Kulturë
Prend Buzhala: Akti heroik i Mujë Krasniqit
E hene, 14.12.2020, 10:01 PM
AKTI HEROIK I MUJË KRASNIQIT
DHE KËNGA QË NUK NDALET
ASNJËHERË
(Lexime
poetike. Poezia “Baladë” e Tahir Deskut, kushtuar Mujë Krasniqit dhe 36 të
rënëve në Gorozhub, më 14 dhjetor 1998)
Nga
Prend BUZHALA
Kur
sot përkujtohet 22-vjetori i rënies dëshmor, më 14 dhjetor 1998 e komandant
Mujë Krasniqit me 36 luftëtarë të rënë në Gorozhup në kufirin
shqiptaro-shqiptar; qe dy dekada ende do të jehojnë vargjet e një kënge:
Kreshtat
e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kuqe,
Krushqit
e Dardanit janë nisë me marrë nuse,
Po
u prin përpara shqipja e Kastriotit,
lulëbozhure
çelin nëpër flakë baroti.
Ishin
Beqir Gashi (luftëtar dëshmor, rapsod nga familja e njohur rapsodike e Sefë
Mleqanit), që këndonte me Mujën, kur teleshikuesit do ta kenë parë tek këndonin
në televizionin e njohur CNN, vargjet aq të njohura të kësaj kënge me tone
lartësuese heroike. Kënga merr jehonë, merr jehonë nga vetëflijimi shqiptar,
pandalshëm, digjet nga gjakimi për lirinë, nga atdhedashuria e pakufi. Është
shtegu i ndritshëm i luftës për liri.
1.
Në hyrje
Nga
ana tjetër, kur poeti luftëtar Tahir Desku, shkruan poezi përkushtimore për
luftëtarin epik të UÇK-së, Mujë Krasniqin, që ra dëshmor me 36 luftëtarë të
tjerë në Gorozhup në kufirin shqiptaro-shqiptar; atëherë cilat vargje do t'i
zgjedhë?
Cilat
fjalë?
Cilat
figura, si e strukturon poezinë e tillë?
Gjithsesi,
përpara do të na shfaqen skenat e qëndresës, pathyeshmërisë, pathyeshmërisë së
shpirtit shqiptar prballë secilës forcë mizore, secilës intrigë diplomatike apo
secilës histori katakombesh e varresh. Poeti e titullon thjesht këtë poezi,
"Baladë", me referencën tekstuale përkushtimore (në kllapa) të
ngjarjes: "(Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve në Gorozhub, më 14 dhjetor
1998)". Poezia është botuar te vëllimi poetik i këtij poeti, me titullin
“Engjëjt e lirisë” (Buzuku, Prishtinë 2000).
Poezia
nuk ka nevojë për të dhëna të tjera, nuk ka nevojë as për parulla apo për
përbetime e psherëtima tjera; aty ku pushon reporteri i luftës, aty nis të
flasë poezia. Është një poezi antologjike, e cila i detyroi edhe krijuesit
muzikorë të përkulen para tekstit të saj të ndjerë thellë dhe ta muzikojnë atë,
siç bëri Ilir Shaqiri, për ta ngritu po në të njëjtin piedestal vlerash
muzikore. Poeti vetëm teksa e jep me një penelatë lirike sfondin
dokumentaro-historik
E
pra, Muja ishte edhe vetë rapsod. Që i ri, gjimnazist, në shoqëri me rapsodët
nga Mleqani, Muja e donte këngën. Kur e organizuan celulën ilegale atdhetare,
ishte viti 1984, kur Muja i kishte 17 vjet, për të qenë aktiv në këtë lëvizje
deri në rënien e tij. Në lëvizjet e hapëta të protestave shqiptare që
shpërthyen gjatë viteve ’80, Muja e Beqa i kishin ngritë peshë shpirtrat e
revoltuar të prindërve, nxënësve e arsimtarëve, tek këndonin këngë shqiptare për
figurat shqiptare që po i sulmonin serbomëdhenjtë e trabantët e tyre
shqipfolës. Në Çabiq, gjatë viteve '80, SHKA “Besa” në atë kohë vërtet kishte
anëtarë që kishin renome në nivel të Kosovës si ishte Bege Gashi. Mujë Krasniqi
ishte njëri ndër anëtarët më të rinj të kësaj shoqërie kulturo-artistike, por
që në fillim u dallua si në ekzekutimin e veglave muzikore po ashtu edhe si
solist. Mujë Krasniqi për një kohë të shkurtë u afirmua si këngëtar dhe u
anëtarësua në SHKA “Jehona e Dukagjinit” në Klinë. Çdo këngë që e këndonte
Muja, e kishte edhe mesazhin atdhetar. Këngët e tij mirëpriteshin kudo si ne
ahengje, dasma, koncerte e festivale. Po e shkëpus një fjali rrëfimi për rënien
e tyre nga libri im "Ata hynë vetë në këngë" (kushtuar dëshmorëve Mujë
Krasniqi, Beqir Gashi e Ali Krasniqi në këngët e festivalit “I këndojmë
lirisë”, vëllimi i parë, Shtëpia Botuese «ROZAFA», Prishtinë 2015):
“Për
herë të fundit i mbylli sytë edhe Beqa, mbi gjoksin e Mujës, aty ku e kishte të
mbështetur kokën. Ashtu, siç shihet nga incizimi, edhe në këtë betejë i kanë
qëndruar afër njëri-tjetrit”, thotë vëllai i dëshmorit Beqir Gashit, Brahimi,
duke i përkujtuar ato ditë."
2.
Struktura tematike e baladës poetike
Menjëherë
pas luftës, kur po mbahej Festivali i parë "I këndojmë lirisë" në
Klinë, u kënduan dy këngët aq të njohura për Mujë Krasniqin, ajo e Ilir
Shaqirit, me tekst të Tahir Deskut dhe ajo e Halit Gashit, me tekst Fadil
Demakut. e oshtimat e luftës e me gjëmimet e vuajtjeve e të betejave, vjen
poezia e Tahir Deskut, e kënduar nga Ilir Shaqiri. Tahiri ishte edhe vetë
reporter lufte e luftëtar i lirisë. Poeti e hap perden. Në skenë lëvizin terri,
mordja, vdekja. Atdheu shfaqet në perden e përhirtë. Poeti klith në monolog,
diku, pranë një shkëmbi, në vetmi.
Poeti
ligjëron aty ku thuren legjendat e gjalla, aty ku mali ynë bëhet i shenjtë.,
legjendar e mitik, njëkohësisht, tek mban brenda vetes jetët e strehuara
njerëzore e armët e lirisë. Ai ligjëron përpara një hapësire të ngushtuar të
ekzistimit, para vdekjes e heroikes, po edhe para auditoriumi të paskaj, të
pafund; para një auditoriumi të sëmurësh, të plagosurish, të uriturish,
kryengritësish e përpara njerëzve nën armë.
Kush
është ai që zbret nga mali
Është
Mujo Komandanti
Është
ai, Muja vetë, me nëqind e dyzet
Nga
po vjen, nga Tropoja a nga Vlora?
Kah
vjen ai shkrin bora
Vjen
në borë vjen në shi
Nga
Shqipëria në Shqipëri
Pyetja
retorike ("Kush është ai që zbret nga mali") shquan madhështinë e
zbritjes jo të rëndomtë. Një zbritje që shënon historinë. Janë njëqind e dyzet
luftëtarë. Një shtegtim i vështirë nëpër motin me borë e shi. Ai shtegtim i
zbritjes së Mujo Komandantit, mu në kufi, që ndryshe as që mund të quhet përpos
kufiri shqiptaro-shqiptar, po e bënte historinë, kyrehistorinë: një kufi dhune
njëshekullore që po binte. Ishte kufiri i dhunës historike, i londrave dhe
tyrezave të përgjakshme evropiane të diplomacisë. Dhe jo rastësisht poeti
përmend Tropojë e Vlorë: pikën më të epërme të Shqipërisë londineze, ku nuk po
shkrihej vetëm bora, po edhe kufijtë, edhe errësira historike. Poeti nuk i
ndahet këtij shtegtimi të vështirë në tri strofat në vijim. Këto ndarje të
epokës më dysh, të errësirës së dhunës dhe të kësaj që po vinte, e ndan vetëm
një vijë e hollë kufiri. Ndryshe s'ka si të jepet përpos me krahasimin e territ
si gjarpër i zi (si pusi e rëndë, ashtu si ka ditur gjatë historisë të zërë
pusitë e tij armiku, si te ajo kënga e njohur e jugut “Aty diku më zunë
pusinë". Shumë pusi të tilla kanë ndodhur gjatë historisë. Shumë atentate
i janë bërë ëndrrave liridashëse. Aty secili hap ishte një pusi a pritë e
errët, si gjarpër i zi.
As
hëna nuk kishtë dalë
Rrëzë
bjeshke atë natë
Vetëm
terri shtrihej si gjarpër i zi
Terri
që ndante atdheun në dysh
Atdheun
e moçëm nën qiellin gri
Dhe
pjesën tjetër nën shi...nën shi...
Vetëm
një hap duhet ta bësh Të parin dhe shtegtimi merr udhë. Ai vendim për jetë a
vdekje ishte marrë që më parë. I pandalshëm. Shtegtim që shënon gjithnjë pikën
e rritjes, nëpër drama tragjedi të pafund. Muja bën atë që është e drejtë, duke
e jetuar secilin çast e secilin hap me ritmet e frymëmarrjes së atdheut e të
lirisë. Ashtu, me ritmin e një kënge. Jeta në luftë e ka të veçantën e tij.
Gjithçka frymon me tjetër ritëm, me tjetër domethënie. "Jeta është një
shtegtim që duhet të udhëtohet pa marrë parasysh sa të këqija janë rrugët dhe
akomodimet" thotë Oliver Goldsmith, shkrimtar anglo-irlandez. Udhëtimi i
vështirë nuk është edhe udhëtim i errët, i verbëtr. Është ai që merr flakë nga
dashuria për atdheun dhe lirinë:
E
rruga ishte e largët tek zhdukej në pafundësi
Ai
vështron fushat e paskaj të Kosovës
E
mendon për zogjtë:
Nuk
ka vend më t’bukur fluturimi
Kur
flet me lumenjtë thotë:
Është
vend i papushtuar
Kur
numëron plagët shton:
Vetëm
vdekja ia shton bukurinë Lirisë!
Poeti
në disa vargje, i sintetizon, i bën njësh, figurat e esencat e luftës (e bukura
– liria apo: pranvera, shtegtimi – rima). Aq afër Kosova dhe aq e largët rruga.
Është vendi që nuk pushtohet, sado që aty janë armiqtë. Në ligjërimin e tillë
poetik s’ka zhgënjime apo disponime të ngrysura e të ngërthyera në kornizat e
një bote egocentrike. Lufta s’i pranon këto. Sepse ajo bëhet për t’i hapur
horizontet e gjera etike. Prandaj, edhe jeta të ligjëron aq e aq natyrshëm;
jeta e vënë në zgripin e saj. Sa poezi jetësore ka në vetë aktin e ballafaqimit
me armën, me vdekjen, me vetësakrifikimin e ndërgjegjshëm! Këndimi merr
gjithnjë e më shumë impulse të tilla baladike, me refleksione të tilla
thellësisht të gjakuar. Aty shquhet guximi i luftëtarëve. Poeti nuk zgjedh
figura tribunale, të fryra. Por jep esencat: si ta kapërcesh këtë sfidë, edhe
nëse rruga aty mbaron?! Armiqtë kanë harruar se sekreti i këtij veprimi
historik, i armës përmbi të gjitha armët, është guximi. Është trimëria
proverbiale shqiptare.
Në
Antikën greke logos-i dhe ethos-i, dija dhe virtyti, ishin e njëjta gjë; ishin
dy faqet e së njëjtës medalje. Kurse praxis-i e kishte pjesë të veten, të
pandarë, theorisis-in. Nga ky këndvështrim, trimëria, guximi, heroizmi,
përbëjnë një etos të veçantë kombëtar, virtyt e dije, mendësi të veçantë të
edukimit etnik, si një nga mënyrat më të sigurta për të realizuar e për të
bartur mesazhe tek ndërgjegjja kolektive; të cilin etos krijimtaria popullore e
ka memorizuar në kujtesën e kombit, nëpërmes këngëve e formave tjera të
krijimtarisë.
Prandaj,
nga edukimi i tillë estetik e etik. edhe Kënga për Mujë Krasniqin tashmë është
ridimensionuar dhe ka marrë formën shumëplanëshe të shpirtit artistik.
Por
paritmas vjen çasti kulmor i rënies. Tashmë sfondi i peizazhit ndryshon,
numërimin e të rënëve mund ta bëjë, si kumt të zi, vetëm një ëndërr e keqe:
Pastaj
zbardh dita e plogësht
Dhe
ëndër e keqe numëron 36 herë
Dhëmbja
shtron gjakun për dhe
Vashat
shamizeza ulur nën një breg
Kanë
ndalur pranverën e bimët që mbijnë
Diku
në një shteg...diku në një rimë
Shtegtimi
u ndal. Mu te kufiri shqiptaro-shqiptar, i aq e aq reminishencave
refleksive-historike. Aq të rinj, ku vashat tashmë janë shamizeza, ndonjëra për
vëllain, tjetra për të dashurin e saj, për prindin a të afërmin. Se skena të
tilla janë përsëritur gjatë historisë! Skena të pritjes së lajmit kobzi.
Për
një çast ndalon pranvera. Ndalon e bukura, për të marrë hov të ri, të
magjishëm, të paparë. Balada mishërohet, sintetizohet me aktin heroik, bëhet
njësh me shtegtimin, rima bëhet njësh me pranverën e ndalur, bimën dhe
shtegtimin: ("Kanë ndalur pranverën e bimët që mbijnë/ Diku në një
shteg...diku në një rimë"). Kjo nuk është çfarëdo shkrirje. Kjo shkrirje
sugjeron strofën në vazhdim:
Ai
sërish ngritet dhe nis këngën e moçme
Që
këndohej në anët tona:
Nuk
po mundem or shokë me folë
Se
m’ka ra do gjak në gojë...
Pra,
figura e Mujës tashmë u shtri e u shkri në përmasat e gjithë Atdheut duke u
kënduar me frymë tirteiane e homerike, me artin fisnik në portretizimin e heroit
luftëtar. Për të këndohet e shkruhet si për gjithë universin shqiptar: në
Kosovë, në Shqipëri, në Çamëri, në Shkodër, në Prishtinë, në Shkup, në Vlorë:
si për dramën tragjike e të rëndë, për dhembjet e pafund e për qëndresën
mbinjerëzore të popullit të tij, për holokaustin, për golgotat e për eksodet
biblike shqiptare. Vargjet fundore "Nuk po mundem or shokë me folë/ Se
m’ka ra do gjak në gojë..." përpos tonit të baladës, sugjerojnë shumëçka
tjetër: pritën e zezë, tradhtinë e rëndë, përfundimin e një udhëtimi, por ai
është në këngë ("Ai sërish ngritet dhe nis këngën e moçme"). Duke i
përsëritur ato dy vargje të këngës së moçme, aq sa e moçme është e keqja dhe
tradhtia. Kodi estetik i poezisë arrin edhe shkallën më të lartë semantike të
njohjes, sepse “jeta e popullit shqiptar është një histori përpjekjesh dhe
luftërash për liri dhe tokë...Këngët historike janë dëshmi shumë e gjallë e
rrugës së vështirë, po heroike, , në të cilën ka ecur populli ynë gjatë
shekujve. Këngët historike kanë mbajtur lart ndjenjat e mëdha luftarake e
patriotike të popullit...ato e kanë frymëzuar popullin për beteja të reja
çlirimtare”(HLSH, fq 79).
3.
Në dalje
Diku
te këngë për Mujën klndohet:
Këndon
Tirana, këndon Prishtina
zemër
hapur i pret Klina
Niset
kënga prej Çabiqit,
vjen
në shesh të Mujë Krasniqit.
Në
derdhjet e tilla të figurimeve letrare e të përjetimeve të ndjeshme, krijuesit
nuk shfaqin shpirtngushtësinë e tyre apo egoizmin e barrikaduar ideologjik; në
krijimet e tyre nuk ka “seleksionim figurash” apo “taborre dëshmorësh” të ndarë
nga njëri-tjetri. Kurrsesi. Ata, të gjithë së bashku, në këtë testament lënë
një gjurmë nderi a një vazhdë të ndritur shpirti.
Te
ky krijim kemi një trini të të madhërishmes: Muja me 36 të rënë, lufta e UÇK-së
dje poeti luftëtar, Tahir Desku. Në arte, megjithatë, është i njohur parimi i
ndriçimit të krijimtarisë me vetë aktin jetësor, ashtu sikundër do të
përfshinte ky parim edhe ndriçimin e aktit jetësor me anë të krijimtarisë. Në
këtë drejtim krijuesit e këngës, duke e trajtuar figurën e Mujës, kanë arritur
ta shpërfaqin një komunikim krejt të ri artistik. Një komunikim, i lindur
mundimshëm nga vdekja e nga heroikja, ngërthehen në një ligjëratë të
drejtpërdrejtë poetike. Një komunikim aq universal që vë lidhje me njerëzoren.
Tek e fundit, ky komunikim shkrin dhe shfaq më vete përmasën humane, njerëzore,
si dhe atë katarzën e njohur aristoteliane me efekt çlirues: lufta dhe liria
janë vepër e të gjithëve, janë fitore e mundimeve, e vuajtjeve dhe e
sakrificave të përbashkëta kundër atij terri shekullor.