Faleminderit
Ibrahim Kabili: Intelektuali, mësuesi dhe drejtori që rrezatoi dije, mësoi dhe edukoi breza
E diele, 27.12.2020, 11:56 AM
Intelektuali, mësuesi dhe drejtori që rrezatoi dije, mësoi dhe edukoi breza
Nga
Ibrahim Kabili
Eshtë
privilegj të shkruash disa radhë për intelektualin e mirënjohur, mësuesin e
pasionuar, drejtorin e përkushtuar e model të zonës sonë, të ndjerin Nezir
Ibrahim Isaku. Po kështu është detyrim moral dhe përgjegjësi njerëzore për
njohjen e gjeneratave të reja kontributin, vlerat njerëzore, aftësitë
pedagogjike dhe shkencore si mësues e drejtues shkolle të Nezirit, me
përkushtimi e tij dhe humanizmin e lartë që e karakterizonte në kryerjen e
detyrave shoqërore dhe shtetërore. Duke pasur parasysh këto cilësi dhe virtute
të larta unë guxoj të bëj këtë shkrim modest për shokun tim, kolegun e punës,
drejtorin dhe këshilltarin e zgjedhur, njeriun e mirë Nezir Isaku. Me Nezirin
jemi njohur që fëmijë pavarësisht se kishim pak diferencë në moshë, kemi punuar
bashkë, e kam pasur shok, koleg dhe drejtor shkolle! Për mua dhe kolegët e mij
të atyre viteve ai qe njeriu i mirë, specialisti model, drejtuesi që udhëhiqte
e drejtonte me shembullin e tij, modeli që jemi munduar të ndjekim dhe kemi
përfituar shumë prej tij. Njerëz të tillë si ai lënë pas veprat e tyre,
kujtimet dhe mbresat më të mira. I tillë qe kolegu dhe mësuesi, tanimë i ndjerë, Neziri.
Ai
lindi në fshatin Bastar i Mesëm të Rrethit Tiranë më 24.08.1950. Lindi në një
familje të thjeshtë, të varfër por me tradita patriotike. Xhaxhai i tij,
Kalemi, ka qenë partizan me Brigadën e XXIII-të Sulmuese deri në çlirimin e
plotë të vendit. Në këtë ambient u lind, rrit dhe u formua dhe Neziri.
Ai
qe fëmia më i vogël i çiftit Ibrahim dhe Mine Isaku. Që fëmijë ra në sy talenti
për shkollën, dhe rezultatet shumë të mira në të. Shkollën fillore e filloi tek
ish godina e xhamisë dhe e përfundoj te godina e shkollës në Majë të Gurzit në
vitin 1964. Klasa e tij qe prej katër nxënësish dhe Neziri qe më absoluti, me
të gjitha notat me vlerësim maksimal. Shoku i klasës Mehmet Bajrami thekson:
"Qenë fillimet e para të shkollës pas çlirimit që kujtohen me nostalgji.
Ishim katër nxënës në klasë unë (Mehmeti), Nefail Totri, Shaban Duka dhe Nezir
Isaku. Që të katër ishim nxënës të mirë por Neziri na e merrte. Nga klasa e
parë deri në të tetën ka dalë me fletë lavdërimi. Ishte mjaft i përkushtuar dhe
i etur për dije...Kujtime të bukura, që nuk kthehen më...Nostalgji pa
fund...Krenar për një shok të tillë. I lehtë qoftë dheu për Të dhe Nefailin".
Shkollën
8 vjeçare e filloi në vitin1965, në Bastar të Mesëm, dhe me ndërprerje e mbaroi
në vitin 1968 me nota shumë të mira. Duke shfletuar arkivën personale rezulton
se Neziri ka marrë Fletë lavdërimi nga drejtorët e shkollës: Murat Shaba, Vasil
Zhaba dhe Skënder Shkreta për rezultate shumë të mire dhe sjellje shembullore
në shkollë, për të gjitha klasat e shkollës 8 vjeçare. Duke parë rezultatet dhe
përkushtimin e tij familja dhe i ati
Ibrahimi, pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike, e dërgojnë në shkollën e
mesme pranë Teknikumit Bujqësor në Golem. Vitin e parë e të dytë e mbaron me
rezultate shumë të mira dhe merr Fletë Lavdërimi. Shoku i tij i klasës në
Golem, Bilal Koçi shton: "Neziri qe
nxënës shumë i mirë, kishte rezultate të larta në mësime, ishte shumë
këmbëngulës dhe model në sjellje. Shokë
të tillë kanë vlera të rralla. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij". Vdekja e
parakohshme e tij qe humbje e madhe për familjen, për ne shokët e shkollës, dhe
gjithë ato që patën fatin të punojnë me të. Kudo që ai punoi la përshtypje dhe
mbresa të mira".
E
ndërpret shkollën e mesme në vitin e tretë pasi e marrin për kryerjen e
shërbimit ushtarak. Shërbimin ushtarak e kryen në Livadhja në repartin 103 të
këmbësorisë nga data 11.08.1969 deri më 03.12.1971. Dhe në ushtri shkëlqen,
vlerësohet me fletë nderi nga komanda e repartit. I tillë ishte, dhe do mbetet
Neziri, njeri me ideale të larta dhe një pragmatist, i lloit të tij!
Pas
mbarimit të ushtrisë punoi pak kohë si specialist në bujqësi.
Në
vitin 1973 Neziri fillon punën si mësues provizor në Shkollën 8 vjaçare Bastar
i Mesëm. Shkolla kishte nevojë për kuadro dhe ai punoi si mësues në CF dhe CL
për 6 vite. Duke kujtuar atë periudhë ai shpesh na thoshte: "Ardhja si
mësues në fshatin tim të lindjes, ishte si një ëndërr për mua. Dhashë gjithçka
munda dhe kontribova në shkollën time, në shkollën që më dha dijet e para si
nxënës, e tani unë do t'ja ktheja si mësues. Isha jasht profilit dhe më duhej
shumë punë dhe doemos kualifikimi i mëtejshëm dhe i nevojshëm pedagogjik."
Duke
pasur vizion dhe objektiva të qarta, Ai,
ndërkohë që ishte mësues vazhdoi Shkollën e Mesme Pedagogjike "17
Nëntori" në Tiranë pa shkëputje nga puna dhe e mbaroi atë në vitin
shkollor 1974-75. Gjatë kësaj periudhe si mësues dallohet për rezultate të
larta në punën me nxënësit, për përgatitje sistematike, përdorim të metodave
bashkëkohore, për komunikim shumë të mirë me nxënësit, kolegët, dhe
komunitetin.
Në
arsimimin dhe kualifikimin e mëtejshën Neziri nuk mjaftohet me kaq, ai ishte
shumë ambicioz, vendos dhe vazhdon arsimin e lartë në vitin1978 në degën e
Bio-Kimisë në Insitutin e Lartë Pedagogjik "Aleksandër Xhuvani" në
Elbasan dhe e mbaron në vitin 1984.
Duke
parë dhe vlerësuar punën plot përkushtim të Nezirit, autoritetet e arsimit e
emërojnë drejtor të Shkollës 8 Vjeçare Bastar i Mesëm në shtator të vitit 1979.
Këtë detyrë Neziri e ushtroi me shumë përgjegjësi dhe përkushtim deri në vitin
1993. Kjo periudhë është koha më e artë
e punës së tij. Unë kam pasur fatin të punoj pesë vite me të dhe të përfitoj
përvojë prej tij. Ai qe shembull për ne, printe përpara, dhe udhëhiqte me
shembullin e tij. Shkolla në kohën e tij kishte rezultate të larta falë punës
së tij. E nuk kishte si të ndodhte ndryshe pasi Ai:
•
Hartonte dhe respektonte deri në detaje, gjatë gjithë vitit, planin e
derjtorisë së shkollës dhe mbledhjet e këshillit pedagogjik.
•Falë
njohurive, përvojës që kishte, dhe punës studimore bëri një punë shumë të mirë
në kualifikimin e mësuesve në përgjithësi dhe ne më të rinjëve në veçnti. Në
atë kohë Neziri qe drejtor për nxënësit dhe mësuesit. Shumë shpejt ai u bë
drejtor i "drejtorëve". Nga shkolla e tij u emëruan më pas disa
drejtora shkollash në zonë, falë kjo ndër të tjera, dhe punës e përvojës së
marrë prej tij.
•Vendosi
marrdhënje të mira me nxënësit, kolegët dhe komunitetin dhe pajisi me bazë
materiale e didaktike shkollën për konkretizimin sa më të mirë të orës së
mësimit.
•Krahas
mësimit i kushtoi shumë rëndësi dhe veprimtarive fizkulturoro-sportive. Falë
tij u rregullua fusha sportive e shkollës.
•Vlerësonte
shumë mirë punën dhe përvojën e mësuesve me eksperiencë, dhe e përgjithësonte
tek ne më të rinjte. Dalloheshin ndër të tjerë për punën e tyre, mësuesit me
shumë përvojë Bestar Ruli, Bashkim Balluku, etj...
•Në
kolektiv Neziri krijoi shumë harmoni, dhe me tolerancën që kishte punët ecnin
mirë në vijimësi. Shpesh ndodhte që të luanim shah, deri në mëngjes në shtëpinë
e tij, duke e lënë rreth dy orë para
fillimit të mësimit, kohë kjo e "detyrueshme" për ne për përgatitjen
e ditarit te ditës që kishte nisur...pa e ndjerë ne... Deviza jonë qe mësimi
dhe në funksion të tij të tjerat...E merita përsëri, i takon Nezirit.
Gjatë
kësaj periudhe Neziri ka kryer dhe detyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të
Fshatit Bastar i Mesëm. Në këtë funksion ka ndihmuar shumë në zgjidhjen e
halleve e problemeve të popullit.
Për
fatin e keq të shkollës pas viteve'90, gjatë tranzicionit, futi
"hundët" dhe politika. Megjithëse Neziri nuk kishte dokument të
ndonjë partie, u ndëshkua si dhe shumë të tjerë, nga politika...Sa keq! Çfar
fatkeqësie! Shkolla do specialistin e përkushtuar dhe jo "partiakun"
e "militantin" e paaftë.
•Falë
Nenit 24/1 Neziri në vitin 1993 hiqet si drejtor shkolle dhe transferohet si
mësues bio-kimie në Shkollën 8 vjeçare Bastar-Murrizë.
•Në
vitin 1994-95 transferohet si mësues në Shkollën e Mesme Zall-Bastar.
•Në
vitin 1996 e heqin nga këtu dhe e emërojnë në Shkollën 8 vjeçare Mëner i
Sipërm. Si njeri me karakter të fortë e refuzon me neveri, mbetet i
papunë...Çfare"shpërblimi" absurd që i hepet njeriut të punës...Turp!
Turp dhe vetëm Turp. Kjo e "gërryente" nga brenda kolegun tonë. Fatin
e tij do e kishin dhe të tjerë... E me vete ai kishte opinionin e mirë të
njerëzve...Por kjo qe e pa mjaftueshme...
•Në
vitin 1997 për një jetë më të mirë dhe rrethanat e krijuara largohet nga zona
dhe vendoset me banim në Babrru. Po në këtë vit falë disa miqve që e vlerësuan punën e tij
emërohet mësues bio-kimie në Shkollën 8 vjecare "Vllazërimi" në
Babrru-Fushë ku punoj deri në vitin 2005.
•Në
vitin 2005 punon mësues biokimie në Shkollën Babrru Qendër.
•Nga
viti 2006 deri në vitin 2015 punon në specialitetin e tij në Shkollën 9 vjeçare
Paskuqan 1. Më datën 31.12.2015 del në pension. Vdiq më 27.07.2018 dhe u varros me shumë nderime nga familja, miq,
kolegë dhe të afërm sipas amanetit të tij, në Fshatin e tij të lindjes! Ai qe i
lidhur shumë me vendlindjen, ishte vazhdimisht prezent atje, e deshi shumë atë,
dhe nuk e braktisi asnjëherë. Dhe tani "pushon" përgjithmonë, atje në
cep të një parcele të vogël, pranë shtëpisë së tij.
Një
jetë në arsim, një jetë për arsimin!
E padyshim një rëndësi të madhe ai i kushtoi dhe arsimimit të fëmijëve të tij. Ai ka dy fëmijë një vajzë dhe një djalë, të dy të diplomuar, me arsim të lartë. Kjo qe ëndrra e tij dhe kjo u bë realitet. Bashkëshortja e tij Sajria, është mësuese, me arsim të lartë për Ciklin Fillor dhe punon prej disa vitesh në Shkollën "Hillari Klinton" në Kamëz. Ajo në bisedën me të thekson: "Falë dhe këmbënguljes së tij, unë vazhdova e përfundova arsimin e lartë. Ai nuk ishte vetëm bashkëshorti, por ishte para së gjithash shoku im më i mirë, ishte njeriu më i afërt që rrezatonte vetëm buzëqeshje dhe mirësi. Ai ishte njeriu i përkushtuar për familjen, farefisin dhe njerëzit që e donin dhe rrethonin. Neziri qe dhe atdhetar i flaktë. Ai nuk donte që djali dhe njerëzit e tjerë të afërt të emigronin jasht vendit...Por djali falë lëvizjes së lirë, dhe i "detyruar" nga rrethanat e koha, ka disa vite që punon në dhe' të huaj". Falë festave ai ishte kthyer për pushime në Shqipëri, bashkë me të fejuarën e tij, Anisën. Një vajzë shqiptaro-amerikane me banim në Çikago, që vazhdonte studimet për mjekësi. Nga fjalët e pakta gjatë bisedës ajo shprehet: "Ndjehem shumë e surprizuar nga vizita dhe qëllimi i ardhjes suaj në shtëpinë tonë këtu. Jam krenare dhe me fat që Ermali ka pasur një baba të tillë, Nezirin. Më mbetet peng që nuk e kam njohur më parë atë. E tillë është jeta...". Po e tillë është jeta me të mirat dhe të papriturat e sajë! ...Por ajo vazhdon dhe brezat zevendësojnë njëri tjetrin.
IBRAHIM KABILI
Tiranë më 24.12.2020