E merkure, 04.12.2024, 06:06 PM (GMT)

Mendime

Skënder Hoxha: Në përvjetorin e prillit të thyer të Dushkajës

E enjte, 06.05.2021, 07:33 PM


Kujtesë e një historie, tash e njëzet e dy vjet më parë (I)

NË PËRVJETORIN E PRILLIT TË THYER TË DUSHKAJËS

Nga Mr. SKËNDER R. HOXHA

…Ështe kjo krahina etnografike e Dushkajës, e cila ka shtrirje administrative në komunën  e Gjakovës dhe në atë të Deçanit. Është kjo Dushkaja ku herët e vonë gjetën mikpritje e mbështetje burrat e kombit shqiptar: Azem Bejta, Bajram Curri, Nue Përlleshi, Isë Boletini e shumë e shumë të tjerë… Është kjo Dushkaja që përjetoi masakra në të cilat u martirizuan shumë burra, por edhe gra e fëmijë, dushkajas e mysafirë, dhe vetëm pse ishin shqiptarë, e Dushkaja gjithmonë armiqve u tha: JO!, KJO ËSHTË TOKË SHQIPARE DHE NE JEMI SHQIPTARË! … Është kjo Dushkaja e burrave të hershëm të saj, burra këta të pushkës e të kuvendit… Është kjo Dushkaja e qelulave të para UÇK-së. Është kjo Dushkaja e shumë dëshmorëve dhe martirëve të cilët dhanë shumë në luftën e lavdishme të UÇK-së, më në fund edhe jetën, për lirinë e Kosovës. Është kjo Dushkaja e orëve të para të UÇK-së. Në përvjetorët e prillit të vitit 1999, të këtij viti të egër, përkujtojmë rënien e luftëtarëve të Dushkajës,  përkujtojmë sakrificën, dhembjen dhe krenarinë për ta… Ata janë 14 kryepersonazhet e këtij përkujtimori, të dhënat për të cilët, sipas datave të rënies në Altarin e Lirisë, gjatë atij prilli të tmerrshëm, po i paraqesim në vijim:

1. FEHMI MIFTAR SHALA

17.8.1977.-3.4.1999

Dëshmori Fehmi Shala lindi më 17 gusht 1977 në fshatin Cërmjan, komuna e Gjakovës. Babai Miftari është keqtrajtuar nga regjimi serb në vitin 1956 me pretekst të kërkimit të armëve. Miftar dhe Mirushe Shala kishin pesë fëmijë, të pestit djem. Dëshmori shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Më 21 prill 1998 hyri në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sistemuar si ushtar, në Shtabin e Cërmjanit. Kreu detyra me rëndësi në Shtabit lokal të UÇK-së në Cërmjan prej 20 prillit deri më 3 shtator të vitit 1998. Fehmiu, bashkë me Xhevdet Plavën e shumë të tjerë shkuan në Shqipëri, prej nga solli armatim në fshat. Në Pikën e Kodrës së Belës kreu detyrën e besuar me përkushtim. Në qendër mori pjesë në aksionin e njësitit gueril në punktin policor në Kremavik. Herën e dytë për Shqipëri u nis në korrik, ku duke u kthyer nëpër fshatin Junik, më 19 korrik të 1998, iu bashkangjitet luftëtarëve të Junikut në ofensivën e madhe që kishin ndërmarrë forcat serbe, për ta këputur këtë arterie që lidhte Kosovën me Shqipërinë, përkatësisht armatimin që vinte pikërisht nëpërmjet kësaj rruge. Më 29 korrik 1998 u kthye me grupin e luftëtarëve të Dushkajës në Cërmjan. Ishte pjesëmarrës i betejës së 2 gushtit 1998 ku pas një ballafaqimi të ashpër, forcat serbe detyruan pozicionet e UÇK-së të tërhiqen. Në Cërmjan nuk pati mundësi më të vihen pika të UÇK-së. Fehmiu u rreshtua në radhët e UÇK-së bashkë me kushëririn Sadri Shalën, tash dëshmor, në Shtabin e Kralanit, me komandant Adem Ibishin. Më 3 prill të vitit 1999 vijat e frontit të UÇK-së në Dushkajë ishin përfshirë nga një ofensivë e madhe nga ana e forcave serbe. Numri i ushtarëve të UÇK-së ishte i vogël, armatimi i mangët. Forcat serbe avanconin drejt pozicioneve të UÇK-së. Ndodhej në pozicion bashkë me dëshmorin Shefqet Dërvishin nga Kralani, kur papritur iu bie një predhë minahedhësi, me ç’rast vriten të dy së bashku. Trupat e tyre nuk mundën t’i tërheqin, kështu ranë në duar të forcave serbe. Për tre muaj u konsideruan të zhdukur. Por, falë gjeturisë së axhës së dëshmorit, Jashar Shalës, u zbulua varrimi masiv te shkolla e Kralanit, ku u identifikuan kufomat e Fehmi Shalës, Shefqet Dërvishit, Kujtim Qollakut, Visar Miftarit dhe Rifat Salihut, si edhe ajo e plakës nga Bubaveci i Klinës, Halime Kryeziu. Trupi i Fehmiut pushon i qetë në Varrezat familjare në Cermjan të Dushkajës.

2. SHEFQET SHABAN DËRVISHI

20.11.1975.-3.4.1999.

Shefqet Dërvishi lindi më 20 nëntor 1975 në fshatin Kralan, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje e varfër fshatare. Prindërit Shaban dhe Gjylshahe Dervishi kishin gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Dëshmori Shefqet Dërvishi shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme nuk kishte mundësi ta vazhdojë. Kështu u detyrua të merrej me bujqësi në fshatin e lindjes. Si familje shumë kohë ishte e papërshtatshme për regjimin serbokomunist. Ishin të përjashtuar, të keqtrajtuar, sa madje edhe pasurinë ia konfiskoi regjimi serb gjatë viteve të pasluftës së Dytë Botërore. Mbi anëtarët e saj ranë edhe dënime të ndryshme, të cilat Dërvishajt i përballuan stoikisht. Kështu, dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftimet e sapofilluara në Drenicë dhe Rrafsh të Dukagjinit, dëshmorin Shefqet Dërvishi e gjetën të përgatitur psikikisht për luftë kundër një regjimi nga i cili jo vetëm që kishte vuajtur familja e tij, por mbarë shqiptarët në Kosovë. Me formimin e Shtabit rajonal për fshatin Kralan, Shefqet Dervishi u gjend në radhët e UÇK-së me shumë djem nga ky fshat, të sistemuar në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”, në Batalionin e Parë të Kompanisë së Parë. Në kryerjen e urdhrave dhe detyrave që para tij parashtronte UÇK-ja përkatësisht eprorët e tij, ishte i përpiktë. Mori pjesë në ofensivat e gushtit dhe të shtatorit të vitit 1998 që u zhvilluan ndërmjet pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave policore dhe ushtarake serbe. Qëndroi i patundur në pozicione në Kralan, deri më 3 prill të vitit 1999, kur pikërisht në Kralan ndodheshin shumë civilë të strehuar, vendas dhe nga rajone të ndryshme, sidomos nga komuna e Klinës dhe fshatrat e saj. Forcat serbe kishin mësyer me të gjitha mjetet luftarake. Beteja ishte e ashpër. Me këtë rast nga bormbardimet që vinin nga ushtria serbe, në Lagjen e Hereçëve, në afërsi të shkollës së fshatit, duke mbrojtur fshatin dhe civilët, ranë dëshmorë dy luftëtarë të lirisë, Shefqet Dërvishi nga Kralani dhe Fehmi Shala nga Cërmjani.

3. ILIR MASAR HOXHA

7.3.1981.-4.4.1999.

Ilir Hoxha lindi më 7 mars 1981 në fshatin Cërmjan, komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në Gjakovë. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm. Merrej edhe me krijimtari letrare e publicistike. Këto shkrime herë pas here i botonte në gazeta e revista të ndryshme. Masar dhe Raze Hoxha kishin katër fëmijë: tre djem dhe një vajzë. Iliri ishte më i madhi ndër fëmijët e Masar Hoxhës. Më 3 qershor 1998 edhe pse në moshë të re, Ilir Hoxha u bashkangjitet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht në komandën e fshatit, të komandantit Ali Hasi, edhe ky dëshmor i kombit. Pas lëshuarjes së pikave të frontit të UÇK-së nga ana e luftëtarëve të Cërmjanit dhe dorëzimit të armëve nga burrat e Cërmjanit, Ilir Hoxha edhe pse i ri, nuk u pajtua me këtë. U strehua në familje, shkoi në Gjakovë dhe në tetor të vitit 1998 vazhdoi mësimet në shkollë, por më 12 dhjetor kthehet në vendlindje. Në Cërmjan ishin të pozicionuara forcat serbe te shkolla dhe banorët ishin në një rrethim të hekurt. Iliri vendosi të riinkuadrohet në radhët e UÇK-së bashkë me kushëririn Bekim Hoxha dhe shkuan në Jabllanicë, prej nga kalojnë në fshatin Buqan të Pejës. Më 26 mars të vitit 1999, sistemohet në Brigadën 135 "Agim Zeneli", në fshatin Buqan, ku shquhet në sjellje dhe zbatim të urdhrave të eprorëve ushtarakë të UÇK-së. Në ofensivën e ndërmarrë nga ana e armikut më 4 prill të vitit 1999, dëshmori Ilir Hoxha bie në fushë të nderit, duke luftuar me hordhitë serbe, pikërisht te Vorri i Muhaxherit, në moshën 18-vjeçare, duke lënë prapa dhembjen dhe pikëllimin ndër pjesëtarët e UÇK-së, por edhe lavdinë se për atdhe mosha nuk ka rëndësi, por heroizmi që me pushkë në dorë t'i dilet zot atdheut. Dëshmorin Ilir Hoxha e varrosin pas 3 apo 4 ditësh luftëtarët Fadil Nimani, Arif Berisha etj., mu aty ku ra për liri, ndërsa rivarrimi i tij u bë më 19 qershor 1999 në fshatin e lindjes në Cërmjan.

4. NASER REXHË BRAHIMAJ

1.9.1976.-5.4.1999.

Naser Brahimaj është njëri ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, i cili fatin e vet qysh herët e kishte lidhur me fatin e atdheut. Lindi më 1 shtator 1976 në fshatin Jabllanicë të Dushkajës, komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Cërmjan dhe Gjakovë. Në radhët e UÇK-së u inkuadrua më 5 tetor 1995, atëherë në ilegalitet, bashkë me Lahi Brahimajn, Myrtë Zenelin etj. Lidhje të mirëfillta kishte me Luan dhe Daut Haradinajn nga Gllogjani, të cilët ishin nipa të familjes Brahimaj. Prindërit Rexhë e Ajshe Brahimaj kishin nëntë fëmijë; katër djem dhe pesë vajza. Naseri ishte i shtati me radhë. Ishte i martuar dhe disa muaj pas rënies dëshmor i lindi një djalë, të cilin e pagëzuan me emrin e të jatit. Naser Brahimaj që nga viti 1993 u dallua në mbrojtje të fshatit. Kishte lindhje të mirëfillta me Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Ilir Konushevcin, Adrian Krasniqin etj. Gjatë periudhës së ilegalitetit shpesh ka shkuar në Shqipëri për armë, bashkë me Daut Haradinajn, Agim Zenelin, Gazmend Mehmetajn, Mujë Krasniqin, Rasim Kiqinën etj. Armatimin e çonte deri në Açarevë dhe Çabiq. Ishte pra një ndër lidhjet kryesore të shpërndarjes së armatimit të UÇK-së për rajonin e Dushkajës. Vazhdimisht ishte në kontakt me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Naseri, i njohur me nofkën "Bardheci", krahas furnizimit me armë, ka marrë pjesë në një varg aksionesh kundër forcave policore serbe, të kryera bashkë me vëllezërit Lahi e Nazmi Brahimaj. Duhet përmendur aksionin kundër stacionit të policisë serbe në Çallapek tri herë me radhë, e madje edhe në aksionin e përgjithshëm të UÇK-së më 11 shtator 1997 po kundër këtij stacioni. Shtëpia e xhaxhait të tij më 1997 ishte e hapur për të strehuar grupet që udhëtonin për Shqipëri, të udhëhequra nga Musa Jashari, Rasim Kiqina, Muharrem Xhemajli, Alush Agushi etj. Naser e Lahi Brahimaj të parët, më 4 mars 1998, dolën me uniformën e UÇK-së në Jabllanicë. Naseri bashkë me Agim Zenelin ishin koordinatorë të UÇK-së për rajonin e Dushkajës. Ishte përgjegjës i vijave të frontit në Vranoc, Çeskovë, Këpuz, Kralan, Cërmjan dhe Rakovinë, përkatësisht përgjegjës për vijën e frontit Këpuz-Çeskovë-Bokshiq-Grabanicë, por edhe për Pikën e Shqiponjës në Jabllanicë, pikë kjo me një strategji të fuqishme luftarake. Në luftën e Loxhës mori pjesë me 35 luftëtarë të Njësisë së vet, si: Nezir Neziri, Xhevdet Brahimaj, Florim Zeneli etj. U dallua në luftimet e zhvilluara në Këpuz, Dollovë, Çeskovë, Sukë e Cërmjanit, Vranoc, Kryshec, Gllogjan, Gërgoc, Rahovec, Drenoc të Klinës, Lumbardh, Pozhar, Ratishë, Llukë etj. Në maj të vitit 1998 në Këpuz u zhvilluan luftime të ashpra. Këtu morën pjesë tri Njësi të UÇK-së nga Jabllanica, të komanduara nga Naser Brahimaj, Agim Zeneli dhe Myrtë Zeneli. Këtu merr pjesë edhe Njësia e Alush Agushit nga Drenoci i Klinës. Gjatë betejës në Këpuz, Naseri arrin të rrëzojë një helikopter serb me mitralozin kundërajror. Ditën e tretë të luftimeve arrijnë ta bllokojnë artilerinë serbe, e cila ishte përqendruar në Qafën e Dollovës. Me këtë rast sulmojnë tri njësitë nga tri drejtime: nga poshtë Naser Brahimaj, në mes Agim Zeneli, nga drejtimi i Bokshiqit Myrtë Zeneli. Në këtë luftë bie dëshmori Myrtë Zeneli dhe plagosën tre ushtarë. Mori pjesë në luftimet në Sukë të Madhe më 21 maj 1998, bashkë me Xhelal Hajdën, Agim Zenelin, Fadil Nimanajn, ku forcat serbe pësojnë humbje të mëdha. Në luftimet e zhvilluara në Drenoc të Klinës për tri ditë rresht Naseri me shokë luftoi si luan. Edhe në luftën e Rahovecit mori pjesë bashkë me Lahi Brahimajn dhe shokë të tjerë. Në betejat e Jabllanicës të gushtit dhe shtatorit të vitit 1998 tregoi heroizëm të rrallë. Po në gusht merr pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Gllogjan të Rekës. Më vonë lufton në Dashinoc, në Ratishë, në Lumbardh, në Pozhar, ku njësitë e UÇK-së të prira nga komandanti Daut Haradinaj, armikut i shkaktojnë humbje të mëdha. Në prill 1999, vetëm dy ditë para se të bie në fushë të nderit, Naser Brahimaj, në Kodrën e Bokshiqit likuidoi pesë ushtarë serbë. Mirëpo, në ofensivën e 5 prillit 1999, në Jabllanicë, në pozicionet luftarake në Pikën te Shkolla fillore, pas një lufte dhe qëndrese heroike, bie në altarin e lirisë edhe Naser Brahimaj, duke lënë prapa lavdinë e një luftëtari të shquar të Dushkajës, të Dukagjinit dhe të mbarë Kosovës. Trupi i tij pushon në varrezat e vendlindjes.

5. ARSIM ARIF RAMA

6.6.1973.-5.4.1999

Arsim Rama lindi më 6 qershor 1973 në fshatin Rashkoc të Dushkajës, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje bujare. Gjyshi i dëshmorit, Mehmet Rama, gjatë tërë dimrit të viteve 1956/1957 u keqtrajtua në mënyrën më mizore nga inspektori i sigurimit në Gjakovë, Mirko Iliq, me pretekst të kërkimit të armëve. Edhe babai i dëshmorit, mësuesi Arif Rama, u keqtrajtua nga policia serbe, madje e burgosën me procedurë të shpejtuar, sepse kishte deklaruar: "Serbia patjetër Kosovës do t'ia japë Republikën". Andaj, edhe Arsim Rama, dëshmor i kombit për çlirimin e Kosovës, i edukuar nga babai Arifi dhe nëna Shehrija, të cilët kishin nëntë fëmijë: gjashtë djem dhe tri vajza, u rrit dhe edukua në frymën e një të riu patriot. Ishte fëmija i tretë me radhë në mesin e vëllezërve dhe motrave. Shkollën fillore e kreu në Cërmjan, ndërsa shkollën e mesme në Gjakovë. Studimet i vazhdoi me korrespondencë në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. Në jetën civile ka punuar si punëtor teknik në shkollën fillore të Cërmjanit. Fillimet e luftës së armatosur në Kosovë kundër regjimit dhe forcave serbe, e tërhoqën edhe dëshmorin Arsim Rama në radhët e saj. Kështu, në prill të vitit 1998 inkuadrohet si ushtar i UÇK-së në Shtabin e Cërmjanit. Këtu kreu detyra ushtarake deri më 2 gusht 1998. Ndërsa, prej shkurtit 1999 kalon në Brigadën 135 "Agim Zeneli", i sistemuar në policinë ushtarake. Ishte përherë aktiv në luftimet që u zhvilluan ndërmjet pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njësiteve të forcave serbe. Mori pjesë në shumë beteja në Dushkajë dhe Lug të Baranit, si: në Sukë të Cërmjanit, në Dashinoc, në Baran, në Buçan, në Vranoc, në Qallapek. Kudo tregi shkathtësi, trimëri, guxim. Ndërsa, beteja e fundit e dëshmorit Arsim Rama ishte ajo në fshatin Kotradiq, komuna e Pejës, ku gjatë tërheqjes së të plagosurve, bie në një pritë, pikërisht më 25 maj 1999, ku qëndroi deri në frymën e fundit. Trupi i tij pushon në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.

6. ISLAM HALIL ADEMAJ

5.6.1954.-6.4.1999.

Islam Ademaj lindi më 5 qershor 1954 në fshatin Jabllanicë, komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Kralan, Normalen në Gjakovë. Prindërit Halil dhe Hajrije Ademaj kishin gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Edhe dëshmori Islam Ademaj ishte i martuar dhe la pas vetes gjashtë fëmijë: katër djem dhe dy vajza. Pas kryerjes së Normales dy vjet punoi si mësues në fshatin Kralan. Kreu shërbimin ushtarak dhe punoi në Gjykatën për Kundërvajtje në Gjakovë, si nëpunës për 17 vjet me radhë. Krahas punës studioi me korrespondencë në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, dega e Edukatës Politenike. Më 20 prill të vitit 1998 inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Shtabin e Jabllanicës, në Brigadës 132, në Njësitin e Logjistikës. Në këtë Brigadë kishte detyrën e furnizuesit të UÇK-së, ku kuftëtarët e lirisë i furnizonte me barëra dhe karburante që ishin shumë të nevojshme gjatë luftimeve me forcat e policisë dhe ushtrisë serbe. Ishte ofensiva e prillit të vitit 1999, kur forcat serbe morën ofensivë kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jabllanicë dhe në të gjitha vijat e frontit. Në pikën e Shqiponjës ra heroikisht dëshmori i Jabllanicës Naser Brahimaj. Islam Ademaj me një grup shokësh, Arben Mehmetin, Bajrush Mehmetin dhe Fitim Rexhën dhanë një kontribut gjatë kësaj ofensive. Megjithatë, dita e pavdekësisë së tyre vjen pikërisht më 6 prill 1999, një ditë pas vrasjes së Naserit, kur këta petrita nga Jabllanica po bënin ndërrimin e pozicioneve të luftës, në vendin e quajtur Kryqi i Rakocit, ku bijnë në një pritë që ua kishte zënë armiku shekullor serb, duke u pavdekësuar në altarin e lirisë së Kosovës.

7. ARBEN MEHMET MEHMETAJ

4.4.1976.- 6.4.1999.

Arben Mehmetaj lindi më 4 prill 1976 në fshatin Jabllanicë, komuna e Gjakovës. Rrjedh prej një familje bujare dhe e ndershme. Nga kjo familje në luftën e fundit kundër regjimit serb, ranë dy dëshmorë, fëmija e dy vëllezërve, Arben Mehmetaj dhe Bajrush Mehmetaj. Arbeni shkollën fillore e kreu në Jabllanicë dhe Zhebël, atë të mesme në Cërmjan, ndërsa studimet i regjistroi në Gjakovë, në Shkollën e Lartë Pedagogjike, dega kimi-biologji, por u detyrua t'i ndërprejë për shkak të kushteve ekonomike. Prindërit Mehmet dhe Ajshe Mehmetaj, kishin tre djem dhe një vajzë. Arbeni ishte fëmija i dytë me radhë. Si nxënës i shkollës së mesme dhe si student mori pjesë në revoltat gjithëpopullore që u organizuan në Cërmjan, Gjakovë. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Arben Mehmetaj u inkuadrua më 10 qershor të vitit 1998, në kompaninë e parë, Batalioni i parë, në Brigadën 132 "Myrtë Zeneli", i sistemuar si ushtar. Gjatë kohës së luftimeve, edhe pse i ri, mori pjesë aktive në luftimet kundër forcave serbe që u zhvilluan në Sukë të Cërmjanit, Qeskovë, Vranoc etj. si dhe në mbrojtje të fshatit të lindjes, në Jabllanicë, e cila përjetoi disa ofensiva serbe, ndër më të egrat që e dogjën dhe e rrënuan fshatin me artileri të rëndë deri në themele. Po ashtu, familja Mehmetaj dha një kontribut edhe në strehimin e ushtarëve dhe furnizuesve me armë, të cilët nga udhëtimet e gjata dhe të mundimshme në vijën Kosovë-Shqipëri-Kosovë, kalonin nëpër fshatrat Gllogjan i Deçanit, Jabllanicë e pastaj shpërndaheshin për Klinë, Skënderaj dhe Malishevë, duke furnizuar kështu tërë Kosovën me armatim. Dhe, Arben Mehmetaj, i cili pas një lufte që u zhvillua më 5 prill në Jabllanicë, duke bërë ndërrimin e pozicioneve, vritet në Kryq të Rekocit, bashkë me Bajrush Mehmetajn, Islam Ademajn dhe Fitim Rexhën, të gjithë nga Jabllanica, duke rënë kështu në altarin e lirisë si dëshmorë të kombit.

8. BAJRUSH RAMË MEHMETAJ

10.3.1972.-6.4.1999.

Edhe dëshmori Bajrush Mehmetaj, i lindur më 10 mars 1972 në fshatin Jabllanicë, komuna e Gjakovës, i përket familjes së urtë dhe bujare të ndershme dhe patriotike të derës së Sali Mehmet Mulajt. Bajrushi shkollën fillore e kreu në Jabllanicë dhe në Zhebël, ndërsa atë të mesme, drejtimi i ndërtimtarisë, në Gjakovë. Ramë dhe Zyhra Mehmetaj kishin shtatë fëmijë: tre djem dhe katër vajza. Bajrushi ishte fëmija i dytë me radhë. Ishte i martuar dhe la pas vetes një djalë. Në vitin 1990 Bajrush Mehmetaj gjendej në shërbim ushtarak në Ushtrinë Jugosllave ku përjetoi tmerret më të egra në radhët e serboçetnikëve në luftime që u zhvilluan në Kroaci, ku dëshmori kryente shërbimin ushtarak. Para hyrjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si çdo i ri në Kosovë, e posaçërisht në Jabllanicë me tradita të hershme patriotike, kishte mbetur në izolim të plotë, duke u marrë vetëm me bujqësi dhe punë të tjera shtëpiake. Mirëpo, dyert e lirisë i hapi dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos ajo në Rrafsh të Dukagjinit, me epiqendër në fshatin Gllogjan, komuna e Deçanit, të cilës i prinin luajt e patrembur, vëllezërit Ramush, Shkëlzen e Daut Haradinaj. Në radhët e kësaj ushtrie të lavdishme u inkuadrua edhe dëshmori Bajrush Mehmetaj, pikërish më 10 qershor të vitit 1998, duke u sistemuar si ushtar në Kompaninë e parë të Batalionit të Parë, në Brigadën 132 "Myrtë Zeneli". Si luftëtar i kësaj Brigade që zhvilloi beteja të rëndësishme në Dushkajë, Lug të Baranit dhe Rrafsh të Dukagjinit në përgjithësi, dëshmori Bajrush Mehmetaj mori pjesë në luftërat që u zhvilluan në Qeskovë, Vranoc, në mbrojtje të fshatit Jabllanicë etj., ku tregoi përkushtim prej ushtari të UÇK-së. Pas luftimeve që u zhvilluan në Jabllanicë më 5 prill 1999, një ditë më vonë, pikërisht më 6 prill, duke bërë ndërrimin e pozicioneve, bie në pritë të forcave serbe në Kryq të Rakocit, ku vritet bashkë me fshatarët dhe luftëtarët Arben Mehmetaj, Islam Ademaj dhe Fitim Rexha.

9. FITIM SELMAN REXHA

8.10.1981.-6.4.1999.

Fitim Rexha lindi më 8 tetor 1981 në fshatiin Jabllanicë, komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në fshatin Beran. Si familje në këta dhjetë vjetët e fundit kishin probleme me policinë. Disa herë janë ftuar në biseda informative. Xhaxhai i dëshmorit, Sadik Rexha, në vitin 1998 u dënua me dy vjet burg, të cilat i mbajti në Pejë dhe Dubravë. Prindërit Selman dhe Xhejrane Rexha kishin pesë fëmijë: tre djem dhe dy vajza. Fitimi ishte fëmija i fundit me radhë. Jabllanica, vendlindja e dëshmorit Fitim Rexha, ishte e njohur për rezistencë që nga viti 1993, kur nga një përleshje me policinë në qendër të fshatit, ata kurr më nuk guxuan të shkelin në këtë fshat. Andaj, edhe hyrja në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pashmangshme nga të rinjtë. Edhe një gjë i bënë jabllanicasit të qëndrojnë të paepur kundër regjimit serb. Ata nuk e harrojnë masakrën e vitit 1921 kur 64 burra të këtij fshati vriten në Kodër të Madhe nga forcat e atëhershme serbomalazeze. Kështu, edhe Fitim Rexha u inkuadrua në radhët e UÇK-së më 10 qershor të vitit 1998. Shërbeu si ushtar në fshatin e lindjes, në Jabllanicë. Ofensivave dhe luftimeve të ndryshme u përballoi ashtu si ushtarët e tjerë, kudo në Dushkajë. Dhe, dita e fundit e jetës së tij vjen më 6 prill 1999, duke bërë ndërrimin e pozicioneve të luftës, në vendin e quajtur Kryqi i Rakocit, ku bijnë në një pritë të forcave serbe dhe vritet së bashku me dëshmorët nga i njëjti fshat, Islam Ademaj, Arben Mehmetaj dhe Bajrush Mehmetaj. Po me këtë rast vriten edhe civilë të pafajshëm. Trupat e tyre u varrosën në vendin e ngjarjes. Më vonë trupat e tyre rivarrosen në Varrezat e Dëshmorëve në Jabllanicë të Dushkajës me nderime të larta ushtarake.

10. SADRI AZEM ZENELI

6.9.1950.-6.4.1999.

Sadri Zeneli lindi më 6 shtator 1950 në fshatin Jabllanicë, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje e mesme fshatare, bujare dhe atdhedashëse. Shkollën fillore e kreu në Zhebël, Normalen në Gjakovë, ndërsa studimet e larta në Fakultetin Teknik, dega e Metalurgjisë, në Universitetin e Prishtinës, ku fitoi edhe titullin inxhinier i metalurgjisë. Katër vjet punoi si profesor në shkollën e mesme teknike në Pejë, ndërsa nga viti 1979 punësohet në Fabrikën e Feronikelit në Gllogoc, në fillim si inxhinier, e më vonë edhe si udhëheqës reparti. Prindërit Azem dhe Hate Zeneli kishin katër fëmijë: tre djem e një vajzë. Ishte i martuar dhe ka lënë pas vetes tre fëmijë: dy vajza dhe një djalë. Mori pjesë në të gjitha grevat, demonstratat, protestat dhe revoltat e viteve 1989 e 1991. Në vitin 1992, regjimi serb, që e kishte përcjellë hap pas hapi aktivetetin e tij, ashtu si gjithë shqiptarët, e largoi me dhunë nga vendi i punës. Sadri Zeneli kthehet në vendlindje, në Jabllanicë, ai i jep grushtin e parë pushtetit serb dhe këtë pikërisht kriminelit të njohur dhe antishqiptarit të përbetuar, policit Millutin Prashçeviq. Në kacafytje e sipër, Sadri Zeneli ia nxjerr nga duart revolen kriminelit dhe njëherësh ia thyen edhe radiolidhjen. Nga kjo ditë Jabllanica dhe djemtë e saj bëhen barrikadë e pakalueshme për pushtetin serb. Këmbë polici për gati gjashtë vjet nuk shkeli në Jabllanicë. Më 11 tetor 1994, Sadri Zeneli formon njësitin e parë të vetëmbrojtjes në Jabllanicë, përkatësisht kjo datë shënon edhe inkuadrimin e tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në këtë kohë ilegalisht, ku shërbeu me devotshmëri deri në ditën e rënies për liri. Kështu që për shumë vjet Jabllanica u bë sinonim i atdhetarizmës në mbarë Kosovën. Grupin e parë ilegal në këtë fshat e përbënin: Sadri Zeneli, Lahi Ibrahimi, Myrtë Zeneli, Xhevat Zeneli, Hysen Ibrahimi, Selim Ademi të gjithë nga Jabllanica. Aksionet e tyre ilegale ishin të shumta. Si udhëheqës në Njësitin e fshatit Jabllanicë të UÇK-së, Sadri Zeneli së bashku me Xhelal Hajdën, Agim Zenelin, Myrtë Zenelin, Mustafë Abazin, Xhevdet Ibrahimin, Nezir Nezirin, Avdi Smajlin e shumë të tjerë, u ballafaqua drejtpërdrejt me forcat serbe në Sukën e Cërmjanit, ku armikut i shkaktuan dëme të mëdha në njerëz dhe në teknikë. Ishte maji i vitit 1998 kur u zhvillua kjo luftë e ashpër ndërmjet pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe. Pastaj Zedri Zenelin e gjejmë në vijën e parë të frontit në ofensivat që u zhvilluan në Çeskovë, Këpuz, Bokshiq (në këtë luftë vritet luftëtari i ditëve të para të UÇK-së për Dushkajë dhe kushëriri i Sadriut, dëshmori Myrtë Zeneli, emrin e të cilit e mbajti Brigada 132), Vranoc, Kralan, Jabllanicë etj. Pas ofensivës së gushtit 1998, Sadriu së bashku me Dritan Zenelin, Nazmi Ibrahimin, Mustafë Abazin ripërtërinë Shtabin e Jabllanicës. Qëndresa e tij dhe e bashkëluftëtarëve, bënë që autoriteti i tij si luftëtar dhe si njeri të shtohet. Dhe, pikërisht më 6 prill të vitit 1999, Sadri Zeneli bie në fushën e nderit, ashtu siç bijnë luftëtarët për liri mu në fshatin e lindjes, në Jabllanicë, duke mos dashur të lëshojë pozicionet e luftës në vendlindje.

11. RIFAT UKË SALIHAJ

10.10.1970.-11.4.1999.

Rifat Salihaj lindi më 10 tetor 1970 në fshatin Kralan, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje e varfër fshatare. Prindërit e tij, Ukë dhe Zejnije Salihaj, kishin tetë fëmijë: katër djem dhe katër vajza. Dëshmori Rifat Salihaj ishte fëmija i tretë me radhë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Qysh herët u detyrua të kujdeset për familjen. U punësua në Kombinatin Bujqësor "Ereniku" të Cërmjanit, ku qëndroi derisa hyn masat e dhunshme dhe punëtorët shqiptarë i larguan nga puna. Dëshmori ishte i martuar dhe ka lënë pas vetes një vajzë. Fillimi i luftës në Kosovë, në Drenicë dhe Rrafsh të Dukagjinit, dëshmorin Rifat Salihaj e gjeti të gatshëm ta rrokë armën dhe luftoi deri në çlirimin definitiv nga regjimi serb. Me formimin e Shtabit rajonal në fshatin Kralan, më 15 korrik të vitit 1998, iu bashkangjit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sistemuar në Kompaninë e Parë të Batalionit të Parë, në Brigadën 132 "Myrtë Zeneli" në Kralan. Në këtë Brigadë përkatësisht në Shtabin e fshatit të lindjes, Kralan, dëshmori qëndroi deri në frymën e fundit të jetës. Gjatë kësaj kohe mori pjesë në tri ofensiva të njëpasnjëshme që u zhvilluan në Kralan, ndërmjet pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave policore e ushtarake serbe. Duhet përmendur ofensivat e 2 gushtit dhe të 2 shtatorit të vitit 1998, si dhe ofensivën e tretë në prill të vitit 1999, ku dëshmori Rifat Salihaj luftoi trimërisht duke mbrojtur çdo pëllëmbë jo vetëm të vendlindjes, por të mbarë Kosovës. Dita e 11 prillit të vitit 1999 shënon rënien në fushë të nderit të dëshmorit Rifat Saliahj, kur në oborrin e shtëpisë së vet, kur kishte shkuar të sigurojë ushqim për bashkëluftëtarët që ishin të vendosur në pozicionet e luftës në "Xhungël" (Rajon i Dushkajës). Pra, në oborrin e vet, bie në pritë që forcat serbe kishin zënë, ku edhe vritet. Trupi i dëshmorit është gjetur në varrin masiv te Përroni i Madh, i varrosur së bashku me katër luftëtarë të tjerë. Këtë e kishin bërë forcat serbe duke u munduar të fshihnin gjurmët e krimit të tyre, duke e vrarë përkatësisht duke e varrosur në një vend tjetër.

12. ADEM HAZIR DELIA

15.1.1956.-13.4.1999

Adem Delia lindi më 15 janar 1956 në fshatin Zhabël, komuna e Gjakovës. Familja Delijaj e Zhabelit nga fillimi i viteve pesëdhjetë ka qenë e përndjekur, e keqtrajtuar, e bastisur. Në vitin 1956 i burgosin Rexhep dhe Haxhi Delinë, axhallarët e dëshmorit, ku mbajnë dënimin në Burgun e Zrenjaninit. Prindërit e dëshmorit, Hazir dhe Fetije Delia, kishin tetë fëmijë: pesë djem dhe tri vajza. Dëshmori, Adem Delia, ishte fëmija i parë në mesin e këtyre vëllezërve dhe motrave. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në Gjakovë. Ishte i martuar dhe la pas vetes shtatë fëmijë: pesë djem dhe dy vajza. Në jetën civile punoi për 12 vjet në Zvicër. Gjendja e rëndë në Kosovë, sidomos në vitin 1997 e 1998, luftimet që u zhvilluan në Drenicë, masakrat që u bënë ndaj popullatës së pafajshme, e detyruan dëshmorin Adem Delia që t'ia lë lamtumirën Zvicrës dhe bashkë me Agim Zenelin u kthyen në vendlindje. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua më 5 mars 1998, me detyrën ushtarake komandant togu, i sistemuar në togun e dytë të kompanisë së tretë të Batalionit të parë, në Brigadën 132, ku dha një kontribut të çmuar. Me urdhër të Shtabit të Jabllanicës bëri mobilizimin e djemve më të mirë të fshatit Zhebël, ku formuan Shtabin lokal të Zhebelit, ku për komandant emërohet Adem Delia, i njohur me nofkën "Tahiri". Më 10 prill 1998 16 djem të Zhebelit nën përcjellje të Agim Zenelit nisen për në Shqipëri për armatim. Adem Delia me shtatë ushtarë të Zhebelit mori pjesë në Betejën e Sukës së Cërmjanit më 20-24 prill. Më 26 maj e gjejmë në Betejën e Çeskovës; më 29 maj në Betejën e Gllavicës së Vranocit, me ç'rast u thyen keqas forcat serbe. Mori pjesë në Betejën e korrikut në Loxhë ku qëndroi shtatë ditë. Mori pjesë në sulmin e punktit të forcave serbe në fshatin Kramavik, te Ura, ku u shkaktoi dëme të mëdha armiqve. Po ashtu më 1 gusht 1998 mori pjesë përsëri në luftimet që u zhvilluan në Sukë të Cërmjanit. Kreu detyra ushtarake në koordinim me Shtabin e Jabllanicës deri më 7 shtator 1998. Me shpërbërjen e UÇK-së në Dukagjin përkatësisht në Dushkajë, dëshmori Adem Delia me një grup luftëtarësh qëndroi në malet e Zhebelit ku u takua edhe me Musa Gjakovën. Kështu qëndroi derisa popullata u kthye nëpër shtëpitë e veta. Adem Delia filloi organizimin e sërishëm të UÇK-së në fshat, ku fitoi edhe besimin e popullit. Më 5 prill të vitit 1999 organizoi tërheqjen e të plagosurve në drejtim të Duboçakut (Luginë në mes të Bardhaniqit dhe Maznikut) si dhe tërheqjen e teknikës mjekësore në male të Zhebelit. Në këtë kohë në këto lokalitete zhvilloheshin luftime të ashpra në mes të pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe, ku pati të plagosur, dy ushtarë nga Zhebeli. Adem Delia u nis i palëkundshëm në drejtim të forcave serbe, ku me pretekst të tërheqjes së të plagosurve, hyri dhe vrau dy serbë. Ishte kjo dita e 13 prillit e vitit 1999 kur qëllohet me snajper dhe merr plagë vdekjepruse. Në këtë betejë u dallua për trimëri dhe guxim Nezir Neziri nga Jabllanica dhe Fadil Hysenaj nga Lëbusha. Po atë ditë u varros në praninë e bashkëluftëtarëve në fshatin e lindjes, në Zhebel.

13. HAJDIN MISIN HAZIRI

12.12.1968.-16.4.1999.

Hajdin Haziri lindi më 12 dhjetor 1968 në fshatin Zhebel, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje që asnjëherë nuk u pajtua me regjimin serb. Babë Misini dhe nënë Rrushja kishin shtatë fëmijë: pesë djem dhe dy vajza. Dëshmori Hajdin Haziri ishte fëmija i pestë me radhë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, atë të mesme, si dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. Ishte absolvent edhe në Fakultetin Pedagogjik, në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar si arsimtar në Shkollën fillore në Zhebel. Është ndër luftëtarët e radhëve të para në Dushkajë. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua më 5 mars të vitit 1998, i sistemuar si ushtar në Shtabin e Zhebelit. Për trembëdhjetë muaj sa ishte me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ushtar dhe luftëtar ka dhënë kontribut në luftërat e ndryshme që janë zhvilluar në rajonin e Dushkajës. Përkushtimi i tij prej luftëtari ishte i denjë. Detyrat e parashtruara nga eprorët i kryente me besnikëri. Që nga lufta e parë, ajo që u zhvillua në Sukë të Cëmrjanit, e deri në ditën kur ra në fushë të betejës, dëshmori Hajdin Haziri ishte shumë aktiv, i palodhshëm, trim, i guximshëm. Kudo që luftoi kundër forcave policore dhe ushtarake serbe, tregoi një pjekuri dhe trimëri. Ishte i afërt me shokët, me luftëtarët. Dhe, me këtë tempo e vazhdoi luftën në rajonin e Dushkajës deri më 16 prill të vitit 1999, kur duke mbrojtur pozicionet, në një ofensivë të madhe që kishin ndërmarrë forcat serbe  pikërisht në vendlindjen e dëshmorit, në Zhebël, ra heroikisht në fushën e nderit, i goditur nga një predhë fisheku. Me këtë rast, Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi një luftëtar, shkolla ku punoi një arsimtar të devotshëm, ndërsa nxënësit edukatorin e tyre të urtë.

14. GANI RAMADAN SMAJLI

4.4.1972.-18.4.1999

Gani Smajli lindi më 4 prill 1972 në fshatin Zhebel, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje fshatare, bujare dhe liridashëse. Gjyshi i Ganiut, Ukë Brahimi, ishte kaçak i njohur në Dushkajë, bashkë me Ramë Binakun e Dashinocit. Djemtë e kësaj familjeje qenë pjesëmarrës aktiv të demonstratave dhe protestave gjithëpopullore kundër regjimit serb në Pejë, Gjakovë, Deçan etj. Në vitin 1991 në Gjakovë u keqtrajtuan vëllezërit e dëshmorit, Uka dhe Aliu. Babë Ramadani dhe nënë Shehrija lindën dhe rritën nëntë fëmijë: pesë djem dhe katër vajza. Dëshmori Gani Smajli shkollën fillore e kreu në vendlindje. Për shkaqe ekonomike nuk vazhdoi në shkollë të mesme. Në jetën civile ishte bujk. Në vitin 1992 shkoi për të punuar në Mal të Zi, ku u punësua në një kooperativë bujqësore ku qëndroi deri më 13 prill të vitit 1998. Ndërpreu punën, u kthye në Shtabin e Zhebelit, me komandant Adem Delinë. Armën e mori në Shtabin fqinjë, në Jabllanicë dhe atë, një pushkomitraloz 100 mm. Në vendlindje Gani Smajli gjeti të inkuadruar në UÇK-në edhe vëllezërit, Samiun dhe Ukën. Më 15 qershor të vitit 1998, Ganiu bashkë me luftëtarin Nexhat Haziri, nën komandën e Agim Zenelit - Çergashit u nis për armatim në Shqipëri në vijën Gllogjan-Junik-Rrasa e Zogut dhe anasjelltas. Pas dy javësh u kthye me dy kuaj armatime. Mori pjesë në betejën e Loxhës në korrik 1998. Kreu detyra në Shtabin e fshatit, si roje, vëzhgime etj., deri më 9 shtator 1998. Pas shpërbërjes së Shtabit të Zhebelit dhe të Jabllanicës, në Dushkajë u formua Shtabi i Mbrojtjes Territoriale nën komandën e Sadri Zenelit, ku edhe Gani Smajli hyri më 10 tetor 1998. Pas kësaj kohe u ndërmorën një sërë ofensivash, meqë në Jabllanicë ndodhej Shtabi i ZOD në krye me Ramush Haradinajn. Më 5 prill të vitit 1999 në spitalin e Zhebelit kishte shumë të plagosur. Ganiu u angazhua në tërheqjen e të plagosurve deri në Breliq. Më 13 prill 1999 në Zhebël u ndërmorë një ofensivë e madhe e forcave serbe kundër UÇK-së, ku ra dëshmor komandanti Adem Deliu. Ganiu u tërhoq në Maznik ku ishte kthyer Brigada 131 nga Istogu si dhe Brigada 132. Më 16 prill u nis me shumë luftëtarë dhe me të plagosurin Luan Nimanaj për ta dërguar për shërim në Shqipëri. Ishte kohë e keqe dhe me shi. Pas shumë përipecish arrin më 18 prill të vitit 1999 në Bjeshkë të Rugovës, përkatësisht në Grykë të Rugovës, te kilometri i dymbëdhjetë. Nuk dihet më asgjë për fatin e tyre.

PS: Më kujtohes se më 6 prill 1999, bashkë me disa të tjerë që u përmenën, kanë rënë edhe Ali Shaban Rama dhe Lan Dervish Rexha, ky i fundit deri vonë konsiderohej si i pagjetur, të dy nga Jabkllanica (Shqiponja) e Dushkajës, mirëpo, nga burimet që kam, nuk janë shënimet për ta! Mbase, më vonë është bërë caktimi i statusit të tyre?

Burimet: E kemi shfrytëzuar librin e autorit të këtij shkrimi: “Jabllanica (Shqiponja) e Dushkajës”, Art poetika, Pejë, 2004.; ndërsa shënimet biografike për dëshmorët janë marrë nga libri i Hasan H a s a n i t, “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Zona e Tretë, Pejë, 2002.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora