe të asaj kombëtare të shoqërisë.
Prandaj, nëse ka
orvajtje për të hequr elementin etnokulturor nga koncepti i shtetit, për të
krijuar shtetin e pastër qytetar(civil), ajo është iluzion. Meqenëse, me
shlyerjen e ndonjë fenomeni nga fusha e teorisë, normave juridike dhe nga
politika, nuk do të thotë se ai nuk egziston ose është zhdukur nga realiteti
dhe jeta. Sepse, trashëgimtari i identikimit të kombit dhe shtetit
është më së shpeshti kombi shumicë, i cili mund të synoj drejt unitarizmit
kombëtar me një parashenjë qytetare.
Në Francë, për
shembull, zyrtarisht nuk egziston dallim midis “shumicës” dhe “pakicës”, por me
çfarë kostoje? Minioritetet janë të rrezikuara ndaj një procesi “demokratik” të
asimilimit në një komb shumicë, i cili, për të lehtësuar atë humbje
“bujarisht” heq dorë nga identiteti i tij në favor të një identiteti të
përbashkët qytetar-civil. Qendrimi është se të gjithë qytetarët janë shtetas të
Francës, prandaj nuk ka nevojë për kodifikim të drejtave të veçanta
për pakica kombëtare. Mirëpo, duke pasur parasysh praninë multimilionëshe të
popullsisë afrikane në Francë, vërtet kujdesi për “pastërtinë” e shtetit civil
nga parimi kombëtar, nuk paraqet progres demokratik të shoqërisë. Në anën
tjetër, realiteti është i tillë, se një francez do të thotë për veten e tij se
ai është një qytetar i shtetit francez, por si francez, në kuptimin kombëtar.
Në të njëjtën kohë, një algjerian që jeton në Francë do të thotë për veten e tij
se ai është një shtetas francez, por si algjerian, dhe jo si francez.
Megjithëse, Franca
nuk e njeh zyrtarisht kategorinë e pakicave kombëtare, dihet përgjithësisht se
ajo ka probleme etnike në territorin e saj, gjë që ilustrim më së miri rasti i
Korsikës. Në kuadër të sistemi juridik francez është bë një përjashtim,
respektivisht është pranuar se një pjesë e territorit dhe e popullësisë e cila
atje jeton të ketë një trajtim të veçantë, për shkak të karakteristikave të
tyre historike dhe gjeografike, gjuhësore dhe kulturore. Andaj, në vitin
1991, zyrtarisht u krijua statusi special për Korsikën (“kolektivi territorial
i Korsikës”). Rendi ligjor francez kërkonte të vendoste një lloj ekuilibri,
dmth. të mos shkelë parimin e barazisë, por gjithashtu të njohë diversitetin
duke ia mundësuar Korsikës që të qeverisë në mënyrë efikase në territorin e
saj. Barazimi i shtetit dhe kombit në disa shoqëri lindore dhe jugolindore mori
një drejtim kah dominimi i kombit shumicë. Parimi qytetar( civil) është
keqpërdorur, ashtu që të drejtat civile dhe politike janë kryesisht
“dekorim” i sistemit.
Demokracia
liberale është larg nga ajo që shteti nacional, është i mbrapsur në histori.
Nëse do të ishte e vërtet që shteti qytetar(civil) është i mundur vetëm si
shtet postnacional, atëherë në Europë sipas këtij kriteri nuk do të kishte
shtete qytetare(civile) ! Sepse me pak përjashtime, të gjitha shtetet moderne
janë kombëtarisht të përbëra dhe të ndërlikuara.
Në botën moderne,
nuk ka vetëm shtete nacionale apo vetëm shtete qytetare(civile). Në esencë, të
gjitha ato janë shtete nacionale në kuptimin politik, por jo dhe në puptimin
etnik, ndonëse në nivele të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë civile.
Prandaj, nuk ka as një dilemë-shtet qytetar(civil) apo shtet nacional. Dilema e
vërtet mund të jetë, vetëm – shtet demokratik ose jodemokratik.
E ardhmja dhe
demokracia e qendrueshme e një shteti shumëkombësh reflektohet në faktin se
elementet konstitucionale shtetërore janë të ndara në të gjitha
bashkësitë etnonacionale në mënyrë të barabartë, në të cilën kombi shumicë ose
kombi numerikisht më i madh nuk gëzon ndonjë status të privilegjuar, përveç
ndoshta që shteti mban emrin e tij. Por në atë situatë, pasi që shumica etnike
mund të anoj kah disa privilegje, është e domosdoshme mbrojtja ligjore e të
drejtave individuale dhe kolektive të pakicave etnonacionale.
Në çdo rast,
zgjidhjet, veçanarisht në rajonin tonë, nuk mund të kërkohen as në parimin e
liberalizmit klasik “një shet-një komb” ose në utopin e modeleve postnacionale
të bashkësisë njerëzore. Ajo është si do të thoshte Dominik Shnaper, një
farë lloji të “utopisë kreative”. Andaj, mud të konstatohet, se është më
afër realitetit, koncepti i shtetit demokratik i cili është në të njëjtën kohë
bashkësi e qytetarëve dhe bashkësi kolektive kombëtare, si një formë e
ekulibrit historik të parimit qytetar dhe kombëtar.
Shoqëria mund të
jetë liberale dhe e drejtë, nëse e respekton diversitetin. Prova e vërtet e
demokracisë nuk qëndron vetëm në lidhje me individin, por edhe me pakicat kombëtare.
Prandaj, në shtetet shumëkombëshe egziston gjithëmon një problem aktual në
marrëdhëniet midis shumicës dhe pakicës. Toville, ka theksuar se parimi
i shumicës së demokracisë shkelë të drejtat e pakivave kombëtare dhe zakonisht
shpien drejt “tiranisë së shumicës”. Karl Poper,duke u mbështetur në
Greqinë e Lashtë dhe në disa përvoja të kohëve të fundit, konstaton se parimi i
demokracisë nuk do të thotë, se shumica është gjithmonë në të drejtë. Shumica
mund të bëj gabime të mëdha. Nuk duhet harruar që ardhja e Hitlerit në
pushtet ishte legjitime dhe se autorizimet e tija diktatoriale i fitoj nga
shumica parlamentare. Në Austri, mbi 90 përqind të votuesëve i dhanë
mbështetjen e tyre Hitlerit në momentin vendimtar. Prandaj, përfundon Poper,
parimi i legjimitetit nuk është i mjaftueshëm.
Në këtë
drejtim, pyetja kryesore është se si të zbatohet demokracia dhe të
shmanget majorizimi i shumicës mbi pakicën, në veçanti, në bashkësitë
shumëkombëshe? Sepse, nëse parimi i vendimmarrjes së shumicës zbatohet, pa asnjë
kufizim, në mjedise multinacionale, ai mund të sjellë pasoja jodemokratike.
Gjegjësisht, ai mund të shërbej si një mjet i kombit shumicë për të imponuar
interesat e tij të ngushta kombëtare si interesa të përgjithshme të shtetit.
Kështu, në një mjedis heterogjen, parimi i shumicës, nga mjeti i qeverisjes
demokratike mund të shëndërrohet në një instrument të sundimit reaksionar,
hegjemonik dhe të dhunshëm.