Kulturë
Albert Zholi: Pse po e ribotoj librin “Ikja e madhe”!
E marte, 15.12.2020, 09:17 PM
Pse po e ribotoj librin “Ikja e madhe”!
Nga
Albert Z. ZHOLI
Letër
e shkrimtares Helena Kadare, dërguar autorit nga Parisi, pas leximit të librit
“Ikja e madhe”
Paris,
7 shkurt 1998
‘’I
nderuari zoti Albert,
Lexova
me një frymë librin tuaj dhe dua t’ju uroj nga zemra për këtë punë të
mrekullueshme që keni bërë, lidhur me ikjen, jetën dhe peripecitë e panumërta
të emigrantëve tanë në Greqi. Bravo, me të vërtetë bravo. Libri është shkruar
me kulturë, me mjeshtëri artistike, me stil të gjallë, me gjuhë të rrjedhshme
dhe mbi të gjitha, me një ndjeshmëri të rrallë. Për të gjithë ne shqiptarët,
kudo që gjendemi, ai është një tablo tronditëse e dramës së dhimbshme të
shkuljes së shqiptarëve nga trojet e tyre, pas rënies së komunizmit.
Për
të gjitha këto, libri juaj, të shkon drejt e në zemër. Ju keni ditur ta
përshkruani çdo gjë, duke mbledhur një informacion të dendur, realist dhe tejet
emocionues. Dhe ajo që është për t’u lavdëruar, është se ju, me këtë libër,
keni dhënë një mesazh shprese për të gjithë ata që kanë lënë atdheun në kërkim
një jete më të mirë, dhe që mendojnë seriozisht se një ditë do të kthehen atje,
e do të punojnë për ta ringritur këtë atdhe të rënë në baltë.
Edhe
njëherë urime!
Ju
përshëndes,
Helena
Kadare’’
Pse
po e ribotoj librin “Ikja e madhe”!
-Para
disa ditësh, me disa miqtë e mi diskutonim për figurën e patriotit të madh,
avokatit, publicistit, shkrimtarit, piktorit të shquar, Aristidh Kolja, pasi
ata kishin parë një film dokumentar për këtë figurë të ndritur, në një
televizion prestigjioz. Duke marr shkas nga ky diskutim, unë u mundova tu bëjë
prezent se si e kam njohur këtë figurë të madhe. Ata nuk e dinin që për 7 vjet
unë isha me të vazhdimisht në Athinë dhe dija shumë nga jeta e tij. Në këtë
bisedë ra fjala dhe për librin “Ikja e Madhe”. Kur unë sqarova se ky libër
është përgatitur dhe botuar në shtëpinë botuese të Aristidh Koljas ata u
befasuan. Më kërkuan nga një kopje. I sqarova se kisha vetëm një. Ramë dakord
që ky libër të ribotohej edhe me ndihmën e biznesmenit dhe dashamirësit të
librit, Robert Maliqi. Ky libër le të jetë një homazh, një rivlerësim për këtë
figurë të madhe, por edhe një thirrje për të gjithë institucionet shqiptare, që
emri i tij të skalitet me germa të arta në panteonin e figurave të shquara të
historisë shqiptare. Në këtë libër do të gjeni një pjesë të mirë të jetës së
tij të shkurtër, por me vlera të jashtëzakonshme dhe të pavdekshme.
PARATHËNIE
“Ikja
e madhe”, tani është bërë më e prekshme. Janë pikërisht këto faqe libri të
autorit Albert Zholi që na sjellin kaq afër, kaq përmbledhtas, atë epope
mërgimi që përfshiu gjithë tokat e Shqipërisë me fillimin e dekadës ‘90. Fundshekulli
XX e rrudhi edhe njëherë Atdheun tonë. Edhe ashtu i pakët siç ka qenë, me pjesë
të tëra territori e popullsie të ndarë nga trungu, kur priste t’i rritej shtati
duke u bashkuar me Kosovën martire, ky dhe u mpak nga njerëzit që po i iknin,
shumica pa kthim. Kjo lëvizje popullsie në drejtim të shteteve të perëndimit e
kryesisht, drejt Greqisë, në fillim ngjau si gëzim pas ndrydhjes së gjatë nga
shteti totalitar: pastaj, kuptimi i mërgimit e ktheu ikjen në tragjedi, ndërsa
tani, gëzimi dhe tragjedia kanë depërtuar te njëra-tjetra fatalisht dhe
përjetohen me ankth. Sepse të shumta kanë qenë humbjet, vdekje të ndryshme, por
më shumë tragjike e të parakohshme. Vdekje nga krimet, por edhe nga përpjekja e
stërmundimëshme për të arritur “tokën e premtuar”. Autori me një analizë të
plotë të të gjitha shkaqeve që çuan këtë shkulje të rrënjëve shqiptare, na
sjell pamje, episode e ngjarje rrëqethëse, që shoqëruan dhe vazhdojnë të
shoqërojnë këtë emigracion të paparë në histori për përmasat, popullsinë e
vendit, dhe kohën e shkurtër. Libri “Ikja e madhe” është gjithashtu një pasqyrë
e historisë së marrëdhënieve të vjetra e më të reja midis Shqipërisë dhe 14
Albert Z. Zholi Greqisë, këtyre dy vendeve ballkanike të cilat vërtetë shumë
ngjarje i kanë bashkuar, por kanë mjaftuar edhe pak syresh që të inspirojnë
ndjenja armiqësore e skepticizmi. Vetë dyndja e emigrantëve drejt Greqisë
krijoi përsëri një klimë të re, diku mirëkuptimi, diku mosbesimi, thotë autori
por ai ka shpresën se ashtu si shtrëngatat e qindra shekujve nuk i shpunë kurrë
këta banorë të vjetër në luftë midis tyre, edhe kjo lëvizje e re do të jetë
vetëm një urë miqësie. Autori nuk pretendon të këtë përshkruar gjithçka nga
peripecitë e shqiptarëve në rrugën e tyre drejt Greqisë e në Greqi. Duke jetuar
e punuar në Athinë, A. Zholi rreh të tregojë për jetën e“athinjotëve”
shqiptarë, hallet problemet, rritjen e mirëqenies së tyre ekonomike, por edhe
përndjekjet, përbuzjen dhe mungesën e arsimit të fëmijëve të tyre në gjuhën
amtare. Ai nuk harron t’u drejtohet edhe studiuesve arvanitas për të hequr një
paralele të qartë midis emigrantëve të kahershme shqiptare dhe tani në kohërat
moderne. Të gjitha ngjarjet në emigracion autori nuk i ka ndarë asnjëherë nga
zhvillimet e fundit në Shqipëri. Duke e vendosur veten në krah të ndryshimeve
demokratike, ai tregon zhgënjimin e madh që i pushtoi emigrantët për politikën
mediokre, amatoreske të qeverisë shqiptare ndaj gjithë zhvillimeve ekonomike e
shoqërore, por sidomos për mospërfilljen totale ndaj emigrantëve. Shembja e të
ashtuquajturve skemave piramidale,-nënvizon A. Zholi, – përbën shembjen
përfundimtare të besimit të shqiptarëve emigrantë në qeverinë postkomuniste të
Berishës. “Ikja e madhe” është një përpjekje serioze për të pasqyruar një nga
dramat më të mëdha të popullsisë shqiptare dhe nga ky këndvështrim, ai është
një kontribut me vlerë në publicistikën e re shqiptare. Mihallaq Qilleri
Athinë, korrik 1997