Faleminderit
Prend Buzhala: Epokat e Anton Çettës
E merkure, 04.11.2020, 08:05 PM
EPOKAT E ANTON ÇETTËS
Në 25-vjetorin e shkuarjes
në përjetësi të Anton Çettës
Nga
Prend BUZHALA
Kur
e nisi misionin e madh të pajtimit të Gjaqeve, Anton Çetta (1920-3 nëntor
1995), kishte moton e tij: "Jo me i lanë hasëm, por me i lanë
vllazën". Herën tjetër thoshte "Nuk ka fitore mbi vëllaun." Kur
krijoi degën e folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 1968,
punë që e kreu deri në pension më 1986, ai realizoi projektin prej 25 blejsh me
materiale të letërsisë gojore. Qemal Haxhihasani spikat prirjen oratorike të
Anton Çettës. Filloristët e dhjetëra gjeneratave janë rritur me përmbledhjen e
vjershave për fëmijë “Në prehën të gjyshes” (1955).
Mbledhës
e studiues folklori, studiues i vlerave etnografike të traditës sonë. Poet për
fëmijë, orator. Pajtimtar i gjaqeve. Veprimtar i çështjes sonë nacionale.
Intelektual në betejat për emancipim arsimor e shkencor të gjeneratave
shqiptare. Pedagog e ligjërues. Drejtues revistash shkencore, si i “Gjurmimeve
albanologjike” (folklor e etnologji). Njohës i gjuhëve të huaja, meqë kishte
kryer shkollimet e tij në Itali e gjetiu. Përkthyes veprash letrare nga
italishtja, frëngjishtja dhe serbokroatishtja. Këto janë punktet e veprimtarisë
së tij të shumanshme, e që dëshmojnë për një personalitet poliedrik të letrave
shqipe e të historisë sonë.
Do
theksuar se Anton Çetta ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore të folklorit
me karakter ndërkombëtar e kombëtar.
1.
A
mund të shkruhet sot një histori e letërsisë gojore dhe e studimeve folklorike
shqiptare, pa u përqendruar te puna e Anton Çettës?
Prandaj,
i quajtur shpesh me emërtimin emblematik Plaku i Kosovës, ai punën me mbledhjen
e lëndës folklorike e kishte filluar që në vitin 1953, fillimisht nëpër trevat
e Drenicës e gjithandej nëpër shumë vise të trojeve etnike shqiptare nën
ish-Jugosllavinë, kurse dy vite më vonë, paralelisht, deri në vdekje, ai shkroi
trajtesa, studime e punime të ndryshme kushtuar letërsisë gojore, rreth dyzet
këso punimesh, e ndër to, hyjnë edhe punimet kushtuar fushës së etnografisë,
siç na kumton në studimet e saj Drita Statovci. Rreth 18 këso punimesh i
përmblodhi te vepra e tij "Kërkime folklorike" ("Rilindja",
Prishtinë" 1981). E pra, ai ishte edhe shkencëtar, studiues folklori, siç
vlerësojnë Qemal Haxhihasani, Fazli Syla, Agron Xhagoli, Zymer Neziri, Rrustem
Berisha, Zeqirja Neziri, Myzafere Mustafa, Denmish Shala, Anton Nikë Berisha
etj, kurse studiuesja Nevrije Bislimi Ismajli ia ka kushtuar një studim të tërë
monografik këtij personaliteti me titullin "Anton Çetta, mbledhës dhe
studiues i folklorit". Janë studiuesit e mësipërm të letërsisë gojore që e
radhisin Anton Çettën në rreshtat e parë të folkloristëve më të mëdhenj të
traditës sonë, si arbëreshët De Rada apo Dhimitër Kamarda, apo siç janë Zef
Jubani (Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare, Trieste 1871),
Thimi Mitko ("Bleta shqiptare", Aleksandri 1878), Spiro Dine
("Valët e detit", Sofje 1908), apo Shtjefën Gjeçovi, që konsiderohet
i pari folklorist që mblodhi në mënyrë sistematike e shkencore letërsinë
gojore, siç bëri me "Kanunin e Lekë Dujkagjinit" (1933, vepër
postume), që nisi ta botojë fillimisht nëpër revista prej vitit 1898 e deri sa
vdiq. Aty te kjo lagje hyn edhe Vinçenc Prennushi, i cili më 1911 boton me
ndihmën e arkeologut dhe historianit Carl Patsch në Sarajevë “Visaret e Kombit,
Kangë gegnishte”. Të shumët janë edhe folkloristët e revistave shkodrane si
"Hylli i dritës e "Leka", "Albania" e Konicës etj.
Këta autorë dhe folkloristët tjerë të huaj, si Johan Georg fon Han (1811-1869),
Karl Hajnrih Teodor Rajnholt (1810-1880, Xhuzepe Pitre (1841-1916), Ogyst Dozon
(1822-1891), Jan Urban Jarnik (1848-1923, Gustav Majer (1850-1900), Holger
Pedersen (1867-1954), Lui Jasint Hekard (1814-1866) etj, i ligjëronte me
respekt e përkushtim në shkrimet e tij e në ato të katedrave shkencore e
albanologjike. Kure studiues të tjerë, si studiuesit Sabahudin Cena E Myrvete
Dreshaj Baliu, ligjërojnë në punime të posaçme për figurën e Anton Çettës në
fushën e oratorisë shqiptare.
Është
ogur i mirë lajmi për botimin e kompletit të veprave të Anton Çettës, në
25-vjetorin e tij të vdekjes së tij.
2.
Në
të dy epokat e tij, në atë të mbledhjes e studimit të folklorit dhe në atë të
Pajtimit të Gjaqeve, Anton Çetta ka ditur t'i zgjojë prirjet më të mira të
popullit tonë. T'i zgjojë në çastet kyçe e kritike, për hir të një perspektive
ndriçuese më të gjerë e më të qartë: që kjo ndërgjegje të ngrihet në shkallë më
të lartë të vetëçlirimit nga plagët e së kaluarës. Është rruga e gjetjes së
vërtetë të vetvetes. Në doke e zakone, në krijimtari shpirtërore e në traditat
tona. Nëse te Epoka e tij e Mbledhjes së Folklorit ai dëshmonte pasurinë,
urtinë, bukurinë e papërsëritshme të letërsisë gojore, thellësinë e mendimit
kombltar aq sa edhe universal, aspiratat e thella të shpirtit nacional; Te
Epoka e tij e Pajtimit kryepërvojat e tij për një gjysmë sekulli rreshti i
shndërroi në Kryeveprën tjetër, në atë të Pajtimit të brendshëm, në mënjanimin
e heqjes së plagës së gjakderdhjes përmes hakmarrjes e gjakmarrjes. Është
shembulli aq fisnik e aq thelbësor i vetëdijes sonë kombëtare. Te Epka e Parë
ai ndërtoi komunikimin e drejtpërdrejtë me njerëzit, te e dyta këtë komunikim e
ngriti në çlirim të brendshëm, në një proces të dhimbshëm e aspak të lehtë. Në
të parën ai ngriti në nivele më të larta njerëzit e urtë të popullit me urtitë
e krijimet e tij nëpërmes meseleve, fjalëve të urta apo pleqnive dhe
frazeologjizmave (shih: "Bisedat dhe kallëzimet alegorike në
Drenicë", në revistën "Përparimi" nr 7-8, 1959, Prishtinë dhe
"Disa frazeologji të Drenicës si rezultante të anekdotave
popullore"); në të dytën bëri zgjedhjen e vështirë, të transformimit të
brendshëm të një shkalle më të lartë të kësaj vetëdijeje me veprat e pajtimit
që çoi në pajtim e bashkim nacional shpirtëror. Gjithë ajo masë njerëzish e
tkurrur dhe e strukur nëpër kulla e shtëpi të errëta gjatë dekadave të së
kaluarës, përbuzej si mendjetrashë, "katundareske", maloke... kurse
Anton Çetta mendoi ndryshe: te ata ai gjeti një botë të pasur synime e dëshira
për shkollim e emancipim, të pajisur me qëndresë e krenari të pazakontë
kombëtare. Aty, nëpër kallëzimtarëve të shkathtë, ndodh ballafaqimi i botës
reale me botën përrallore, ballafaqimi i urtisë me ligësitë e sunduesve e
shtypësve. Aty, te ato kulla, ai dëgjoi këngën folklorike epike e lirike,
përjetoi dasmën tonë dhe rrëfimet për tragjeditë historike, pa dramat e
gjallimit dhe dëshmitarë e tregimtarë të zhdërvjelltë me aftësi krijuese. Dhe
kur hartonte vëllimet me lëndë folklorike, ai zgjedh majat: ato që kondensojnë
përvojat, prirjet krijuese të gjeniut popullor, vlerat e ngritura artistike.
Mandej vinte dija: tipologjizmi i rrënimtarëve popullorë e i zhanreve të
papërsëritshme popullore shqiptare.
Nëse
te Epoka e Parë ai u bë njohësi më i mirë i Kanunit, ai në vitet '90 solli
Kanunin e Pajtimit që i dha fund gjakmarrjes. I rryer edhe vetë si rrëfyes
anekdotash e pelqnish nëpër odat tona gjatë Epokës së parë; ai në të dytën do
të shndërrohet në prijësin e oratorin e mirëfilltë që i flet masës milionëshe
shqiptare.
Po
fliste dhe po vepronte Njeriu i Popullarizuar. "Popullarizimi është një
nga virtytet më të larta të Anton Çettës", shprehet studiuesi Mehmet
Rukiqi. Ishte Njeriu që e njihte populli, njeriu që e njeh popullin e tij.
Njeriu që admirohej. Dhe ky zgjim shpirtëror po bëhej me ato mjete që i kishte
farkëtuar vetë ky popull; ai po e shëronte shpirtërisht e në trup vetveten ne
dorën e njerëzve të tij.
Ai
i kishte përvetësuar së thelli mendimet e Aristotelit për gojëtarinë:
"Është thjeshtësia që e bën të paarsimuarin më veprues e më efektiv se sa
të arsimuarin, kur i drejtohesh audiencës popullore – i detyron ata, siç na
thonë poetët, 'më joshës dhe ua magjeps më shumë veshët turmës'. Njerëzit e
arsimuar vendosin parime të gjera e të përgjithshme; njerëzit e paarsimuar
argumentojnë e debatojnë mbi njohuritë e përbashkëta dhe nxjerrin konkluzione
të qarta.... Oratori duhet të mendojë për përmbajtjet, për të cilat dëgjuesit e
tij me të vërtetë krijojnë tashmë pikëpamje dhe ato që janë pikëpamje, dhe
pastaj ato duhet të shprehen, si të vërteta të përgjithshme, të njëjtat
pikëpamje mbi këto tema të njëjta. Ky është një avantazh i përdorimit të
maksimave."Prandaj energjia e tij pajtuese gjeneronte një Tjetër Kohë, një
Tjetër Epokë që po formohej me ndërgjegje të re historike, për të krijuar një
të ardhme të re. Asnjë kornizë ligjore a gjyqësore nuk do të mund ta kryente
atë kryevepër kohe, se ç'e kishin kryer zemrat dhe mendjet e njerëzve.
"Pajtimi i vërtetë ekspozon tmerrin, abuzimin, lëndimin, të vërtetën.
Ndonjëherë mund edhe t’i përkeqësojë gjërat. Është një ndërmarrje e rrezikshme
por në fund të fundit ia vlen, sepse në fund vetëm një përballje e sinqertë me
realitetin mund të sjellë shërim të vërtetë. Pajtimi sipërfaqësor mund të
sjellë vetëm shërim sipërfaqësor" do të thoshte Desmond Tutu. Dhe sa e sa
plagë e konflikte, të fjetura me dekada e dekada, dolën në sipërfaqe, sa drama
të gjata, sfilitëse, dolën në aktin e tyre të fundit. Ishte ai kuvendimi
popullor a dialogu popullor, i zgjuar nga traditat më të mira, që doli në
sipërfaqe, doli si dialog i mirëfilltë pajtimi, me atë frymën e sinqertë,
krejtësisht të hapur, mu ashtu si aspiron bota moderne: për hapje. Ishte ajo
shenja jonë drejtuar botës: ne nuk jemi vrasës, por paqësorë! Ne nuk jemi
terroristë, por paqedashës: vrasës e me prirje gjenocidale është dikush tjetër,
me emrin Serbi.
Dhe
bota përparimtare i pa këto realitete, i ndjeu, i mirëkuptoi thellë.
Dhe
bota ndihmoi!
Është
përvoja shqiptare që iu dha botës: si arrihet një vepër historike pajtimi, së
pari me vetveten e mandej me të tjerët... Le të mësojnë të tjerët, se si duhet
pranuar diçka që është bërë gabim, se si zbulohet e vërteta, se si ndërtohen
marrëdhënie të vërteta mes njerëzve që deri dje ishin armiq e gjakësorë; se si
njerëzit flitnin me guxim, se si dinë të dëgjojnë. se si duhet dëgjuar dy palë
në vuajtje. E këtë vepër nuk mund ta kryenin politikat as politikanët. As sot
nuk munden!
Munden
me atë që krijuar urtia popullore, njerëzit që kanë jetuar gjithmonë në gjirin
e këtij populli.
Ai
kishte shumë miq, shumë bashkëveprimtarë. Mu si ai trimi i urtisë popullore:
Trimi i mirë me shokë shumë, që kishin një synim, një rrugë, një qëllim: dijen
dhe çlirimin!
Ky
ishte Antoni i Epokave.