Kulturë
Ejup Ajdini: Puntorie Muça - Ziba flamurtare e artit poetik
E merkure, 07.04.2021, 08:16 PM
Puntorie Muça - Ziba flamurtare e artit poetik
(Vështrim letrar mbi përmbledhjen poetike “Koha e qershive” mbështetur nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë Veriut dhe botuar më 2018 në Shkup)
Nga Ejup Ajdini
Nuk është edhe aq e
lehtë të marrësh lapsin dhe të shkruash për opusin krijues të shkrimtares
Puntorie Muça – Ziba, pasi ajo mban flamurin krijues në Maqedoninë e Veriut,
veçmas në botën poetike të gruas shqiptare në këto anë. Opusi i saj është i
gjerë dhe me shumë zhanre letrare, por ne kësaj radhe do të fokusohemi te
përmbledhja më e re “Koha e qershive”, e cila flet qartë për një
ngritje të lartë të vlerave estetiko-letrare të poetes Puntorie Muça-Ziba.
Duke lexuar përmbledhjen
me poezi “Koha e qershive” të poeteshës Puntorie Muça-Ziba, shohim dhe
përjetojmë një det të tërë me ndjenja të veçanta prej artisteje. Si në kohën
antike kur shkruhej e këndohej për hyjnitë e tyre, në këtë rast, te Puntoria,
në vend të perëndive, si hyjni i vetëm i saj na del Atdheu me popullin e saj të
shenjtë. Kësisoj, libri poetik na duket si një festë kombëtare, i cili është i
privuar të festohet lirshëm dhe i mbytur nga ekuivoket e politikave të ndryshme
dekadë pas dekade. Këtë dhimbje krenare autorja e ndjen në detaje, ku gjithmonë
aludon në një jetë të dytë për atdheun e Arbërisë. Kjo ndjenjë përkon me
dëshirën dhe me vullnetin e popullit shqiptar, përveç atyre që janë me gjak të
prishur, për të ciët edhe ndjehet indinjata shpirtërore e poeteshës.
E kam vnue n’shpinë
tokën teme
e do ta mbaj n’shpinë
tokën teme
e do t’i këndoj me
lahutë tokës teme
se due me e lan atje ku
e patën shkul.
………………………………………………………
E dhimten me ia lan
hasmit nër sjetulla
e vajin me ia hedh
n’varre pa nishane.[1]
Libri në fjalë, si
rrallëkund në botë, ka kaq shumë ëndrra për t’u rikthyer shpirti i
madh i kombit të saj të lavdishën nga ajo histori e gjatë, e bukur dhe shumë e
lodhshme. Pikërisht kjo dëshirë e poeteshës vjen si një gjerdan gëzimi për
festën e madhe që do të përjetonte arbëri, si aktin më të shenjtë dhe më
sublim. Ky është një emocion që rrallë provohet në jetë, e që të jep forcë të
shkruash për këtë zgjim vargëror të poeteshës, si një zë i fuqishëm në letrat
shqipe. Tanimë poetesha rrugëton si simbol i ëndrrave të largëta e të afërta,
me plot dhimbje, për një gëzim real që mund të na sjellë e reja e që mundet të
vijë si një stacion i ri jete, e cili na takon githësesi. Pra, te kjo poeteshë,
motivet e tilla lindin si manifest më vete dhe për këtë ajo thotë:
O qiell shtrat gjerë
hap kanatet e derës
tënde,
sa çel e mbyll sytë
të futem si lule azdisur
mbi retë paluar
të bëj një sy gjumë
e të zgjohem e
fortë[2]...
Duke lexuar këtë poezi,
neve na duket se poetesha në këtë përmbledhjje ka marrë me vete edhe shkollën
poetike të Drinit dhe liqenit të bukur të Strugës. Po ashtu edhe shkollën e
mençur të rrethit të saj familjar e jetësor, e cila është e pandarë në tërë
krijimtarinë e saj poetike dhe letrare në tërësi. Në vitet e rrugës poetike ajo
bëri zbukurimin estetik të poezisë shqipe, ashtu siç e zbukuron Drini qytetin e
Strugës ndër shekuj. Pra, një Drin rrjedh në qytetin e Strugës dhe një Drin i
shpirtit poetk rrjedh në dejet shpirtërore të Puntorie Muça –Zibës. Kjo poezi e
bën poeteshën po aq humane sa edhe poetike. Ballafaqimi i përhershëm me Shkupin
dhe Srugën, dëshira për mbijetesën dhe disa faktorë të tjerë i dhanë forcën e
shpirtit dhe të mendjes për të ecur vertikalisht drejt ëndrrës së saj të madhe,
që me një fjalë të mbetet e përjetëshme, për të mos vdekur asnjëherë. Prandaj
ajo ngërthen në lumturinë që e ngre lirinë në rrugëtim gjaku.
Për atë perëndi,
zorrë ënjtur shkulëm
cullufet
varur tëmthave nga zëri
yt
ngurrues që përplas
jehonën kodër më
kodër[3]
Krijimtaria letrare e
gruas shqiptare në Maqedoninë e Veriut, veçmas kur nisi të shkruaje Puntoria,
ishte një dramë më vete. Në atë kohë kuptohej me vështirësi angazhimi i gruas
në kultivimin e artit letrar. Ajo duhej t’i harronte pranverat e bukura të
jetës dhe shumë detyrime në rrethin e saj familjar. Dashuria e jetës tek ajo u
kthye në luftën e ëndrrave për liri, art e forcë shpirtërore për të drejta të
barabarta midis gjinive dhe popujve që jetonin në Maqedoninë e asaj kohe e deri
më sot. Ajo duhej t’i përkushtohej jo vetëm familjes e shkollimit,
por duke parë rëndësinë e brezave të rinj, detyrimisht iu përkushtua edhe botës
së fëmijëve duke krijuar vargje për edukimin e tyre. Të bësh gjithë këtë
sakrificë, duket se ishte një dhuratë e ardhur nga perëndia. Kjo shfaqet kur
poetesha i kushtohet të ardhmes kombëtare dhe shoqërore në tërësi. E gjithë kjo
vjen si rezultat, jo vetëm si dëshirë për të krijuar artin e saj poetik, por
edhe si angazhim moral e patriotik ndaj adheut, kombit e traditave tona, ku me
çdo kusht duhej luftuar e keqja dhe e shëmtuara në mjediset tona për të
rrugëtuar e bukura dhe e madhërishmja jonë ndër shekuj.
Atdheu është atje
ku mëngjes për mëngjes
lan lotët
majë qepallave me sapun
erë manushaqe
e shpirtit i
del tymi për tufëzim petalesh.
……………………………………………………………….
Eh, atdheu është atje
ku nuk shkretohesh
n’gërvima
të mbytura për një copë
varr.[4]
Përmbledhja
poetike “Koha e qershive” e Puntorie Muça – Ziba, në thelb
ka portretizimin e kohës dhe njeriun e kohës së saj, të goditur nga
plagë të shumta, të cilat kanë qenë të shoqëruara me rrezikshmëri të shumta
deri në zhdukje. Vuajtjet pa numër të njeriut të saj, krijuesja i trajton si
tema shumë komplekse të botës shqiptare. Këto tema edhe vetë autorja i ka
ndjerë thellësisht, ku, përmes të cilave përçon mesazhe të fuqishme drejt
epilogut triumfues. Struktura ndërtimore e këtyre poezive është ngritur mbi dy
shtylla bazë: atë të ndjenjës sugjestive letrare dhe në atë historike e
bashkëkohore, që, si tërësi japin një katarsis të lehtë dhe me një realizëm, sa
të dukshëm, po aq edhe magjik. Përmes tyre duket një narracion shpërthyes, si trajtë
e rrëfimit estetik e modern. Kësisoj shtreson valët dridhëruese të shpirtit
njerëzor për krizën identitare të njeriut tonë në përgjithësi, deri në format
ekzistencialiste.
Ai përsëri më ndjek
e pasi nuk më zë nis
e pështyn faqen e
imazhit tim
thonjtë e imazhit tim,
pështyn e pështyn,
qull e bën
surratin e tij prej
kafshe.[5]
Për autorin, një
krijuese e njohur mirë për botën shqiptare (me një numër të madh veprash
letrare nga të gjitha zhanret letrare të derisotme), paraqitet në letrat shqipe
si njohëse e filozofisë shoqërore dhe jetësore në përgjithësi, pasi në vargun e
saj poetik duket qartë forca e mendimit dhe njohja që ka për botën
psikike dhe shoqërore për të cilën ajo krijon. Nëse bazohemi në këtë mendim,
atëherë poezia e Puntories bëhet fushë e veçantë e komunikimit njerëzor, veçmas
kur kihet parasysh larmia e temave dhe motivet që ajo trajton, ku duket qartë
se ky shpirt poetik është i lidhur me atdheun, njeriun që e njeh mirë,
hapësirën dhe jetën që e rrethon atë, duke e lidhur me të kaluarën, siç është
poezia: “Natës varrit do t’i rrëfehem,” e cila, për kohën tonë është
mbështetur në legjendë. Aty ngërthehet edhe një dukuri mistike, ku poetesha
krijon një botëkuptim të ri për botën shpirtërore në tërësi. Kjo poezi, si edhe
disa të tjera, komunikojnë fuqishëm me të bukurën duke e vënë si paradigmë,
kundër së ultës dhe të shëmtuarësduke e realizuar këtë nëpërmjet ndjenjave më
sublime të shpirtit.
Eh, rrëfenja e shekullit
shtrirë linjës së
trishtë
frigoi foshnjet n?rrugë të embrionit.
E vërteta për mitin
ndjellakeq
futej në kthinën time
kur shfletoja
fotografinë e vjetëruar[6]
Marrë në përgjithësi,
kjo poezi si bazë ka të bukurën si kategori thelbësore estetike dhe
si komponentë esenciale të një krijimi eseistik, të cilën autorja e transfiguron
në një fushë të veçantë krijuese, midis krijimit artistik letrar dhe atij
shpirtëror e human. Pra, në të gjitha zhanret që krijon autorja, vargu del po
aq i fuqishëm dhe i shkëlqyer, sa që ravijëzohet me portretin e një krijueseje
letrare, duke u veçuar me tipare të shumëfishta, sa humane e shoqërore, po aq
edhe kombëtare në përgjithësi, pasi me afinitet të veçantë di ta mishërojë
fjalën artistike me të bukurën. Ajo të bukurën di ta përdorë me
elegancë karshi të ultës e të shëmtuarës, ku na duket se këto fenomene të
shoqërisë sonë na dalin para bankës së diferencimit. Këto fenomene, të
cilat janë të mbushura me dramaticitet të veçantë estetik, na flasin për
kontekste të shumta të një kohe të caktuar.
Ngushtoheshin shtatë
palë qiej
ndizeshin grimca ajëri
vinte ndërzimi i pacipë
dhe afshet s`çelnin[7]
Kjo poetikë e autores në
fjalë është e mbushur me plot vibracione të shpirtit shqiptar, por njëkohësisht
edhe të shpirtit autorial, duke pasqyruar ecurinë e mendimit filozofik
modern, pra është një riprodukim intelektual, emotiv dhe shpirtëror i autores,
për kohën kur ajo krijon dhe vepron, gjithmonë e mbështetur nga pozitivizmi
drejt pragmatizmit jetësor.
Madhështia e veprës
poetke “Koha e qershive” ështe një filozofi soditëse dhe here-herë takohet
me abstraksionin letrar. Duke e lexuar veprën me vëmendjen e duhur, krijohet
një përshtypje se ky art poetik vë në dukje edhe idealizmin e sotëm,
me një nostalgji të theksuar për të ardhur te konkretja, me një joshje për të
përqafuar realen.
Kjo poeteshë, që sot ka
arritur vlera të larta në poezinë e krijuesve shqiptare në Maqedoninë e Veriut,
pse jo edhe më gjerë, del edhe jashtë rrethit ku jeton dhe vepron. Ajo nuk
është një krijuese e izoluar në ndonjë kasaba, por ajo e ndjek me vëmendje
artin dhe jetën e njerëzve të mëdhenj siç ndodh me poezinë “Ujqër
janë rusët, Ana Ahmatova”:
Më shiko në lule të
vargut Ana,
e më thuaj,
përse u zilosen rusët
kur the
“poeti është shpirt e jo njeri”.
Ne lajkatojmë lypësin e
gjynahqarin
dhe frymojmë thellë,
ti për Rusinë
unë për Shqipërinë
copë-copë.
Ujqër janë njerëzit e
tu,
ujqër janë rusët Ana.[8]
Ose te poezia “ Vajzat e
Aleppos”
Brenda këmishave të
murrme
Vajzat e nurshme të
Aleppos
me qerpik të varur yjeve
praptoheshin,
shkulnin mishtë
pështynin dhunuesin
në surrat dhe nuk donin
t`ia dinin
për dënim me zjarr
ferri.[9]
Si rrjedhojë e vëzhgimit
rreth këtij projekti artistik e letrar, shpresoj që të kemi sjellë sadopak një
ndihmesë rreth depërtimit shpirtëror, psikologjik dhe estetik te kjo poezi, për
të cilën poetesha ka një përvojë të mjaftueshme krijuese, të cilën e ka
realizuar falë një pune të gjatë e këmbëngulëse. Pra, përmes këtij vlerësimin
kritik rreth trashëgimisë së kulturës sonë shqiptare, po bëjmë sot
një paraqitje të shtjelluar dhe më të nuancuar të traditës sonë krijuese
shqiptare.
E veçanta e kësaj
autoreje të suksesshme dhe kësaj vepre poetike është se ajo e shkruajti vargun
e saj artistik edhe në dialektin e gegërishtes së përzier të anës sonë. Edhe
pse e bën këtë, ajo mbetet vetë dëshira dhe bota e saj e brendshme.
[1] Puntorie Muça-Ziba, “Koha e qershive”, f. 7-8, Shkup
2018
[2] Po aty, f.44
[3] Po aty, f. 48
[4] Po aty, f.52
[5] Po aty, f. 72
[6] Po aty, f. 59
[7] Po aty
[8] Po aty , f. 79
[9] Po aty, F.
90