Kulturë
Jahja Drançolli: Jehona e flamurit arbër në arte europiane!
E hene, 21.12.2020, 11:40 AM
Jehona e flamurit arbër në arte europiane!
Nga
Jahja Drançolli
Pas
themelimit të Perandorisë Latine në vitin 1204 nga Republika e Venedikut,
mbretëria e Francës, e ndonjë vendi tjetër europian, shteti i Arbrit (sikurse
që kishte vepruar më parë mbretëria e Kroacisë në vitin 1102 me mbretërinë e
Hungarisë), do të kërkon mbrojtje nga bujaria e shteteve në fjalë, të cilat
kishin sjellur në Arbëri edhe traditën europiane të heraldikës, përkatësisht të
stemës, flamurit, vulës, e ndonjë tjetër. Derisa, sipas traktatit në Viterbo të
Italisë (1267), Epiri dhe Morea do të inkuadrohen nën mbrojtjen e Karlit I
Anzhuin, këtë veprim do ta parapëlqejnë edhe kryezotërinjtë arbër në vitin
1272, vit ky që përkon edhe me themelimin e Mbretërisë së Arbrit (De Regnum
Albaniae) në krye me Karlin I (Rex Albaniae), me seli në Durrës. Në këtë kontekst,
heraldika arbërore, e cila ruante simbolikën, që nga kohët më të hershme të
qytetërimeve të Mediteranit, fuqishëm do inkuadrohet në rrjedhat e mëtejshme të
Europës Perëndimore, në veçanti të shteteve italiane të kohës. Kjo traditë e
pasur europiane do të manifestohet sidomos në heraldikën e familjes Kastrioti,
që vazhdon të jetë e gjallë edhe pas vendosjes së pushtetit osman, jo vetëm si
kujtesë e thjeshtë, por atë mund ta ndeshim nëpër libra të zhanrëve të ndryshme
dhe sidomos në arte figurative, siç është fjala edhe realizimi në dy pikturat e
piktorit anglez Edmund Leighton (1852-1922): “Call to Arms” (“Thirrje në Armë”,
vitit 1888), dhe “Accoldate” (çmim ose privilegj i dhënë si një nder i veçantë,
viti 1901)!