Faleminderit
Frrok Vukaj: Personalitet i Arsimit e Mendimit Pedagogjik
E diele, 31.01.2021, 05:34 PM
Personalitet i Arsimit e Mendimit Pedagogjik
-Prof
Dr Hajrullah Koliqi ne 75-vjetorin e lindjes-
NGA
FRROK VUKAJ -
Kryetar i Akademisë së Shkencave të Edukimit
Përveç
sa kisha lexuar, pata fatin e privilegjin ta njoh për afër 3 vjet gjatë punës
në një Universitet jo Publik në Tiranë. Më një trup të drejtë e të bëshem,
përherë buzagaz, i dashur e respektues, atdhetar e mendimtar i shquar, studiues
serioz e prodhimtar cilësor, tolerant e metodist racional, korrekt e kërkues
sistematik, shembull në sjellje e model komunikimi, pedagog me profesion e
profesor Universiteti.
Gjithë
jetën ia kushtoi arsimit shqiptar, kryesisht arsimit të lartë në Kosovë.
Lindi
më 7. 01. 1946 në Kështenjë të Krajës së Shkodrës (tani në Malin e Zi). Shkollën fillore
tetëvjeçare e kreu në Kështenjë, përkatësisht në Ostros, troje shqiptare në
perëndim të Liqenit të Shkodrës. Arsimin e vazhdoi në Normalen e Prishtinës
(1961-1966). Një vit ishte mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në vendlindje (Ostros).
Në
vitin akademik 1967- 68, ai i filloi studimet për pedagogji në Fakultetin
Filozofik të Prishtinës, ku diplomoi në fillim të vitit 1972. Një vit më pas,
H. Koliqi zgjedhet asistent i Andragogjisë në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit
Filozofik në Prishtinë. Mbajti ushtrime edhe nga Historia e pedagogjisë.
Në
vitin akademik 1975 - 76 u autorizua edhe për të ligjëruar nga këto lëndë.
Në
vitin 1978, Këshilli Shkencor-Mësimor i Fakultetit Filozofik ia lejoi temën për
disertacion të doktoratës, me titull: “Puna edukativo-arsimore dhe idetë
pedagogjike të Aleksandër Xhuvanit”, mbrojtja publike e të cilin u realizua më
30 qershor 1982.
Në
vitin 1979, ai mori thirrjen e ligjëruesit për lëndën e Historisë së
pedagogjisë, për të vijuar me avancime në thirrje të tjera akademike: docent
(1984), profesor inordinar (1988) dhe profesor ordinar (1994).
Mbajti
mësim nga disa lëndë (kurse). U shqua sidomos për ekspertizën e tij në fushën e
Historia e pedagogjisë botërore dhe të asaj kombëtare shqiptare.
Ndërkohë,
H. Koliqi ishte mësimdhënës edhe në
Fakultetin e Mësuesisë dhe atë të Edukimit në Prishtinë, në Fakultetin
Filozofik të Universitetit të Tetovës (nga themelimi deri në vitin 2012). U
pensionua në vitin 2011.
Prof.
dr. Hajrullah Koliqi, në cilësinë e mësimdhënësit të angazhuar ligjëroi në
studimet për master në Departamentin e Historisë të Fakultetit Filozofik në
Prishtinë dhe në Akademinë e Shkencave të Edukimit në Tiranë.
H.
Koliqi publikoi rreth 250 artikuj, studime, fejtone, vështrime, vepra etj.,
kryesisht, nga fushat e edukimit. Artikullin e parë e publikoi në gazetën e
studentëve “Bota e re” (1970), për të vazhduar me publikime edhe në gazeta e
revista të tjera, si: “Shkëndija”, “Rilindja”, “Buletini i Fakultetit
Filozofik”, “Gjurmime albanologjike”, “Revista pedagogjike, “Školske novine”,
“Fjala”, “Koha ditore” etj. Shkroi dhe botoi edhe këto vepra, monografi, tekste
universitare etj.: “Aleksandër Xhuvani/ Puna edukativo-arsimore dhe pikëpamjet
pedagogjike/” (1987), “Andragogjia” (1987, e plotësuar 1990), “Kraja ndër mote”
(1993), “Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës 1991-1994” (1995), “The
Survival of the University of Prishtina 1991-1996” (1997, edhe gjermanish
1997), “Historia e pedagogjisë botërore I” (1997), “Historia e pedagogjisë
botërore II” (1998), “Historiku i arsimit në Krajë” (1999), “Kraja e Shkodrës”
(2001), “Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar” (2002, e
plotësuar 2012), “Sistemi i arsimit në Kosovë” (2004), “Jashar Rexhepagiqi
/Portret/” (2004), “Thesar filoedukimi-Thesaurus of Philoeducation” (2007),
“Gruaja ndër shekuj / Arsimimi dhe emancipimi i saj/” (2009), “Jashar
Rexhepagiqi, figurë e shquar e arsimit dhe e shkencës” (2009), “40 vjet të tempullit
tonë të diturisë” (2010), “Ata që jetën na e falën” (2010), “Kur Perëndia
idetifikohej me diturinë” (2011), “Kraja jonë” (2014).
Gjithashtu,
ai ishte kontributor në disa vepra të tjera, si: “Natyra dhe shoqëria”
(bashkautor, 1981), “Në kërkim të dijes
dhe të lirisë-Searching for Knowledge and Freedom” (kontributor dhe redaktor,
2005), “Fjalor enciklopedik shqiptar” I, II, III (kontributor, 2008). “Kosova / Vështrim
monografik/“ (kontributor, 2011, anglisht 2013), “Fjalor enciklopedik i Kosovës” I, II
(kontributor dhe redaktor i zërave për
arsimin, 2018) etj.
Ka
në dorëshkrim veprën leksikografike të vëllimshme, me titull “Fjalor
enciklopedik i edukimit”.
Ai kreu edhe detyra të tjera, kryesisht
profesionale-shkencore, me përgjegjësi : ishte shef i Degës së Pedagogjisë,
kryetar i Komisionit për Arsim i LDK-së (1990), nënkryetar i Lidhjes së
Arsimtarëve Shqiptarë (1990), kryetar i Këshillit Botues të Universitetit të
Prishtinës (1993), dekan në themelimin e Fakultetit të Mësuesisë (1997), ministër
i arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (1999), anëtar i Senatit të
Universitetit të Prishtinës (2002), udhëheqës i Programit të Studimeve të
Doktoratës të Fakultetit Filozofik (2010), kryetar i Këshillit Shkencor të
Institutit Pedagogjik të Kosovës (2015) etj., si dhe anëtar bordesh e
komisionesh të doktoratës e të magjjistraturës, mentor, anëtar redaksish,
recensent, pjesëmarrës në disa projekte, aktivitete, e konferenca shkencore në
Prishtinë, Tiranë, Ulqin, Tetovë etj. Për qëllime shkencore qëndroi në disa
qendra universitare brenda e jashtë vendit.
H. Koliqi ishte themelues dhe kryetar i
shoqatës “Shqiponjat” e Krajës (1970). Kundërshtoi publikisht përpjekjet e
autoriteteve serbe për serbizimin e arsimit shqip në Kosovë, sidomos të
Universitetit të Prishtinës. Mori pjesë aktivisht në demonstratat e viteve
1968, 1981 dhe 1997 në Kosovë. Ishte anëtar i Këshillit për Organizimin e
Protestave të Studentëve të vitit 1997 dhe në ballë të tyre. Këtë këshill
Presidenti i Kosovës e nderoi me titullin “Urdhri i Lirisë” (2017). H.
Koliqi u nderua edhe me mirënjohje e
certifikata nga Unioni i Pavarur i Studentëve, Universiteti i Prishtinës,
Universiteti i Tetovës, Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi, Art Club-i
(Ulqin) etj. Vepra e tij u pasqyrua me
zëra të veçantë në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” (2008) dhe në “Fjalorin
enciklopedik të Kosovës” (2018). Dëshmi
dhe dëshmitarë për veprën e H. Koliqi janë edhe ata qindra e qindra ish-studentë,
magjistrantë e doktorantë, më pas edhe kolegë të tij, të cilët jetojnë e
punojnë anekënd Kosovës dhe jashtë saj, si dhe
katër pinjollët e tij trashëgimtarë, të gjithë me arsim të lartë, dy
prej të cilëve doktorë shkencash (Farmaci klinike, përkatësisht Shkenca
filologjike) dhe një në studime të doktoratës (Edukim).
Në këtë jetë aktive e të pasur me vlera
dua të veçoj :
1- Profesionalizmin e përkushtimin,
vizionin e frymën atdhetare e bashkëkohore në pozicionin e Ministrit të
Arsimit.
2- Duke çmuar botimet e shumta, spikatin disa vepra studimore që e lartësojne
e e renditin emrin e tij përkrah emrave e kontribuesve më të njohur të arsimit
:
A- " Historia e arsimit dhe e
mendimit pedagogjik shqiptar" 2002, 2012.
B- "Historia e pedagogjisë
botërore", vol. I e II, 1997 e 1998.
C-
"Sistemi arsimor në Kosovë" 2004.
D-
" Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës 1991- 1994"( 1995).
Studimet dhe krijimtaria e tij, që vazhdon të shtohet me botime të reja, janë një pasuri e madhe në thesarin e kulturës shqiptare, veçanërisht për historinë e arsimit e mendimit pedagogjik shqiptar.
-Per ZemraShqipare,
nga Tirana, 2021-