Faleminderit
Hysen Kobellari: Haki Stërmilli, shkrimtar i emancipimit shoqëror
E marte, 05.01.2021, 11:32 AM
HAKI STËRMILLI (17 maj 1895 – 17 janar 1953), DJALOSHI BESIMTAR DIBRAN, NËPUNËSI ATDHETAR, SHKRIMTAR I EMANCIPIMIT SHOQËROR …
Nga Hysen
Kobellari
“ Gjatë jetës seme luftova për një atdhe të
lirë dhe për një drejtësi shembullore.”
H.Stërmilli, “Autobiografia eme”
Abstrakt
Emri i Haki Stërmillit zë një vend të nderuar në
historinë e letërsisë sonë për shkak të prurjeve interesante në fushën e prozës,
dramaturgjisë, letërsisë dokumentare, gazetarisë, etj. Nëpunës besnik dhe
atdhetar, luftëtar i lirisë dhe i progresit, përfaqësues i popullit,
intelektual i lidhur ngushtësisht me jetën e njerëzve të thjeshtë, njeri i
sakrificave për fatet e vatanit dhe të bashkëkohësve, janë disa nga cilësitë që
ia rritin në lartësinë e duhur vlerat personalitetit të tij. Haki Stërmilli e
kaloi jetën nëpër disa etapa të rëndësishme të historisë shqiptare, nga fundi i
Rilindjes Kombëtare, Pavarësia, Lufta e Parë e Përbotshme, themelimi i shtetit
funksional në Shqipëri, mërgimi politik, Monarkia, Lufta e Dytë e Përbotshme,
Paslufta, monizmi …
Pasardhës i prindërve besimtarë
myslimanë …
Në Oranik (Shehër), Dibër e Madhe, më 17 maj 1895 u lind
djali i tretë i familjes Stërmilli, Hakiu, me dëshirën e madhe të prindërve të
tij besimtarë myslimanë që biri i tyre i dashur të bëhej i drejtë e i mbarë, si
të parët e tij si vetë emri dhe siç mëson feja jonë e ndritur islame. I ati
ishte besimtar i mirë, njeri i thjeshtë, por jo i pasur, ndërsa e ëma, edhe ajo
besimtare e mirë, ishte bijë agai, që pruri si pajë një sasi toke arë dhe disa
dynymë vreshta rrushi. Familja e siguronte bukën e gojës me punë krahu të
babait, e cila shpesh mungonte. Me kalimin e kohës, dy vëllezërit e rritur të
Hakiut hynë në punë, i madhi, më 1911 u bë nëpunës kadastre, ndërsa tjetri hyri
çirak tek një qëndistar. Gjendja ekonomike e familjes u përmirësua mjaft dhe u
krijuan kushte që djali i tretë i familjes të bëhej me shkollë, të edukohej me
frymën e besimit dhe njëkohësisht të kishte kërkesa të larta moralo-fetare, siç
shënon shkrimtari në autobiografinë e vet.
Mësimet fillore i kreu vitet e para në Dibër, ku mësoi
mirë shqipen, por edhe turqishten dhe arabishten, me mësuesit hoxhallarë të
njohur të qytetit, pastaj në Selanik i përfundoi këto studime, duke kryer edhe
klasën e parë të gjimnazit. Vitet e tjera i bëri në Dibër dhe në Manastir, duke
i kryer të pesta klasat e detyrueshme.
Lufta Ballkanike që pasoi ia rrëmbeu vëllain e madh,
shtyllën e familjes, i cili ra në frontin grek, i mobilizuar me detyrim nga
regjimi. Humbja e tij e pikëlloi shumë shkrimtarin e ardhshëm dhe ia mbylli
shtegun e shpresave të tij për një të ardhme të shkëlqyeshme. Detyrimet
familjare nuk e lejuan të të shkonte në Vienë dhe prej andej në Europë për të
vazhduar mësimet me bursën që i kishte akorduar qeveria e Ismail Qemalit, gjë
që e zhyti në një dëshpërim të thellë, shto edhe okupacionin serb, ndërkohë që
ai kishte filluar të zhvillonte talentin e tij si shkrimtar duke kryer një
aktivitet të dendur me mësimin e thelluar të gjuhës amëtare dhe rrënjosjen e
idealit kombëtar. Ai ishte pjesmarrës në dy kryengritjet e Dibrës kundër
pushtuesve barbarë dhe pa me sytë e vet shkrumbimin e mijëra shtëpive dibrane
dhe masakrimin e mijëra njerëzve, ku u arratis dhe emigroi në Tiranë dhe
n’Elbasan shumica e popullisisë së Dibrës së Madhe, duke shkaktuar në shpirtin
e djaloshit një tronditje të madhe shpirtërore dhe morale, duke ia lëkundur
besimin në drejtësinë hyjnore…
Në atë kohë u zgjodh Kryetar i Shoqërisë “Djelmënia
dibrane” …
Kur ishte duke filluar punë si Sekretar i Prokurorisë në
Tiranë, rrebelët kryengritës që kishin krijuar atje një rrëmujë të madhe, e
arrestuan, por për shkak të moshes së re, e liruan. Kështu që u detyrua të
shkonte në Peshkopi, ku flamuri ynë valonte i lirë dhe gjendja ishte e
qëndrueshme dhe e qetë. Për shkak të vështurësive të shumta financiare
familjare, iu përgjigj ftesës së qeverisë së Esad Pashës në Durrës, duke u bërë
nëpunës i saj, në fillim si tetar në një batalion dibranësh dhe më vonë Drejtor
i Protokollit në Ministrinë e Botores dhe Pyjeve…
Në kohën e pushtimit austro-hungarez u emërua Sekretar i
Nënprefekturës në Mat, pastaj mori detyrën e N/Prefektit atje, pas kapitullimit
të okupatorit. Më 1918 bashkëpunoi me popullin e Matit për të mbrojtur vendin
nga pushtimet, për mbajtjen e qetësisë e rendit dhe për pajtimin e gjaqeve.
Nëpunës i lartë në Qeverinë e
krijuar pas Kongresit të Lushnjës.
Në vitin 1920, mbas Kongresit të Lushnjës vendi kishte
nevojë për njerëz të përgatitur, me kulturë e besnikë të çështjes kombëtare; i
tillë ishte Haki Stërmilli. U emërua Sekretar i Parë i Ministrisë së Punëve të
Brendëshme, në qeverinë e sapokrijuar, ndërsa më vonë u bë Shef i Zyrës Sekrete
po i asaj Ministrie, ku shërbeu deri në vitin 1924. Mbreti i ardhshëm i vendit,
Ahmet Zogolli, Ministër i Brendshëm në Tiranë e ka çmuar shumë Haki Stërmillin
për vetitë e tij të rralla si intelektual, nëpunës serioz dhe besnik, si dhe
për frymën e tij atdhetare e humane. Kur shërbeu në Mat, shkrimtari i ardhshëm,
u kujdes veçanërisht për sigurinë e familjes së madhe Zogolli, punoi me motrat
e tij për arsimimin e tyre dhe për pajisjen me një kulturë të gjerë
bashkëkohore.
Aktivizimi i
Hakiut me Shoqatën “Bashkimi”, ku më vonë u bë Sekretar i Përgjithshëm i saj,
shoqatë e cila përhapte pikëpamje antiregjim, e detyroi Ministrin e Brendshëm
të vitit 1924, Shefqet Vërlacin, t’a degradonte Hakiun duke e transferuar në
Zyrën e Shtypit të Ministrisë. Ai dha dorëheqjen dhe zuri të shiste cigare.
Mori pjesë në Kryengritjen e Qershorit, revoltë e shkaktuar nga vrasja e
A.Rustemit; duke e rrëmbyer gjendja kaotike dhe atmosfera e paqartë, shkoi në
Vlorë dhe pastaj u kthye sërish në Tiranë me armë në dorë. Ministri i Brendshëm
i Qeverisë së F.Nolit, Rexhep Shala, i ofroi një post N/Prefekti ku të
dëshironte, madje propozoi ngritjen e një nëpunësie speciale për të, por
H.Stërmilli nuk pranoi, me arsyetimin se asisoj do të rëndohej populli me
taksa. Bëri një banak dhe përsëri nisi të shiste cigare …
Kur u bë Kongresi i Bashkimit nën kryesinë e Ll.Fundos
përsëri u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm.
Nëpër rrugët e botës, burgjet,
internimet, sprovat e para si gazetar …
Pas rikthimit të A.Zogut në atdhe Hakiu u arratis në
Itali, ku ndenji për pak kohë, pastaj shkoi në Francë ku punoi nëpër fabrika si
punëtor për të siguruar bukën e gojës. Me ndërmjetësinë e KONARE-s, më 1925
udhëtoi në B.Sovjetik, Lituani, ku qëndroi rreth një vit e gjysmë, ku pati
kontakte miqësore me Ali Kelmendin. Gjendja e mjerueshme ekonomike e familjes e
detyroi të kthehej në Jugosllavi, ku ishin shpërngulur në arrati Stërmillajt;
në Austri për shkak të dyshimit që kishin e arrestuan autoritetet e Vienës, që
më vonë e deportuan, gjë që ndodhi edhe me autoritetet italiane. E arrestuan edhe
Jugosllavët dhe e internuan në Mitrovicë, pastaj e lejuan të shkonte në
Manastir, ku kishte zënë vend familja e ikur nga atdheu për shkak të frikës.
Aty e mbanin nën vërejtje, pa e lejuar të dalë jashtë qytetit, por Hakiu e
mprehu penën fort aty, shkroi e botoi artikuj në revistën “Federata Ballkanike”
që dilte në Vienë dhe që drejtohej nga Gj.Dimitrovi, po ashtu botoi në gazetën
“Liria Kombëtare”, që dilte në Gjenevë. U lidh dhe bashkëpunoi me njerëz
intelektualë përparimtarë në Dibër, Strugë e Manastir. Qysh me krijimin e
KONARE-s (Komiteti Nacional Revolucionar), H.Stërmilli u bë anëtar aktiv dhe
mbrojti vijën e saj.
Në mars të vitit 1929 u arrestua, duke u trajtuar si
kriminel i rrezikshëm dhe iu dorëzua autoriteteve në Shqipëri, ku u dënua për 5
vjet me burgim si kundërshtar i regjimit dhe u lirua tre muaj pasi të
përmbushte kohën e dënimit, nga një falje e mbretit A.Zogu. Personalitete të
shquara të botës perëndimore si H.Barbys, Gj.Dimitrov, A.Ainshtain, etj.,
protestuan pranë Fuqive të Mëdha dhe Qeverisë Jugosllave për arrestimin dhe
dorëzimin, si gjest që binte në kundërshtim flagrant me Të Drejtën
Ndërkombëtare dhe kërkuan nga Sekretariati i Lidhjes së Kombeve Protestuan
gjithashtu profesorët e njohur siç ishte Kryetari i Akademisë së Shkencave të
Çekosllavakisë, deputetët britanikë P.Marlou dhe V.Kenvood, deputetët gjermanë
E.H.dhe Geisha, ata italianë apo indianë,etj.
.Ndërkohë
vazhdoi të shkruante artikuj interesantë në shtyp, ku paguhej rregullisht sipas
tarifave të kohës, por shkrimtari i konsideroi këto pagesa si një formë
joshjeje për të shkruar mirë për regjimin në fuqi. Të tillë e çmoi ai edhe
botimin e librit të porositur “Burgu”, me kujtime e shënime nga vuajtjet e
burgjeve dhe internimeve, shpenzimet e shtypshkrimit të cilit i mbuloi shteti.
Mundi të punësohej në një firmë të huaj që shiste në
Shqipëri llampa elektirke të firmës OSRAM, si administrator, magazinier dhe
shitës njëkohësisht, në Rruga Mbretërore, sot Rruga e Barrikadave …
Duhet theksuar se
kjo është periudha më e frytshme e tij si shkrimtar, nga se Haki Stërmilli
kishte shkruar vite më parë disa drama, si “Dibranja e mjerueme”, “Dashuni e
besniki”, 1923, “Kosovarja”, tragjedi,1931, etj. Pas “Burgu”-t, u shkrua i
famshmi “Sikur të isha djalë”, i cili ka patur 12 botime e ribotime dhe ishte
më i botuari para luftës. Ky roman, shkruar në formën e ditarit të një vajze të
thjeshtë të popullit, “rreh disa probleme me randësi të madhe të Shoqnis
s’onë. Asht nji roman shoqnor, protoganistja e së cilit asht një vajzë
shqiptare, Dija, e pajisun me të gjitha vetiat e pastra të Femnës arbënore. Ajo
ndryshon nga shoqet e saja vetëm pse dëshiron t’i thyej prangat në të cilat
qëndron lidhur seksi femnuer shqiptar. Asht liberale. Kërkon lirin. E për të
ngritë ketë flamur dëshiron “t’ishte djalë”, pse atëherë do mundesh të luftonte
ma lirisht …” ( Shkruar nga Dr.Ziaudin Kodra, 1937 ), më tej : “Thelbi i romani àsht i shkurtun: një
vajzë jetime e shtytun nga njerka; dashuron dhe bijë viktimë e mentalitetit të
vyshkun; për të thanë këto nuk mund të shkruhesh shum; e të 310 faqet e librit
janë mbushë me përshkrimin e zakoneve të ndryshme, …; për mue këtu qëndron
vlefta ma e madhe e veprës pse në ketë pikë Stërmilli na çfaqet me të vërtetë
si një shkrimtar me vërejtje të hollë, tue i dhanë gjallni tregimeve me mënyra
të foluni shumë të bukura të gjuhës s’onë.”
Haki Stërmilli konsiderohet si shkrimtar sentimentalist…
Lëvizja e Fierit i shkaktoi përsëri telashe shkrimtarit;
e arrestuan, por e liruan shpejt.
Megjithatë,më 6 prill 1939 shkroi “Ti leve o yll”, për Princin Leka…
Me ardhjen e fashistëve në Shqipëri nisi përzgjedhja e
intelektualëve dhe figurave të njohura të vendit, për t’i rekrutuar e joshur,
si përkrahës të tyre, nën petkun e qytetërimit e përparimit. Shkrimtarin e bënë
“fashist”, pa dijeninë e tij; madje bënë edhe telegram fallco, pa nënshkrim
përkatës; i propozuan ta bënin Prefekt, e kërcënuan që të pranonte
uniformën në këmbim të pozitave më të
larta, u përpoqën ta afronin dhe ta mashtronin, por H.Stërmilli rezistoi në
heshtje …
Pjesmarrës në Lëvizjen për liri,
përfaqësues i popullit, nëpunës …
Ndjenjat antifashiste tek shkrimtari u rritën me kalimin
e kohës. Ndërkohë aktivizohet menjëherë në Lëvizjen për liri e progres, siç
propagandonin atëhere komunistët, sidomos pas Konferencës së Pezës kaloi në
kampin e Frontit Nac-Çlirimtar. Krijoi në Tiranë, se bashku me G.Strazimirin
një Këshillë intelektualësh, po kështu veproi edhe në Lagjen “Çesmja e
Shehbegut”, etj. Në vitin 1943 kalon në ilegalitet, merr pjesë në Konferencën e
Mukjes si përfaqësues i F.N.Ç., ku në krahun tjetër ishte intelektuali i shquar
Isuf Luzi, atdhetar e filozof, etj. Mori
pjesë në strukturat paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga Mbledhja e
Labinotit, deri antar kabineti i dalë nga Kongresi i Përmetit e më pas nga
Kongresi i Beratit. Për muaj me radhë
luftoi e vuajti së bashku me partizanët e tjerë nëpër llogoret e luftës, mes
sakrificash e vështirësish të mëdha fizike e mendore. Për këtë u zgjodh më 1945
dhe 1950 deputet, përfaqësues i popullit. Shërbeu si Kryetar Fronti në Peshkopi
dhe N/Kryetar i Kom.Ekzekutiv atje.
Më 1946 u transferua në Tiranë, duke u emëruar Drejtor i
Bibliotekës Kombëtare, u bë pjesë e strukturave të Lidhjese së Shkrimtarëve dhe
Artistëve. U dekorua me Urdhrin e Flamurit dhe me Medaljen e Kujtimit. Në tetor
1949 u emërua Drejtor i Muzeut të Luftës Nacionalçlirimtare.
Haki Stërmilli
ndëroi jetë në Tiranë, pas një sëmundjeje të rëndë, më 17 janar 1953.
Pallati i Kulturës
në Peshkopi mban emërin “Haku Stërmilli”. Rrugë dhe shkolla në Shqipëri e
Kosovë mbajnë emrin e tij të nderuar.
Veprat më të mira të Haki Stërmillit janë përmbledhur në tre volume.
I gjithë korpusi i veprave të Stërmillit është :
“Dibranja e mjerueme” (dramë) ,1923;
“Dashni e besniki” (Dramë), 1923;
“Agimi i lumnueshëm” (Dramë), 1924;
“Irena e bukur” (Dramë)”, 1929;
“Tania” (Dramë), 1930;
“Kosovarja” (tragjedi), 1931;
“Suta” (dorëshkrim),;
“Trashgimtarët tanë”, 1950;
“Luftëtarët tanë” (dorëshkrim), 1952;
“Sikur të isha djalë” (roman) 1936;
“Burgu” (letraro-dokumentar), 1936;
“Shtigjet e lirisë” (ditar), botuar 1966;
“Kalorësi i Skënderbeut”, botuar 1968;
“Afsh dhe hov zemrash” (dorëshkrim)
dhe studimin:
Dibra në prag të historisë, dorëshkrim, 1940.
Literatura kryesore
e konsultuar :
Robert Elsie, Historia e Letërsisë Shqipe, Pejë,
2001;
Kajtaz Recaj, Krijimtaria letrare e H.Stërmillit,
Prishtinë, 1988;
Resmije Kryeziu, Personazhi i gruas në letërsinë
shqipe, Prishtinë, 1988;
Rev. Nëntori, Nr.6, 1975, Mbrëmje përkujtimore
kushtuar 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit patriot Haki Stërmilli
f.193-196;
Wikipedia,
Etj.