Faleminderit
Saimir Lolja: Antonio Bellushi, ngjithja në majë e një arbëreshi
E enjte, 02.07.2020, 09:39 PM
Joseph
Dioguardi, Antonio Bellushi, Ibrahim Rugova, Nju Jork 1990
ANTONIO BELLUSHI,
NGJITJA NË MAJË E NJË ARBËRESHI
Nga
Saimir Lolja
Arbërit
e jugut dhe mesit të Gadishullit Ilirik filluan zhvendosjen në Gadishullin
Apenin dhe Siçili më së shumti në shekujt XV-XVI me qëllim që të shmangnin
shfarosjen prej hordhive osmane-tartare (mongole)-arabe. Dallohen largimet e
mëdha pas rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Koronës në More në vitet
1533-1534. Si e fundit zbritje e madhe arbëreshe qe ajo e vitit 1744 në Villa
Badessa afër Peskarës. Fisnikët e tyre arbërore bënë marrëveshje të
dokumentuara me principatat vendore në Gadishullin Apenin. Për shembull, një
marrëveshje e atillë për qytezën e Frasnitës, ku lindi Antonio Bellushi, daton
në vitin 1490. Në Italinë jugore janë 136’000 arbëreshë në 55 fshatra që akoma
flasin Shqip, ndërkohë që 182'000 të tjerë në fshatra të tjerë nuk e flasin
Shqipen. Shkaku kryesor për këtë gjendje mbetet mungesa e shkollave Shqipe.
Arbëreshët, veç atyreve të ardhur, janë kudo në Itali Ata kanë lënë gjurmë kudo
në historinë e Gadishullit Apenin në çdo fushë të jetës, kulturës, fesë, të
shtetit e ushtrisë, në të shkuarën e në të sotmen.
Rasti
i arbëreshve në Itali të Jugut, përfshirë edhe Siçilinë, që nga ana fetare janë
të krishterë ortodoksë tregon se të parët e tyre që erdhën aty prej jugut të
Gadishullit Ilirik 300-600 vite më parë flitnin e luteshin Shqip bashkë me
priftërinjtë edhe në kishat e tyre. Domethënë priftërinjtë e tyre edhe kanë
lexuar e vazhdojnë ta lexojnë biblën e shkrojtur në Shqip edhe kanë shkrojtur
Shqip. Nga shekulli XVII e deri në vitin
1867 ata shtyheshin me dhunë që ta kthenin ritin fetar nga lindor ortodoks në
atë katolik i cili kryhej në italisht. Ata që ndryshuan ritin u tretën në
italianë. Ata që u mbajtën fort pavarësisht dhunës ruajtën vetëdijen dhe gjuhën
Shqipe. Sepse, ata nëpërmjet kishës së tyre lindore ortodokse kanë ruajtur gjuhën
Shqipe dhe vetëdijen arbëreshë ngase shkolla Shqipe nuk kanë patur e nuk kanë
edhe tani. Eparkia e Ungrës (Dioqeza e Lungros) në Kalabri për arberëshët e
ritit bizantin u themelua vetëm në vitin 1919. Dhe viti 1937 pati themelimin e
Eparkisë së Horës së Arbëreshve (Piana degli Albanesi, ita.) në Siçili dhe
shpalljen si nën-peshkopatë të Abacisë së Shën Mërisë në Grottaferrata afër
Romës. Në këto Eparki të krishtera ortodokse me peshkop arbëresh dhe pjesë e
Papatit katolik të Romës flitet e përdoret gjuha e njësuar Shqipe.
Gjuha
Shqipe filloi të shkruhej për herë të parë tek arberëshët në vitin 1736 kur u
themelua Kolegji i Shën Adriani në San Benedetto Ullano në Kalabri dhe Seminari
Arbëresh i Palermos në Siçili. Kolegji Shën Adriani botoi tekste, programe e
plane shkollore për mësimdhënien e mësimmarrjen e gjuhës Shqipe. Në vitet
1898-1919 mbi 100 shqiptarë nga Gadishulli Ilirik morën mësimet në Kolegjin e
Shën Adrianit dhe më pas lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombtare e
shtetrore shqiptare. I ndrituri Jeronim De Rada qe nxënës dhe më pas dha mësim
në atë kolegj. Kurse Luigj Gurakuqi, Zef Serembe, Bernard Bilota, Zef Jubani,
Thimi Mitko, Aleksandër Xhuvani e Kostaq Cipo qenë nxënësit dhe bashkëpunëtorët
e tij. Gazeta “Flamuri i Arbrit” që botonte Jeronim De Rada ishte gazeta e parë
periodike shqiptare që bashkoi shkollarët shqiptarë të kohës dhe shpërndahej
kudo ku kishte shqiptarë në botë.
Antonio
Bellushi lindi në Frasnita (Frashëri) të Kalabrisë më 15 Shtator 1934. Shumë
prej arbëreshve të Frasnitës dhe qytezave përqark Ejanina, Civita, etj. janë
vendosur aty rreth vitit 1490. Qyteza e Frasnitës ka nxjerrë shkollarë,
shkrimtarë e priftërinj që bënë emër. Një nga ata është edhe i diplomuari i
Kolegjit të Shën Adrainit në shekullin XIX i madhi arbëresh Vincenzo Dorsa.
Antonio
Bellushi u diplomua për Filozofi e Teologji në Universitetin Gregorian të Romës
në vitin 1962. Në ata vite u miqësua me profesor Ernest Koliqin dhe shkrojti në
revistën e tij “Shejzat”. Në vitet 1962-1965 ai qe prift në qytezën arbëreshe
të Shën Sofisë së Epirit, ku të parët arbëreshë patën ardhur nga Epiri në vitin
1472. Në vitet 1965-1973 ai qe prift në qytezën e Shën Konstadinit, ku
arbëreshët ishin me origjinë nga Morea. Aty ai botoi revistën “Vatra Jonë” në
Shqip, italisht e anglisht, e cila pasqyronte historitë, zakonet, këngët,
veshjet e tyre arbëreshe me origjinë nga Morea.
Në
vitet 1973-1979, Antonio Bellushi qe famullitar në qytezën Falconara Albanese.
Atje krijoi me të rinjtë një ekip i cili jepte koncerte në fshatrat arbëreshe
përreth. Në vitet 1979-2000 ai qe famullitar për 5000 banorët arbëreshë të
qytetit të Kozencës. Atje, ai themeloi në vitin 1980 revistën gjashtëmujore
“Lidhja” e cila vazhdoi deri në vitin 2009. Revista “Lidhja” u kthye në një
perlë që madhësohej me kohën nëpërmjet shkrimeve të shkollarëve arbëreshë për
gjuhën Shqipe, kulturën, trashëgiminë dhe historinë e arbëreshve kudo të ishin.
Qëkur
nisi të ushtronte detyrën e priftit, Antonio Bellushi filloi të studionte e
regjistronte jetën e trashëgiminë arbëreshe, këngët, vallet, veshjet,
shprehjet, fjalët e urta, gojëdhënat, përrallat, martesat, ritet fetare,
fisnikërinë, etj. Ai thesar i grumbulluar më pas filloi të botohej i plotë dhe
rregullisht në revistën e tij “Lidhja”, e cila u shkonte arbëreshve kudo të
ndodheshin në botë. Gjurma e tij e ngjitjes lart e më lart është formuar nga 60
vjet punë kombtare arbërore me një sasi e cilësi të pakryer nga njeri tjetër
dhe e bërë drejtpërsëdrejti në terren. Biblioteka e tij tani është një thesar i
mbajtur pastër e i rradhitur dhe është e hapur për sa më shumë studentë e
profesorë shqiptarë nga kudo ku janë. Biblioteka e tij përmban mbi 10’000
botime që kanë të bëjnë me kulturën, artin, gjuhën e historinë
arbërore-shqiptare dhe grumbulluar aty nga të katër anët ku ka
arbëreshë-arbanas-arvanitas-shqiptarë. Atë, për shembull, e kanë vizituar
shkollarë shqiptarë nga Tirana e Prishtina që nga viti 1977 dhe tani dhjetra
studentë shqiptarë në vit nga Universiteti i Tetovës.
Arbëreshët
kanë biblioteka e muzeume, grupe muzikore e valltare, organizojnë festivale,
kanë libra, revista, vjershëtarë, shkollarë dhe faqe interneti në Shqip. Në
shtëpinë e arbëreshit mendohet, flitet, shkruhet e këndohet vetëm Shqip.
Arbëreshi këndon këngë popullore me çdo mik që u hyn në shtëpi. Malli për dheun
e Atit dhe të Amës nuk shteron. Ai e ka Besën të skalitur në mendje e sjellje.
Antonio Bellushi krenohet se gjatë tërë jetës së tij ka ndjekur këshillën e
babait Xhovani Bellushi që të ishte një arbëresh i mirë. Ai kujton të ëmën Teresa
Policastro Bellushi që, sipas fjalës së saj, kur vdiq u varros me kostumin
arbëresh të martesës.
Në
gjurmën që Antonio Bellushi ka skalitur
duke u ngjitur lart janë edhe 40 vite punë kombtare, që nga viti 1965,
me arbërorët-arbanitët-arvanitët e Greqisë. Ai shkonte në katundet arvanitase
në tan Greqinë dhe merrte pamje, regjistronte të folmet, vjershat, këngët,
fjalët e urta, mallkimet, përrallat, zakonet, gojëdhënat, bisedat, në gëzime e
zi. Pastaj ato ai i botonte në revistën “Lidhja” dhe ua dërgonte me mijra kopje
në duart e tyre. Arvanitasit i shkruanin letra atij në Shqip. Ai i pyeste ata
imtësisht, si bie fjala: Si e bëni bukën dhe djathin? Si i thoni kësaj, asaj,
atij? Si i punoni vreshtat dhe arën? Si quhen fshatrat, malet e kodrat përqark?
Si përshëndeteni? Si uroni, këndoni e për çfar?
Përgjigjet
që mori nga 900 fshatrat e shpërndarë në tan Greqinë ishin të njëjta, gjë që
domethënë vërtetonte se kultura arbërore-arbanite-arvanite-shqiptare është e
njëjtë kudo në Greqi. Dhe se ajo, bashkë me emrat e fshatrave, ishte njëlloj me
kulturën shqiptare në trojet e tjera arbërore të Gadishullit Ilirik dhe
arbëreshve në Italinë jugore e Siçili. Besa, miku, mikpritja, mirësia “bukë,
kripë e zemër” janë të njëjta kudo ku ka arbër. Këtë nuk e mbulon as ndryshimi
i 2/3 të emrave të fshatrave arbërorë në Greqi në emra jo-arbërorë dhe as dhuna
policore e psikologjike e shtetit dhe kishës greke kundër vetëdijes e kujtesës
kombtare arbërore-arvanitase.
Antonio
Bellushi dhe Aristidh Kola e shkollarë të tjerë arvanitas u bënë si vëllezër me
bashkëpunimin midis tyre. Arvanitasit dhe arbëreshët e jugut të Italisë kanë të
njëjtën mënyrë të folmes së Shqipes. Një nga botimet e Antonio Bellushit është
edhe libri “Arbërorët-arvanitë, një popull i padukshëm” posaçërisht për ta.
Arvanitasit nuk mund të jenë pakicë në Greqi sepse ata janë vendas dhe
pasardhës të arbërve të lashtë, edhe të Athinës apo Spartës së hershme.
Shpjegimi i hyjnive në përrallat “greke” bëhet vetëm nëpërmjet gjuhës Shqipe
ndërkohë që faltoret më të vjetra të Zë-usit gjendeshin në rajonin E Pirit. Një
shembull domethënës është qyteza emërmadhe e Maratonës në lindje të Athinës.
Afër saj është një varrezë përmendore me emrat e 192 arbërve të lashtë të rënë
në betejën kundër persëve në vitin 490 p.e.s. Një nga ata emra ka mbiemrin
Bellushi.
Antonio
Bellushi krijoi bashkëpunim me arbëreshët kudo ku ndodhen në botë, qoftë në
Argjentinë, Ukrainë, Bullgari, Kroaci, ShBA, Brazil, Uruguaj, Australi, Rumani,
Zvicër, Gjermani apo Turqi. Ai qe i pranishëm në shtëpitë e tubimet shqiptare
në Uindsor e Toronto të Kanadasë, në Detroit, Çikago, Boston, Filadelfia e Nju
Jork të ShBA. Ai qe pjesë e lëvizjes së madhe kombtare botërore për largimin e
pushtuesve serbë nga Dardania (Kosova, serb.) në fund të shekullit XX. Ai bashkëpunoi
shumë me Jozef e Shirley Cloyes Dioguardin, Lidhjen Qytetare
Shqiptare-Amerikane, dhe veprimtarët e ndryshëm kombtarë në ShBA, Europë,
Australi, si dhe me udhëheqësit nga Prishtina.
Në
Dardani ai qe për herë të parë në vitin 1970 kur mori pjesë në seminarin për
gjuhën, letërsinë e kulturës shqiptare organizuar në Prishtinë. Në vitin 2003,
ai bashkë me Robert Elsin vizituan varrezat e dëshmorëve në Prekaz të Drenicës.
Vizita e tij më e fundit në Dardani ishte në Shtator 2018. Vizita e tij e parë në
Tiranë qe në Shtator 1972 i ftuar nga Akademia e Shkencave për të marrë pjesë
në Kuvendin Kulturor Ilir. Vizitën e dytë e kreu në Nëndor 1992 dhe në vitet
1993-2018 ka shkuar pothuaj çdo vit në Shqipëri. Tanimë edhe si qytetar
shqiptar, ai mori pjesë në votimet e vitit 2015.
Ndriçimi
e përparimi i shqiptarëve të kudondodhur u erdhi e u vjen nga rrënjët
arbëreshe, si para 200 vjetësh ashtu edhe tani. Arbëreshët kanë nevojë për
shkolla në gjuhën Shqipe ku mësimi në Shqip të jetë i detyrueshëm me ligj për të
gjitha vitet e lëndët mësimore. Është përgjegjësia e qeverisë shqiptare që në
marrëveshje me Italinë, e cila e njeh me Kushtetutë bashkësinë kombtare
arbëreshe, të organizohen për hapjen e mbajtjen shkollave Shqipe dhe dërgimin
aty të mësuesve shqiptarë. Në paralel, është përgjegjësia e qeverisë shqiptare
që të kërkojë ndihmën që do i jepet për këtë gjë edhe nga Vatikani, sepse
kishat ortodokse arbëreshe ku flitet e meshohet në Shqip janë pjesë e tij.
Përkujdesje
për rrënjët arbëreshe domethënë pyll me lisa arbërorë të shëndetshëm kudo,
sepse shpirti i Arbrit rron përjetë. Zëri i arbrit dëgjohet pa ndalim sepse
kumbimi i tij nuk shuhet. Një rrënjë domethënë një gjak e cili domethënë një
komb, një gjuhë, një besë.
Presidenti
i Kosovës Ibrahim Rugova dekoron Antonio Bellushin me Medaljen e Artë të
Lidhjes së Prizrenit, Prishtinë, 2003
Grupi
folklorik nga Zymi i Dardanisë tek bibloteka e Antonio Bellushit
Kuvendi
i parë për Kosovën - Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Antonio Bellushi, Nju Jork
1990
Në
Frasnitë (Frashër) të Kozencës
Antonio
Bellushi dhe Robert Elsie te shtëpia e Adem Jasharit në Prekaz të Drenicës,
Gusht 2003
Profesor
Ernest Koliqi nderon Antonio Bellushin ditën që u urdhërua si prift, Romë,
Nëntor 1961
Selia
e Shoqatës Kulturore Arbërore Marko Boçari. Aristidh Kola, Antonio Bellushi dhe
arvanitas të tjerë, Athinë 1984
Universitarë
shqiptarë që jetojnë në Zvicër që kryejnë praktikën në biblotekën e Antonio
Bellushit, 2017