Kulturë
Albert Habazaj: Kristo Çipa, loti dhe mjalti i realitetit tonë
E enjte, 10.12.2020, 06:32 PM
KRISTO ÇIPA, LOTI DHE MJALTI I REALITETIT TONË
Nga Albert
HABAZAJ
Kristo
Çipa është një emër letrar i njohur tashmë jo vetëm në Vlorë, Himarë e Labëri,
por i dukshëm në botën e letrave shqipe dhe me ndihmesë të çmuar në
etnokulturën shqiptare. Përveç të tijve atje, në Pilur “në malet ku hapet
bota”, mund të jem nga më të herëtit që i njoh në thelb shpirtin fisnik dhe
vjershëtarinë bujare të tij. Ndoshta, kjo falë edhe gjenetikës në rrjedhat e
kohës ?! ...
Kristo
Çipa është poet dhe rrëfenjëtor i talentuar dhe ka botuar 4 libra deri më sot:
“Guri i rëndë në vend të vet”, poezi, 2008, “Ruzana: mite dhe legjenda të
Pilurit”, 2010, “Këmbana e dashurisë”, poezi, 2012, “Vesha mjegullën e hollë”,
poezi, 2020. Së shpejti presim botimin e radhës me perla shkrimore me burim nga
gurra e pashtershme e prozës popullore.
Dikur
e kam cilësuar si një bulëzim kutelian të Pilurit në sotmëri, por ai është i
tëri Kristo Çipa, krijues origjinal që ka pirë e pi ujë të shëndetshëm në
gurrat e vargmaleve të Vetëtimës, në Labërinë e Himarën me histori e kulturë.
Libri
që kemi në dorë është një lartësi e bukur poetike, ku shkëlqen me estetikën e
vargut spontan e pse jo të lindur, aq të kulluar! Kur lexojmë shumë nga tekstet
poetike të këtij vëllimi, vihemi në mëdyshje e themi me vete: “Ore, po sikur i
kam të dëgjuara këto vargje, këto poezi...”. Po, ashtu është. Shumë nga poezitë
e tij kanë patur fatin të këngëzohen nga vetë ai për ata bilbila kënge të
“Bejkës së Bardhë” që konkurojnë bilbilat e qiellit dhe të fluturojnë
hapësirave të kaltra të kujtesës popullore dhe nderimit folkorik në këngë e
valle të kënduara labërisht, sipas stilit muzikor të Pilurit, duke u pasuruar
në përditësim.
Kristo
Çipa në krijimtarinë e tij është një emblemë dashurie universale, sa atdhetar
brilantin i flaktë, me zemër e veprime, aq shënvalentinas i rëgjuar, si dashnor
heroik në kosheren e mjaltit të tij. Profili letrar i Kristo Çipës më
shëmbëllen me Trampolinën dinjitoze ku Folkori i florinjtë, në harmoni bukurore
ngjiz Palcën e identitetit në frymën moderne të poezisë bashkëkohore të
autorit, të cilën e vërejmë në poezi të tilla si “Kur çel lisi”, “Tretja e
fshatit”, “Shpresa”, “Kur humba” etj.
Për
autorin, njohja e realitetit është kyçi i motiveve, i vlerave dhe suksesit.
Fatmirësisht,
autori që ka veshur mjegullën e hollë, është loti dhe mjalti i këtij realiteti.