Faleminderit
Sinan Gashi: Studiuesi i përkushtuar është i heshtur
E marte, 17.11.2020, 11:44 AM
STUDIUESI I PËRKUSHTUAR ËSHTË I HESHTUR, I TILLË VJEN E SHKON
Në përkujtim të studiuesit Gjergj Gjergji –
Gashi
Nga Sinan
GASHI
Nëse heshtja si modesti është ose ka qenë cilësi e studiuesve, atëherë
ajo i shton edhe karakterin e punëtorit të madh, që në heshtje dëshmon diçka të
madhe, tepër me interes shkencor e studiuesit e hulumtuesit Dr. sc. Gjergj
Gjergjit –Gashit (1.V.1948 - 26.IX.2016).
Ky studiues, që shpesh në punimet e veçanta
ose në vepra të plota është nënshkruar si Gjergj Gashi, ka dëshmuar se është
një studiues i tillë dhe njëkohësisht një hulumtues i përkushtuar, i cili i
solli shkencës historike shqiptare vepra me vlera të pakontestueshme, sa edhe
hulumtime ku pak kush mund ta kryente atë punë. Hulumtimet në shumë arkiva,
brenda dhe jashtë Kosovës, e më kryesorja në Arkivin e Romës dhe të Vatikanit,
kanë bërë që të njihemi me shumë fakte, dëshmi e detaje të jetës shqiptare me
travaja, duke u saktësuar ato me dëshmi dokumentare zyrtare, të ruajtura mirë.
Gjergj Gashi, duke qenë me një përgatitje
superiore të shkollimit (ka mbaruar dy fakultete, për teologji dhe filozofi, në
Romë), ai veç kishte paranjohuri të mjaftueshme se si duhet dhe bëhen këto
punë, aq më tepër kur dihet e dhëna se
ai nuk u kënaq me kaq, por kreu studimet postdiplomike dhe mori titullin e
magjistrit të shkencave historike në
qershor të viti 1981, me titullin “Il conceito della persona umana in Luigj
Stefanini”, kurse pas gjashtë vjetësh pune studimore të përkushtuar, mori edhe
gradën e doktorit të shkencës, pasi
mbrojti në universitetin “Urnaniana” të
Romës temën “Cenni starici sui martiri
di Stublla bassia Znagora esiglati dia Turchi neglli anni 1846 – 1848”.
Kjo tezë e doktoratës, me gjithsej 800 faqe, ruhet në Bibliotekën e Misoneve në
Romë. Dr. Gashi, në thelb të studimeve dhe interesimeve të tij ka Kosovën, atë
të shekujve të shkuar, si dhe shtrinë interesimet edhe në hapësirat
gjithëshqiptare, përkatësisht ato elemente që dëshmojnë madhështitë kombëtare,
të cilat deri tashti kanë qenë të fshehura nëpër skuta të arkivave të errëta
ose qëllimisht janë mënjanuar.
Në pesë veprat e botuara (“Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846 –
1848”, vëllimi I, Ferizaj 1994, “Kosova
– altari i Arbërisë” vëllimi I, Elbasan, 1997, “Kosova- altari i Arbërisë”, vëllimi II, Elbasan, 1987, “Kosova- altari i Arbërisë” vëllimi
III, Tiranë, 1996, “Vatikani dhe
Arbënia”, Elbasan, 1998,etj.), njëzetedy shkrime historike e dokumentare të
tjera si dhe gjashtë monografi në dorëshkrim (“Manastiri”, “Janjeva”, “Tirana
1865 – 1991”, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Arbëria me shenjtorët dhe
simbolet e shenjta”, “Martirët e Arbërit 1622 – 1941”, “Veshjet iliro –
shqiptare” e të tjera), ai shkrin një aftësi tejet të vlertë dhe i dhuron
shkencës historiografike thesar të paparë deri më tashti.
Veprat, ato që largojnë
hamendjet
Studiuesi dom dr. Gjergj Gashi, pasi të
shfletojmë veprat e tij, sikur lë përshtypjen se qëllimi i tij është
vërtetësia, e cila kërkon pak fjalë e shumë dëshmi. Madje të tillat i kanë
munguar historisë shqiptare, e cila, akëcilin para dite e bën hero e pas dite
tradhtar dhe anasjelltas! Veprat e tij pra janë përplot dokumente nga ato
origjinale të cilat vetëm përmes interesimit të tij shohin dritën e jetës dhe
sqarojnë gjithçka reale që ka të bëj me fatin tonë që nga hershmëria e deri te
ditët e sotme. Ajo që të bën të rrëqethësh, janë dëshmitë e panjohura për ato
periudha të gjata shekujsh të vuajtjeve dhe persekutimeve të popullit tonë nga
sundimtarë të ndryshëm, të cilët, sa kanë manifestuar gjenocid, aq edhe
vazhdimisht kanë manifestuar formën e përçarjes, qoftë përmes feve, qoftë
përmes mënyrave të ndryshme pushtetare. Këto dëshmi, po e zëmë, janë shënuar
dhe u janë dërguar konsullatave të jashtme nga priftërinjtë atdhetarë Lazër
Mjedja e Shtjefën Gjeçovi – Kryeziu.
Ja një fragment dëshmimi:
“Madje duhet të kihet parasysh se një punonjës malazez i policisë,
njëfar Cakiç, i afërm i zëvendës guvernatorit gjakovar, po me të njëjtin emër,
në këtë çështje mban fajin kryesor. Të premten heret Klerikun e lidhur
këmbëzbathur, e çuan për në Pejë të shoqëruar nga një eskort (një oficer dhe 40
ushtarë). Të burgosurit i kishin lidhur dy nga dy.”
Lazër Mjedja po ashtu, në një raport që i
kishte dërguar në Romë Kardinalit Von Rosuum, Prefektit të Kongregacionit
Shenjtë, në gusht të vitit 1919, jep të dhëna për luftën në Gjurgjevik, nën
udhëheqjen e Sadik Ramës. Ndoshta në një vepër të tërë jepen të dhëna për
konvertimin e dhunshëm në ortodoksi në Pejë dhe rrethe, si në Malësi, Krasniqe,
Gash, Rugovë, Plavë e Guci, për të ardhur në vazhdimësi në shtetrrethimin serb
të asaj kohe të Astrazubit dhe Banjës së Malishevës, me 18 fshatra, si dhe
përshkrimin e golgotës së 1913-ës.
Autori, kur e sheh të nevojshme, ia
bashkëngjit veprës punimet ngjasore, për forcim dëshmie, siç është rasti i
veprës së Lumo Skendos (alias Mit’hat
Frashërit), botuar në frëngjisht ”L’affaire
de l’ Epire (Le martire d’un peuple)”, i cili më parë ishte botuar në Sofje të
Bullgarisë, më 1915.
Fotografi të vjetra
ilustruese dhe krijime gojore si dëshmi autenticiteti
Në të gjitha veprat e Dr. Gjergj Gashit janë
dhënë ilustrime fotografike të kohës, të
cilat kompletojnë të vërtetat e pamohueshme
sa edhe qartësojnë para syve tanë diçka që nuk mendohet normale se mund
të ngjasë. Po ashtu, mu për qëllimin e njëjtë,
teksteve u janë shtuar në disa raste edhe krijime gojore, këngë
folklorike, për ta dhënë përjetimin emocional të krijuesit - pasqyruesit të
kohës për masakrat dhe manifestimin e tyre në shtresën gjithëpopullore. I
pangishëm vetëm me vërtetësinë e realitetit
historik, studiuesi Gashi përdor të gjitha format e mundshme
dokumentare, të cilat gjithsesi e plotësojnë njëra – tjetrën, si vërtetësi
rrëqethëse e kohës.
Ja se si përshkruhet në dy strofa, masakra e
Karadakut, nga një krijim autentik i kohës:
N’Selanik kur paskan ardhë,
Ni kanxhalloz para u ka dalë,
Mirë p’i kqyr ket grup shqyptarë,
N’tirq e n’herka, n’plisa t’bardhë,
Gratë me zhguna, me lidhsa n’ball...
Ose më poshtë,
Ni prej tyne s’po jet i gjallë
T’gjithë të smutë e tuj i kallë,
T’gjithë të smutë e tuj u kallë eti
Tuj dek t’shkretit e tuj hedh n’deti.
Assesi nuk mund të portretizohet një studiues
kaq i përkushtuar me vetëm këto fjalë përshkruese, por mendohet të jenë të
mjafta për ta vënë në skenë
aktualizimin e këtyre vlerave që tashti janë
dhënë brenda librave dhe kanë marrë dhenë, si dhe aktualizimi i atyre që janë
në dorëshkrim dhe presin
ndonjë botues që t’i futë në mesin e lexuesve
të të gjitha gjeneratave, ngase e meritojnë të shpërfaqin të vërteta të shumta,
të mosnjohura, për madhështitë e gjenezës sonë dhe fatit tragjik-heroik të tij.
Pak fjalë për studiuesin
Gjergj Gjergji – Gashin
Dom dr.sc. Gjergj Gj. Gashi
(1.V.1948 - 26.IX.2016)
Gjergj Gjergji – Gashi është i lindur në
Stubëll të Epërme të Vitisë (Kosovë), më 1 maj 1948. Pas fillores në
vendlindje, gjimnazin klasik e kreu në Suboticë, kurse fakultetin filozofik në
Romë, më 1971 dhe atë teologjik, pas katër vjetësh, më 1974. Studimet
pasuniversitare i mbaroi në Universitetin “Urbaniana” në Romë, ku magjistroi në
qershor 1981, kurse në nëntor po të atij viti, po aty, mori gradën shkencore të
doktoratës.
Ka punuar meshtar në Gllogjan, Prizren, Pejë,
Shkup, Tetovë, Ohër, Kumanovë, Veles, Elbasan, Kalabri, Romë (Latina
Grottaferrata) e në vise të tjera. Në Elbasan, më 5 tetor 1991 themeloi
“Caritasin Shqiptar”, me prof. Dr. Argjir Panaritin kryetar dhe gjen. Kristaq
Ferro sekretar.
Dr. sc. Gjergj Gashi, për respektin që ka
gëzuar në Shqipëri, është shpallur qytetar nderi i Himarës, Starovës dhe
Pogradecit.
Përurimin e veprave të tij i kanë bërë së
bashku Akademia e Shkencave të Shqipërisë, më 18 nëntor 1999, në bashkëpunim me
Institutin Historik të Tiranës, Muzeun
Kombëtar, Universitetin e Elbasanit dhe atë të Shkodrës.
Dr. Gashi, punimet e shumta në periodik, për
modesti, i ka nënshkruar me pseudonimet Mërgimtari,
Gj. Gashi, Luan Stublla, Arben Stublla,
Prift Shqiptari, etj.
Ishte edhe themeluesi i Muzeut etnografik në
Stubëll të Epërme, ku jeton e vepron tashti.
Vdiq në vendlindje, më 26 shtator 2016.