Faleminderit
Nikë Gashaj: At Gjergj Fishta, Poeti Kombëtar
E shtune, 15.08.2020, 04:59 PM
AT GJERGJ FISHTA, POETI KOMBËTAR
Me
rastin e 80 vjetorit të vdekjes
Nga
Nikë Gashaj
At Gjergj Fishta vdiq më 30 dhjetor 1940 në Shkodër.
Ceremonitë iu bënë në Kishën e Gjuhadollit nën përcjelljen e autoritetëve më
tëlarta fetare dhe politike të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gaspër
Thaqi, arqipeshkvi i Shkodrës.Shtypi i kohës e pasqyroi tërë vdekjen e tij.
Jehonë vdekjes së tij krahas shtypit fetar dhe jo fetar në Shqipëri i dha dhe
shtypi botëror, sidomos ai italian, sepse personaliteti i Gjergj Fishtës i
kishte kaluar kufijtë kombëtarë. Impresionues ishte edhe fjalimi i Aleksandër
Xhuvanit në varrimin e tij, i cili
theksoi: Si Vetimë u përhapë an ‘e kand të Shqipërisë lajmi i idhët i
vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë
bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh
t’autorit të Lahutës së Malcisë që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e
fisit t’onë, që ka ndezë zemrat e shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetësisë. E me të drejtë i kanë thanë
Fishtës Tirteu i Shqipërisë, se, sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e
Spartanëvet për luftë, njashtu edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit ‘ e Mrrizit
të Zanave e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë
dashunin’ e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare. Nji këto dy
ideale, Atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi dhe
përparimi i saj kanë qenë polet, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e
çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e
kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit e tij, që e çmon ma mirë
veprën zamadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue
mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka
edukue zemrën e saj. Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar
epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe një edukator i rinisë s’onë. Nuk kanë
mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm artin e tij poetik, bukurin e
harmonin e vargut, rrjedhshminë e dlirsin e stilit e të gjuhës së tij, që asht
një thesar i pashterun frazelogjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së
tij, si një nektar të hyjnueshëm të bletës
attike, idealet ma të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë
e dashurinë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën.
Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën ladvimadhe të At
Fishtës. Asht historija, që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zamadh të
tij, asht letërsia e jonë, që do të
mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet
t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime
kumbimranda deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit Za-ambël të tyne; asht
djelmënija shqiptare, që ka për t’ u ushqye e për t’u vaditë me manën hyjnore
të tij; së mramit asht Shqipnija
mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që
do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet
të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.
Na të gjithë ladvimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës
të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët
e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i
caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në ket dhe, prej kah të vijojë
me iu lutë për lumnin e Shqipërisë.
Me qenëse, Fishta
ka qenë antar i rregullt i Akademisë
Italiane të Shkencave dhe të Arteve, Kryetari i asaj Akademi, Luigj Federzoni,
me rastin e vdekjes i dërgon telegram ngushëllimi Ernest Koliqit, Ministrit të
Arsimit të Shqipërisë në të cilin, ndër të tjerat thuhet: se me ndamjen nga jeta të At Gjergj Fishtës,
“Akademia e tyre humbi nji ndër pjestarët e vet më të shkëqyeshëm”.
Ndërsa, Karl Gurakuqi shprehet: “ Ky hyll i
shkëlqyeshëm u këput prej qiellit shqiptar, ky njeri i madh u nda nga mesi i
ynë, por Ai nuk do të harrohet kurr prej shqiptarëvet; Shqipnia do t’a kujtojë me mirënjoftësi,
vorri i tij do të bahet vend shtegtimi; rinia do t’a ket si shembull
atdhetaria, si udhëheqës n’idealet kombëtare, fytyrën e tij do t’a thadrojë në
mermer dhe emnin e tij do t’a përjetësoj në sheshet e qytetevet me përmendore,
për t’u lanë kujtim brezavet të ardhëm. Këto ia ka për detyrë Shqipnia, të
cilën Ai e deshti aq fort sa qe gjall e për të cilën shkrini krejt jetën e vet.
Shqipëria qe ideali i tij, për te punoi, për të vuajti e me emnin e saj në gojë
dha frymën e fundit. Për të pat këndua:
Dersa t’ muendem me ligjrue
E sa gjall me frym’ un jam.
Kurr, Shqipni, s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’ përmend’ kam! “.
Më tutje Gurakuqi, thotë: “Në qoftë se sot mburret Italia për një Dante Alighieri dhe Francesco
Petrarca, në qofttë se krenohet Albiona plakë
për një Milton e Schakespeare, Gjemanët për njëGoethe e Schiller,
Francezët për Corncille e Racine; atëherë Fishta është krenaria e Kombit tonë,
është gjenia më e naltëe fisit arbnuer, është pjella më fisnike e më e bukur e
tokës së parëvt tonë... Fëtyra e tij rrall përsëritet në historinë e
qytetërimit, emni i tij do të shkruhet me germa ari në historinë e Rilindjes
sonë, vepra e tij është monument i shekujvet të historisë kombëtare...”.
At Gjergj Fishta( 23 tetor 1871-30 dhjetor 1940) është
poeti kombëtar, dramaturg, prozator, estet, publicist, pedagog, klerik dhe
politikan. Lindi më 23 tetor 1871, në fshatin
Fishtë të Zadrimës, në paralagje të Shkodrës. Ndoqi shkollat françeskane në
Troshan dhe Shkodër. Më 1886 u dërgua nga françeskanët në Bosnjë – Sutjeskë,
Livno dhe Kreshevë, ku studioi telogji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos
latinishten, italishten dhe kroatishten.
Më 1894 u shugurua prift dhe u pranua në Urdhërin
françeskan. Po atë vit u kthye në Shqipëri dhe filloi punën si mësues në
Kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famulltar në fshatin Gomsiqe.
Fishta u emërua në vitin 1902 drejtor i Gjimnazit
françeskan në Shkodër, i cili qysh prej themelimit të tij në vitin 1861
drejtohej nga të huajt. Me ardhjen për drejtor, Fishta në shkollë bëri shtiemen
e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi. Pra, zëvendësoi italishten me shqipen, për
herë të parë si gjuhë në shkollë.
Nën drejtimin e tij shkolla mori një hov të ri -Shkolla e
Patër Gjergjit – kështu e quajshin shkodranët. Ajo u bë qendra e atdhetarëve,
ku në mbrëmje mbledhshin rinia e qytetit për të marrë këshilla e mësime nga
goja e Mjeshtrit t’ idesë kombëtare Gjergj Fishtës.
Një kontribut jashtëzakonisht të madh Fishta e dha si Kryetar i Komisionit për
hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit (Bitoli i
Sotëm-Maqdonia e Veriut) , më 1908.
Rëndësia e madhe e Fishtës është si sekretar i
përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, më
1919-1920. Po ashtu në zgjedhjet e qershorit 1921, Gjerg Fishta zgjedhet
deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Prandaj, është me rëndësi
angazhimi i tij politik për përfaqësimin
dhe artikulimin me dinjitet të interesave të popullit dhe të shtetit shqiptar.
Fishta ka meritë të madhe për mbrojtjen cilësore të
interesave të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes së drejtave njerëzore të
vëllëzëve shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, si pjesëtar i delegacionit
shqiptar në Konferencat ballkanike: 1930 në Athinë, 1931 në Stamboll, 1932 në
Bukuresht dhe më 1933 në Selanik.
Kontributi i madh i Fishtës është si bashkë themelues dhe
antar i Shoqërisë letrare “Bashkimi” në Shkodër, më 1899, qëllimi i së cilës
ishte zgjimi kombëtar i popullit me anë botimesh në gjuhën amtare.
Fishta së bashku me patriotin Luigj Gurakuqin formuan
“Komisin Letrare”, në Shkodër, më 1916, e cila kishte për qëllim me i vë
themelet e një gjuhe të përbashkët letrare të shqipes.
Fishta duke iu mbajtë gjithnjë parimit të vet themelor se
shtypi asht arma ma e mirë për të përhapë mendimet, e mjeti ma i përdorshëm për
t’i çelë syt popullit, themeloi revistën letrare, filozofike dhe diturore
“Hylli i Dritës”, më 1913. Po ashtu, më 1916, themeloi dhe drejtoi gazetën
politike-letrare “Posta e Shqypnisë”. Përveç, këtyre, për një kohë të gjatë
drejtoi dhe revistën “Zani i Shdout”.
Në vitin 1923 Shoqëria “Rozafa” organizoi në Shkodër një
ekspozitë pikturash kombëtare. Në këtë Ekspozitë, Fishta paraqiti 24 copë
piktura origjinale të tij të punuara me një mjeshtri aq të madhe sa disa prej
tyre u miratuan nga Akademia e Vjenës.
Zotësia e Fishtës si poet i cili ka lënë emër pothuaj në
të gjitha gjinitë dhe zhanret e krijimtarisë letrare shprehet sidomos në
kryeveprën “Lahuta e Malcisë”, në të tridhjetë këngët e së cilës poetizohet
historia e popullit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit 1878 e deri në pavarësinë e
Shqipërisë më 1912. Në këtë vepër Fishta këndon luftën e popullit shqiptar për
pavarësi të zhvilluar në dy drejtime: Kundër Perandorisë Osmane në periudhën e
shthuerjes së saj, dhe luftës kundër coptimit të truallit etnik shqiptar nga
fqinjët.
Gati e tërë lënda me të cilën Fishta ndërtoi këtë vepër,
është nxjerrun nga jeta e pasuria shpirërore e popullit shqiptar (Martin
Camaj). Kot mundohen Grekët e sotëm – thotë Faik Konica-të gjejnë në
letërsinë e vet një vepër më të plotësueme se “Lahutën”.
Eqrem Çabej
thekson: “Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të
Shqipënisë, ajo nuk do t’ishte çka është pa njohjen e thellë të vendit nga ana
e poetit, dhe nuk mund të kuptohet pa njohur vëndin dhe njerëzit e Shqipërisë.
Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia
përligji në trajtë të fisnikruar të artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra
besnike, fytyra e kthjelltë e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër,
burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruaj gjer sot jeta
shqiptare”.
Lasgush Poradeci thotë: “Fishta është
shkëmb i tokës dhe shkemb i shpirtit shqiptar”.
Fishta nihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti
më i përzëmrt i këtij populli. Ai ka qenë figura emblematike e gjuhës dhe
kulturës shqipe dhe apostulli i Atdheut të vet. Prandaj, ai është nderi dhe
krenaria e shqiptarisë.Ai e meriton këtë ndrim dhe vlerësim. Është një botë e
tërë që e ka nderuar si të tillë, që e ka cilësuar si poetin më tëmadh të
kombit shqiptar.
Poezitë e tij epike, lirike e satirike, jo vetëm u
njoftën, u studiuen dhe u çmuan në tërë botën shqiptare, duke lënë vragë të
pashlyeshme, por jehuan edhe në botën
letrare të jashtme, duke e bë të njohur emrin shqiptar ndër rrethet
intelektuale të botës së qytetëruar.
Gjergj Fishtën e nderoi dhe ngriti bota shqiptare, por
dhe bota e jashtme duke i dhënë atij dekorata e tituj nderimi. E dekoroj Mbreti
i Austro-Hungarisë me Ritterkreuz (1912), Papa Piu XXII me Medaljen e
Meritimit(1925), Paria e Përgj. E
Urdhnit Françeskan me titullin Lector Jubilatus(1929), mbreti i Turqisë me
dekoratën Mearij, kl.II (1912) dhe Greqia me dekoratën Foenix (1931).
Mirëpo, sikurse është e njohur, Fishta në periudhën e
sistemit komunist, për arsye politike dhe ideologjike, u ndalua më se dyzet
vjet nga mësimi në shkolla e në universitete, si dhe nga botimi dhe studimi në
trojet shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe në Luginë të Preshevës.
Kjo ndalesë bëri që disa gjenerata të mos kishin mundësi ta njohin këtë figurë
të madhe të kulturës shqiptare.
Pas rënjes së komunizmit në Shqipëri, Fishta përsëri
këthehet në institucione arsimore, kulturore dhe shkencore pët t’u mësuar dhe studiuar, por jo dhe sa duhet.
Prandaj, ekziston nevoja për njohjen më të mirë të gjeneratave të reja me
veprën e rëndësishme letrare-artistike të tij, si dhe me kontributin e madh të përgjithshëm të Fishtës
për kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.