Faleminderit
Viron Kona: I miri, i dituri dhe i zgjedhuri ynë, Fran Gjoka
E shtune, 20.03.2021, 02:25 PM
I miri, i dituri dhe i zgjedhuri ynë, Fran Gjoka
-Portreti
krijuesi-
Shkruan
Viron Kona
Me
Fran Gjokën më miqësoi gazeta jonë emërbukur “Mësuesi”, e cila do të mbetet
kurdoherë një faqe e ndritur e historisë së arsimit shqiptar. Dhe, seç kam një
bindje të thellë se vetë gazeta, ka qenë për mua dhe Franin një “urë” e
palëkundur dhe e sigurt, që na mbajti dhe na mban të bashkuar fort, me një
shoqëri të çiltër dhe të sinqertë, që mund ta krijojë vetëm liria e shtypit dhe
e shprehjes së mendimit. Ndërkaq, pa qenë egoistë, duhet të pohojë se Fran
Gjoka ka edhe shumë e shumë miq e shokë të tjerë si unë, ata janë mësues në
radhë të parë, janë njerëz të shkrimeve, janë intelektualë dhe zyrtarë, janë me
tituj dhe me grada shkencore: akademikë e profesorë, por, mes tyre, edhe shokë
dhe të njohur të tjerë e që janë panumërt: punëtorë, fermerë të moshave të
ndryshme, pensionistë, studentë, nxënës të shkollave të mesme teknike profesionale, gjimnazeve e nëntëvjeçareve e,
deri te fëmijët e vegjël që cicërojnë në bankat e klasave të para si zogjtë
duke mësuar abc-në. “Duke punuar një jetë të tërë mësues dhe në drejtorinë
arsimore të rrethit të Lezhës,-shkruan për Franin studiuesi Sejdo Harka,-
ai s’ka lënë shkollë pa shkelur, s’ka
lënë mësues pa takuar e njohur nga afër, s’ka lënë veprimtari e problem të
shkollës pa trajtuar në shtypin e përditshëm. Me shkrimet e tij, ai ka qenë i
pranishëm kudo ku ka spikatur shembulli i mësuesve dhe i drejtuesve më të mirë
të shkollave, kudo ku promovohen metoda të reja mësimi dhe edukimi, kudo ku
gumëzhijnë veprimtaritë jashtëshkollore, kudo ku përgatiten dhe shkëlqejnë talentet
e reja, kudo ku aktorët e procesit të mësimit dhe edukimit bashkërendojnë dhe
harmonizojnë mirë punën për modernizimin e shkollës”.
Frani,
po si Frani, i palodhur dhe me energji të jashtëzakonshme, si në të gjithë
jetën aktive të punës, edhe tani në pension, ai vazhdon të shkruaj pareshtur,
vazhdon të përçojë me mendjen e tij të freskët dhe të mençur, ide dhe mendime,
mesazhe dhe dashuri për punë e vepra të mira; vazhdon të jetë kritikë ndaj
padrejtësive dhe “barërave të këqija”, vazhdon të komentojë dhe të afirmojë
vlera të vërteta të jetës të arsimit në radhë të parë te mësuesit dhe te
nxënësit, te drejtuesit e shkollave dhe të zyrave e drejtorive arsimore dhe
deri te organet më të larta të shtetit.
Por
Frani nuk harron të afirmojë edhe vlera të tjera artistike dhe letrare, vlera
të librave me poezi dhe me tregime, novela dhe romane, por edhe vlera të një
galerie arti apo ekspozite pikture, vlera dhe risi të çerdheve, kopshteve,
shkollave të reja, klinikave mjekësore, bizneseve dhe zyrave të pritjeve të
popullit ku ata përpiqen të zgjidhin hallet dhe problemet e përditshme. Ai di
të vlerësoj bukur dhe me entuziazëm arritjet dhe modernizimin, por di edhe të
qortojë fort apo të kritikojë rreptë prapambetjen dhe pasigurinë që shfaqen
aty-këtu, shmangien nga shkolla të mjaft fëmijëve, sikurse, shprehet me tone
kritike, kur drejtuesit e shkollës janë të paaftë dhe nuk janë në gjendje të drejtojnë shkollën.
Janë
dhjetëra artikuj të Fran Gjokës, që trajtojnë probleme të traditës dhe vlerave
të rralla njerëzore të popullit tonë, të besës e të mikpritjes, të mënyrës së
jetesës, vlerat shpirtërore të pasurive të mëdha folklorike, të valles, të
këngëve dhe rapsodive. Personalitetet e letërsisë të gjuhësisë, të kulturës, të
shkrimit shqip, janë në qendër të shumë artikujve të Fran Gjokës, sikurse, në
ato artikuj shkruhet për historinë shekullore të popullit shqiptar që nga
ilirët, arbrit e deri në ditët e sotme, e ku zënë vend të veçantë Lezha (Lisusi
i lashtë), që nga krijimi, duke qenë jo vetëm vend i burrave të mëdhenj të
kombit, por edhe vendi ku u morën vendime të rëndësishme historike. Frani, në
biseda, por dhe në artikujt e tij, përmend vazhdimisht me nderim dhe krenari
emra personalitetesh dhe bijsh të shquar që kanë lënë gjurmë të shkëlqyera në
historinë e Lezhës, siç ishte Kuvendi i Madh Historik i Lezhës i 2 marsit të
vitit 1444, ku morën pjesë princat e famshëm shqiptarë, që krijuan ”Lidhjen
shqiptare” me kryetar Gjergj Kastriotin; përmend Kuvendin e Arbrit (Koncili i
Arbrit) të mbledhur në vitin 1703 në
fshatin Mërqi me nismën e Papa Klementit XI, Albani, Papë i njohur me origjinë
shqiptare.
Bisedat
me Fran Gjokën janë interesantë dhe mbresëlënëse, sidomos kur ai flet për Frang
Bardhin (1606-1643), që ishte ipeshkëv, shkrimtar, leksikograf, etnograf dhe
folklorist, nga Kallmet i Lezhës, shkruesi i parë i një fjalori për gjuhën
shqipe dhe që konsiderohet leksikografi i parë i shqipes. Por, me po aq nderim,
Frani shpjegon e flet për poetin Pjetër Zarishi (1806 - 1866) nga Blinishti i
Zadrimës, i doktoruar në Romë për filozofi e teologji. Për poezitë e tij janë
shprehur me konsiderata të larta Dora d`Istria dhe Zef Skiroi e sidomos për
poezinë kushtuar Shqipërisë: ”Kanga e Shqpnisë.” Ndërkaq, Frani flet për Nikollë Gazullin, ”Themeluesi i
toponomastikës shqiptare”, i cili lindi në vitin 1895 në Dajç të Lezhës dhe
vdiq në 1946, albanolog, gjuhëtar, historian, punimet e tij u vlerësuan veçanërisht nga Nobert Jokli.
Por,
edhe si lezhjan, Fran Gjoka krenohet dhe
shprehet më gjatë për poetin kombëtar Gjergj Fishta (1871-1940), duke përmendur
kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë” dhe vepra të tjera, e duke vazhduar me
Bibliotekën e Lezhës, që mban emrin
e poetit të madh, sikurse shprehet edhe
për monumentin e Fishtës në qendër të qytetit të Lezhës...
Frani
nuk lë pa shkruar e përmendur edhe faktin se edhe në kohët e sotme, Lezha, si
një truall i begatë, ka nxjerr nga gjiri i saj shumë njerëz të shquar, midis të
cilëve ai përmend dhe poetin e shquar të Lezhës dhe Shqipërisë Ndoc Gjetja, por
edhe poetët dhe shkrimtarët e gazetarët Rudolf Marku, Preç Zogaj, Remzi Lani,
Agim Isaku (me veprimtari në Lezhë), flet me respekt për gazetarët dhe
personalitetet e shquara Nikoll Lesi dhe Aleksandër Frangaj, për piktorin Pashk
Përvathi dhe ndalet pastaj gjatë duke folur
pa u lodhur për ”Mësuesin e Popullit” dhe mikun tij të madh Mark Vuji, me të cilën të dy kanë
pasur shoqëri, miqësi dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm, sidomos për çështje të arsimit të Lezhës...Me prof.
Mark Vujin ata i shihje shpesh herë bashkë duke biseduar apo dhe duke dalë me
artikuj të përbashkët, ndodhte që, herë-herë të dy vinin edhe në redaksinë e
gazetës “Mësuesi” dhe, atëherë, ne ndiheshim në një mjedis të rrallë njohësish
dhe specialistësh të arsimit, dashuronjës
të tij.
Fran
Gjoka ka qenë dhe është gjithnjë aktiv me artikujt dhe shkrimet e tij, i kudondodhur, i shoqëruar apo përkrahë
njerëzve të mëdhenj të arsimit dhe të letërsisë shqiptare, që nga Bedri Dedja,
Shefik Osmani, Mark Vuji, Musa Kraja, Murat Gecaj, Nuri Dragoj, poeti i shquar Ndoc Gjetja e të tjerë, të
cilët nuk kanë qenë vetëm mësues për Franin, por edhe kolegë të tij të letrave,
që e kanë dashur dhe e kanë respektuar,
e për të cilët ai ruan kujtime të shumta pune dhe jete. Mbaj mend që, prof.
Shefik Osman, i besoi Franit një pjesë të bibliotekës së tij për ta dorëzuar
atë në bibliotekat e shkollave të rrethit të Lezhës, me qëllim që të ruheshin
aty, duke qenë një pasuri e vyer për ato biblioteka... Por janë dhe të tjerë
personalitete e njëherazi miq të Franit, të cilët vazhdojnë të kontribuojnë sot
energjikisht për gjuhësinë dhe shkollat shqipe, për gazetarinë dhe kombin si: Gjovalin Shkurtaj,
Muj Buçpapaj, Sulejman Dërmaku (Prishtinë), Sadulla Zendeli-Daja (Suedi), Sokol
Demaku (Suedi), Emine S.Hoti (Norvegji), Hazir Mehmeti (Austri), Hektor Veshi,
Pajtim Bejtja, Ilir Kanini, Qazim Dushku, Tomorr Osmani, Mark Tirta, Sabri
Laçi, Fadil Kepi, Gëzim Tushi, Bardhyl Xhama, Andon Andoni, Vjollca Spaho,
Kadri Tarelli, Sejdo Harka, Dhimitër Xhoga, Petrit Malushi, Ndue Dragusha, Ibrahim
Hajdarmataj, Bashkim Saliasi, Agim Qoku, Irfan Rama, Vlash Prendi, Kastriot
Kodheli, Ded Rrahmani, Gjergj Frani, Ndue Deda, Martin Deda, Pashkë Smaçi,
dr.Zef Zefaj, Lesh Ndoji etj., të cilët janë njëherazi miq e shokë të afërt të
Fran Gjokës, që ia njohin vlerat, që e mirëpresin dhe këmbejnë me kënaqësi
mendime me të për shkollën dhe zhvillimet e saj, për gazetarinë dhe problemet
sociale - kulturore që karakterizojnë kohën tonë.
Fran
Gjoka shfaqet ashtu siç është: kudo dhe kurdoherë i palodhur, kurse pena e tij
gjithnjë e mprehtë, gjithnjë solide dhe e patjetërsueshme. Gjithnjë i çiltër
dhe i sinqertë, ai nuk ka parë asnjëherë anën materiale të punës së tij
shkrimore, por gjithnjë ka pasur dëshirën e madhe për të shkruar e kontribuar
për përgjithësimin dhe afirmimin e vlerave kombëtare gjuhësore, arsimore dhe
kulturore të kombit tonë. Dhe në tërë këtë punë të madhe dhe të
jashtëzakonshme, që rrok më shumë se 2000 shkrime të botuara, ai me modesti
shprehet se kjo punë i dha edhe një pasuri tjetër të madhe, e ka njohur me miq
e shokë të panumërt, jo vetëm në Lezhë, por në të gjithë Shqipërinë. Ndaj them
se ka plotësisht të drejtë Kadri Tarelli, koleg i Fran Gjokës, i cili duke
vlerësuar lart idealizmin dhe shpirtin e
madh fisnik të Franit, ndër të tjera shkruan: ...Frani u “pasurua”, sepse njohu
aq shumë miq e shokë, mësues, drejtorë shkollash dhe gazetarë, sa që vështirë
t`ua kujtojë emrin të gjithëve. Ata janë jo vetëm në rrethin e Lezhës, por në
të gjithë vendin. Frani, me të drejtë thotë, se ky është thesari më i çmuar në
gjithë veprimtarinë e tij... Franin mund ta lesh pa bukë, mund ta lesh edhe pa
gjumë, ai përsëri do të shkruajë. Ç’ them dhe unë ? Atë nuk e zë gjumi pa
shkruar për problemet e arsimit”.
Nderohet
me të drejtë nga të gjithë kolegët, miqtë dhe shokët, Frani i palodhur, që
gjithnjë e gjen kohën edhe të vijë e të takoj kur ti je në një hall apo në një
gjendje jo të mirë shëndetësore, që gjen kohën dhe nuk harron të telefonojë për
të pyetur për shëndetin dhe mbarësinë e jetës, që të ofron ndihmën dhe
bashkëpunimin e tij të sinqertë, duke sakrifikuar gjithnjë nga vetja. Fran
Gjoka është nga ata njerëz që ia ofron zemrën tjetrit dhe sikur i thotë:
”Merre, ja ku e ke, në çdo çast.” Ky njeri, që ka kaluar momente shumë
dëshpëruese e të vështira në jetën e tij, kur u shua në mënyrë aksidentale jeta
e djalit të tij të vetëm Bernardit, diti të mbahet burrërisht, madje mbajti me
kurajë të fortë edhe familjen, deri dhe miqtë e tij. Ai tregoi se është një
njeri i rrallë dhe me karakter të shkëlqyer, njeri, vlerat e të cilit i
tejkalojnë ato të zakonshmes.
Unë
kam disa dekada që e kam njohur Franin gjithnjë me të njëjtën staturë, një
burrë i vërtetë malësie, që trashëgon cilësitë më të vyera dhe më të spikatura
të vendit që e lindi dhe e rriti, cilësi këto, që i ka edukuar edhe te familja
dhe fëmijët e tij, por që ua falë pa
kursim edhe shokëve e miqve të panumërt. Mbaj mend se si e përjetoi Frani
mbylljen e gazetës “Mësuesi”. Ky lajm na tronditi të gjithëve ne që punonim
aty, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët në të katër anët e vendit, po aq dëshpëroi mbyllja e
gazetës “Mësuesi” edhe mësuesit e Republikës. U bënë atëherë artikuj proteste,
u shfaq mospajtim me veprimin e pa përgjegjshëm për mbylljen e “Mësuesit”, por
gjithçka atëherë ra në vesh të shurdhët. Dhe, duke qenë mes këtij zjarri
pakënaqësie, mbaj mend dhembjen dhe dëshpërimin që përjetoi edhe Frani ynë,
Frani i gazetës “Mësuesi” siç kishim dëshirë ta quanim ne kolegët e tij Andon
Andoni, Vjollca Spaho dhe unë, që aso kohe punonin në redaksinë e saj. Asaj
gazete, që u themelua në vitin 1962 duke pasur në krye personalitetin e madhe
të kulturës shqiptare akademik Bedri Dedja dhe që pasqyronte në faqet e saj
jetën dhe veprimtarinë e përjavshme të arsimit shqiptar, i dhanë fund, ashtu
sikurse një druvar i papërgjegjshëm pret një pemë të shëndetshme shekullore që
lartësohet drejt qiellit dhe diellit, që hijeshon natyrën dhe i jep oksigjen
mjedisit. Ashtu dhe gazetën tonë, e prenë pabesisht, me një të rënë sëpate.
Një
fjalë e urtë këshillon: “Në radhë të parë duhet të jesh njeri”. Nga njohja afro
20 vjeçare që kam me Franin, them me bindje se Fran Gjoka, mbi të gjitha është
NJERI me vlera të mëdha dhe të spikatura, të dallueshme që në pamje. Vlerat
humane, ai i shprehë në jetën e përditshme, në familje, në rrethin e shokëve
dhe të miqve, por ato shprehen natyrshëm dhe në veçori të qenësishme të
artikujve të tij, që janë sa profesionalë, aq edhe njerëzorë. Janë cilësi e
veçori, të cilat e dallojnë Franin që në vështrimin e parë: njeri i ditur dhe i
urtë, i mirë dhe i sjellshëm, i kujdesshëm dhe i përkushtuar. Ndjen dëshirë të
pa rezistueshme të rrish doemos në tavolinë me Franin, të bashkëbisedosh apo të
bashkëpunosh me të, të lexosh krijimet e tij plotë jetë, gjallëri dhe
vërtetësi, që ngrejnë probleme, bëjnë kritikat e duhura, çelin horizonte
dhe shërbejnë për përmirësimin e
mëtejshëm të punëve.
Mbaj
mend kur shkrova artikullin e parë për Franin. Ashtu, vetvetiu ai më erdhi në
përfytyrim dhe, si pa kuptuar nisa të shkruaja ato që më vinin në mendje. Shkruaja
pa e ngritur kokën, pa reshtur dhe pa asnjë pushim, veçse shihja disi i habitur
se si mbusheshin faqet njëra pas tjetrës, teksa dëshira më thoshte të vazhdoja
të shkruaja e të shkruaja se ato që kisha për të thënë për Franin ishin të
pafundme... Kur mbarova artikullin dhe
ia paraqita kryeredaktorit Andon Andoni dhe koleges sonë të mençur dhe të
talentuar Vjollca Spaho, ata menjëherë pyetën: po titulli? Dhe, si për çudi, të
treve na ndritën sytë kur, thuajse në një zë thamë: “Frani i gazetës “Mësuesi”.
Dhe, menjëherë, Andon Andoni, si kryeredaktor, por edhe si shkrimtar i
spikatur, e vendosi artikullin në faqen me ngjyra, të shoqëruar me një
fotografi të madhe, ku shfaqej i miri, i dituri dhe i zgjedhuri ynë Fran Gjoka.