Faleminderit
Fadil Halimi: 22 vjet nga vrasja e poetit dhe publicistit Afrim Maliqi
E enjte, 03.12.2020, 10:16 PM
22 VJET NGA VRASJA E POETIT, PUBLICISTIT E GAZETARIT AFRIM MALIQI
Para
22 viteve vritet veprimtari, poeti e gazetari Afrim Maliqi, vëllai i vetëm i
shtatë motrave, baladë në vete. Ai jetoi vetëm 33 pranvera, ose “vetëm
tetëmbëdhjetë orë më shumë se Jezu Krishti”, siç do të shkruante gazetari Jusuf
Salihu.
Nga
Fadil HALIMI
Në
vjeshtën e ftohtë të 2 dhjetorit të vitit 1998, Afrimi bie dëshmor si një
veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare bashkë me Hyzri Tallën dhe Ilir
Durmishin, derisa ndodheshin në një mision ushtarak. Ata u vranë në një pritë
që i kishin bërë forcat e shumta serbe në Prishtinë, në afërsi të Qendrës së
studentëve.
Lajmi
për vrasjen e Afrimit ishte ankth e tmerr në familjen e tij, tek miqtë dhe tek
të gjithë ne që e njohëm.
“Çdo
rrëfim për vrasjen e njeriut të mirë është një tmerr. Por rrëfimi për vrasjen e
artistit dhe intelektualit kapërcen kufijtë e tmerrit. Është një tundje
planetare”, do të shkruante Halil Matoshi.
“Po.
Vrasja e Afrimit është një prerje, siç u prenë baladat e J.G. – së. Afrim
Maliqi. Një emër midis nesh, që e kemi dashur, sepse ishte i shndritur nga
mendimi. Po. Afrimi ishte një Amadeus – i ardhur i perëndisë, se Zoti i
zgjidhka dëshmorët, dhe këtë fat s’mund ta ketë secili nesh – një dëshmor që
jeton, vetëm ka ndërruar trajtë – por ne nuk kemi afërsi që ta shohim, ai jeton
heshtur, por historia nuk bëhet pa të. Ai ishte një kritik i rreptë i shoqërisë
shqiptare, por i butë dhe fin. O Zot i madh, si bëre emër që Afrimi të zgjodhët
që t’u bëhet fli hyjnive të një toke të egër, por të pafajshme, siç është Fusha
e Mëllenjave. Pse të zgjedhurin tënd o Zot? Atë e patëm zgjedhur ne, pse na e
more Zot. Ah, Afrim Maliqi se ç’na bëre një gropë në shpirt, një humnerë të
madhe sa mungesa”, ka shkruar mes tjerash Matoshi më 22 dhjetor 1988.
Për
vrasjen e tij kanë shkruar intelektual, poetë, miq e kolegët të shumtë gazetarë
si: Enver Maloku, Blerim Shala, Jusuf Salihu, Nazmi Elezi, Safet Zejnullahu,
Ali Cenaj, Ismail Syla, Nazmi Misini, Emine Berisha, Bekim Toqani, Fisnik
Abrashi, Shaip Mustafa, Xhevat Llugaiu, Afrim Mustafa, Habibe Maliqi, etj.
Kolegu
e miku i tij Shpend Halili, shkruan rrëfimin me titull “Artisti vdes i ri” ose
“ Njeriu vdes i ri” pat shkruar në një varg poeti Sabri Hamiti; e miku ynë
Afrim Maliqi vdiq i ri, jo vetëm si njeri, po edhe si artist. Pak kush ka
mundur ta njohë atë shumë, edhe pse kishte shumë miq, dhe kjo vetëm për arsyen
e vetme se ai sikur të gjithë artistët vetmitarë ndrynte në vete dy botërat
misterioze: atë të jetës reale dhe të asaj imagjinare. Jeta iu këput fare
shpejt, ashtu sikur vdiset sot në Kosovë – me vrasje; tinëzisht. Po, për
vdekjen e tij, ai nga thellësia e shpirtit sikur ishte i paralajmëruar, sepse
kur na rastiste të flisnim për vdekjen, e merrte atë bisedë fare lirshëm, si
një fund i cili mund të vijë shumë shpejt. Ai, kish lindur që të vdiste herët, ngase
jo një herë e thoshte sekretin e tij se si paramendonte varrimin e tij.. E cili
mund ta thotë këtë mendim për vdekjen e varrimin, veç njeriut të cilin e
cilëson virtyti i trimërisë”, ka thënë mes tjerash Halili.
Poeti
e gazetari Afrim Maliqi lindi më 1 dhjetor 1965 në fshatin Dobratin të
Podujevës. Mësimet e para deri në klasën e gjashtë i kishte filluar në
vendlindje për ti vazhduar vitet tjera të tetëvjeçares në Dumnicë të poshtme,
ku ishte shpërngulur me familje e tij. Shkollimin e mesëm Afrimi e vazhdon në
QAMO të Podujevës, kurse studimet i përfundon në Universitetin e Prishtinës, në
Fakultetin Filozofik, në degën: Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Gjatë periudhës së
studimeve, ai u njoh me Sevdije Rexhepin nga Prishtina, me të cilën u martua në
muajin maj të vitit 1989. Nga kjo martesë ata i dhuruan jetë djalit Bardhit dhe
vajzës Gresës.
Afrimi
gjatë punës prej gazetari në të përditshmen “Rilindja” përkatësisht “Bujku” të
Prishtinës, regjistron studimet postdiplomike për letërsinë shqipe dhe shquhej
me shkrimet analitike për gjendjen e përgjithshme në Kosovën e okupuar nga
Serbia.
Në
të njëjtën kohë ai dha kontribut edhe në letërsinë shqiptare. Afrimi botoi
shumë krijime letrare, kritikë, ese e poezi në të përditshmet tona si në
gazetën e studentëve “Bota e re”, Prishtinë, Flaka e vëllazërimit”, Shkup,
“Zëri i rinisë”, Prishtinë, “Rilindja” Prishtinë, etj.
Çështja
kombëtare shqiptare për të nuk mbeti vetëm një kontribut, por edhe sakrificë
jetësore, për të cilën ai e la bashkëshorten Sevdijen me dy fëmijët, shtatë
motrat pa asnjë vëlla dhe nënën Mihrije pa djalin e vetëm.
Vepra
letrare e publicistike e Afrimit u botua në dy vëllime nga Qendra e Kulturës në
Podujevës, e udhëhequr nga Nexhmi Balaj e nën përkujdesjen dhe mbledhjen e
materialeve nga Munish Hyseni e bashkëshortja e tij Sevdije Maliqi.
Afrimi
do të mbetet përherë i gjallë në historinë dhe kujtesën e shoqërisë shqiptare.