Faleminderit
Gëzim Loka: Avokatja e nxënësve, që admirohet e respektohet nga brezat
E enjte, 26.11.2020, 09:22 PM
Ruta Legisi (Doçi), kjo mësuese dhe veprimtare e përkushtuar
Avokatja e nxënësve, që
admirohet e respektohet nga brezat…
Nga Gëzim
LOKA
Ruta Legisi (Doçi), kur kthen kokën prapa për të
ndjekur ritmet e kujtesës, bashkë me mallin dhe nostalgjinë për motet e ikur me
ngut nëpër vorbuj të ngarkuar kohe, ndien dhe përgjegjësinë e misionit të saj
në jetë, si mësuese e përkushtuar, si grua shembullore, fisnike deri në gen, si
nënë e mrekullueshme, që ka rritur fëmijë të shëndetshëm, me etje për dije dhe
kulturë.
Më ka rastisur për pak kohë, këtu e dekada të
shkuara, të punoj me Rutën në Arrmollë, si mësues kolegë dhe tani që e takoj
pas kaq shumë vitesh, më duket sikur koha ka mbetur e ngrirë atje, në dheun e
ëmbël të karareve, ku edhe buka edhe uji kanë tjetër shije dhe jeta merr
kuptime të veçanta, krejt të veçanta, atje në prehërin e mjegullnajave të
Alpeve tona, në gji të një natyre dehëse, me përmasa të një bukurie europiane.
Ruta ka kaluar thuajse një jetë të tërë me
nxënësit, duke iu dhënë dije brezave që kanë pasuar njëri-tjetrin dhe sot kur
ndjen respektin dhe mirënjohjen e atyre që kanë kaluar nga duart e saj, nga
puna e saj fisnike, vetëmohuese e përkushtuese, ndihet krenare jo vetëm si
mësuese, por edhe si grua e si nënë, që ka ushqyer në çdo çast të jetës së saj
pasionin për dije, shpirtin e lirisë së zgjedhjes së rrugëve të jetës.
Jeta e saj, e kaluar në përballje me vështirësi
dhe sakrifica të gjithëkohshme, është një apel për t’u ndjekur sot nga të
rinjtë, që i duan gjërat gati dhe nuk ia dinë vlerën as punës, as modeleve që
iu jepet rasti të ndjekin në jetë…
Lindi në fshatin Arrëmollë Lurë ku mabroi
filloren dhe tetëvjeçaren, për të vijuar më tej shkollimin e mesëm në Shkollën
Pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë, gjatë viteve 1971-1975.
Gjatë viteve 1975-1977 emërohet mësuese në
Tejmallë dhe Arrëmollë, ku qëndron gjersa martohet dhe pas martese, gjatë
viteve 1977-1983 punon si mësuese në Shebë të Mirditës. Në vitin 1984 emërohet
mësuese në qytetin e Rrëshenit, ku punon me passion e përkushtim për 13 vjet,
gjer në vitin 1997, kur vjen familjarisht në Tiranë dhe punoi gjersa doli në
pension në shkollën nëtëvjecare “Kolë Jakova”.
Pra, kjo grua e fortë dhe mësuese pasionante, e
nisi rrugëtimin e mësueses në Lurë, në vendlindjen e saj, e vazhdoi për vite të
tëra në Mirditë, në vendbanimin e ri, në familjen e re që krijuan së bashku me
inxhinierin e Minierës Dod Legisi, (me të cilin kanë katër fëmijë dhe gjashtë
nipër e mbesa) dhe e mbylli në Tiranë, në shkollën “Kol Jakova”, në një punë
plot pasion e përkushtim, derisa doli në pension, më 30 qershor 2016.
Gjatë gjithë kësaj kohe, pas hapjes së
Shqipërisë me botën dhe me format e reja të arsimimit dhe edukimit, ka marrë
pjesë në organizata të ndryshme jo qeveritare për të drejtat e fëmijëve,
sidomos të romëve dhe egjiptianëve, për t’iu hapur atyre mundësi dhe shanse të
barabarta arsimimi dhe edukimi në mënyrë të barabartë me të gjithë fëmijët e
tjerë. Të kësaj natyre janë dhe veprimtaritë e organizuara me Prsident Bujar
Nishanin ku mësuese Ruta ka qenë një veprimtare e dalluar, me pasion dhe
intuitë, e gatshme për të bërë në çdo rast më të mirën e mundshme në interes të
fëmijëve, e veçmas të fëmijëve të pambrojtur, pa prindër ose me një prind si
dhe atyre me probleme sociale, që përballen me varfërinë, paragjykimin racor
etj.
Për shkak të këtij kontributi gjithnjë e më në
rritje, Ruta Legisi (Doçi) është zgjedhur gjatë gjithë kohës, deri sa doli në
pension, avokate e nxënësve, detyrë të cilën e ka kryer me përgjegjësinë më të
madhe, duke u bërë një interprete dhe mbrojtëse e të drejtave të fëmijëve dhe
të rinjve në të gjitha rastet.
Për shkak të kontributit të saj merr pjesë në
Kongresin e Grave që u zhvillua në Tiranë në vitin 1996.
Një miqësi që nuk vdes kurrë, e pasuruar dhe e
konsoliduar më tej vit pas viti e kohë pas kohe ajo ka me të mrekullueshmen
Shpresa Vreto, shkrimtaren e njohur, me të cilën e lidh një shoqëri e ngrohtë
dhe e sinqertë, e mbështetur tek vlerat dhe virtytet e ndërsjellëta.
Tek Ruta mishërohet shpirti aktiv dhe qëndrestar
femëror, gjallëria dhe sponaniteti, ngrohtësia dhe zemra kërkimtare, bujaria
dhe çiltërsia, miqësia e pastër që e motivon në çdo hap të saj.
Ajo është një grua e përkushtuar, e dashur, e
ngrohtë në komunikim, veprimtare e dalluar dhe e kudogjendur, gjithmonë në
ballë të veprimtarive të dijes dhe edukimit.
Ajo ka një aftësi të rrallë për të zënë miq e
mikesha dhe kjo ndoshta për shkak të aftësisë së komunikimit, shpirtçiltërsisë
dhe të qenit mendjehapur.
Gra si Ruta, me dituri e mendjekthjelltësi, me
sjellje korrekte dhe me veprime humane, me botë të madhe dhe pasione të mëdha,
shoqe të mira dhe veprimtare të formuara, ke dëshirë t’i këshë pranë në këto
kohë të vështira që po kalon shoqëria gjithëshqiptare, kur më shumë se kurrë
ndihet nevoja e njerëzve që shohin përtej hundës së tyre dhe i përvishen me
zell e përkushtim çdo pune, për të ndërtuar me të gjithë ura bashkëpunimi, mirëkuptimi
e harmonie, çfarë është në vetë natyrën e hapur e të çiltër të kësaj gruaje të
zgjuar, lurainje mendjemprehtë e shpirtbukur.
Ruta ka vite që ndjek një ëndërr, një
kauzë, një mision, që e kanë ndriçuar jetën e saj si meteor në qiellin e
ëndrrës së një mësuesje, e cila gjatë gjithë kohës së ushtrimit të këtij
misioni të shenjtë ka pasur kryefjalë përkushtimin dhe dashurinë e pakufishme
ndaj nxënësve, për t’iu dhënë atyre dije dhe edukim të standardeve më të mira
morale, etike dhe humane.
Në devocionin, përkushtimin e saj të epërm, në
pastërtinë e një shpirti prej idealisteje, gjithkush mund të gjejë një model
për të ecur përpara në jetë.
Gjithëkush që merr penën për të shkruar dhe që
kërkon një model jete të jetuar bukur, që lyp gjurmët e një jete me dinjitet e
fisnikëri, mrekullisht mund ta gjejë atë tek kjo femër, tek Ruta luriane, në
zemrën e së cilës buron mirësia njerëzore, mençuria e gruas me përvojë në jetë,
thjeshtësia e të urtës, fisniëria e asaj, që rrethohet me aq dashuri nga
lurianët, simotrat dhe sivllezërit e saj.