Faleminderit
Lekë Mrijaj: Imzot Mark Sopi ishte dhe mbetet një erudit i pavdekshëm i krenarisë së ditëve tona
E hene, 11.01.2021, 01:39 PM
Në vend të përkujtimit: Imzot Mark Sopi ishte dhe mbetet një erudit i pavdekshëm i krenarisë së ditëve tona
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Sot,
me 11 janar apo pesëmbëdhjetë vjet të kalimit në amshim, kujtojmë eruditin e
pavdekshëm të krenarisë së ditëve tona Prelatin Shqiptar të Dioçezës së
Kosovës, të amshueshmin, imzot Mark Sopin, i cili ishte një Bari i dëshmuar
gjatë tërë kohës së veprimtarisë së tij, njëherë si prift (e sekretar i
ipeshkvit ndihmës të Shkup-Prizrenit imzot Nikë Prelës pikërisht duke sherbyer)
në Ferizaj, Zllakuqan (1974-1991) dhe pas rënies së diktaturës komuniste në
Shqipëri, Milot e Durrës (1991-1995), e më vonë pas shugurimit nga Papa Gjon
Pali II-të, për dhjetë vite radhazi deri në ikjen e tij në amshim shërbeu si
Bari Shpirtëror - Prelat në Dioçezën e Kosovës.
Ai,
si një Bari shpirtëror, kishte një mishërim të një filozofi, ambasadori,
dijetari të rrallë pikërisht edhe të një intelektuali të guximshëm që i shërbeu
misionit të tij duke ndjekur me besnikëri e devotshmëri udhën e Jezusit e të
shumë klerikëve të Kishës Katolike Shqiptare me qëllim që të reflektoj
shtyllat e Lajmit të Mirë dhe të ndriçojë dritë në rrafshin kombëtar,
kulturor e njerëzor.
Njëkohësisht
gjatë vitit '90-të, si famullitar i Kishës së "Shën Gjon Pagëzuesit"
në Zllakuqan u vu në mbështetje të kauzës kombëtare si dhe në koordinim me
prof. Anton Çettën (e bashkveprimtarëve të tij të faljeve të gjaqeve) për dy
herë radhazi organizoi pajtimet e gjaqeve në trevën e Lugut të Drinit-Klinës.
Imzot
Mark Sopi, para senatorëve amerikanë kishte mbajtur edhe një fjalim madhështor
në Kongresin Amerikan më 18 maj 2005, ku me një këmbëngulje faktike e
argumentuese mbrojti qëndrimet e popullatës së Kosovës, ku veç tjerash kishte
thënë se: "Pavarësia e Kosovës është zgjidhja që prodhon vetëm paqe e
siguri, jo vetëm për Kosovën, por për rajonin dhe mbarë Evropën e botën dhe se
Amerika është ajo e cila mund ta zgjidh dhe përfundoj çështjen e Kosovës"
që do të thotë se fjalimi i ipeshkëvit të Ipeshkëvisë së Kosovës, mons. Mark
Sopit, pati një jehonë dhe ndikim të madh tek Presidenti George W. Bush.
Vlen
të potencohet se gjashtë vite pas çlirimit të Kosovës, me 26 gusht 2005, në
nismën e tij është vendosur gurthemeli i Katedralës "Shën Nënë
Tereza" në Prishtinë, gurthemel i vendosur në kuadër të 95 vjetorit të
lindjes së Nënë Terezës.
Imzot
Mark Sopi, vërtetë ishte mishërim i një apostulli të rrallë qe kishte një vizion
të qartë për Kishën dhe ishte tejet konciz rreth kauzës së Kosovës, pra i
palëkundur në projeksionet e tij për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ndaj
edhe me një papërtesë e këmbëngulësi gjithherë lobonte pranë qarqeve
ndërkombëtare e ambasadave të ndryshme në vend dhe rajon për ta senzibilizuar
çështjen e Kosovës për një të Drejtë, Liri e Pavarësi të popullit Kosovar.
Siç
thuhet nga disa burime faktike (pikërisht nga gazeta "Koreni Srbija")
se pak ditë para se të kalonte në amshim gjatë një meshe shenjtë me 26 dhjetor
2005, në kuadër të Krishtlindjes veç tjerash (ku morën pjesë edhe shumë
Shqiptarë, besimtarë të dyja komuniteteve) gjatë pretkut të tij tha se:
"Lindja e Krishtit mund të krahasohet me lindjen e një realiteti të
ri-Pavarsisë së Kosovës", për të cilën fjalë qarqet e Beogradit dhe
Patriarku i Kishës ortodokse serbe, z. Pavle, në shënjë pakënaqësije apo për si
të ashtuquajtur blasfemi i kishin dërguar një notë proteste Nuncit Apostolik
dhe Selisë së Shenjtë për fjalët e pretkut të imzot Mark Sopit, mirpo Nunci
Apostolik, arqipeshkëvi Eugenio Sbarbaro i kishte kthyer përgjigjje qarqeve të
Beogradit dhe Kishës ortodokse sllave në Serbi se fjala e Pretkut të imzot Mark
Sopit, para besimtarëve e mbajtur në meshën e Krishtlindjës është një e drejtë,
mendim personal i ipeshkëvit Sopi.
Andaj
edhe sot në kuadër të pesëmbëdhjetë vjetorit të kalimit në amshim të ipeshkëvit
të ipeshkëvisë së Kosovës, imzot Mark Sopit, fare nuk mund të e përmbyll pa ua
tërhequr vëmendjen strukturave institucionale të Republikës së Kosovës, se
figurat e tilla të sojit të trinomit "Fe, Atdhe dhe Kulturë", duhet
të kujtohen dhe përjetësohen me ngritje të busteve nëpër sheshe e bulevarde apo
së paku me dhënie apo akordim të titullit më të lartë shtetëror, Gjergj Kastrioti
- Skënderbeu.