Kulturë
Kujtim Mateli: Të pikturosh me fjalën
E diele, 11.04.2021, 05:17 PM
TË PIKTUROSH ME FJALËN
(Vështrim mbi librin me tregime dhe novela
“Liridona” të shkrimtarit Avdulla Kënaçi)
NGA KUJTIM
MATELI
Autori Avdulla
Kënaçi, pas dy vëllimeve me tregime “Enigma e një nate” dhe “Autokritika”, që e
kuotuan atë në një pozicion të dukshëm në letërsinë shqipe, doli para pak
kohësh përpara opinionit letrar me vëllimin e tretë me tregime e novela të
titulluar me emrin domethënës “Liridona”. Është një nga autorët më të
suksesshëm të këtyre viteve të fundit, i cili ka tërhequr vëmendjen e lexuesit,
por edhe të kritikës letrare. Prej më shumë se një dekade jeton e punon në
Toronto të Kanadasë ku duket se ka gjetur një mjedis të përshatshëm për të
zhvilluar talentin e tij duke i dhuruar lexuesit vepra dinjitoze, shkruar me një
gjuhë të gjallë e plot kolor. Gjithnjë ka rrokur e rrok tema me interes kombëtar.Krijimtaria
e tij intensive, si prej një filli të kuq, përshkohet tej e tej nga krenaria e
të qenit shqiptar. Ai me guxim lëvron si temat e së shkuarës, ashtu edhe ato
aktuale, brenda dhe jashtë Atdheut. Nëse do të nisësh të lexosh një krijim të
tij, është e pamundur ta lësh përgjysmë, sepse ai di sesi të shtrojë konfliktin
e ngjarjes duke të bërë kureshatr ta çosh leximin deri në fund. Kjo vërteton se
ai prej kohësh e njeh “sekretin”, apo teknikën e të shkruarit dhe di çfarë t’i
servirë lexuesit dhe si ta futë në kurth, apo ta intrigojë. Le të analizojmë
shkurtimisht disa nga temat e këtij vëllimi:
Tek tregimi “At
dhe bir” tregohet se si u krijuan disa fshatra të rinj në jug të
Shqipërisë në vitet e socializmit. Lebër të zbritur nga malësia e Kurveleshit
në buzë të lumit Drino dhe vllehët e ardhur nga malet e Gramozit, krijojnë një
vendbanim të ri, fshatin me emrin Qelefun. Harmonia midis lebërve dhe vllehëve
tregohet nëpërmjet miqësisë së krijuar midis disa familjeve labe e vllahe.
Ishte një fshat i ri, i sapo krijuar, por që banorët i besonin njëri-tjetrit
sikur të kishin qenë aty së bashku në shekuj. Ata i besojnë njëri-tjetrit edhe
detaje që mund të përbënin vepër penale sipas ligjeve të shtetit të diktaturës.
Shqiptarët i besojnë njëri-tjetrit, jo vetëm brenda njësisë së tyre të banimit,
por edhe kur ndodhen jashtë trojeve shqiptare. Te tregimi “Ngjarje në
sheshin Duomo” përshkruhet hollësisht solidariteti midis emigrantëve
shqiptarë, shpaloset jeta që ata bëjnë në vendet ku kanë shkuar dhe sakrificat
e tyre për t`u bërë pjesë e shoqërisë ku kanë emigruar.Tregimi “Një gur
i shenjtë” rrëfen për një familje shqiptare, atë të Dalin Mirakajt dhe
të bashkëshortes së tij, Selimesë apo Selmës siç e thërrasin në Kanada. Me vete
kishin marrë dhe një copëz gur nga Kisha e Laçit, nënkuptohet një copë atdheu.
Për vendin e shenjtë kishin një adhurim të veçantë, ashtu si shumë bashkëkombas
të tyre. Duke qenë larg, nuk kishin mundësi ta vizitonin, por ajo copë guri
ishte vetë kisha e Shën Ndout brenda vendbanimit të ri të tye. Ai gur i vogël
në formën e një zogu që e kishin marrë në kishën e Laçit, ishte jo vetm
fatsjellës, por edhe një orakull: u kishte parashikuar fluturimin nga Shqipëria
në Kanada. Ndaj ai ruhej si një nga gjërat më me vlerë që ata kishin. Një ditë
Dalini po e kërkonte në shtëpinë e tij sendin me vlerë që u kishte mundësuar
çdo gjë të mirë që ata kishin dëshiruar, po atë e kishte marrë vajza e tyre
Sibora që studionte në një tjetër qytet të Kanadasë, edhe me ngulmimin e Selmës
që t`i jepte fat të mirë vajzës së tyre. Tregimi përcjell idenë se fati i mirë
gjendet te vetë njeriu. Në kishën e Shën Ndout në Laç, njerëzit mblidheshin me
dëshirën e mirë që familja t`u kishte mbarësi dhe për këtë luteshin, por edhe
luftonin fort sipas parimeve që vetë shoqëria i kishte krijuar dhe, që aty në
Laç, u jepnin edhe një fuqi hyjnore. Dhe në të shumtët e rasteve ashtu ndodhte:
familjet kishin atë që dëshironin.Ndryshe ndodhte në Kanada. Sibora u martua me
një afro-amerikan, që e ndërtuan familjen mbi parime të ndryshme dhe ajo nuk
funksionoi. Nuk funksionoi as guri çudibërës që familjes së Dalin Mirakajt i
kishte sjellë vetëm mbarësi. Tregimi përcjell mesazhin se fati gjendet brenda
vetë njeriut, brenda vetë familjes. Realizohet ajo që dëshiron, ajo për të
cilën lufton. Fuqia hyjnore është energji pozitive që i vjen njeriut nga
jashtë, si nxitje në atë që këmbëngul dhe për të cilën lufton. Fuqia hyjnore i
përcjell njeriut mesazhin se nuk është vetëm në këtë botë ku jeton, se përtej
rrethit të familjes, miqve të tij dhe shoqërisë, gjërat që kanë bekimin hyjnor,
e kanë mundësinë të realizohen, vetëm kur njeriu ecën në udhën e drejtë.
Tregimi “Liridona” nga
ku është zgjedhur edhe titulli i vëllimit, tregon për një familje shqiptare kosovare
që ishte ndërtuar mbi një njohje të sipërfaqshme, ku çifti ishte lidhur më
shumë nga një shtysë e jashtme, pa e njohur mirë njëri-tjetrin. Liridona, e
cila kishte emigruar në Kanada qysh kur ishte e vogël, në ato kthimet e saj në
vendlindje, në Kosovë, njihet me një nëpunës të shtetit të Kosovës, Shabiun. Pa
një njohje të plotë, ajo arrin të martohet me të. Shabiu na jepet në tregim si
një bashkëshort që nuk i kontribuon ecurisë së familjes, por kërkon ta
nënshtrojë Liridonën me anë të forcës dhe intrigave. Midis çiftit shfaqet
një konflikt që nuk mund të rregullohej mbi bazën e një bashkëpunimi të ngushtë
në familje. Liridona përfaqëson femrën që nuk u nënshtrohet presioneve dhe
dhunës për hir të ruajtjes së familjes. Ajo mbi gjithçka ka lirinë në të gjithë
dimensionin e kuptimit të saj. Një njeri që nuk është i lirë, nuk është i denjë
as për familjen, as për shoqërinë. Dimensioni i lirisë është i shenjtë, si në
rrafshin nacional, shoqëror dhe familjar. Njeriu i lirë në perëndim, që jeton
në lirinë e vet në përputhje me lirinë që gëzon e gjithë shoqëria, është një
forcë aktive që i shërben familjes dhe shoqërisë, kombit të vet, por edhe në
rrafshin global. Lufta për lirinë është një luftë e shenjtë që çon përpara
individin, familjen dhe shoqërinë. Në këtë kuptim, Liridona e kapërcen luftën e
saj brenda familjes, merr përmasa më të gjera duke u bërë përfaqësuese e atyre
grave që luftojnë për ta çuar përpara shoqërinë njerëzore.
Me temë nga Kosova
është edhe tregimi “E përdhunuara”. Autori ka ditur të na mbajë të
ndezur kureshtjen nga fillimi në fund duke gjurmuar jetën e një nuseje të re e
cila ishte dëbuar me dhunë nga vatra dhe fshati i saj prej forcave militare serbe
gjatë luftës së vitit 1998. Jo vetëm kaq, por ajo ishte përdhunuar në grup prej
pushtuesve ushtarakë duke pësuar në vetëdije një goditje të pariparueshme
psikologjike. Nëpërmjet këtij tregimi tronditës, duke mësuar ngjarjen, ne
urrejmë shkaktarët e kësaj tragjedie dhe i denoncojmë publikisht masakrat e
tyre monstruoze duke ia bërë të njohura gjithë opinionit botëror. Ky është ndër
tregimet më të dhimbshëm e tronditës.
Tregimi “Fshat i përgjumur” shpalos mikpritjen dhe
natyrën e bukur të fshatrave shqiptare.Operatori dhe gazetarja e një
televizioni nisen në një nga fshatrat malorë të Shqipërisë së jugut për të bërë
një dokumentar. Në një lartësi që shkon mbi 1000 metra mbi nivelin e detit,
fiksojnë pamje të mrekullueshme me ngjyra që digjnin si zjarre të vegjël në
pllajën malore. Fshati Gurrëz, ku ata do të shkonin për të bërë një dokumentar,
kishte rreth njëqind shtëpi. Ishin shtëpi dykatëshe, të gjitha të mbuluara me
dërrasë guri. Nga larg të jepte përshtypjen se do të ishte një fshat i banuar
dhe se braktisja nuk e kishte prekur rëndë këtë fshat, por kur arritën, panë se
vetëm katër çifte pleqsh ishin banorët e atij fshati.Nëpërmjet shtjellimit të
subjektit shpalosen karakteret e banorëve: të dashur e mikpritës, ku secili
mundohej t`i kënaqte mysafirët sa më mirë. Nëpërmjet bisedave mësohet se fshati
me 100 familje, kishte patur një shkollë me 200 nxënës, kurse tani ajo ishte e
braktisur nga fëmijët, por e mirëmbajtur me shpresën se do të mbushej një ditë
përsëri. Nga bisedat midis katër çifteve që kishin mbetur dhe grupit prej dy
vetash që do të realizonin dokumentarin, kërkohej që jeta të përtërihej përsëri
nëpërmjet turizmit, për vlerat natyrore dhe historike që kishte fshati, me
histori, traditë dhe kulturë të dokumentuar nëpërmjet disa qindra tregimesh dhe
gojëdhënash që banorët ruanin për fshatin e tyre. Ky mesazh: për të mos e
braktisur vendlindjen, për ta vizituar atë dhe për t`u rikthyer sërish, është
amanet i brezave që e ruajtën fshatin e tyre edhe në kohë shumë të vështira
pushtimi e varfërie. Vatrës kurrë nuk duhet t`i shuhet zjarri. Ky mesazh
përcillet si jehonë që del nga ato gryka malesh që kërkojnë njeriun e tyre t`i
shkelë ato vende e ta gjallërojnë përsëri, si në ato kohë kur fshati gumzhinte
si zgjua bletësh.
Tregimi “Xha
Kasëmi” na kthen dy shekuj mbrapa, jep traditat dhe zakonat në një
fshat malor të Labërisë në shekullin e XIX. Tregohen shkaqet pse familjet
shqiptare të besimit të krishterë para pushtimit osman u kthyen në myslimane.
Gratë në shtëpi ruanin emrat e vjetër të besimit të krishterë, kurse burrat
kishin emra myslimanë që t`u shpëtonin takasave të rënda që perandoria osmane u
vinte familjeve të besimit të krishterë. Familja quhej e krishterë apo
myslimane sipas emrit që mbante kryefamiljari. Tregimi na jep edhe një anë
tjetër të familjes shqiptare, që në kushtet e mungesës së shtetit apo
mospranimit të shtetit, siç ishte rasti i shtetit të perandorisë osmane,
rregullimi i shoqërisë bëhej nëpërmjet kanunit. Tregohet se një marrëdhënie
seksuale e bërë para martesës, konsiderohej e paligjshme dhe mashkulli dënohej
me vdekje duke e konsideruar përdhunim. Vendimi merrej nga Pleqësia e fshatit
që kryesohej nga kryeplaku. Që mashkulli të shpëtonte nga dënimi me vdekje,
duhej që edhe femra ta pranonte marrëdhënien seksuale si dëshirë të saj.
Megjithëse femra nuk dënohej me vdekje, paragjykimi që binte mbi të ishte e
barabartë me vdekjen. Kjo ështe arsyeja pse Vullneti, djali i akuzuar për
përdhunim, e mori fajin mbi vete, duke e çliruar Sofinë, vajzën që ai donte,
nga akuza dhe paragjykimet që do të rëndonin mbi të. Vullneti pranoi të
vetëflijohej për të shpëtuar nga paragjykimet dhe dëbimin e familjes së saj nga
fshati.
Kryeplaku Kasëm shfaqet si karakter i spikatur në përpjekjet e tij për të
zbardhur të vërtetën, njeri i mençur dhe i drejtë. Vendimi për dënimin me
vdekje do të ishte përgjegjësi ligjore e tij dhe e Pleqësisë, të cilët kishin
vlerën e një gjykate dhe vendimi i tyre vlerën e një vendimi gjyqësor. Një
Pleqësi apo një gjykatë duhet t`i shkojë së vërtetës deri në fund, edhe kur
zbardhja e së vërtetës duket e pamundur. Në të njejtën kohë, Kasëmi jepet edhe
si njeri me vizion që në radhë të parë shikon se sa do t`i shërbente krahinës
dhe atdheut. Kurveleshi do të fillonte së shpejti kryengritjen kundër reformave
të Tanzimatit dhe djemtë do të ishin ata që do të mbushnin formacionet
luftarake, ndaj Vullneti duhej shpëtuar, kurse Sofia do të lindte djem dhe
vajza që do të plotësonin të rënët në beteja.
Novela “Si
ta ketë shkruar Zoti” trajton krahinën e Labërisë në atë periudhë
historike, kur Kanuni i Labërisë ishte Kushtetuta e asaj krahine me ndikim të
fuqishëm në jetën e shoqërisë. Në zbatim të saj ishte pleqësia e fshatrave.
Shkurtimisht subjekti i kësaj novele është ky: Agush Hilgjinit, fisi i
Muçomatajve i një fshati tjetër, i kishte vrarë djalin. Sipas ligjeve kanunore
familjes së Agushit i lindte e drejta për të marrë hak, duke vrarë vrasësin e
djalit të tij. Mirëpo Agushi e vonoi hakmarrjen dhe kjo përbënte shkelje
të kanunit, sepse vrasësi duhej ndëshkuar dhe këtë të drejtë e kishte vetëm
familja e Agushit. Kur e pyesnin se përse po vonohej dhe a do ta merrte hakun,
ai u përgjigjej: ‘si ta ketë shkruar Zoti’ apo ‘do t`ua var sharkun te dera
Muçmatajve’ që nuk kuptohej, nëse do të hakmerrej apo jo. Agushi kishte thurur
një plan për hakmarrjen, që më në fund u realizua dhe që konsulli austriak, nga
intervista që kishte patur me Agushin, e kishte cilësuar si plakun më të mençur
të krahinës.”
Brenda kësaj ngjarjeje, Agushi është personazhi më i spikatur i novelës, njeri
i mençur dhe i urtë, zbatues i ligjeve të kanunit. Brenda novelës ngjarjet
rrjedhin natyrshëm dhe do të shohim se djali i tij, përfaqësonte një frymë të
re që po lindte në krahinën e Labërisë, për moszbatimin e kanunit. Një tjetër
personazh i kësaj novele që tërheq vëmendjen e lexuesit, është Ferriku, njeri
intrigant, që nxiste bashkëfshatarët e tij për ta dëbuar Agushin nga fshati,
sepse nuk po zbatonte kanunin, por që kishte si qëllim të rrëbente pronat e
tij. Novela ka brenda saj një galeri personazhesh, të cilët me veprimet e tyre
pasqyrojnë shoqërinë labe në organizimin e saj kanunor që i jepte mundësinë të
ekzistonte në kushtet e mungesës së shtetit.
Ashtu si në dy vëllimet
e mëparshme, edhe tek ky i treti, nuk mungojnë temat nga emigracioni i shqiptarëve,
madje vëllimi çelet pikërisht me dramën e një inxhinieri që ka mërguar në
Kanada së bashku me bashkëshorten për një jetë më të mirë e të sigurt, me
fillimin e pandemisë, pas tërmetit në Durrës, është tregimi “Gruaja përballë”,
i pari për nga renditja kronologjike. Emigracioni në kontinentin amerikan nuk
idealizohet,përkundrazi, jepet me vërtetësi e realizëm, si një dramë, ashtu si edhe
tregimi “Ata të rrugës Marlin” dhe novela “Numri 5001”, me të
njëjtën temë, pra kuturisja për të lënë atdheun nuk është një fushë me lule,
por disa herë dramëose tragjedi siç përfundon jeta e një studenteje të re, e
mashtruar nga premtime joshëse për jetesën e mrekullueshme në kontinentin amerikan.
Dy personazhet kryesorë përfundojnë me humbje jete. Një realitet i hidhur ky që
ne si lexues na bën të matemi mire, kur kemi të bëjmë me kurbetin dhe dëshirën
për të prekur parajsën sa hap e mbyll sytë.
Mundëm të sjellim
disa nga tregimet dhe novelat e këtij vëllimi për t`u njohur shkurtimisht me
personazhet dhe karakteret e tyre. Ky shkrim është një ftesë për cilindo që nuk
duhet ta lërë këtë libër pa e lexuar. Tregimet e Avdulla Kënaçit janë një oaz
qetësie shpirtërore, ku të duket se nuk të mungon asgjë: kur je larg shuan
mallin për Atdheun dhe vendlindjen, kur je në vendlindje të nxit dëshirën për
të njohur botën që të rrethon. Duke lexuar tregimet dhe novelat e Avdulla
Kënaçit rrethohesh nga njerëz që e duan jetën, natyrën dhe atdheun, nxitesh për
të bërë diçka më të mirë për vete dhe për të tjerët, ndërsa dhjetëra pyetje
kërkojnë përgjigje prej teje. Aty e kupton se qenia njerëzore i shembëllen
valës së një lumi që lartësohet për një çast dhe pastaj bëhet pjesë e masës së
madhe ujore. Megjithatë, dëshira e madhe dhe e përjetshme e qenies njerëzore
për të mbetur valë, nuk i mungon, edhe kur atij i janë dobësuar fuqitë fizike
dhe mendore. Personazhet e Avdulla Kënaçit nuk e njohin moshën, nuk e njohin
dëshpërimin, as pesimizmin, ata janë aktivë deri në ditët e fundit të jetës së
tyre.
Avdulla Kënaçi duket sikur nuk ka lënë
hapësirë gjeografike pa e shkelur me këmbën dhe mendjen e tij, që nga
vendlindja e tij në Shqipëri e gjer në Kanadanë e akullt të kontinentit
amerikan. Ka vëzhguar me kujdes natyrën në të gjitha stinët e vitit, ngjyrat që
krijohen nga rrezatimet qiellore dhe derdhen butësisht mbi tokë gjatë gjithë
kohës, papushim, zhurmat që krijojnë erërat e forta shpateve të maleve ku
barinjtë kullotin tufat e bagëtive. Në këto vende, njeriu dhe mjedisi natyror
shkrihen dhe plotësojnë njëri-tjetrin dhe lexuesi e ndjen se ndodhet para një
artisti të madh që nuk ndalet së pikturuari shpirtin njerëzor me të gjitha
sekretet e tij.