Kulturë
Prend Buzhala: Tryeza e Hajdarit
E marte, 22.12.2020, 04:16 PM
TRYEZA E HAJDARIT
(Ese,
ose një triptik nga dita e sotme)
Nga
Prend BUZHALA
Tashmë
në Lena graphic (Prishtinë) është krijuar një hapësirë dinamike e përbashkësisë
së njerëzve që e bëjnë kulturën pa zhurmë e pa bujë. Pa klane, gardhiqe apo
kufij, pa parcelat politike apo partiake, krahinore apo pa përkatësi të
parcelave tjera. Por aty ku komunikimi rrjedh lirshëm, spontan, puna gjallëron
në ato hapësira nga punëtorët që shtypin, lidhin apo dizajnojnë libra. Kurse
Tryeza e Hajdarit shpesh këmben dialogët pa ndonjë dirigjues: nga ato të së
kaluarës e deri te problemet e sotme, nga puna e rëndë në kohët e regjimit
shtypës nëpër bodrume (evokime të shtypshkronjës së tij në podrum gjatë
viteve’90) e deri te kjo e sotmja, te Shtypshkronja e Lirisë.
Sot,
bie fjala, në kohë jo të lehta pandemie, po e veçoj, si përjetim personal, një
triptik takimesh e veprimtarish. Së pari, vijnë shkrimtarë të njohur si Agim
Gjakova, Ibrahim Kadriu... ndodhin edhe dhurime e këmbime librash... me maskat
në fytyrë, si sfidim kohësh me moshën e thellë. Janë aty Fatmir Selimi (mjek
dhe autor i disa vëllimeve për shqipatrët në Turqi), Ramadan Mehmeti... e sa e
sa të tjerë.
Së
dyti, Ismet Krasniqi Lala pranon Mirënjohjen për Vendin e Dytë në poezi nga
organizatori i takimeve letrare e kulturore Ismet Sopi, që mbahen në Llapushnik
të Drenasit.
Së
treti, Fatime Kalimashi, krijuese, erdh me familjen e saj nga Zvicra. I botohet
libri i saj me poezi "VARKA E KUJTIMEVE”. Punëtorët janë të kujdesshëm,
radhitin librat në Tryezë, bëhen fotografi me familjen, me të pranishmit, me
krijues nga Rahoveci. Na i bëjnë edhe fotografitë. Lexohen poezi... me nga një
gëzuar me gotat përpara.
1.
Hajdarin
e njoh që nga fillimvitet ’90. Në Epokën e Rezistencës e të Republikë-bërjes.
Kishim rënë në kontakt nëpërmes miqve për të arritur te shtypshkronja e tij.
Aso kohe botonim revistën “Tribuna” të Forumit të Intelektualëve Shqiptarë
“Luigj Gurakuqi” të Klinës. E radhitnim në kompjuterët e “Infotrade” në
Prishtinë (nëse nuk kam harruar), së bashku me Skënder Rracajn e Pal Canajn.
Aty i radhitnim edhe botimet e para të Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko” të
Klinës.
Disa
nga këto botime i dërgonim te shtypshkronja e Hajdarit në Breg të Diellit, në
një shtëpi pa dritare e dyer, por që në bodrumin e saj, të maskuar, qëndronte
shtypshkronja. Duhej t’i ndiqnim rrugët tërthore për të mos na rënë në gjurmë
milicia serbe. Por Hajdari nuk ndalej. Ishte ai që kishte punuar në Slloveni e
në “Rilindje” në zanatin e tij të shtypshkronjës. Porse pas sa vitesh, regjimi
serb i bie në gjurmë. E fton në “bisedë informative”, pasojnë masa e masa...
deri te lufta e fundit. Nga forcat serbe bombardohet shtypshkronja e tij.
E
paslufta?
As
në pasluftë, në Kosovën e lirë, nuk ndalet. Para një dekade themelon
shtypshkronjën e tij “Lena graphic.” E tash ai është aty, te Tryeza e tij,
rrethuar me libra, me punët e shtypit, me krijues e me klientë të fushave të
ndryshme për shërbime shtypi e dizajni.
Sigurisht
që Kosova ka pritur me shekuj ta ketë lirinë e vet, për ta krijuar e forcuar
edhe kulturën e vet. Kultura, në secilën kohë, e bën më pak skllav njeriun dhe
një komb. E bën më të lirë. I jep kuptim e domethënie jetës e gjallimit.
2.
Dhe,
për t'iu dalë në ndihmë dhjetëra e dhjetëra krijuesve nga diaspora, Shqipëria,
Kosova, Presheva, Maqedonia, Mali i Zi... nga të gjitha viset e Kosovës, Lena
Graphic themeloi edhe veprimtarinë e vet botuese, me bashkëpunim të mirëfilltë
me Bibliotekën kombëtare për ta institucionalizuar librin. Kryhet një rit
spontan i publikimit të librit: rreth Tryezës tubohen miqtë që qëllojnë aty,
përurojnë krijuesin a krijuesen, lexohet ndonjë poezi a fragment libri, bëhen
fotografi, ato publikohen jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe nëpër portale.
Arti sjell harenë e publikimit, nga një gotë bën të ngrihet me përgëzime. Fryma
solemne e librit është edhe frymë e identitetit tonë kulturor. Krijohen miqësi
të reja të artit, thuren fije të reja bashkëpunimi, duke u krijuar, kësisoj,
një entitet i bukur... deri te krijimi i një identiteti veprues e artistik,
kulturor e etnik. Një entitet shumëplanësh që dhuron energji e forcë besimi.
Kësisoj thuret harta e gjuhës dhe harta e krijimit, harta e botimit të librit
dhe e kulturës.
Tryeza
e Hajdarit, pra, nuk është vetëm e bisedave as vetëm e bashkëpunimit
"zyrtar". As vetëm e një fotografie që shpesh i quajmë me humorin
solemn si "fotografi historike". Interesimet zgjerohen, Raifi aty
shërben me një gotë raki, evokon ndonjë çast nga betejat e së kaluarës, na
njofton me miq të rinj. Vijnë edhe miq nga kombet tjera, anglezë, gjermanë,
amerikanë, francezë... Madje, mik i shpeshtë aty është Marc Perry, i
buzëqeshur, diaolgues, i hapët, kureshtar... edhe vetë njeri i letrave.
Kultura
nuk përjashton, por afron. Krijon emrin e saj me interesimet, mendimet, modelet
e lirshme. Bisedat në tryezë dinamizohen qoftë edhe me ndonjë polemikë, sepse
kështu vlerat marrin krahë. Është ajo klimë civilizimi që e cilëson një jetë
ndryshe nga kallëpet e ngurta zyrtare. Mu ashtu si kanë qenë të lirshëm në
secilën kohë njerëzit e artit.
3.
Tryeza
ka emrin e vet, por ka edhe librat e vet, fjalimet e kumtesat kur aty mbahen
promovime në atmosferë festive. Diku thuhet: "Bukuria e botës qëndron në
larminë e njerëzve të saj." Në larminë e individualiteteve krijuese e
vepruese. Shpaloset bukuria e brendshme e librit. E njerëzve që kanë vlera, por
që jo rrallë rrethi ynë i hekurt i pseudo-elitave, e ka ndrydhë atmosferën. Por
ja që nuk ka mundësi t’i ndalojë njerëzit e letrave “periferike” të mos botojnë
e publikojnë, të mos festojnë e promovojnë, të mos debatojnë e komunikojnë.
Ruth Benedict (antropologe e studiuese amerikane e folklorit) shprehet se
ndryshimet thelbësore që dallojnë shoqëritë njerëzore dhe qeniet njerëzore, nuk
janë biologjike, por kulturore. Askush nuk humb te kjo tryezë, por përfiton.
Porse
kultura, në secilën kohë ka, në qenësinë e saj, edhe një përmasë tjetër, shpesh
edhe të pahetueshme: ajo është muri që përballon hordhitë e një kohe, si dje si
sot. Madje, edhe sulmet kundër identitetit nacional, historik e kulturor.
Njerëzit, që nga Jugu i Shqipërisë e deri te Tryeza e Hajdarit, që nga SHBA,
Evropa apo viset tjera e deri aty, mbjellin veprimin, realizojnë botimin,
zhvillojnë komunikimin, marrin vendime për një manifestim, promovim, shëtitje,
krijim asociacioni, bëhen zëra dinamizues. Pa protokoll. "Nëse duam ta
ruajmë kulturën, duhet të vazhdojmë ta krijojmë atë" (Johan Huizinga). Pa
kulturë njerëzit shndërrohen në hordhi, e thonë sa e sa njerëz të urtë ndër
shekuj. Norman Mailer i quan “hordhi totalitare”.
Jo
pak krijues të rinj kanë ardhur aty dhe kanë shpalosë prirjet e tyre, mësojnë
si bëhen hapat e parë në redaktim, recensim, botim... mandej marrin udhë dhe
ecin në këmbë të tyre. Paçka se ndonjëri ndër ta më nuk e kthen kokën aty. I ka
udhët e veta. E, ndër ta, tashmë ka autorë që kanë bërë emër edhe jashtë. Edhe
nëpër media. Edhe te botues tjerë “seriozë”!
Dhe,
viteve të fundit, Lena graphic ndan edhe Çmimet e Mirënjohjet e veta në fushë
të librit, kulturës e veprimtarisë jetësore.
Libri
hyn ndër lavditë e një kulture.
Le
të jetë, ndër këto lavdi, edhe Tryeza e Hajdarit, (e Hajdar Fejzulalhut me
mbiemrin e ri Lubonezi) sinonim për shumëçka, sinonim i botimit të librit, që
nuk e lë pa zë, sinonim festave të
kulturës.
(21 dhjetor 2020)