Kulturë
Skënder Hoxha: Poezia me mesazh e Ramadan Ademajt
E shtune, 03.04.2021, 09:00 PM
POEZIA ME MESAZH E RAMADAN ADEMAJT
Shkruan:
Mr. SKËNDER R. HOXHA – redaktor dhe
editor i librit
Lexues të nderuar ju njoftojmë se sapo
doli nga shtypi libri me poezi i krijuesit leshanas Ramadan Ademaj, me titull
“MOS MA VRITNI SHPRESËN”. Poezitë e kësaj përmbledhjeje poetike,
tematikisht, janë të sistemuara në katër
qerthuj: Atdheu mbi të gjitha; Dardania
ime e dashur; Kujtimet ia fala erës dhe
Sëmundjet e kohës. Po thuaj se në të gjitha poezitë e këtij libri, i cili është
i treti me radhë i këtij autori, dominon nota e atdhedashurisë, mërgimit,
dashuria dhe respekti ndaj prindërve etj., të cilat kanë mesazhet e veta të
pashmangshme.
Libri niset pe poezinë simbolike “Unë
leshanashi”, ku poeti në asnjë çast nuk e harron vendlindjen e tij, Leshanin e
komunës së Pejës, por nga mërgimi vargëzon për të, duke shpërfaqur dashurinë që
ka ndaj vendlindjes, mallin për të, mallin për leshanasit me të cilët u rrit
dhe veproi, nostalgjinë për prindërit,
etj dhe përfundon me disa sentenca –
vargje metaforike me domethënie të thella, si: “Mos m’i vritni ëdrrat”, “Mos
eja në kurbet”, “Mos ma vritni shpresën” “Mos m’i shaj shkrimtarët’, “Mos e
mallko dashurinë” etj. që i rendit në kopertinën e mbramë të këtij libri.
Vlen të theksohet se poeti Ramadan, pas
dy përmbledhjeve poetike të botuara më herët, në librin poetik “Mos ma vritni shpresën”, para lexuasve
del më i pjekur, vjen me vargun më të gdhendur, më të pasur me figura
stilistike, çka dëshmojnë se Ramadani vërtet e do pozinë dhe në të shpreh
brendinë e shpirtit poetik që është edhe
premtuese për universin e tij poetik, por edhe për letërsinë shqipe
përgjithësisht.