Faleminderit
Nikë Gashaj: Anton Çetta - 100 vjetori i lindjes
E premte, 06.11.2020, 09:20 PM
ANTON ÇETTA, 100 – VJETORI LINDJES – VJETI JUBILAR
(1920 - 1995)
Nga
Nikë Gashaj
Qeveria e Republikës së
Kosovës e ka shpallur nëntorin “ Muaj të
Anton Çettës”, në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e ndarjes nga jeta, si
dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve-pajtimit të
gjaqëve, të cilit i printe. Profesor Çetta, ka qenë pedagog, studiues,
shkrimtar, folkloristë, humanistë dhe një ndër kontribuesit e pashoq në
pajtimin e familjeve shqiptare.
Gjatë aktivitetit letrar, profesional, hulumtues dhe studiues,
ai kishte vizituar shumë treva shqiptare, duke fituar kështu respektin dhe
dashurinë e popullit.
Në vitin 1990 është zgjedhur
kryetar i “Këshillit Qendëror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqëve”. Ai
me një mençuri të lartë, vizion dhe taktikë të veçantë, si dhe dashuri të madhe
ka arrijtur të pajtonte me mija familje
shqiptare të ngatërrura dhe të hasmuara. Anton Çetta arriti që të pajtoj
shqiptarët në mes të veti, duke i dhënë fund kështu një periudhe të kobshme të
vëllavrasjes. Prandaj, Anton Çetta është ndër figurat më unike të kombit
shqiptar.
Qeveria e Kosovës ka
miratuar edhe Programin e aktiviteteve gjatë nëntorit në përkujtim dhe nderim
të jetës dhe veprës së Anton Çettës, disa prej të cilave do të mbahen edhe në
Shqipëri: Përurimi i veprave të Anton Çettës; Përurimi i Kullës se Fazli
Buqollit në Raushiq, investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit;
Këndi i Anton Çettës-ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës; Emisione
Televizive -RTK, shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i
një dokumentari të ri; Simpoziumi shkencor në Prishtinë dhe Tiranë; Ekspozitë e
fotografive në Prishtinë dhe Tiranë-Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik në Tiranë; Themelimi i Çmimit
“Anton Çetta”.
Anton Çeta ka lindur më 3
janar 1920 në Gjakovë. Babai i tij Lazër Çetta, në tetor 1920 transferohet në Tiranë, ku dhe punësohet.
Andaj, Antoni mësimet e para i mori në
Tiranë. Po ashtu shkollën e mesme e nisi në Tiranë, e vazhdoi në Liceun Francez
të Korçës dhe tre katër vitet e fundit të Liceut-drejtimi klasik-në Milano të
Italisë. Në vitin 1941 u këthye në Kosovë, në periudhën e sundimit italian.
Në vitin 1945, Anton Çetta
është inkuadrua si profesor në Gjimnazin e Prizrenit. Me 1946, regjistroi
studimet në Grupin e Romanistikës-Dega e Gjuhës Frënge, në Fakultetin
Filologjik të Universitetit të Beogradit të cilin i mbaroi në afatin rekord
brenda katër vitesh. Meqë ishte shquar në studime, pas diplomimit, pedagogët e
tij e emërojnë asistent në Seminarin e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik
të Beogradit, ku punoi rreth dhjetë vite. Anton Çetta ishte studiues i kulturës
popullore, por dhe i kulturës sonë kombëtare në përgjithësi. Anton Çetta është
njëri ndër intelektualët, etnografët dhe folkloristët më të shquar të kohës
tonë.
Kontributin më të madh si
intelektual ai e dha kur ishte profesor në Fakultetin Filologjik të Universitetit
të Prishtinës dhe punonjës shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në
vitin 1961 nga Beogradi kthehet në Prishtinë dhe emërohet ligjerues në Degën e
Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik, ku ligjëroi mbi shtatë vjet Letërsinë e
Rilindjes dhe Letërsinë e vjetër shqipe. Njohuritë e tij të thedha klasike dhe
moderne për letërsinë dhe gjuhën bënë që prof. Anton Çetta në Fakultet
Filologjik të krijojë emër si njëri ndër profesorët më me autoritet të kohës.
Profesor Çetta, që në
fillimin e organizimit të arsimit shqip, në vitet 50 merret edhe me hartimin
dhe përpilimin e teksteve shkollore për letërsi dhe gjuhë shqipe si dhe të
doracakëve të ndryshëm si koautor me Idriz Ajetin, Gani Lubotenin, Mark
Krasniqin, Rexhep Hoxhën etj.
Nga viti 1967 e vazhdoi
punën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku kaloi si studiues në Degën e
Folklorit. Tani e tutje me tërë qenien e tij intelektuale ai do t’i përkushtohet krijimtarisë folklorike,
mbledhjes, botimit dhe studimit të saj. Në Institut, si përgjegjës kryesor i
Degës së Folklorit, profesor Çetta përgatiti strategjinë dhe projektin e madh
të regjistrimit të krijimtarisë gojore. Anton Çetta ishte jo vetëm organizatori
kryesor i kësaj pune kolosale, por edhe mësues i kuadrove për folklor. Pjesën më
të rëndësishme të këtyre materialeve folklorike arriti t’i botonte Instituti
Albanologjik, kurse një pjesë e konsiderueshme e materialeve të pabotura
gjenden në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, themelues i të
cilit ishte ai vetë. Krahas materialit folklorik, ai la në trashëgim edhe një lëndë të pasur
etnografike nga fusha e pleqnive, apo tregimeve juridike popullore(pleqnive),
dhe tregimeve etnografike etj.
Anton Çetta bëni një
ndihmesë të madhe për mbledhjen dhe botimin e eposit të kreshnikëve, në troje
të shumta shqiptare: Shalë, Bagorës, Rrafsh të Dukagjinit, Llapushë, Drenicë,
Rugovë dhe Malësi të Madhe.
Anton Çetta, në historikun e
mbledhjes së eposit tonë në Malësinë e Madhe, është vijues i Nikollë Ivanaj,
publicist, shkrimtar dhe atdhetar i përmendur nga Trieshi i Malësisë së Madhe,
i njohur si mbledhës dhe botues i këngëve të kreshnikëve nga Malësia e Madhe,
në fillim të Shekullit XX.
Sikurse e kemi cekur dhe më
lartë, Anton Çetta ishte në krye të Lëvizjes Gjithëpopullore të Pajtimit të
Gjaqeve(1990-1992) dhe fitoi famë të madhe. Në moshë të shtyrë, duke e njohur
në thelb shpirtin e popullit, ai e nisi këtë mision sa human, po aq të
rëndësishëm për momentin historik në të cilin ndodheshin shqiptarërt në
ish-Jugosllavi.
Duke pasur njohuri mbi
kuvendet e mëparshme historike për ta falur njëri-tjetrin si parakusht i
pajtimit dhe bashkimit kombëtar, për kundërvënie të sukseshme ndaj okupatorit,
së bashku me intelektualë të tjerë i prinë këtij misioni që paralajmronte
fitoren dhe lirinë e Kosovës të afërt. Me ndihmën e qytetarëve shqiptarë ai
arriti të organizonte tubime të mëdha që në atë periudhë kohore konsideroheshin
format më të suksesshme të manifestimit të pakënaqësisë me gjëndjen e rëndë
okupuese.
Para 30 viteve, në 1maj
1990, te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni shqiptarë u
tubuan në Kuvendin e Besëlidhjes shqiptare dhe të nisjes së aksionit të
pajtimit të gjaqeve, i cili në rrethanat më të vështira të okupimit, i ka
bashkuar drejtë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Don Lush Gjergji, Anton
Çettën e quan: “Babai i Pajtimit”. Më tutje ai shton:” Me shumë bindje dhe
kënaqësi mund të them se, pata fatin, rastin, dhuratën dhe hirin e Zotit, që të
isha një ndër bashkëpuntorët e prof. Anton Çettës në lëvizjen e madhe të
pajtimit të gjaqeve. Kudo që shkonim dhe kalonim, Antoni ynë kishte ndonjë
shok, mik, dashamirë, gjithnjë me ndonjë ngjarje apo përjetim nga e kaluara, me
kujtime të freskëta dhe thënie popullore, me mençuri dhe butësi shembullore, me
tregime tronditëse dhe mahnitëse, të cilat bashkëbiseduesit i detyronin në
vëmendje dhe heshtje, në vrojtime dhe mendime, shpesh edhe në “dorëzime”, deri
te shtrirja e dorës së pajtimit.
Në shoqëri me Bacën Anton,
si e thirrshim gati të gjithë me nderim dhe me dashuri, kishim çka të
përjetojmë, dëgjojmë dhe mësojmë, sepse ai e krijonte ambientin e takimit,
bisedës, ndejës, kënaqësisë së shoqërisë dhe shoqërimit ndër-njerëzor, aq sa
çdo herë ishim të mahnitur nga arti i tij në komunikim. Ishte vërtet Mjeshtër i
Popullit dhe për Popullin! “.
Anton Çetta e njihte fare
mirë dhe për së afërmi, në brendi e thellësi shpirin e lënduar dhe të robëruar
të popullit shqiptar nga vuajtja,
skamja, kërcënimi dhe robërimi shekullor, shpesh i stër-ngarkuar nga gjak-hakmarrja,
i ndarjeve dhe përçarjeve, që për sundimtarët ishte arma më e lehtë e sundimit
dhe robërimit tonë. Prandaj, ndër të tjerat thoshte: “Populli shqiptar është i
mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes. Është robëruar nga
shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo
kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk
është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprusëse, sepse
vëllain e shndërron në vrastar, mikun në armik, jetën në vdekje, dashurinë në
urrejtje, lirinë në robëri...”.
Së bashku me rininë, me
botën e kulturës, me intelektualë të profileve të ndryshme, me hoxhallarë dhe
meshtarë, me një fjalë me të gjithë kishte krijuar një unitet për pajtimin e
gjaqëve, të cilin ai e udhëheqte me shumë mjeshtri, mençuri dhe dashuri. Synimi
ishte i qartë: Mposhtja dhe flakja e gjakmarrjes një herë e përgjithmonë, si
parakusht qenësor për paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci, për një të
tashme dhe ardhmëri më të mirë.
Mirëpo, me pajtimin i
gjaqëve tek shqiptarët u shqetësuan organet shtetërore të Serbisë. Andaj, më 3
maj 1990 Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me dekret e kishte ndaluar
pajtimin e gjaqëve në Kosovë dhe më gjerë me këto arsye: 1) Sepse populli
shqiptar nuk ka traditën e faljes së gjaqëve( gjë kjo që nënkuptonte dëshirën e
tyre: le ta vazhdojnë traditën e vrasjeve!; 2) Këtë lëvizje e udhëheq Anton
Çetta, me “njëfarë” prifti katolik shqiptar, Don Lush Gjergji, dhe pse shumica
e shqiptarëve janë myslimanë; 3) E tërë kjo lëvizje është kryekëput kundër
popullit serb në Kosovë dhe kundër Serbisë. Prof. Anton Çettën e kishin ndalur
dhe burgosur, ndërsa Don Lush Gjergjin e kishin kërcënuar me vdekje, popullin e
kishin keqtrajtuar në format të ndryshme, por kot, sepse tashmë Shqiptarët e
shijonin pajtimin, vëllazërinë gjithëshqiptare dhe bashkimin. Me pajtimin e
gjaqëve shqiptarët e përforcuan vëllazërinë gjithëkombëtare, krijuan kulturën e
jetës dhe të qytetërimit e dashurisë.
Anton Çetta është nda nga
jeta më 3 nëntor 1995 në Prishtinë. U varros në Prizren me nderime të mëdha. Në
nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë
zie në Kosovë nga Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, i cili e ka
dekoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor
2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike. Po ashtu, Anton Çetta është
dekoruar edhe nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu me “Medaljen e Artë për
Paqe, Demokraci dhe Humanizëm- Dr. Ibrahim Rugova”, në 30 prill 2010-20
vjetorin e Kuvendit të Pajtimit të Verrat e Llukës.
FJALA E
PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË VARRIM TË ANTON
ÇETTËS
Anton
Çetta ishte institucion i urtisë shqiptare
Familje e Nderuar, Zonja dhe
Zotërinj, përfaqësues të institucioneve shtetërore e kulturore të Kosovës, Miq
të Anton Çettës, në emër të Republikës së Kosovës, dhe timin, më lejoni t’i
them disa fjalë me rastin e vdekjes së Profesor Anton Çettës.
Profesor Anton Çetta, siç e
quan populli i Kosovës, arriti për të gjallë të bëhet Institucion i urtisë
shqiptare, duke zbuluar thesarin dhe shpirtin e tij dhe duke punuar për të.
Profesor Çetta është
shembulli më i mirë se si pasuria intelektuale lidhet mirë me aksion praktik në
momente të vështira e të rënda për një popull. Gjatë 50 vjetëve veprimtarie, ai
nuk u ndal kurrë dhe nuk u dorëzua kurrë.
Profesor Anton Çetta do të
mbetet njëri prej burrave më të mëdhenjë të botës shqiptare.
Sot Profesori s’ ndërroi
jetë, sepse Institucioni i personalitetit të tij i mendjes dhe aksionit,
formulë e urtisë shqiptare, do të jetojë në brezat që vijnë dhe do të hyjë në
analet shqiptare dhe ndërkombëtare.
Vepra e tij e madhe ishte
udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njerëzor-pajtimi i gjaqëve në fillim të
viteve ‘90-të. Vetëm njeriu që e njeh mirë shpirtin e popullit dhe të këtyre
trojeve, siç ishte Çetta, kishte mundësi të shëronte shoqërinë shqiptare, të
paqetonte njerëzit, dhe në këto vite okupimi.
Profesori Anton kontribuoi
në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës
së Kosovës në zgjedhjet e para të lira.
Kisha nderin të jem student
i tij dhe ta kam mik.
I falem kujtimit të tij.
I qoftë i lehtë dheu i
Kosovës