Kulturë
Mehmetali Rexhepi:Dy gjysmat e jetës
E hene, 29.03.2021, 01:09 PM
DY GJYSMAT E JETËS
NEXHAT
REXHA: ”DALJA PREJ ANATEMËS”
Shtëpa
botuese Beqir Musliu; Gjilan, 2021
Nga Mehmetali Rexhepi
SHPËRTHIMET E HERSHME DHE AKUMULIMI
Për aq sa dimë,
poeti Nexhat Rexha paraqitjen e parë me vëllimin autorial e arriti, kryesisht
pas Luftës Çlirimtare në Kosovë. Vëllimin e parë me poezi “Ndrydhja e pikës K”,
e nxori në vitin 2003; atëherë autori
ishte në moshë të pjekur, kishte dyzet e tetë vjet. Kjo e dhënë zgjon
kureshtjen dhe kureshtja pyetjen për ta zbërthyer mëdyshjen për jetëshkrimin e
poetit... Çka e kushtëzoi një këso ardhje të vonë e tharmit poetik tek ky poet? Padyshim
rrethana mund të jetë e brendshme, por dhe e jashtme. Nga jetëshkrimet e yjve
të poezisë e të prozës botërore, disave prej tyre, iu kishte zgjatur përmbyllja
e jetës të gjallë, sa periudha e para publikimit të autorit tonë me libër të
parë, madje edhe më pak: Charles Baudelaire (1821-1867) 46 vjet; Jack London
(1876-1916) 40 vjet; Franz Kafka (1883-1924) 41 vjet; Vladimir Majakovskij
(1893-1930) 37 vjet; Sergei Yesenin (1895-1925) 30 vjet; Albert Camys
(1913-1960) 47 vjet...
Dukuria e
shpërthimit të hershëm të luleve e ngjyrave të talentit, tek akëcilët poetë a
shkrimtarë, ose e akumulimit për shpërthimin e më vonshëm, në peshoren e matjes
së vlerave nuk e prish baraspeshën e tyre. Përkundër përkufizimeve, për arritje
të pashmangshme të saktësisë për dijen e matematikës dhe të simotrave të saj;
diskursi për sferën e ndjeshmërisë e të imagjinatës figurative-artistike është
relativisht i qëndrueshëm, madje nëpër epoka mund të lëvizë lartë-poshtë... Në
këtë pikëvështrim jam paksa në anën e atyre, që kanë vjelë përvojë krijuese,
mandej ajo të ketë shpërthyer e vëzhguar nga sogjetari i letrave: edhe si
ndjeshmëri, edhe si arsye. Natyrisht, duke i takuar kësaj sfere, kësaj
prirjeje, ana subjektive e notës është e
dukshme. Megjithatë, jo kurdoherë, vlerën e forcës artistike e përcakton
kategoria e moshës, as sasia e vëllimeve
poetike.
SODITJA E ZEZË E HISTORISË
Poeti Nexhat Rexha
si dhe bashkëkohësit e tij, filluan t`i ndjenin përballjet me projektin nam-keq
të Akademisë së Shkencave të Serbisë, që ishte vijimësia e mëvonshme e “Naçertanie-s” për zhbërjen e etnisë
autoktone, me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme!Ishte e pashmangshme të
mos reflektohej kanosja ekzistenciale tek çdo zemër shqiptare! Veçmas ndjeshmëria
e tillë reflektoi në vetëdijen dhe ndërdymen e letrarit Nexhat Rexha. Me këtë
trashëgimi ndjeshmërie, vargu poetik nuk mund të mos ngarkohej me peshën e
parandjenjave e të konotacioneve apokaliptike. Djajtë e këtij apokalipsi ia
kishin vënë flakën Dardanisë! Duhej ecur
nëpër flakë, qoftë dhe i përcëlluar për t`i gëlltitur kafshatat e
pelinit, të rrojtjes me shije pelini. Koha ishte në timonin e duarve vrastare,
ndonëse bindja për dukjen e dritës në tunelin figurativ të varg-thurësit ende
nuk ishte shuar:
“ E ti mate kohën
Se fundi do të
vijë Skiron”
Poezia “ Kohë
apokalipsi” shënon nismën, edhe pse kjo nuk është poezia e parë e këtij autori,
nismën e një rrumbullakimi relativ të opusit krijues, përbrenda jubileut
gjashtë dhjetë e pesë vjeçar të edukatorit e veprimtarit kulturor, veçmas
opusin artistik të poetit Nexhat Rexha. Pikërisht më një shkurt të vitit dymijë
e njëzet e një (1.02. 2021), përmbyllen periudhat e ciklit veprues të
zbraz-mbushjeve poetike të këtij autori, për të vijuar më tutje me pjekuri të shtuar
në moshën e tretë.
Autori u përcaktua
kësisoj, duke pasur durimin e tumiren, për përzgjedhje të gjashtë dhjetë e pesë
poezish nga vëllimet e tij të deritashme dhe të një dorëshkrimi... Në qoftë se
kriteret e përzgjedhjes kanë pësuar rrëshqitje pjerrtësive të figurave në
vëllimin “Dalja prej anatemës”, shkarjet
i përkasin përzgjedhësit. Në këtë pikëvështrim poeti i ka duart e pastra.
Mes poezisë “Kohë apokalips”
dhe asaj, që përmbyll këtë vëllim poetik jubilar,”Diçka troket për ditë”, është
përafruar moria e motiveve, fragmente temash, trajta vlimesh të ndjeshmërisë
njerëzore, sprova të unit poetik të shkrirë e njëzuar, të identifikuar me unin
etnik. Gjithnjë, duke e shpërfaqur gamën e gjerë të asaj ndjeshmërie, që ia
nxori dhimbja e Dardanisë, i vardiseshin pyetje pa përgjigje; ndaj ithtari i
poezisë Nexhat Rexha ngulmoi për ngritjen dhe zgjerimin e konceptit për lirinë,
si domosdo e dialektikës së jetës. Në tërësinë e saj poezia e këtij poeti nuk
ngërthen vetëm tipare etnike, ajo mëton të zbërthejë pleksje tiparesh etike,
heroike, tragjike, sadiste, hipokrite, skofiare, me një fjalë: universalen.
Parimi themelor i të drejtës së popujve është liria... Mirëpo, etnia e poetit
që e kërkon lirinë mbi tokën e vet, si një e drejtë themelore njerëzore, është
vënë në zgripe asgjësimi:
“Në nëntëdhjetë e
nëntë llahtari
Pa pushuar
nëpër çdo stuhi
Kur sodiste e zeza
histori” ( Do të vijë)
Vizioni i poetit
lëvizte mes gënjeshtrës dhe zhgënjimit... Ishte revoltuese! Vargjet e këtij
poeti konstatojnë përmasën e tmerrshme, njëkohësisht të madhërishme, që vetëm
forca e “miliona dashurive” e shtyu vlimin e gjakut, ende të mpiksur, të rrjedhë
deri te caku... Më tutje, vazhdimësisë së shtegtimit poetik, do ta shohim
përdhosjen e pikë-cakut shekullor! Përgjumet vijimësia dhe mund t`i merret
timoni për prapakthim?! Koncepti i lirisë nuk mbahej dot vetëm mbi shtylla të
idealizmit. Ai kërkonte përmbushje të tjera, përderisa nuk mund t`ia tumirte
përçudnimet klasës së re me klane të vjetra, as rrënimin e shtyllave të ngulitura në dheun prej gjaku, në emër të
“meritave...” Poeti do t`ia veshë dhimbjes fare bindshëm metaforën e ngërthyer
me ironinë e konotacionit euforik:
“Në emër të
flamurit fishkëllejnë fishekzjarrët
Pa i peshuar orët
e dhimbjes
Gjëmimin e rrugëve
të vrara
Dhe kurrë s`e
ditëm sa peshon dita me dritë” (Betejat e mia)
BRENGA DHE IRONIA E LIRISË
Drama e etnisë u
thur që nga përkundja në djep e foshnjave tona... Luftërat humbëse humbnin
bashkë me namin e vet. Në arenën e luftës së fundme, të Luftës Çlirimtare me
bashkë-aleatët e Aleancës Veri-Atlantike, pos në këtë mësymje iu shtua nami
pushkës tonë! Pushka jonë ishte në dorën çlirimtare, nuk ishte në duar të
terroristëve. Lufta për ndërtimin dhe forcimin e paqes lyp armë tjetër, armën e
mendje-penës.
Lajtmotivi i
fronit dhe udha “shterpë” e tij, është etika dhe estetika, të cilën nuk mund ta
kapërcente koncepti i lirisë. Këtu merr trajtë intonimi i tekstit ironik:
“Jam zhytur në botën
time
Plot salltanet për
ty atdhe”
Ironia e
përfitimit prej atdheut për luksin vetjak ose klanor ndodh tash, kur ende
kullojnë plagët dhe gjaku mbeti i njomë, luhen lojërat “akrobatike të
antikohës.” Në konceptin e zbrazët të lirisë ka hyrë djallëzia. Poeti në vargun
me pyetje retorike:
“Ku je ti heshtje
e fshehur rebele”, mëton të ngre
përgjigje të atillë, të cilën nuk e jep vet, por topin e qet tek një
antitezë e padukshme, tek antiteza e fshehur, e strukur diku në aktin e heshtur
të mburracakëve. Kështu, poeti ngre një veçori ideore, stilistike dhe estetike
karakteristike për poezinë moderne; fshehje për gjetje të rebusit ideor në
antitezën e nënkuptuar. Me qasje të këtillë autori arrin, që t`i japë tipare të
tilla stilistike thurjes së shkrimit, ose mbetjes pezull të përfytyrimeve të
thënies pas leximit sipërfaqësor... Fati i përhershëm i përndjekjes, i
pushtimit të hapësirave bukanike dhe shpirtërore, i dha të drejtë formësimit
përkufizues përmes vargut “Përballë krismave identitet.” Çfarë sugjeron ky
varg i poezisë “Tejdukshmëri”?
Identiteti afishohej në krisma, përderisa humbja e tij zhbëhej pa krisma. Si e
shihte paradoksin e etnisë poeti Din Mehmeti? Ai e apostrofonte moton e
identitetit të vet epik: “Krismë është emri im!” Në poezinë shqipe Ali Podrimja
identifikohet me togfjalëshin tipizues të shenjëzës “dhimb e bukur.” Stilistika
poetike e Nexhat Rexhës, në frymëmarrjet e saj, gjithsesi e bartë dhimbjen si
koncept poetik dhe jetësor. Si e tillë, dhimbja e këtij poeti, nuk është
dhimbje e përmasës estetike të Ali Podrimjes. Dhimbja e Rexhës hyn në përmasa
viktimash, azilesh, mallëngjime pelegrinësh, në mënyra jetësh të dyfishta, me
trupin në diasporë e shpirtin në vendlindje... Si të thuash: jetë e dy
gjysmave, ose dy gjysmat e jetës pa e arritur tërësinë!...
Pothuajse të
gjitha motivet, që sjellin vargjet e poezisë së Nexhat Rexhës, prekin plagët e
dhimbjes... Plagë të një dhimbjeje që kundërmon atmosferën e trishtimit e të
pushtimit, viktimizimi i tërësishëm i një etnie... Përse ndodh kështu? Ndodh kështu sepse ndodhemi në udhëkryqin e përplasjes së qytetërimeve...
Poeti e kapi
bindshëm metaforën e përfytyrimit të llahtarisë; rrjedhën e konotacioneve të
trishtuara të stinës, e Kullës me Kafka Muresh, kokat e të parëve mostra
kullash të murosura, arkitekturë shëmbëllese e barbarisë! E shurdhër dhe memece
goja e historisë... Rrjedha e variacioneve për bërjen e konceptit të lirisë për
atdheun, nga brezi në brez nuk rrumbullakohej dot! A do të kapitullonte pritja
në geton kolektive?! Për poetin, koncepti i rrumbullakimit të atdheut, është
përmasa (j)etike, identifikuese, filozofike dhe estetike.
“Dhe si t`i ngi
sytë në vetmi
Me faqet tua
atdhe” (Vetmia)
Kujt ia drejtonte
pyetjen poeti për urinë e tij të pangopur? Natyrisht pyetja u drejtohet të gjithë
atyre, që u identifikuan, u sakrifikuan dhe gjakuan përmasën e plotë për atdheun.
Përmasa e atdheut në thelb ka shenjtërinë e vet... Shenjtërinë e pararendësve,
me gjasa të parashikuara edhe të pas-rendësve. Fati tragjik dhe shtyrja
përpjetës së pjerrtë e Gurit mitologjik të Sizifit për konceptin atdhe i lirë,
ose liri për atdheun, të shumtën e herëve mbyllej brenda një kodi të fshehur,
brenda sirtarësh të kancelarive... Ndërsa atdheut kurrë-njëherë nuk iu prenë
teshat tamam, ngase edhe fetë ia ndërronin fytyrën:
“Arbëria mbeti
enigmë në udhëkryq”
NERVI I TRISHTIMIT
Imponohet pyetja:
pse në ligjërimin poetik të vëllimeve me poezi, autori sikur është i prirë t`i
rrekej kryesisht anës tragjike të jetës? Tragjikja si kategori estetike është aq e ngjizur me identitetin tonë etnik dhe
etik, sa nuk ka të krahasuar me shëmbëllesa të tjera etnish. Është nënvizuar në
fillesën e këtij shkrimi, që poeti kishte mbyllur në heshtjen akumuluese
adoleshencën e belbëzimeve poetike, përcëllimat e drithërimat e dashurisë...
Duket qartë, se termometri i poezisë tij nuk është i përqendruar për matjen e
amplitudave të temperaturës vetjake. Kundrimet, konstatimet, obsesionet,
mynxyrat, kontrastet e forta shpirtërore, gjithandej ëndrrave për zhgjëndrrën madhore
të jetës, shndërroheshin në makthe të rrojtjes, të një rrojtjeje gjysmake.
Estetika e realitetit i lypte këtij poeti forcimin e impulseve të vargjeve,
ngërthesa urtësie përballë trishtimit të jashtëm; qëndresën dhe nuhatjen e
hollë të hedhjes, përkatësisht të mos hedhjes së hapit në dërrasën e kalbur të
intrigës! Torturat e ankthit ia shkund gjumit e esëllta e jetës... Paradoksi e
sjell dritën në terr... Janë buzët paradoksale, ato që i japin impulse e doza
optimizmit; është ura e dashurisë për vajtje-ardhje të jetëve; dashuria kjo
përmasë e konceptit jetë-dhënës... Vinte ora për këndellje plagësh, e shërimit
të syve të shigjetuar, për ta parë
konceptin e mohuar, jo më si një ëndërr e sëmurë, por si diçka të
prekshme për t`u shijuar me duar, mendje e vargje... Këtij ideali iu rreshtuan
vargjet si ”çlirimtarë” të devotshëm...
Megjithatë,
brengosja dhe mëdyshja e nervit poetik, në këtë trajtë vargimi nuk është shuar.
Trishtimi kishte depërtuar thellë, madje vegjeton në mëdyshjen poetike për t`u
rikthyer:
“Dhe gjerdanin për
t`ia vënë në qafë trishtimit”
Në nervin poetik
të Nexhat Rexhës motivet e së njëjtës kategori zëvendësojnë njeri-tjetrin, si
hallka të pakëputura ciklesh të jetës. Në subjektin e kësaj poezie ka hyrë
sindroma e përhershme e ndjekjes, qoftë si përfytyrime hijesh, si gjarpër i
mbështjellë qafës, si djallëzi e nuhatjes në këngë, si smag i frymëmarrjes, si goditje në atë
fijen më të fundit... Monologu i imponuar për dialog gjeti truall dhe hyri në kujtesë dhe,
kujtesës i bën roje vargu. Përse? Për të mos e humbur arkeologjinë, për të mos
e poshtëruar urtësinë, për të mos ia dorëzuar djallit epikën heroike, për të
kallëzuar se lulëkuqet e morën të kuqen prej pikave të gjakut tonë dhe, si rrjedhojë vargu i mirëfilltë nuk bie
në gjumë të mirëfilltë.
Në vëllimin gjithëpërfshirës
“Dalja prej anatemës” vilen edhe shenja motivesh, që marrin trajta motivuese me
tipare etnografike, me simbolikën e plisit të bardhë, simbol bardhësie,
ngrohtësie, lartësie majë-bore, e pastërtie etnike, por dhe shënjestër për
gjithfarë goditjesh nga gjuajtës kujdestarë të Singidunum-it e të Naissus-it.
VARGU SOGJETARË
Aty ku flet
diskursi përjashtohet poetika. Ka raste të tilla këtu, ndonëse poeti është
kujdesur të mos ia jepte fjalën diskursit.
“ I preke në sedër
ke bërë bela
Gjuhën shpatë
kanunin në ballë”
Strukturime të
këtilla ironike të tekstit poetik, të drejtpërdrejta ose të tërthorta e
përshkojnë këtë tip poezie. Poeti vendosë në çdo kënd-shikim pasqyra për secilin
karakter, në funksion të pamjes së veseve, larjes së njollave të fytyrës të zhytur
në mëkate... Ndonjë herë tejdukshëm, herën tjetër nëpërmjet finokërisë së
fjalësit, apostrofohet egoizmi, shëmtia e akëcilës figurë anonime e mjedisit
përfitues:
“ Se nisja është
bërë për gushë
Jeta ka çelës dhe
fushë”
Kapjet e vargut
poetik gjithnjë dalin si rrjedha të sprovave në jetë; kryesisht si kushtëzime shkak-pasojash
dhe, më pak si projektime imagjinare. Pra, te poezia e Nexhat Rexhës vargu
ngrihet mbi të ndodhurën dhe, fare
sipërfaqësisht mbi trillin e të ndodhurës. Në jetë mund të ngërthejmë qëllime
aty ku nuk spikaten ato, ku nuk duken si përfaqësime vetjake, por të kamufluara
si ideale madhore... Mirëpo, intuita e hollë nuhat kundërmimin e qëllimit, duke
ia zbërthyer kodin e fshehtë të pasinqertës.
Poezia mund të mos
jetë e thelluar, porse i jep trajtë dhe përcaktim natyrës së vet të vërtetë;
përherë me mjetet dhe modalitetin e shprehjes, e cila i përshtatet asaj. Ajo
nuk shndërrohet në instrument të fushave
tjera; nuk shmangë, as tjetërson unin të cilit i përket; ajo plekset me urtinë
meritore vetëm për aq sa ruan mëvetësinë e qenies figurë.
Liria prore është
e uritur kur i merren burimet ekzistenciale. Madje poeti shtroi pyetjen e një
mëdyshjeje thellësisht shqetësuese për brezat:
“ Ku shkoi liria
Pas atij dimri
idhnak
Me net pagjumësie”
(Liria në gjumë)
Vargjet sogjetarë
ngrehin shpatën drejt syve lakmitarë, makutëve, bashkë-lojtarëve të djallit në
lojën humbëse të idealeve:
“ Kurse loja
mbaron
Andej kah vijnë
medaljet” (Koha ime e arnuar)
Aty ku akrepat e
ecjes së orës ndalojnë, zgjerohet amullia, rikthehen makthet, parabolat e zeza,
të cilat mëtuam se i thyen dhëmbët në periudhën e zezonave të qenësisë tonë...
SHKËPUTJE METAFORASH TË STILIT
FIGURATIV
“ Gjethet e
ëndrrës për fronin (Era);
“ Zgjidh vdekjen
apo lojën e djallit
Se krismat e
krushqve të lirisë
Po sjellin zjarrin
e Prometheut” (Krisma mbi ombrellë);
“ Liri edhe sa
lule të duhen Ty” (Liria han lule);
“ Atdheu im i
nxënë
Atdheu im në
roletë” (Pikë lartësie);
“ Ata që pinë
qumështin e zanave
Trashëguan Lugun e
Thanave” (Lugu i Thanave);
“ Gjithfarë
krismash godasin
Në cepat e rrudhur
Kurse loja nuk mbaron
Andej kah vijnë
medaljet” (Koha ime e arnuar);
“ Kjo koha jonë
verbëri miopësh ushqen” (Kohë me fytyrë censori);
“ Fate të skalitura
Në lapidarin e
heroit të helmuar” (Hallkë kujtimi)...
NË AKTIN PËRMBYLLËS
Për rrumbullakimin
e këtij jubileu krijues: edukatorit dhe veprimtarit kulturor, poetit Nexhat
Rexha, si dhe familjes tij të dashur, i urojmë shëndet të plotë, paqe dhe qetësi
shpirtërore, dhe, gjithsesi vlera tjera krijuese për përmbushjen e shpirtit dhe
të dinjitetit të popullit tij!
Gjilan, dhjetor 2020