Kulturë
Xhemail Peci: Tregimtaria poetike e Bedri Tahirit
E marte, 06.04.2021, 07:23 PM
TREGIMTARIA POETIKE E BEDRI TAHIRIT
(Bedri TAHIRI, “Gur i
diellit shenjëtor”, “Meshari”, Prishtinë, 2013)
Shkruan: Xhemail
PECI - Londër
DIELLORI: PUSHKA DHE STRALLI
PENA: ESHKA DHE UNORI
“Natën time të fundit në Zyrën Ovale
tashmë të boshatisur, unë mendova për arkën e qelqtë që unë e kisha mbajtur në
tavolinën time të kafes pak hapa larg meje. Aty ishte një gur të cilin Neil
Armstrong e kishte marrë në Hënë në vitin 1969. Sa herë që diskutimet në Zyrën
Ovale e kapërcenin arsyen njerëzore, unë ì ndërprisja ata dhe thoshja: ‘A e
shihni atë gur? Është 3,6 miliardë vjeç. Ne të gjithë do t’ì nënshtrohemi kohës
si ai. Le t’ì ftohim gjakrat dhe t’ì rikthehemi punës’. Ai gur hënor më dha mua
një këndvështrim krejt të ri të historisë dhe të ‘rrjedhës së gjatë’
proverbiale.” (Bill Klinton: Jeta Ime)
“Dielli është sundimtari i botës.
Besimin në fuqinë e tij e trashëguam nga të parët tanë. Diellin e çmuam më
shumë se jetën…” (Bedri Tahiri: Diellori)
Përmasat Monumentale të Diellorit
Lirisë së Kosovës i ka munguar Ushtria Çlirimtare e saj,
kurse Epopesë së Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës, pas luftës sikur i ka munguar
deri diku letërsia e saj në përmasat në të cilat do të përfshiheshin shumë anë
vrojtuese. Bedri Tahiri mëton për ta plotësuar një zbrazëtirë të tillë.
Tregimtaria e tij shquhet për rrëfimin retrospektiv, i
paraqitur përmes kryepersonazhit që evokon, që shpalos kujtime, që me monologun
e vet e paraqet sa dramën individuale po aq edhe ate kolektive. E gjithë kjo me
një shprehje të pasur gjuhësore, me një frazeologji të larmishme e me poetikën
e veçantë të narracionit krijues, ku shquhet sa urtësia e të medituarit, po aq
edhe lartësia e stilit.
Libri “Gur i diellorit shenjëtor” hapet me
tregimin Helmimi, ku nëpërmjet dialogut i cili vihet në
funksion të zbërthimit tematik të gërshetuar me rrëfimin retrospektiv,
rikujtohet periudha “në mote ogurzeza.” Profesor Petrit Mala është personazhi i
rrëfimi që në vete ngërthen elemente autobiografike të narratorit. Profesor
Mala kujton ballafaqimin me vdekjen dhe segregacionin me helmimin, si plane të
ekspirementuara “për herë të parë në komunën” e Vushtrrisë. Përmes një evokimi
të gjallë, ai i ka ende të freskëta pamjet trishtuese me: “Djem e vajza të
alivanosur”, të cilët “përpëliteshin me vdekjen.”Rrëfimi zhvillohet në dy linja
kryesore, në ate ku paraqiten pushtuesit VRASËS që në shënjestër kishin rininë
shqiptare, të cilën e godasin përmes helmimit, siç shprehet autori: “sipas
skenarit të sofistikuar”, e ku për krah mjerisht kishin “edhe ndonjë puthadorës
shqipfolës”; dhe në linjën e dytë ku paraqitet qëndresa e masës dhe
pathyeshmëria e saj, e cila kulmon me figurën e profesorit si një sublimim i
atdhedashurisë dhe rezistencës së pathyer: “Listën e emrave të nxënësve të
helmuar të shkollës së tij dhe në gjithë rrethinën e Vicianës së lashtë, nuk ua
dha se nuk ua dha cerberëve kaprpatianë e as kukudhave trutharë.”
Rrëfimi Një thëllëzë për nipin është pak më
i veçantë në diskursin krijues të Bedri Tahirit. Mund të thuhet kështu sepse ky
tregim shquhet për një kontrast ndejnjash, për një “mallëngjim trishtues”, e që
në kontemplacion e sipër e ka porosinë e gjyshit: “Mos u gëzoni se po vjen Viti
i Ri, por mërzituni se po shkon jeta!” Një filozofi e këtillë popullore shfaqet
përmes frazeologjisë së pasur që e përshkon sa rrëfimin edhe librin në tërësi,
e ku autori e njeh aq bukur botën e florës dhe të faunës shqiptare, të cilave
në përshkrimin që u bën, u falë aureolën e tregimtarisë së tij poetike.
Personazhi është vetë autori që ecën dhe mediton. I ndodhur mes kujtimeve për
apotheozën e ujit e cila “gjithë vendin kërcënoi pamëshirshëm” (si një parodi e
Apotheozës së Misrit që e hasim tek Migjeni) dhe bardhësisë së natyrës:
“Kjo bardhësi verbuese seç më gici thellë në shpirt”, autori e shpalos botën e
tij përmes një kuadri të ri, në të cilin shfaqen: “lepujtë, pëllumbat e egër,
thëllëzat, patat e egra.” Në një sfond të tillë, autori kërkon diçka të
veçantë, shumë më të veçantë se ajo që shfaqet në pamje të parë: “Ecja e ecja gjithë
ditën nëpër borën deri mbi gjunjë dhe kur kthehesha në mbrëmje, i lodhur e i
bërë qull, frymëzimi për të hedhur diç në letër më priste te pragu.” E në
mënyrë të veçantë, autroi shprehet se: “Thëllëzat më joshin si vera nëntëvjeçe
me aromën e saj dehëse.” Një thëllëzë e goditur për nipin e vet Taulantin, e
shtyn shkrimtarin të nxjerrë në pah mendimin e shprehur në mënyrë filozofike
nga holandezët, se: “çdo gjë ndryshon, edhe ndryshimi ndryshon!”
Në tregimin Shterani, si në një parabolë
projektohet ripërtëritja e jetës në një idilë familjare, e cila “në gjirmë të
vatrës së tyre të stërlashtë” shquhet për “bujari, burrëri, mençuri e mature”.
Gjakimi për trashëgiminë - ripërtëritjen e jetës jepet në sfondin se a mund të
bëjë dikush magji të zeza, e ku përgjigja është tepër simbolike: “askush nuk
mund të bëjë magji aty ku ka harmoni familjare”. E njëjtë gjë mund të thuhet
edhe për shtetin, e dëshira për ta parë një fëmi në votër: “një bimë në atë
truall stërgjyshor”, bëhet njëmendësi, sepse aty “ku, përherë kënduan ëmbël
grykëhollat”, tani “një zë i mekur grisi memecllëkun e kullës së vjetër”. Në
përmasat e gëzimit të tillë, autori e fut frazeologjinë e pasur popullore e të
modifikuar në penën e tij të mprehtë, prandaj ardhjes në jetë të një djali, bën
që t’i gëzohen edhe kulmi, por edhe trarët e shtëpisë.
Nga kjo pikë, shkrimtari Bedri Tahiri e bart tregimin në
rrafshin e futjes së motivit të gurbetit (fjala vjen, si tek proza e Çajupit),
ku burri ka shkuar për të mbajtur familjen, e që del i portretizuar si një
karakter i formuar “për shtatë gjaqe nuk i vihej gisht”, dhe më tej nëpërmjet
të rrëfyerit retrsopektiv, e shpalos gjenezën e një familjeje “Ujkan. Ashtu
quhej stërgjyshi i tij, i humbur e i tretur si gjynli, diku në Galici, në
luftërat ruso-turke. Zatën, që nga ajo kohë kjo familje mori në thua dhe më
kurrë nuk e mori të mbarën.”
Filozofia e heshtjes është ajo që e karakterizon më tej
kryepersonazhin Ujkan Mala (“Tipari i tij më karakteristik ishte heshtja”) që
“rritej e gufonte si buka në çerep”. I portretizuar me nuanca autobiografike,
ky persoanzh shembëllen me Diogjenin, sepse ai është njeriu që gjithë jetën
flet me zë të ulët, gjë që nuk e kuptojnë as rrethi e as “Cerberët e përtej
Tunës”. Ai është aq modest sa në përgatitjen e fjalimeve nuk i thotë askujt jo!
“Historia e zërit të ngjizur” e që “i kishte rrënjët në trashëgimi e në
edukatën familjare”, ishte ‘një “sëmundje e pashërueshme” dhe që “nuk kishte
mjek që mund ta diagnostifikonte”.
Përmbi çdo gjë, Ujkan Mala megjithatë është njeriu i urtë
që nuk rrah gjoks, por që në ngritet në piadestalin e një Akademie duke
shkëlqyer madhërishëm, dhe se ai shkëlqen madhërishëm pikërisht për faktin se
ai i ngjet aq shumë Diogejnit, i cili u thoshte bashkëkohanikëve të tij:
lëshomani hisen e Diellit!
Në tregimin Arrestimi, Bedri Tahiri ka
projektuar të djeshmen dhe të sotmen, kujtesën e ditëve të hidhura me krenarinë
e ligjshme të një solidariteti (përmes studentes luaneshë, e cila e rrezikon
veten duke ia marrur gazetën profesorit- që gazeta të mos përdorej si provë nga
policët), solidaritet i cili mjerisht sikur po na zbehet pakëz. Në tregimtarinë
poetike të këtij shkrimi, ndeshen dy botë: ajo e “zvarranikëve tejkarpatianë”
dhe çlirimtarët e një kombi, bishat gjakatare që nuk ngopeshin duke pirë gjak,
dhe viganët e levendët e një kombi që i dalin zot fateve të truallit që i lindi
e i rriti: Tahir Meha e Adem Jashari.
Autori e kthen në të kaluarën rrëfimin e tij, duke e
rishpalosur në kujtesën e lexuesit kohën e zezonave e të ligatinave me
postblloqe policie, me ndjekje e përndjekje, me arrestime e me tortura, me
burgosje e me malltretime mesjetare. Dorëshkrimi për daljen e një meteori në
qiellin shqiptar suferinë dhe tramundanë, me emrin Ushtria Çlirimtare e
Kosovës, është sfondi rreth të cilit thuret tregimi: pasojat e të shkruarit,
krenaria, sepse luftëtarët e lirisë: “Një ditë ata dolën hapur dhe shpalosen
gjokset e tyre si nositët vetëflijues lasgushianë.”
Në tregimin me elemente autobiografike (“Dorën në zemër,
studimet i kishte bërë për vesh gjilpëre, në skamje e për gazep. Kurrë nuk
kishte banuar atje, madje as edhe një natë…Të udhëtosh për çdo ditë mbi dyzet e
pesë kilometre në njërin drejtim, nuk ishte punë e lehtë…Ditën në shkollë me
nxënësit, natën nëpër istikame me ushtarët e lirisë”), vuajnë edhe biri e edhe
babai.
Figura e babait është gdhendur bukur dhe portretizuar si
një simbol i qëndresës dhe atdhedashurisë: “Aty kishte vuajtur edhe i ati,
ndjesë pastë. Ishte 1968- ta. E kishin arrestuar kur po kthehej nga demonstratat
e përgjakshme studentore. Ah, sa e kishin munduar të shkretin. Të gjithë
thonjtë e duarve ia patën shkulur me dara dhe asnjë fjalë për be! Ishte një
burrë trupvogël e imëtak, por me zemër sa bjeshka e Qyqavicës. Atij duhej t’i
shëmbëllente…”
Që të dy provojnë burgun, dhe që të dy shquhen për
qëndresën heroike. Liridon Shkëmbi kujton me krenarinë e ligjshme artikullin e
tij dhe kauzën që mbronte aty: “Një faqe e plotë për aktin më të madhërishëm e
më sublim të atyre ditëve: Daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”,
por edhe traditën fisnike të dyerve të mëdha që Shqipërinë e ngritën nga hiri:
“Madje, shpirtshiturit i kemi urrejtur më shumë se armiqtë.”
Tregimi Arrestimi shquhet për rrafshin
psikologjik, për mëdyshjet dhe monologun, për ankthin por edhe krenarinë, e në
mënyrë të veçantë tregimi përfundon duke theksuar se hakmarrja u takon të
ligëve.
Në tregimin Shpirtplagomë, jepet në
prizmin shumëdimenzional fati i maturantes me emrin Liridonë, e cila edhe pas
katërmbëdhjetë vjetëve e kondisedron si mrekulli të mbijetuarit “kur pati
ngelur pa ndjenja midis rrotëve të traktorit.”
Në penën e Bedri Tahirit, ajo është një botë e njomë, dhe
se simbolika e emrit ka domethënie të veçantë: as Liridon Shkëmbi e as
Liridona, ndonëse të pagëzuar ashtu nga ata që lirinë e kanë dashur mbi çdo
gjë, që krenarinë e kanë dashur mbi lumturinë, nuk kanë pasur liri! “Shpirtnxirët karpatianë” kanë bërë plojën:
“Nga vdekja iknin, drejt vdekjes shkonin!” Me ngjyra tepër të gjalla poetike,
Bedri Tahiri e ka shpalosur Ferrin Dantesk: “O Zot, lugetërit me hanxharë në
dorë, porsi shushunjat, zunë të thithnin etshëm gjakun e pafajësisë. Ata, si
hijenat tinëzare, u futën midis tyre për të bërë hatanë. Vrisnin e kë nuk
vrisnin! Mjaftonte që ishin shqiptarë. Asgjë më shumë. Një patologji e hershme
e sojit të vet, trashëguar, që nga koha kur në kope hordhish, u zvarritën nga
përtej Tuna.”
Liridona e Bedri Tahirit, shëmbëllen me një Ana Frank
gjatë Holakaustit. Masakrimi i familjes 13 anëtarëshe, dhe më tej “116 të
martirizuar” ishin dy nga kapitujt e shumtë në një “holakaust marramendës.”
Por skena është tepër makabre: “O Perëndi, ishin currilat
e gjakut të trupit të babait!...Ai lart e kjo poshtë. Një lidhje e thellë
shpirtërore. Një lidhje gjaku. Një vazhdimësi jetike...Një grusht fëmijë, fund
e krye larë në gjak dhe pa asnjë plagë në shtat! Ama, e tëra dhe e bëra e larë
në gjak, saqë as sytë nuk i dalloheshin…Që nga koka deri tek këmbët kuq, kuq
dhe vetëm kuq. Kjo është arsyeja që vajza e urrente ngjyrën më të preferuar të
botës femërore, të kuqen.”
Nëpërmjet Liridonës, shkrimtari Bedri Tahiri e ka
paraqitur fatin kolektiv të kombit, i cili ka përballë “Cerberët e përtej
Tunës”, të cilët erdhën e u shtrinë gjërë e gjatë në tokat tona, duke thithur
përherë gjakun më të njomë të një kombi nga më të lashtët!
Zemër- klithja e shkrimtarit për breznitë e pagëzuara
Liridonë Guri, është e tillë sa latohet me shprehjen lapidare dhe përmbyllëse
të tregimit:“bota e saj shpirtërore- psikologjike, ka një shpirtplagomë të
pashërueshme mu në gjirmë të zemrës.”
Nga një përkufizim i tillë nuk del as bota e narratorit,
për të cilin mendimi i nënvziuar prej tij aktualizohet sa e sa herë: “vetëm
heshtja dhe qetësia janë hyjnore” (tregimi Shterani), madje edhe kur e
rithekson mendimin e njohur të Mitrush Kutelit, kur i shkrunate të shoqes nga
burgu: “Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë…Të vrasin
shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për
letërsi…” .
Në tregimin Tjetërsimi shpaloset idila e
një jete pastorale, ku del në sipërfaqe përmes evokimit figura e gjyshit si
simbol i mençurisë, i qëndresës por edhe si frymëzim: “Gjyshi, një babagjan
sederli, një kokë katërqind dërhemshe, me mustaqet vesh më vesh e me plisin e
bardhë dëborë, ulur këmbëkryq në postaçinë e ogiçit galan, ia shtonte hijeshinë
vendit.”
Në procedimin narrativ shkrimtari ka shpalosur kohën kur
ktheheshin nga shërbimi ushtarak jugosllav djemtë e vrarë nëpër arkivole:“E
sollën dy oficerë serbë dhe nuk lejuan ta hapnin arkivolin me një dritare të
vogël, nga mund t’i shihej vetëm fytyra me një buzëqeshje të ngrirë djaloshare.
Ka bërë vetëvrasje”; ankthin për të ikur nga lubia vrasëse, ballafaqimin me
epokat dhe me psikologjitë e puthadorëve, por mbi të gjitha edhe parandjenjën
si profeci: “Nuk do të shkojë larg e do të rrezatojë dielli edhe për ne. kjo që
po bëjnë të mallkuarit është parakobi i tyre, dhe, shpejt do ta hanë kokën e
vet si qoftëlargu smirak.”
Në një linjë paralele është zbërthyer edhe raporti etër
dhe bij, do me thënë brezat që parakalojnë dje dhe sot me gjithë kompleksitetin
e tyre, ndërsa dallimi qëndron në faktin se brezi i vjetër është përballur me
pushtuesin e egër dhe me qëndresën ndaj tij, kurse brezi i ri është përballur
dhe po përballet me tejtërsimin, me tretjen, me shuarjen, me përthithjen, me
asimilimin.
Brezi i vjetër përfaqësohet nga gjyshi, kurse brezi i ri
nga Petrit Shkëmbi në mëdyshjen e cila sikur e sfidon mëdyshjen hamletiane,
sepse në kompleksitetin e saj ajo ka edhe tragjikën e saj: “Pra, kujdes! Asgjë
nuk të bënë plumbi, karshi përzierjes së gjakut. Ajo është një bombë e kurdisur
që pëlcet më vonë. Plasja e saj të shkatërron me rrënjë si damllaja.”
Në treimin e fundit Diellori,
shpaloset figura e plakut “mjekërbardhë me emrin Tanush…I urtë e babaxhan
durimtar si deti i thellë që nuk trazohet dot.” Rrëfimi në fjalë zgjon
remenishenca me tregimin e Çehovit Pilivricka, në të cilin të gjallët
nuk ia dinin vlerën mjekut derisa ky vdes! Edhe në këtë rrëfim, fjalës dhe
figurës së plakut Tanush “nuk ua vari veshin gati askush nga të rriturit dhe
mocanikët.” Rrëfimi procedon me evokimin e kujtimeve që ka plaku me peshën e
viteve mbi supe: “Tri luftëra i provova e tri herë isha ushtar”, për të kaluar
kështu tek figura qendrore e luftës për liri, Azem Bejtë Galica.
Historia përsëritet sërish në kalvarin e vet të gjatë:
“Mbi tridhjetë gra, pleq e fëmijë, bashkë me kryeplakun që u printe, Shaban
Tahirin, i pushkatuan në qendër të katundit, te Ftojtë e Tahirit.” E megjithatë
është kulla si simbol i luftës dhe i qëndresës epike ajo që nuk shembet edhe
kur e godasin gjylet e topave, edhe kur e përfshijnë flakët. Por nuk ishte
vetëm kulla që e bënte luftën: “Xhandarët shqiptarë, që me zor i kishin vërë
përpara për t’u prirë gjakatarëve serbë, tinëz e nihmonin luftën tonë
çlirimtare.” Duke e shpalosur një njëmendësi të tillë, Bedri Tahiri e nxjerrë
historinë nga pluhuri i harresës dhe i bën tribute nderi gjakut të derdhur për
lirinë e mëmëdheut: “Njëri nga xhandarët, sa më kujtohet Mehmet Vushtrria i
thoshin, na tregoi se edhe topxhiu kryesor është shqiptar nga Mitrovica. Ai,
qëllimisht, tri gjylet e para i huçi. Të shkretin djalë, kur ia kuptuan hilën,
e pushkatuan menjëherë aty te Lugu i Behramit.”
Në pjesën përmbyllëse të ciklit të rrëfimeve, autori i
ngre një peadestal gurit: “Diellori është një Gur i shenjtë…Një Gur i butë e i
madh, në të cilin ishte skalitur Dielli, simbol i të parëve tanë, ilirëve…ai
Guri kishte vlerë të madhe. Azem Galica vetë e emëroi ashtu, Diellor, dhe i
porositi mjeshtërit ta vendosin në ballë të kullës së re, pak mbi derën e
hyrjes…Dielli është sundimtari i botës…Ai Gur vlente sa krejt Kulla…Tridhjetë e
gjashtë vjet më vonë, kur cerberët karpatianë, të vënë para tytave liridashëse,
kishin ikur në theqafje, ngjau mrekullia. Diellori po kthehej në vendin e vet.
Kulla e kryetrimit lëshonte shtat mbi themelet e veta. Kishte dy muaj që qe
rrafshuar kati i parë i saj dhe puna zvarritej në heshtje. Rrallëkush e dinte
arsyen. Pritej Diellori që të vinte nga Prekazi, ku qe ruajtur kujdesshëm nga
një atdhetar zemërzjarrtë…Po kthehej, por i lënduar me tre plumba në shtat, aq
sa pati kryezoti i tij, ku vajti në pavdekësi. Tre plumba të hasmit shekullor,
me gërvishtjet e tyre të vrazhdëta, ishin përpjekur ta zbehnin shkëlqimin e
Diellorit.
Por, jo. Sot Diellori rrezaton atdhedashuri e besnikëri
në ballë të kullës së trimërisë, aty, ku nëntëdhjetë vjet më parë zuri embrion
shtetësia e Kosovës, në Arbërinë e Vogël të Kapedanit të Madh, AZEM GALICA.”
Bardhësi në Peshkopi
Pjesa Reportazhe, hapet me shkrimin Bardhësi
në Peshkopi në të cilin përshkruahet udhëtimi nëpër viset gjithë bukuri
të kësaj ane, si dhe mikpritja bujare e njerëzve zemërbardhë. Hapësirë të
veçantë zë historia e Dibrës: “Dibra. Një emër përplot histori. Dibra e
trimërisë, e mençurisë, e besnikërisë, e bujarisë…malësi e patundur gjatë
gjithë historisë”.
Në rrugëtimin e tij “drejt majave kësulëbardha që
puqeshin me qiellin”, shkrimtari Bedri Tahiri s’ka se si të mos magjepset nga
bardhësia e shfaqur përpara: “Bardhësi në natyrë e bardhësi në zemrat e
malësorëve trima e mikpritës. Madje, kjo e dyta ia kalonte të parës”. Shfaqet
kështu në përshkrimin e detajuar familja tradicionale shqiptare, e paraqitur
përmes “Prençëve zemërgjerë, trima e bujarë”, me të cilët, shkruan autori:
“biseda rrjedh e qetë porsi uji i pastër i liqejve të Lurës”. Vërhet kështu
prirja e autorit për të krahasuar bukuritë e pafundshme të natyrës me ndjenjat
e njerëzve zemërbardhë, por pa munguar as historia e lavdishme e këtyre anëve.
Ajo shpaloset në kujtesën e plakut “95 vjeçar, Gjetan Prençi”, i cili me
ndjenjën e mallëngjimit dhe të krenarisë së ligjshme e ka evokuar historinë e
luftërave për liri: “Në luftën e madhe që u zhvillua më 1912, në Kolesjan të
Lumës kundër forcave serbe, mbetën 12 mijë serbë të vrarë e të mbytur në
ujë. Aty u vranë edhe dyqind shqiptarë, në mesin e tyre edhe të fisit tone, si:
Rushit Prençi, Isuf Prençi, Destan Prençi etj. Sot e kësaj dite atje ekzistojnë
“Varret e Prençëve”, por jo vetëm Luma: “Rroftë Drenica-djep i
trimërisë! Jam lodhur dhe ende nuk kam qenë në Drenicë, por mos vdeksha pa e
parë atë kështjellë burrënie. Dhe, po më zuri vdekja rrugës, atje le të më
varrosin!” Pastaj sfondi i bardhë i historisë i shpalosur nga zemra: “Trim
si Hasan Prishtina nuk bën nëna, - thotë ai sypërlotur. Edhe vetë kishte qenë
nga ata burra që e kapërcejnë varrin për së gjati, - siç thonë dibranët.”
Pasi ka theksuar se “përkundër Mirditës që organizohej në
bajraqe, Dibra organizohej në male”, duke qenë nën pushtetin e përshtypjeve të
një natyre kaq të bukur, shkrimtari ka theksuar se Peshkopia dhe sheshi i saj
shfaqen në pamjet e tyre ylberore: “veshur me vellon e bardhë të nusërisë.”
Reportazhi përmbyllet me përshkrimin nëpër Kala të Dodës,
dhe me epopenë e krahinës së Lumës: “Lufta e Lumës kundër forcave serbe që
zgjati rreth një muaj (9 nëntor- 6 dhjetor 1912)…qe një luftë e hatashme ku u
vranë e u mbytën në ujë rreth dymbëdhjetë mijë ushtarë serbë”, e që i bën
serbët të kujtojnë edhe sot këngën e pararendësve të tyre: “Askush s’e di se
çka janë vuajtjet me shpirt ndër dhëmbë,/ për pa e kaluar Shqipërinë me këmbë!”
Ukshin Kovaçica-Levend i Lirisë së
Shqipërisë, Mehë Uka-Ky Burrë i Madh i Kombit, Selatin Ymeri- Pinjoll i Derës
së Atdhedashurisë, i Dritës dhe Diturisë
Shkrimet në vijim shtjellojnë shënimin e datave historike
dhe përkujtimin e personaliteteve të shquara kombëtare. Me syrin vrojtues të
shkrimtarit, Bedri Tahiri frymëzohet nga data dhe figura të tilla, si fjala
vjen në shkrimin Një manifestim i qëlluar, por që la për t’u
dëshiruar, në nderim të Heroit Mehë Uka, të cilin me të drejtë e ka quajtur
“ky burrë i madh i kombit”.
Një emblemë urtësie dhe një pinjoll i denjë
atdhedashurie, i dalë nga Porta e Mëdha të Familjeve të Mëdha që e bën
Shqipërinë me hir o me pahir, një njeri sa i urtë po aq edhe fisnik, sa bujar
po aq edhe pishtar drite e diturie: si një gjakim dhe përjetim i përhershëm e i
denjë në dashurinë për diturinë- për filozofinë, pa dyshim se është Selatin
Imeri, i cili bashkë me veteranin e arsimit Bedri Shytin, me pedagogun e
zellshëm Galip Avdiun e me profesorin e përkushtuar Bedri Tahirin, kishte
shkuar për të nderuar tribunin liberator Mehë Uka.
Bedri Tahiri me pak fjalë e ka shpalosur Portretin e
bashkudhëtarit:“Makina e Selatinit nxitonte vetëtimthi atyre zigzakeve malore
si me krahë. Ngasësit të saj mbase edhe i takonte një gjë e tillë, ishte djalë
i Kovaçicës, kishte qenë shok i Mehë Ukës dhe një kohë kishte punuar në atë
shkollë.
Historia është ajo që e frymëzon autorin, prandaj ai nuk
kursehet për ta shpalusr ate: “Nuk nguteshim shumë ngase ishim herët dhe
dëshironim t’i shijonim ato bukuri të rralla të mëmës natyrë. Tej, në një kodër
përplot fier e ahishta lëkurlëmuara, ndaluam dhe ia hodhëm një sy truallit të
trimit të madh të kësaj ane Ukshin Kovaçicës, themelet e kullës së tij ende
gjallonin në anën karshi nesh…”
Duke e shpalosur pjesëmarrjen e “pinjollëve të Ukshin
Kovaçicës, Avdi, Avdyl e Selatin Ymerit” edhe në Marshimin e Madhërishëm
Mbarëkombëtar - në Njëqind Vjetorin e Çlirimit të Shkupit, shkrimtari dhe
intelektuali Bedri Tahiri ka nderuar Breznitë Orëmira, e përmbi çdo gjë ka
nderuar dhe lartësuar kështu, luftëtarin e paepur e komandantin zemërzjarrtë,
fatosin e maleve e tribunin e odës shqiptarte, Burrin e Madh të Qëndresës
Kombëtare Shqiptare, Levendin e Lirisë së tërësisë tokësore të Shqipërisë-
UKSHIN KOVAÇICËN.
Njëqind Vjetori i Kuvendit të Kurillovës dhe Ngritjes së
Flamurit në Vesekofc, edhe e ka dëshpëruar Bedri Tahirin me
bashkudhëtarët, sepse siç shprehet ai, historianët dhe shkencëtarët “kishin
dalë nga tema”, prandaj me stilin e tij të hollë ai lëshon një zemërthirrje
shumë të qartë dhe po aq domethënëse: “mos të përpiqemi kot të fluturojmë drejt
diellit me krahët prej dylli, sepse na i shkrijnë rrezet e tij dhe paskëtaj
dihet ku mbesin e si përfundojnë! Të vërtetën mund ta gjejmë vetëm tek të
thjeshtët, tek përjetuesit, tek POPULLI!”
Në një zemërklithje të tillë, Bedri Tahiri e dëshmon se
ai beson fuqishëm tek bijtë e dalë nga gjiri i popullit, që ecin me popullin
dhe për popullin.
Hasan Prishtina- Komandant i
Kryengritjes Shqiptare
Marshim i Madhërishëm dhe
Mbarëkombëtar, është shkrimi ku lartësohet
marshimi i “krushqve ogurmirë” për të cilët në fjalët e yllësisë shqipe që ka
përzgjedhur shkrimtari Bedri Tahiri, “kufiri i mallkuar vëllandarës” s’ishte
gjë tjetër veçse “një mish dhie në trupin arbror që lypset shkulur sa më parë”,
prandaj një marshim i tillë ka pasur për qëllim lartësimin dhe nderimin e
“Komandantit të kryengritjes shqiptare, Hasan Prishtinës.”
Hasan Prishtina lartësohet dhe nderohet edhe në shkrimin Hasan
Prishtina në Shkupin e Tij të Dashur. Gjatë “ditëve hasaniane”,
siç i ka pagëzuar autori, “më 12 tetor 2012, sërish Shkupi u bë epiqendër e
gjithë shqiptarisë.” Zbulimi i “shtatores së përjetësisë”, i ka mundësuar
shkrimtarit për të shtruar pyetjen me vend: “Kush tha që ëndrrat mbesin vetëm
ëndrra?- për të dhënë përgjigjen e dëshmuar nga koha: “Dhe, këtë mund ta bëjnë
vetëm njerëzit me ideale të larta e me synime të qarta atdhetarie.”
Përjetësimi dhe Dekorimi i Parisë së
Drenicës, është shkrimi i radhës që e rithekson të vërtetën se:
“Gjakun nuk e tretë as uji, as zjarri, as dheu.” Duke e nderuar kështu “gjakun
shekullor”, Bedri Tahiri e ka përsëritur thënien aq kuptimplote se: “Kush
nderon historinë, krijon ardhmërinë!”
I vetëdijshëm për një mision të tillë fisnik, janë
nderuar me të drejtë ata burra, “gjaku i të cilëve u bë dritë lirie dhe
përgatiti terrenin e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912”, por
është thenë gjithashtu me vetëdije të lartë dhe me krenari të ligjshme se: “Ne
jemi pasardhës të atyre burrave që ishin të gatshëm për sakrificat më sublime…”
Një traditë e tillë kombëtare, e përcjellë brez pas
brezi, me të cilën është rritur Bedri Tahiri e të cilën e njeh aq mirë, është
shpalosur edhe në shkrimin Tahir Meha luftoi me revolën e Azem
Galicës.
“Sa të mençur ishin derëbardhët!...Amanet mbi amanete
kishin shqiptarinë.” Duke e shpalosur një brezni të tillë mençurie, trimërie e
zemërbardhësie, Bedri Tahiri ka përkujtuar se ishte gjyshi Emil Lati, ai i cili
ia dha revolen e Azem Bejtës trimit Tahir Meha (i cili ishte betuar: “për të
gjallë nuk dorëzohem, por kam me luftue deri në vdekje”) e në përsëritjen e
këtij cikli epik të keshnikëve, Jasharët do të betoheshin përpara Varreve të
Nebih e Tahir Mehës.
Kur Pushka Frymëzon Penën
Edhe në shkrimin përmbyllës Lasgush Poreadeci i
frymëzuar prej Azem Galicës, Bedri Tahiri e ka shpalosur
gjakimin e tij të përhershëm të “leximit e studimit me laps në dorë”, duke
pohuar me një shije të hollë estetike se: “nuk mund ta fshehë dobësinë që kam
për Shqipërinë e ëndrrave, mbase të idealizuar nga librat e lexuar.”
Tek ka bërë një shfletim të librit me udhëpërshkrime të
shkrimtarit Nasho Jorgaqi, me titullin Udhëtime Letrare, autori ka bërë
një bashkëbisedim mes penës dhe pushkës, mes luftëtarit epik dhe poetit lirik.
I pari e ka frymëzuar të dytin, siç ka vërejtur Nasho Jorgaqi: “Po për
Lasgushin kjo mbeti një erë skënderbejane. Këta trima s’donin t’ia dinin se
ç’kishte vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë dhe s’e kishin për gjë vdekjen.”
Linja tjetër pos shtrirjes historike është ajo letrare në
të cilën Lasgush Poradeci duke e ditur se ku do të binte Ora e Shqipërisë,
poetët nga Kosova i kishte pyetur: Jeni poetë e profesorë, po Azema, jeni
ndopak?
Më vjen mirë që Kosova ka poetë. Një
herë e një kohë kishte vetëm trima, që mbushnin me zulmë jo vetëm Kosovën por
gjithë Shqipërinë. Hajde, hajde, general Isa Boletini, trimi me fletë Idriz
Seferi…Kur suleshin ata mbi armiqtë ndizej qielli dhe toka.
Po Azem Galica?
Nuk gjej fjalë ta tregoj. Ai binte
si rrufeja, kur serbit s’ia priste mendja. S’ia priste mendja, sepse Azemi jo
vetëm që ishte i mençur sa s’ka, por edhe luftonte në tokën e tij dhe për token
e tij, luftonte tok me kaçakët dhe s’i linte naçallnikët e Beogradit t’ia
merrnin Arbërinë e vogël. Hajde, hajde Azem Galica. Kur ia donte puna, një tren
të tërë ndalonte. E kam parë vetë me sytë e mi. Ka qenë behar i 1921, kur
shkoja për herë të parë në Rumani. Vajta me kalë deri në Ohër dhe pastaj me
tren mes përmes Kosovës. atij treni kokën ia shihja, po bishtin jo, aq i madh
ishte. Me të udhëtonte Lasgushi, kur papritur ai, fap, ndaloi dhe u dëgjuan të
shtëna. Sapo dolëm në penxhere, kur ç’të shihje, nga të dy krahët plisabardhët
mizëri, me pushkë në krah. Ishin trimat e Azemit. Erdhën edhe në vagonin tonë.
Ca burra si të përrallave, të gjatë e të pashëm, gjallë Gjergj Elez Alia. Isha
gati t’u hidhesha në qafë. Kur më pyetën se ç’je thashë gjithë mburrje se jam
shqiptar, u ndritën sytë e mustaqet. E gjithë kjo zgjati sa një ëndërr. Erdhën
e ikën si era. Kapet era ë? Po për Lasgushin kjo mbeti një erë skënderbejane.
Këta trima s’donin t’ia dinin se ç’kishte vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë
dhe s’e kishin për gjë vdekjen. Lasgushi shkonte në bankat e universitetit, me
një mësim të madh që ia jepte Azem Galica me kaçakët e tij. Kështu jeni ju
kosovarët trima përmbi trima…Tani shoh që jeni dhe poetë e professorë, po Azema
jeni ndopak?
Veçori të stilit dhe të gjuhës në
diskursin krijues të shkrimtarit Bedri
Tahiri
Petrit Mala, Ujkan Mala, Liridon Shkëmbi, Liridona, Petrit
Shkëmbi, janë disa prej personazheve që ka skalitur shkrimtari në sfondin e
kohës, ku emri i personazhit është një pagëzim në raport me ashpërsinë e kohës,
kurse mbiemri është vetë cilësori që shënon qëndresën.
Shkrimin e Bedri Tahirit e karakterizon stili lakonik,
gjuha e qartë, e rrjedhshme, e bukur dhe e kuptueshme, mendimi i shtruar,
fjalia e goditur bukur, struktura kompozicionale origjinale e rrëfimit, si dhe
frazeologjia e pasur: “dielli nuk mbulohej me shoshë”, “Dielli që hera-herë
shfaqej në horizont, kafshonte me dhëmbë ujku” (Helmimi); “Po u bërë
dele të ha ujku” (Arrestimi); “ua kishin zënë hisen e diellit” (Arrestimi).
Bukuria e shprehjes së gdhendur është një veçori tjetër e
diskursit krijues të shkrimtarit Bedri Tahiri, shprehje e përdorur në funksion
të tekstit, të përshkrimit por edhe të tipizimit të personazhit: “mallëngjim
trishtues”, “kroi i Kodrinës, burim që nuk shterron kurrë e që rrjedhë bilur e
i ftohtë akull nën galeritë e xehes së magneziumit”, “E gjithë natyra zbardëllinte
me një hijeshi të purpurtë prej mëndafshi të tejdukshëm”, “Kjo bardhësi
verbuese që më gici thellë në shpirt”, “ferra mbyllëcake”, “nëperka kryehudër”(Helmimi);
“në gjirmë të vatrës së tyre të stërlashtë, të njohur për bujari, burrëri,
mençuri e trimëri”, “në atë truall stërgjyshor, ku, përherë kënduan ëmbël
grykëhollat”, “një zë i mekur grisi memecllëkun e kullës së vjetër” (Shterani);
“Barbaria dhe egërsia e zvarranikëve tejekarpatianë mbi shtratin e drobitur
arbëror, nuk dinte të ndalur”, “Një ditë ata dolën hapur dhe shpalosen gjokset
e tyre si nositët vetëflijues lasgushianë”, “gjakatarëve sypërgjakur. Tytat e
automatikëve të tyre e përthekuan si rrathët e ferrit dantesk”, “kalvar biblik
mizorie”, “Madje, shpirtshiturit i kemi urrejtur më shumë se armiqtë”, “Ditën
në shkollë me nxënësit, natën nëpër istikame me ushtarët e lirisë” (Arrestimi);
“Mornica ngacmuese ia përshkojnë shtatin e hajthëm e djersë të akullta i
shkojnë çurgë faqeve të mërdhizura, sa herë që mendjeshkreta i vete atje ku nuk
duhet, në atë të shkuar të kobshme”, “Kukuvajkat sorolateshin gjithandej si një
ogur ndjellakeq. Ofensivat e soldateskës shfrenuese e serbe s’kishin të ndalur.
Shqipet e lirisë çanin mes për mes qiellit të përflakur si në beteja
dragonjsh”, “O Zot, lugetërit me hanxharë në dorë, porsi shushunjat, zunë të
thithjnin etshëm gjakun e pafajësisë”, “përtej ferrit çmendës”, “krrokamë
korbi”, “Hija e zezë u doli para dhe ua zgurdulloi sytë nën maskën futë.
Automatiku i tij volli zjarr mnershëm mbi babanë e saj. Kapaku i kokës i
fluturoi në ajër. Trutë e bardha, përzier me vrushkuj të mpiksur gjaku, u
derdhën të troshitura gjithandej në rimorkio. Plumbat vrastarë kositën edhe të
tjerët që ishin aty”, “Institktivish u përpoq të zvogëlohej edhe më që t’i
bishtëronte mortjes shtrigë, e cila po ia lëmonte flokët e bardha me dorën e
zezë” (Shpirtplagomë); “Gjyshi, një babagjan sederli, një kokë katërqind
derhemëshe, me mustaqet vesh më vesh e me plisin e bardhë dëborë, ulur
këmbëkryq në postaçinë e ogiçit galan, ia shtonte hijeshinë vendit” (Tjetërsimi);
“Kurrë nuk u ndahej e kurrë nuk ulej. Ashtu, në këmbë, kotej. Trupmadh e paksa
i kërrusur, siç ishte, mbështetej fort në kërrutën e fortë prej thane, dhe i
mbyllte sytë e dremiste ëmbël”, “Diellori, ore ju paça, është histori në vete.
Kulla që nuk u rrëzua nga topat e Zhupanit, u rrënua nga vandalët e Pashqit
dinak”, “Dielli është sundimtari i botës. Besimin në fuqinë e tij e trashëguam
nga të parët tanë. Diellin e çmuam më shumë se jetën. Kur na e shanin kaurrët e
shkinisë, ishim në gjendje t’i shqynim me dhëmbë” (Diellori); “Eh, sa e
sa burra të motit, me armë në dorë e zjarr në gji kishin gicur gurët e saj të
latuar ngeshëm nga të dënuarit me vdekje” (Marshim i Madhërishëm
Mbarëkombëtar)
Leximi i dyfishtë: citatet si kurorë
e mendimeve të përzgjedhura
Duke përzgjedhur gjatë leximit me laps në dorë, shkëputje
mendimesh të autorëve shqiptarë dhe të huaj, shkrimtari Bedri Tahiri i ka vënë
ato në funksion të semantikës narrative, përkatësisht në funksion të tekstit
dhe përmbajtjes letrare, duke krijuar kështu një enciklopedi të vogël
përmabjtësore të ideve të shpalosura aq bukur nëpër shekujt letrarë:
Një shkrimtar është më tepër se një parti, ai është një
atdhe në vete (Ismail Kadare); Nuk ka asgjë të përhershme përveçse ndryshimit
(Herakliti); Sa herë që njerëzit janë në një mendje me mua, më duket sikur e
kam gabim (Oskar Uajldi); Historia është aventura e lirisë (Pitigrili); Terreni
i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë…Të vrasin shokët, se u bën
hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi…(Mitrush
Kuteli); Po t’u shkosh vizitë xhuxhëve, do të shtrembërohet shpina (Stanislav
Leku); Popujt do të ishin më të lumtur, nëse mbretërit do të filozofojnë dhe
filozofët të mbretëronin (Plutarku); Vetëm nëpërmjet shembullit tënd mund t’i
mësosh të tjerët (Ajnshtajni); Kur njerëzit pajtohen me mua, e kam atë ndjenjën
se diku kam gabuar (Ernest Heminguei); I hape derën e shtëpisë serbit, ai të
nesërmen do ta kërkojë gjysmën e shtëpisë si të drejtë të vet, dhe një ditë më
vonë do të hedh jashtë nga dritarja si hajdut (Faik Konica); Gjaku e borxhi
kurrë nuk harrohen, nëse nuk falen e pajtohen (Populli); Njeriu mund të humbasç
çdo liri, por po ruajti lirinë e mendimit është parpë i lirë (Sami Frashëri);
Derisa të na mungojë liria, ne do të jemi gjithnjë kryengritës (B. Xhaferi);
Njeri, nëse ke humbur të qeshurit, ke humbur ekuilibrin (Ken Kesey).
Bedri Tahiri flet me Levendët e
Historisë së Shqipërisë
Shkrimtari Bedri Tahiri në shkrimet e tij, por edhe në
kronikat e tij flet me historinë, hyn në odën e saj të madhe si një akademi
diplomatike, takon levendët e historisë së Shqipërisë, flet me ta, kuvendon gju
më gju, frymëzohet nga ata, i adhuron dhe i përjetëson nëpër portretet e
gdhendura aq bukur, duke na i shpalosur sërish të gjallë e si shkëmb në këmbë
me gjithë trimërinë dhe me madhështinë e tyre.
Por gjithashtu, mes Scillës dhe Haridbës, mes kudhrës dhe
çekanit, nuk ecë vetëm shkrimtari, e as vetëm personazhet e tij. Është atdheu
ai që ecë këmbëzbathur përmbi shpata. Janë kalorësit e lirisë ata që gjoksin
shpalosin përballë plumbave.
Gjurmë gjaku në penën e kalorësve të letrave dhe të
arteve. Mes tingëllimave të lahutës dhe krismave të grykëve të pushkëve
liridashëse në të cilat lartësohet Diellori, pena - herë si eshka e herë si
unori përkujton se përkrenarja u ngrit sërish në plisat e Kullës së Mehajve e
të Kullës së Jasharëve, ku ata në një heshtje që ngjante aq shumë me heshtjen e
maleve vigane, e kishin terur barutin me shekuj dhe prisnin të ndizej stralli i
kryengritjes çlirimtare.
Ata ia kthyen përgjigjen Gjakimit të Lasgush Poradecit,
tek pyeste: A ka Kosova, Azem Galica?
Lahuta e ndezi gur- zhargun, pushka çarkun. E pena nderon
gjakun. Vendimet arbitrare të Kongresit të Berlinit e të Konferencës së
Ambasadorëve në Londër, në Penën e Bedri Tahirit: Pikojnë Gjak!
Kundruar nga prizmi krahasimtar, Marin Beçikemi e Milel
Meruli shplaosnin kronikat e gjakut të shqiptarëve tek nata e gjatë osmane po binte
mbi sytë e Shqipërisë. Marin Barleti shpaloste kronikat e rrethimit të
Shkodrës, e Kronikat e Motit të Madh të Krye-Kapedanëve të Arbërisë, që gjokset
i vunë mburojë për kështjella. Gjon Buzuku lëshonte Zemër-Klithjen e tij:
harresa është mallkim, kujtesa është bekim. Ai që ty të mallkon, të jetë i
mallkuar. i që ty të bekon, të jetë i bekuar!
Në misionin aq fisnik që toka bujare e gjakut vë mbi
shpatullat e misionarëve të lirisë, shkrimtari dhe intelektuali Bedri Tahiri na
kujton për të satën herë se po u harruan të rënët, të gjallët nuk kanë vlerë.
Me tregimtarinë e tij poetike, Bedri Tahiri e nderon, e
lartëson dhe e përjetëson, atë që Lasgush Poradeci e ka quajtur: PELERINATA E
GJAKUT.
Shkrimtari Bedri Tahiri, me krijimtarinë e tij letrare,
me biografitë historike, me udhëpërshkrimet e tij, me gdhendjen e portreteve të
figurave historike, me përkujtimin dhe lartësimin që u ka bërë Breznive
Orëmira, gjithsesi më kujton thënien e Ernest Koliqit se: në gjak janë muzat që
na bëjnë të shkruajmë.