Faleminderit
Ibrahim Kabili: Dërvish Shaqa - Figurë legjendare e këngës
E hene, 21.09.2020, 08:34 PM
Dërvish Shaqa - Figurë legjendare e këngës folklorike shqiptare, atdhetar i flaktë
Nga
Ibrahim Kabili
Dërvish Shaqa qe dhe mbetet një emër i madh. Ai qe një artist i lindur, një këngëtar potent, një rrapsod me zë të ëmbël dhe kumbues, një artist që "pushtonte" skenat me sharmin dhe paraqitjen fizike e artistike të tij. Dërvishi qe mjeshtër i sharkisë dhe çiftelisë, qe modeli i një patrioti dhe atdhetari të regjun dardan. Si nxitje për të bërë këtë shkrim modest për rrapsodin më të madh shqiptar të të gjitha kohrave, Dërvish Shaqa, qenë kujtimet e mija të fëmijërisë. Qenë interpretimet virtuoze të tij, që na i përcillnin në ato vite, Radio Tirana, Radio Shkodra, Radio Kukësi dhe më vonë RTVSH-ja. Dërvish Shaqa me repertorin e larmishëm të këngëve të tij të bënte për vete, dhe mjafton ta ndiqje vetëm një herë dhe shumë shpejt do ishe pjesë e " perandorisë" së tij të këngës e muzikës. Teksti i këngëve, zëri melodioz, larmia tematike e këngëve dhe interpretimi i tyre nga Dërvishi të tërhiqnin si me magji dhe nuk mund të shkëputeshe më kurrë. Këngëtari, rapsodi dhe instrumentisti Dërvish Shaqa, t'u "impononte" me interpretimin e këngëve të tij. Kështu ndikoi dhe te unë në vitet '70 dhe u bë edhe për mua e shumë të tjerë një rrapsod shumë i dashur dhe i pa zevendësyeshëm. Me këngët patriotike, me këngët kushtuar ngarjeve të mëdha historike, me këngët për herojtë mu imponua dhe mua si rrapsod. Më "mbërtheu" pas këngëve të tij, shpesh më bëri dhe të "lotoj" nga emocionet që ai ngjallte me këngët e tij.
Dërvish
Shaqa lindi në shtator të vitit 1912 në Llukë të Epërme të Deçanit në Kosovë.
Lindi në vitin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për fatin e trishtë
,Kosova, vendlindja e tij mbeti jasht kufijve të shtetit amë, jasht Shqipërisë.
Kjo padrejtësi e madhe e Fuqive të Mëdha, ngjalli pakënaqësi dhe indinjatë te
shqiptarët, padyshim dhe te familjarët e Shaqes. Dërvishi lindi në një familje
patriotike dhe atdhetare. Ajo u dallua në luftërat kundër pushtuesve serb e
malazez. Me këtë frymë u lind, u rrit, u edukua dhe u brumos dhe djaloshi i ri.
Kjo frymë ndikoj fuqishëm në veprimtarinë patriotike të mëvonshme të Dërvishit.
E ëma e Dërvishit qe mbesa e Sulejman Vokshit. Si e tillë, ajo i forcoi dhe më
shumë ndjenjat atdhetare të djalit të saj, Dërvishit. Sa më shumë kalonin
vitet, aq më tepër, shtohej urrejtja ndaj pushtuesit serb, aq më shumë
gjendeshin rrugë, forma qëndrese, mënyra për të kundërshtuar këtë regjim
gjakatar. Djaloshi i ri duke pasur një edukim të tillë atdhetar, filloj të
lidhet me grupet dhe rrethet patriotike të kohës. Kundërshtoi regjimin dhe u
bashkua me grupet kaçake. Një nga format e qëndresës qe dhe kënga. Dërvishi
tanimë qe formuar si këngëtar, dhe qe bërë një rapsod i njohur. Ai u formua dhe
u skalit në odat e burrave. Ai ra në sy të organeve të sigurimit
serbo-jugosllav dhe përndiqej nga UDB-ja dhe disa udbashë shqipfolës. Rruga e
vetme për ti shpëtuar regjimit, burgimit dhe torturave, ishte largimi dhe
arratisja jasht vendit.Te Kënga e Kamer Loshit do ta pasqyrohej kjo situatë e
rëndë për shqiptarët e Kosovës:
...Kamer
Loshi, Kamer Sejdia
Çou
bre djalë se t'ka rrethue Serbia
Po
pisket eu Kamber Sejdia
Dilni
shokë, or te qershia...
Nën
pretekstin e "mbledhjes së armëve" u dëbuan, vranë, torturuan me
qindra e mijra shqiptar të Kosovës. Qëllimi qe spastrimi etnik, zhdukja e
shqiptarëve. Situata qe tepër e vështirë, shumë e rëndë, e rapsodi Shaqja këtë
e tregon me vargjet e këngës:
...Haj
medet e çka koka kanë
Na
ra serbi o n'katër anë
N'katër
anët haj medet
Tana
armët o po na hjekë...
Kjo
situatë e keqe për shqiptarët, e krijuar nga Serbia, qe prezente për një periudhë
të gjatë në Kosovë. Për të shpëtuar veten, familjen dhe Kosovën, më 8 mars
1956, Dërvishi së bashku me Demush Nezirin dhe Adem Ramën largohen nga Kosova dhe vijnë në Shqipëri.
Largimi për to qe i dhimbshëm por nuk kishte rrugë tjetër. Shaqa la Kosovën, la
atje gruan, djalin e madh Shpendin 7 vjeç dhe djalin e vogël Aliun 6 muajsh.
Pasi erdhën në Shqipëri, vendi mëmë i'u hapi derën, por dhimbja e largimit qe
madhe. Rapsodi Shaqa këtë situatë do e përjetësonte me këngën:
...O
kur ta kthyem moj Kosovë shpinën
Hej
e hej more e lamë borë e gjetëm dimën
Gjetëm
mret moçale këneta
Hej
e heh more, buk e lot na shkojke jeta...
Ardhja
në Shqipëri kishte vështirësitë e veta. Fillimisht punoi në Tiranë dhe Elbasan,
e më pas vendoset në Rrashbull Durrës. Këtu qëndroi deri në fund të jetës së
tij. Këtu filloj një jetë të re por mendjen, shpirtin dhe zemrën e kishte te
familja në Kosovë. Në Rrashbull, krahas punës dhe veprimtarisë kombëtare,
Dërvishi krijoi një grup artistik që quhej "Grupi Kosovar i Rrashbullit".
Përgjegjës i këtij grupi qe i madhi Dërvish Shaqa. Në këtë grup bënte pjesë dhe
rapsodi tjetër me emër të madh Demush Neziri, dhe dhjetë antarë të tjerë. Grupi
i drejtuar nga Shaqa shumë shpejt u bë një "ansambël" që me repertorin
e tij të tërhiqte si një magji. Kjo dhe falë punës e përkushtimit të Dërvishit
dhe gjithë grupit.
...Moj
Shqipni mos thuaj marova
Se
djemt e tu ende janë gjallë
N'kam
janë çu rrept Kosova
E
bajnë luftën e ball për balll...
Ky
Grup qe shumë i mirë që dhe sot kur kujtohet të ringjall vetëm respekt e
nostalgji. Në vitin 1968 Grupi Kosovar i Rrashbullit mori pjesë në FFKGJ me një
program shumë të mirë. Këtu mori emër të madh dhe u veçua nga të gjithë, këtu
grupi vulosi dhe emrin e nderuar të tij. E pa asnjë dyshim figura qendrore e
grupit qe rapsodi legjendar, më i miri i të gjitha kohrave, Dërvish Shaqa. Po,
për këtë rapsod, mund të bëhet vlerësimi, edhe në shkallën sipërore...Emri i
këtij rapsodi, radhitet me emrat e rapsodëve më të nderuar të kombit si: Tom
Nikolla, Frrok Haxhia, Riza Bllaca, Sali Mani, Haziz Ndreu etj.etj.
Veprimtarinë
e tij artistike Dërvishi e filloi në vendlindjen e tij, Kosovë. Fillimisht në
oda ku veç këngës përjetohej dhe historia, ndahej drejtësia, lidhej miqësia e
ndaheshin "gjygje".
E
vazhdoi në dasma, në ato grupet artistike që nuk shiheshin me sy të mirë nga
pushtuesi serb. Në Shqipëri, ai, arriti
majat me grupin e Rrashbullit. Dërvishi me grupin e tij, por dhe në grupe të
tjera, dha koncerte në të gjithë Shqipërinë dhe në disa vende të tjera të
botës. Në Dizhon të Francës mori dhe çmimin e parë. Në Shqipëri ai gjeti një
ambient të përshtatshëm për ta zhvilluar këngën, për ta përsosur më mirë atë,
për ta venë më mirë në shërbim të atdheut, popullit, kombit të tij. Shteti shqiptar
e mbështeti Dërvish Shaqen, për të Rrashbulli qe dashuria dhe krenaria e madhe
shqiptare. Këtu ai krijoi dhe këndoi këngë kushtuar sistemit të kohës, jetës së
re, dhe arritjeve të asaj periudhe. Sa qe gjallë Dërvishi vetëm mesazhe
bashkimi mes shqiptarëve jepte...
Ai
shquhej për interpretimin e këngëve patriotike. Kënga e tij qe e mbeti
origjinale, pa deformime, e mbështetur në tabanin popullor. Shquhej për një
interpretim të veçantë. Këngë ishte me zë e vokal të pastër, që vetëm ai i
kishte. Kënga e Kosovës u bë "pronë" e rapsodit Kosovar Dërvish Shaqja. Ai ishte potent në skenë, me
trup të gjatë e të bëshëm prej kosovari, me veshje të bukur të Kosovës, me
mustaqet e gjata, me zërin burrëror, me plisin e bardhë dhe interpretimet e tij
"pushtonte" skenat dhe elektrizonte spektatorët. Me sharkinë dhe
çiftelinë e tij i këndoj Kosovës, Shqipërisë, atdheut, kombit shqiptar,
traditave tona, besës, burrërisë, punës, dadhurisë, trimërisë, jetës etj.
Ai
gjithnjë u duartrokit, u desh shumë nga publiku, u kthye e rikthye shpesh në
skenë. Ai megjithëse larg Kosovës, e mbajti gjallë këngën e saj, e mbaji gjallë
Kosovën, dhe e motivojë Atë, për beteja të reja. Me gjithë këtë krijimtari dhe
aktivitet të gjatë Dërvish Shaqa do mbetet për shqiptaret një rapsod legjendar,
një krye rapsod, interpretuesi më i mirë i të gjitha kohrave. E kjo do të
plotësohej e pasqyrohej më shumë dhe më
mirë prej tij, edhe në veprimtarinë patriotike.
Dërvish
Shaqa në gati 50 vjet karierë artistike
pati një krijimtari të madhe artistike. Ndërmjet tjerash Shaqa pati dhe
këto këngë: Këngë për Bajram Currin, N'Selanik u mblodh xhymjeti, Çohu Rexhë,
Kamer Loshi, Kënga e Azem dhe Shote Galicës, Lufta e Junikut, Isa Boletinit,
Luftojnë trimat, N'Kaçanik deri n'Boletin, Për vend tonë jemi tuj luftue, Prapë
ushtrojnë malet e Kosovës, Ali Pasha se n'bedena, Dervish Pasha po përvet, Kush
e nisi luftën ma i pari, Kan shkrep letrat për Shqipni, Hollë po qet povata n'lëndinë,
Cfar janë këto gjama që i bien era, Shumë asqer po qet pampori, N'Mitrovicë po
rreh teli, Baba mbret po e fal sabahun,
Çfar i tha Cima Vuksan Lekës, Asllan Pasha në Gjog të Bardhë, Një bylbul që po këndon në tavan, E
mirë boll e flokët e gjata, Demë Isufi Arif Povata, Kur jam kanë njëher i ri, E
mirë bolle e bardhë si pllumbi, N'dërrasë të Vekit, Adem Sadikut, Kënga e Can Maxhunit, Bec Patanit, Hasan Aga
në kamë o çu, Nak Berisha, Po pyet sulltani, Haj medet për kët Shqipni, Oj
Kosovë mriz me zana, Kënga e Isuf Idrizit, Në Vranoc pasha ka shku, Shaban
Polluzha, N'kam o çue mytesarifi, Festë të madhe ka sot Shqipëria, Të shtatë
krajlat rrehin telin, Zhuj Selmani, Ahmet Delia, Prej Podrimje po vjen haberi,
Haxhi Gashi, Moj Shqipni mos thuaj marova, Moj Kosovë trimneshë Dardane, Pyet
Kosova për një çikë, Vallja e shpatave, Por si ujë që del nga gurra, Këngë për
Hajdar Dushin, Na ra krali në katër anë, Kënga e Shaqir Igrishtës, Vrasja e
kancollozit, Kënga e Ramë Binakut, Zemra o bo sharki, Hajredin Pasha, E mirë
boll në atë stanishtë, E mirë boll syrin si rrushi, Moj e mira n'ato shpate,
Preh atë sene që ke hyrrjeti, Këngë për Maliq Pashën, Gjon Leka 20 vjeç djalë,
E mirë boll synin si rrushi, Këngë për Kadri Bajrin, E mirë boll në qafë të
sulbicës, I madhi zot ruajma vatanin, Lum e lum nana shqiptare, Tanë Kosova
mbuluar me tym, Moj e mirë që shkon për gështenja, Lufta e Junikut, Islam Aga
në teqet t'Shehit, Kënga e Zeqir Llaushës, Kur e nisëm të parën lojë, Mjerë
dada ku po t'len ty, Isuf Idrizi n'Kaporan, Priti djemt e Mumliqetit, Dërvish
Pasha një pash i vogël, Isa begu dhe Idriz Seferi, Kënga e Adem Sadik Kurmekës,
Mihanjo, Kënga e Marash Palit etj.etj.
Shaqja
i këndoj me gjithë fuqinë e shpirtit të tij figurave të mëdha atdhetare të
kombit tonë, patriotëve të shquar, luftëtarëve të Atdheut, trimave të pushkës
dhe luftëtarëve të lirisë, që bënnë një luftë e qëndresë të gjatë në histori.
Ai i këndoi vendlindjes së tij të shtrejtë Kosovës dhe nëpërmjet këngëve për
të, na sjellte realitetin e dhimbshëm të Kosovës nën pushtimin serbo malazez,
dhe qëndresës së shqiptarëve të Kosovë kundër pushtuesve serbë. Këngët e tij
ngjallin patriotizëm, atdhedashuri. Qenë një motiv më shumë për rezistencë,
qëndresë, pse jo dhe për organizim të kryengritjeve e demonstratave kundra
pushtuesit serb. Shaqa përjetësoi në këngë ngjarje e figura të mëdha historike.
Ai nuk qe vetëm një këngëtar i madh por dhe një patriot i flaktë që punoi në
shërbim të Kosovës e çështjes kombëtare. Mori pjesë në lëvizjet kaçake kundër
regjimit serb, punoi me grupe të ndryshme dhe organizoi rezistencë e formoi
baza kundër Serbisë. Hyri ilegalisht shumë herë në Kosovë ku u takua me
bashkëpatriotë, dhe u dërgoi armatime dhe bazë materiale. Porosiste njerzit që
ti shkollonin fëmijët në shkollat ushtarake dhe policore të Ish Jugosllavisë,
me qëllimin që ti afroheshin më afër armikut, dhe më pas njohuritë e marra të
viheshin në favor të luftës. E kjo ndodhi. Fara e hedhur në ato vite dha frute
shumë të mira edhe në luftën e fundit, të viteve 1998-99. Ai është dhe veteran
i luftës pasi ka marrë pjesë me veprimtarinë e tij, në shumë luftëra. Kishte
shumë shokë, miq, e bashkëpunëtorë. Një ndër to qe dhe Demush Neziri. Me të
kënduan shumë në skenë dhe patën edhe shumë
bashkëpunime. Të dy pas vdekjes janë shpallur "Qytetar Nderi" të Komunës së Rrashbull në Durrës, me
motivacionin: Për kontributin e shquar për krijimin, interpretimin dhe
përhapjen e këngës burimore folklorike shqiptare. Grupi "Dërvish Shaqa"
nga Deçani i mban gjallë këngët burimore të popullit dhe të tij. Për nder të dy
rapsodëve të shquar, në Deçan organizohet
një festivali i përvitshëm me titullin: "Eshkë e ndezur në
Shkëlzen". Për Dërvish Shaqen e Demush Nezirin janë thurur dhe kënduar shumë
këngë nga disa këngëtar si: Shaqir Çervadiku, Zenun Maksutaj, Dem Isufi dhe
Isuf Rustemi, Shpend Shaqa( i biri), vëllezërit Bajra, Beqir Gashi dhe Muj
Krasniqi, Nik Rama dhe Prek Vukaj, Adem Istrefi, Mustaf Ramaj, Shaqë Avdia, Syl
Mëhalla dhe Elmi Agushi, Mehmet Petrovci dhe Isuf Rashiti, Ramadan Krasniqi dhe
Florim Shaba, Vëllezërit Qetaj etj. Po kështu dhe disa grupe artistike si ai i:
Malishevës, Hajvalisë, Rrashbullit etj. kanë këndur këngë për To. Sa vlerë
humane, artistët nderojnë artistë!
Dërvish
Shaqa mban tituj të lartë akorduar nga shteti i kohës kur jetoi dhe punoi.
Eshtë dekoruar dhe nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Vlerësimin më të
lartë për të e ka bërë populli, që e donte e respektonte shumë.
Rapsodi
Dërvish Shaqa vdiq në Rrashbull më 13 prill 1985. Vdekja e tij shkaktoi një
dhimbje të madhe tek bashkëkombasit e vet. Ai la pas djemt e familjen e tij, që
tanimë ecin në rrugën e gjurmët e babait, la pas këngët dhe veprën e tij.
Rapsodi
Dërvish Shaqa, do mbeten përjetë, në memorjen dhe kujtesën historike të
shqiptarëve.