Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Vajtimi shndruar në këngë
E diele, 04.04.2021, 05:36 PM
Vajtimi shndruar në këngë
ose uji i shndruar në verë
Nga
Timo Mërkuri
Kur më 25 Nëntor 2005 u shpall vendimi
i UNESCO për njohjen e iso-polifonisë shqiptare si kryevepër shpirtërore të
njerëzimit dhe marrjen e saj në mbrojtje, ky lajm në popullin tonë, u përjetua
si çasti i daljes së nuses në valle. Nuk ishte nevoja që të shkreheshin pushkët
në ajër, u shkrehën në këngë mijra shpirtëra artistësh popullorë dhe
artdashësish.Në këtë vorbull gëzimi të ligjshëm, pakkush mendoi për rrugën e
gjatë dhe të mundimëshme që kishte kaluar populli për rritjen e kësaj
“nuseje”-këngë. Nënat vetë, i harojnë gjithmon mundimet e tyre ditën e bardhë
të dasmës së bijave, por ne le ta shohim që në fëmijëri jetën e kësaj “vajze”,
teksa ajo hedh vallen e nusërisë në shesh të..artit.
I-Është vërtetuar dhe pranuar
shkencërisht se kënga isopolifonike vjen nga vajtimi me ligjërime dhe se iso-ja
s’është gjë tjetër veçse rënkimi para, gjatë dhe pas vajit. Natyrshëm lind
pyetja:- Si e qysh ky vajtim u shndrua në këngë, ndërkohë që vetëm Jezu Krishti shndroi ujin në verë? Po nuk
është kjo pyetja e vetme. Të tjera pyetje e pasojnë, pyetje që duan një
përgjigje si:-Ç’janë vajtoret, autoret e kësaj kryevepre? Ç’janë zërat e
vajtimit dhe si janë shndruar në zëra të këngës iso-polifonike.?Pra, pyetjet
janë të shumta dhe përgjigja për to nuk është kaq e lehtë. Por për këtë besoj
se do të na ndihmojë njohja dhe kontakti real gjatë jetës sonë me ligjërimet
nëpër ksodhet, ku kemi marrë pjesë.
II--Vajtoret Kemi dëgjuar shumë të
flitet për vajtoret, apo vajtojcat, për ligjërimet e tyre nëpër morte, aq të
dhimbëshme dhe fine, sa që shumë prej tyre kanë ngelur në kujtesën e popullit,
jo vetëm të familjarëve. Madje jo vetëm vajtimet e tyre me ligje, ato vajtime
që u dhanë famë, por për shkak të këtyre vajeve, edhe emrat e tyre kanë fituar
një jetëgjatësi tej jetës njerëzore.Niveli i lartë artistik i këtyre
ligjërimeve, qoftë si tekst, qoftë si vajtim (vijë melodike) si dhe prania e
vajtoreve të njohura nëpër ksodhe në fshatra të ndryshme, ka krijuar legjendën
e “vajtoreve profesioniste”.Këtë pseudo-legjendë e ka përforcuar edhe fakti i
dhënies së ndonjë darove, dhuratë, këtyre vajtoreve, kur ato niseshin të
ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre pas mortit. Teza mbi “profesionalizmin e
vajtoreve”, sado e pafajëshme që të duket, jo vetëm që nuk i përgjigjet
realitetit, por mbart në vetvete edhe rrezikun e shtrëmbërimit të origjinës së
këngës sonë popullore shumëzërëshe, nga një këngë me burim ligjërimin mortor,
në një këngë me burim profesionalizmin e vajtoreve. I hiqet këngës
kolektiviteti vajtimit dhe anonimati, duke i vënë si autorësi një emër të
përvetshëm njeriu. Kënga jonë popullore nuk është produkt i një njeriu të vetëm
apo i një grupi njerëzish të një epoke.Ajo, gjithashtu nuk është as produkt i
një krahine, siç teorizohet kohët e fundit, duke e quajtur product (vetëm) i
krahinës së Epirit.Ajo nuk është as produkt i një apo disa shekujve.Kënga jonë
popullore iso-polifonike është produkt i një kombi të tërë, në të gjithë
shtrirjen e tij gjeografike dhe kohore.Laboratori krijues popullor vazhdon edhe
sot, në kohët moderne, funksionin e tij, në drejtim të përsosjes së këtij
krijimi. Ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se, kënga jonë iso-polifonike
u bë pjesë e AND të identitetit të
etnitetit tonë kombëtar. Është i vetmi komb që krijoi një vlerë artistike nga
një ceremonial mortore dhe ca më tepër, që vijon të përsosë e modernizojë këtë
vlerë me burim kaqë arkaik
. Rolin e vajtores në mort e luan çdo
grua, qoftë nëna e të ndjerit, motra, gruaja, tezja, halla, kushërira, etj. Jo
vetëm këto, edhe fqinjët apo bashkëfshataret bashkojnë vajin e tyre me atë të
më të afërmve, duke krijuar kështu një kor vajtoresh. Askush nuk e qorton një
vajtore pse s’i gjeti “mire” fjalët për të ndjerin që iku, por ama të gjitha u
hapin vend e radhë vajtoreve të njohura, të cilat vijnë të shprehin dhimbjen e
tyre nëpërmjet vajit. Nëse këto vajtore “të mira” dikush i quan profesioniste,
gabohet.Askush s’i paguan ato për të vajtuar. Askush s’i porosit ato të
vajtojnë mire, se… “do shpërblehen”. Kjo edhe për faktin se, një vajtore, po ta
ngrejë “la e më la” të ndjerin, po t’i veshë merita që s’i ka, s’ja përton
vajtorja tjetër që të ja hedhë poshtë gjithë atë “kala” lëvdatash që i ngritën.
“Mos e qaj la e më la, / Po thuaj ato që ka”, i ndërhyri në një vajtim një grua
vajtores që po e ngrinte në qiell të vdekurin, me merita që s’i kishte.
Vajtimi shqiptar është akt
kolektiv.Asnjëherë nënat shqiptare nuk vajtojnë vetëm. Për këtë dëshmitë
janë të herëshme. Fillesat( e dokumentuara) janë qysh nga Ajkuna kur qan Omerin, në
vajtimin e të cilës marin pjesë zanat dhe zogjtë si dhe elementë të natyrës,
hëna dhe yjet, duke vazhduar me Plutarkun, i cili na dëshmon se në Butrint, kur
mbriti lajmi për vdekjen e Panit të Madh, nisën të vajtojnë të gjitha nimfat,
duke vijuar me vajtimin e Lekë Dukagjinit dhe gjithë ushtrisë shqiptare ditën e
vdekjes së Gjergj Kastriotit, në Lezhë. Udhetarët e huaj, nëpër Shqipëri kanë
dokumentuar ceremonitë mortore të gjëmës, ku pjesmarrës aktivë janë, jo një por
disa burra.
Si i gjejnë vajtoret ato fjalë aqë të
mrekullueshmë, aq fine dhe artistike sa që bëjnë dhe “gurin të dridhet” nga
dhimbja që mbartin dhe bukuria e të shprehurit ? Po cila nënë nuk i gjen fjalët
për birin apo bijën e saj, kur dihet që vaji del nga shpirti dhe jo nga goja.
Nëna për të birin apo të bijën, motra për të vëllanë, për motrën apo vajza për
babanë do t’i gjejë fjalët më të bukura që ka dëgjuar apo mësuar, sepse këto
vargje burojnë nga shpirti dhe jo nga profesionalizmi. Shpirti i plagosur nga
morti buron vargjet e famshme të ligjeve.
III-Zërat e vajtimit.Janë nënat e
motrat ato që vajtojnë bijtë e bijat, vëllezërit e prindërit, qoftë në gjëma, qoftë
në morte të zakonshme. Duhet të theksojmëse dhe vajtimi ka disa rregulla, ka disa norma.
Nuk është një e qarë me ulërimë e me rrëmujë dhe aq e vate.Tonaliteti i
vajtimit s’ka të bëjë shumë këtu, por edhe ai ngrihet e ulet sipas disa
rregullave të pashkruara e gati të padukshme.Edhe vajtorja kryesore, ato që
ndërhyjnë apo ato që shoqërojnë vajtimin vetëm me rënkime, kanë një rradhë të paracaktuar
ligjërimi, ndërhyrjeje apo shoqërimi.Kjo ndoshta nuk dallohet nga kushdo, por
po të asistosh, psh.në të nëntat, në të dyzetat apo në ceremoninë mortore përkujtimore
të vitit dhe ta krahasosh me vajtimet e ditëve të para dhe sidomos të ditës apo
të momentit të varrimit, bie në sy dukshëm ndryshimi. Ka më shumë rregull,
respektim rradhe, vëmendje ndaj të tjerëve, etj.
Nëpër ligjërime ka gjithmon një vajtore
kryesore, ajo udhëheq vajtimin.Ajo ligjëron tekstin dhe i jep tonalitetin
vajtimit.Gratë e tjera e shoqërojnë me rënkime, pa i ndërhyrë në tekst apo në
vaj.
IV- Po ta shohim me vëmendje dhe të pranojmë
të bëjmë një paralelizëm, vajtorja e parë ,kryesore, kryen një rol të ngjashëm
me atë të “marrësit” të këngës. Ndryshimi është vetëm një.Këtu kemi të bëjmë me
vajtim, “marrësi” ka të bëjë me të kënduar, ndërsa këtu vajtorja kryesore udhëheq
vajtimin.Duhet të theksojmë se nëpër mortet shqiptare, nëna e të ndjerit, motra,
kunata etj nuk janë vetëm dhe nuk vajtojnë vetëm.Aty gjithmon janë të pranishme
gra të tjera, bashkëfshatare ose të ardhura nga fshatra e krahina të tjera, të
afërme apo të njohura të cilat janë pjesmarrëse aktive në ligjërime.
V-Fillimisht ligjërimi mund të fillojë
me disa rënkime dhe pastaj nis vargëzimi i vajit nga vajtorja kryesore, i
shoqëruar nga kori rënkues i vajoreve të tjera . Këto vajtore mundet që vetëm
të rënkojnë me zë, me zanore të zgjatura ose zanore dhe bashkëtingëllore
bashkë, të pëshpërisin vetëm një fjalë ritmikisht dhe melodikisht si, psh.,
“djalë, o djalë, o djalë -ziu” dhe mbi
këtë det rënkimesh e lotësh ecën anija e tekstit të vajtimit. Tonaliteti i
rënkimeve gjithmonë është më i ulët se tonaliteti i vajtores kryesore, asaj që
citon vargjet dhe që ne mendojmë se ajo përfaqëson “marrësin” e këngës.Siç
thamë, rënkimi mbahet nga gratë e tjera rreth vajtores kryesore.Kyrënkim është
fillesa e origjinës së “isos” dhe gratë reth vajtores kryesore janë fillesa e
grupit që mban iso.
VI-Sidoqoftë, vajtorja kryesore ka
gjithnjë pranë një grua me përvojë, një vajtore të sprovuar nëpër situata të
tilla, përvoja e të cilës është shumë e vlefshme. Ajo, duke qenë pranë vajtores
kryesore, pret sa kjo mbaron ligjërimin e vargut të vajit dhe sikur të jetë
vazhdim i të parës, apo më saktë sikur ka dalë aty të presë vargjet e vajit,
ndërhyn pikërisht në momentin e mbarimit të vargut me rënkimet e saj grykore,
sikur e merr stafetën për ta përcjellë pikërisht te rënkimet apo te isua.
Rënkimi i saj ka pak a shumë formën e një “hë-khë ë ë” ose fjalë si “djalë, o
djalë, o derëziu djalë”. .Pikërisht, ndërhyrja e kësaj vajtoreje në ndihmë të
“marrëses” me fjalët që përmendëm më lart ose me psherëtimat “hë-khë ë ë”, si
për ta marë e për ta përcjellë dhimbjen te mbajtëset e “isos” dhe duke i dhënë
kohë, qoftë edhe një fraksion sekonde vajtores kryesore për “të marrë frymë”.
Te kjo vajtore e ka fillesën “kthyesi” i këngës sonë dhe realisht “kthyesi” në
këngën iso-polifonike nuk bën asgjë më shumë se sa kjo grua pranë vajtores
kryesore. Prandaj dhe në grupet isopolifonike “kthyesi” është gjithmonë një
këngëtar me përvojë të madhe, sepse duhet të llogarisë mirë momentin e
ndërhyrjes së tij, tonalitetin e ndërhyrjes dhe zgjatjen e ndërhyrjes.
VII-Shpesh herë vajtorja kryesore,
qoftë nga dhimbja, nga vajtimi i gjatë, madje edhe nga vetë teksti i vajit të
saj, kalon në një gjendje ngashërimi të thellë dhe që mund të jetë me
pasoja.Ajo detyrimisht ka nevojë për tu spostuar pak, për të bërë një “pushim të
detyruar”, sado të vogël. Ndërkohëajo ka nevojë shpirtërore që të mos ulet
ritmi i vajit, të cilën do ta vazhdojë përsëri me ripërsëritje vargu. Vargu u
ligjërua, “kthyesja” e përcolli te grupi i “isos”, që e mbajti vargun. Atëherë
një grua tjetër ndërhyn me tonalitete të larta dhei bën të dridhen të tërë kur
klith e ulërin me fjalët: “korba djalo o o”, ose “ditëprera vashëzo o o o”, ose
“vu u u, ç’na bëre, djalo o o”, etj. Atëherë të gjitha gratë ngrenë tonin e
vajit, si vajtorja kryesore, e cila ripërsërit vargun ose vijon me një varg të
ri, ashtu dhe mbajtëset e “isos”, që në këtë rast janë të gjitha gratë e
pranishme. Këtu e ka fillesën zëri i “hedhësit” të këngës isopolifonike, i cili
nëpër këngë të ndryshme, si piluriote, himariote, myzeqarçe, skraparjotshe
etj., paraqitet me rol të ndryshëm, por gjithsesi është i pranishëm.
Te zërat e vajtimit e kanë origjinën
zërat e këngës.Te ligjërimet në ritet mortore e ka origjinën kënga isopolifonike.Po
të shikosh me vëmëndje tekstet e vajtimeve të kohëve dhe fshatrave të ndryshme
të Bregdetit dhe Labërisë (të cilat i kemi marrë në studim), gati 80% e tyre
janë shndruar në këngë. Vetkuptohet, ky proces ka kaluar nëpërmjet logatjes dhe
është dashur një kohë jo e vogël.
VIII-Kemi mësuar se zoti, mori e
përpunoi baltën dhe prej saj krijoi njeriun, këtë kryevepër të tij.Për shtatë
ditë.Populli ynë, mori ligjërimin mortor, e përpunoi në laboratorin e tij
shpirtëror dhe me to krijoi këngën tonë popullore iso-polifonike, këtë
kryevepër shpirtërore të njerëzimit.Jo për shtatë ditë, as për shtatë shekuj,
por gjatë gjithë periudhës së egzistencës së tij. Se çfarë vlere ka ky krijim,
kjo u dëshmua me çertifikimin e bërë nga UNESCO më 25 Nëntor 2005 si një
kryevepër shpirtërore e njerëzimit.Vërtet që iso-polifonia nuk është e vetmja
kryevepër e njerëzimit, krijuar nga populli im, njohur, vlerësuar dhe marrë në
mbrojtje nga UNESCO. Kryevepra të njohura janë dhe Butrinti, Gjirokastra dhe Berati,
por ndërsa këto të treja janë kryevepra të fushës materiale, isopolifonia është
një kryevepër e botës shpirtërore. Dhe pikërisht për këtë ajo ka një rëndësi të
jashtëzakonëshme, sepse i dëshmon botës, botën shpirtërore të kombit tim. Jo si
një komb shpellash por si një komb autor kryeveprash.
IX-Por ja që vitet e fundit ka nisur
hedhja e baltës mbi këto kryevepra dhe veçanërisht mbi isopolifoninë.
Baltosësit synojnë në një pikë, duhet hequr me çdo kusht emërtimi “iso” në
shumëzërëshin tonë popullor, duke u zëvendësuar me emërtimin vetëm polifoni.
Argumentat që përdoren nga këta sulmues baltosës janë sipërfaqësore, duke
filluar që nga vendosja e këtij emërtimi pa u marrë mendimi i tyre “i
specializuar” në fushën e krijimtarisë popullore e gjer te fakti se të gjithë
popujt e Ballkanit kanë polifoni dhe asnjëri nuk ka iso-polifoni..
Thelbi i sulmit është që duhet të
zhduket fare emri “iso” nga pasaporta e shumëzërëshit shqiptar. Këtu lindin dy
probleme. E para: - pse duhet hequr ky zë nga emërtimi i këngës kur ai është
pjesë organike e vetë këngës. Është zëri më i vjetër, më autentik i këngës
sonë, më i veçanti në botën muzikore. E dyta :- duke hequr emërtimin “iso”
vetvetiu mbetet emërtimi Polifoni. Pra kënga popullore shqiptare është thjeshtë
një këngë…polifonike.Por gjithë popujt e Ballkanit kanë këngët e tyre
polifonike, në kuptimin e këngës me shumë zëra (poli-shumë, foni-zëra).Atëherë
ku qëndron e veçanta me vlerë e këngës shqiptare, që të meritonte çertifikimin
nga UNESCO si kryevepër shpirtërore e njerëzimit.
X- Këtu le të ndërhyjmë e të sqarojmë
faktin se: në isopolifoni, muzikalisht, “marrësi”, “hedhësi” dhe “kthyesi”janë
tre zërat solo, bashkimi i të cilëve përbën polifonisë . Iso-ja është zë më vete, i
njëtrajtshëm, që mbahet nga disa persona, të cilët grupohen në “kor” dhe që
përfaqësojnë popullin. Bashkimi i polifonisë ( marrësi, hedhësi dhe kthyesi) me
iso-n (korin shoqërues) është pikërisht shumëzërëshi ynë popullor, që e quajmë
iso-polifoni. Popujt e tjerë kanë krijuar polifoni (në kuptimin e këngës me
shumë zëra muzikorë), por vetëm populli ynë ka krijuar iso-polifoni (bashkim i
polifonisë me iso-n),sepse “iso-ja”
është një zë vetëm shqiptar, i marrë nga ritet mortore. Marrësi, kthyesi dhe
hedhësi nuk e kryejnë funksionin e tyre të veçuar nga njeri tjetri.Ndërsa
iso-ja funksionon edhe vetëm.Psh, logatja është “iso” ose më shumë “iso”.“Iso-ja”
nuk ka tekst.Ky fakt dëshmon lashtësinë e saj.
Ndryshe nga marrësi, i cili tekstin e
tij mund edhe ta interpretojë në mënyrë recitative, iso-ja në asnjë rast nuk
mund të interpretohet recitativisht.Ajo vetëm këndohet.Kjo është e veçanta, kjo
është e dallueshmja dhe mbi të gjitha kjo është thelbësorja. Iso-ja është më e
lashtë se kënga, sepse kënga erdhi pas shndërrimit të ligjërimit, pra pas
përpunimit të vajtimit në “laboratorin” krijues të popullit, por ndërkohë
iso-ja qëndroi siç ishte në vajtim, me pak përshtatje melodike.
Pra, te procesi i lindjes së këngës, në
fillim ka qenë isoja, si “atavizmë” e vajtimit, si rrënjë e bimës brenda në
tokë, dhe pastaj, prej saj u rrit pema e këngës. Pa iso nuk ka këngë
shumëzërëshe, ndërsa kemi provuar se pa këngë (pa tekst kënge) ka iso.Ndaj
themi se iso-ja është ADN e këngës sonë shumëzërëshe që tregon lashtësinë e
këngës sonë dhe për pasojë, lashtësinë e kombit tonë. -Iso-ja në vetvete është
si shtrati ku shkon lumi, herë i ngushtë e herë i gjërë, herë i pjerët e herë i
sheshtë. Iso-ja është e pranishme vetëm te këto lloj këngësh (iso-polifonike)
dhe nuk tjetërsohet kurrsesi. As nuk mund të hiqet. -Iso-ja është e domosdoshmë
për këngën si deti për anijet, si ajri i qiellit për fluturimin e shqiponjës.
-Iso-ja është pashaporta e identitetit kombëtar të këngës sonë popullore. Ajo
është vetë shpirti i këngës, prandaj ajo asnjëherë nuk i ndahet këngës
popullore.Të 279 mendosh një këngë popullore pa iso, është si të mendosh një
trup të gjallë pa shpirt -Iso nuk është e kushtëzuar nga marrësi. Marësi është
sinjali i nisjes së…anijes nga porti, por isoja është deti nëpër të cilin
lundron flota e këngës. -Po të shohim këngët e vjetra himarjote, marrësi vetëm
sa këndonte (ose recitonte) gjysëm vargu, e shumta një varg të tërë. Gjithçka e
mbulonte iso-ja, nëpër të cilën ecnin marrësi dhe pritësi, hedhësi e
prerësi.Vajz’ e valeve….këndon marrësi dhe vetëm kaq.Këtu mbaron “mbretërimi” i
tij.Më tej, kudo është mbretëria e iso-s. Dhe bukuria e këngës nuk është te
teksti, as te zëri brilant i marrësit. Bukuria e këngës është te iso-ja. -
Është iso-ja ajo që i ka bashkuar bashkë në një grup marrësin e hedhësin,
pritësin e prerësin dhe nuk ka ndodhur e kundërta. - Nuk është teksti apo
“polifonia” (shumëzërrëshi) magjia dhe pavdekshmëria e këngës sonë popullore,
por është pikërisht ajo, me e lashta, më e pavdekëshmia, nëna e këngës,
“iso-ja”.
-Iso-ja është lumi i lotëve që buroi
nga sytë e nënave dhe krijoi detin e këngës. -Prandaj kënga jonë popullore
(shumëzërëshe) është në radhë të parë këngë me iso, sepse është këngë thjeshtë
dhe vetëm shqiptare, sepse është këngë e lashtë shqiptare, sepse ka lindur vetëm
nga ritet mortore të vajtimit, duke patur si fillesë iso-n, atë rënkim zemrash
e zërash nëpër mort, sepse nuk është prodhim i shkollave apo laboratorëve
intelekttualë, sepse ajo iso-ja, i mblodhi bashkë të gjithë zërat e tjerë të
këngës, ashtu si nëna që mbledh në prehërin e saj fëmijët.
- Kënga jonë popullore është së pari
këngë me iso dhe pastaj është polifonike.
P.S. Me kërkesë të disa
miqve e paraqes këtë shkrim të redaktuar, botuar më parë si pasthënie te libri
im “Vajz’ e valeve” MILOSAO Sarandë, 2018 .fq 270- 278