Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Venat e Qytetit
E merkure, 16.12.2020, 07:55 PM
Venat e Qytetit
Nga
Edison Ypi
Qafa
të trasha, balle të dhjamura, bythë të gjëra, barqe burrash, Tirana dhe
Shqipëria po përmbyten nga monstruozitete antropometrike.
Recetat
e dietologëve, këshillat e mjekëve, vizitat te ekspertët, frekuentimi i
palestrave dhe pishinave, sado të efektshme, sado të shtrenjta, nuk po i ndalin
deformimet, trashjet, sëmundjet, lodhjet, ngordhjet, vdekjet, varrosjet.
Diabeti,
Zemra, Mushkëria, Ankthi, po bëjnë kërrdinë. S'ësht çudi pas pak të zhdukemi
nga faqja e dheut.
Shqipëria
i ndërtoi më së fundi grataçielat, autostradat, tunelet, supermarkatat,
restorantat, hotelet, dhe të tjera kollajllëqe të shumpritura konsumistike. Por
nuk po e shtojnë proporcionalisht lumturinë. Përkundrazi, po shkaktojnë një
dëshpërim misterioz që s'kuptohet nga vjen e ku po shkon.
Të
ngecur në qorrsokakun e problemeve me shëndetin, tek kujtojnë se ishin më të
shëndetshëm dhe ndjeheshin më të fortë kur hanin pak dhe visheshin keq,
shqiptarët po çfaqen të ngathtësuar, të mpirë, të hutuar, po duken sikur u ke
rënë me çekiç gome në kokë. Trurin, gjymtyrët, shqisat, që dikur ua mbante
gjallë "hovi revolucionar", tani s'ka cili hov tua përtërijë, as cili
revolucion tua shërojë. Tani s'ka hove dhe revolucione. Tani ka fruta dhe
perime të modifikuara, dhëmbë të kalbur, diabet, dhjamë, ankesa nga më të
frikshmet; Ndjehem i këputur, më merren mentë, më fërshëllen koka, më mpihet
këmba, dora, gishtat, më flihet gjumë, shoh ëndërra me sy hapur, dëgjoj daulle
me veshë mbyllur, më janë ngathtësuar gjymtyrët, më janë ndryshkur organet, e
të tjera e të tjera.
Gjendja
alarmante kërkon një zgjidhje, një rrugëdalje.
Cila
kavo çeliku, cili vinç apo çengel gjigand, mund t'i nxjerri shqiptarët nga
fundi i gropës së frikëshme me mure materiale kilometrike dhe thellësi
shpirtërore humnerore ku kanë rënë ? Çfarë mekanizmi duhet shpikur që qeflinjtë
e muhabeteve, ekspertat e thashethemeve, mjeshtrat e intrigave, adhuruesit e
epeve dhe legjendave, të pasionuarit e lahutave dhe çiftelive, trimërive dhe
heroizmave inekzistente, të gjithë këta pra, t'i shkulësh nga zgëqet e rehatit,
qoshet e parazitisë, kafenetë e ngrohta, kolltuqet e dashura, divanat me susta,
shiltet e buta ?
Një
ditë, aty nga fillimi i Pandemisë, pa ndonjë qëllim, sa me u gjin' Kola n'pun,
i hyra me e ndreq biçikletën që e kisha hedh' në një qoshe. E krruajta, e
pastrova, e lava, e lubrifikova, ja ndërrova zinxhirin, e fryva, i shtrëngova
ca vida.
Ta
përdorja s'bëhej fjalë. Askush nuk përdorte biçikletë. Për shkak të trafikut të
dendur, dalja nëpër Tiranë me biçikletë ishte ekuivalente me vetvrasjen e
sigurtë.
Mirpo,
pas ca ditësh, në një moment, kur për një nga arsyet e shumta mu shkrep të
vetvritem, mora biçikletën, dola. Kur ç'të shoh ?! Anës rrugës, diçka e
paimagjinueshme. Shirit i dedikuar për biçikleta ! Me vija me ngjyra, me
shigjeta, me shenja të ngulura, me të gjitha. S'u besova syve. Hoqa dorë nga
vetvrasja. Çfar' po shihja ishte krejt njësoj si në Romë, Milano, Paris, Londër,
dhe kudo gjetkë në vendet e qytetëruara. Parajsë biçikletash në mes të ferrit
të makinave. Kur s'u çmenda atë çast, nuk do çmendem kurrë.
Të
nesren, të pasnesren, e kështu me rradhë, dy herë në ditë nga gjysëm deri në
një orë, kaluan javë dhe muaj. Biçikleta më hyri në qef. Me biçikletën dhe
korsitë e biçikletave u dashurova. Jo vetëm unë. Shumë e shumë të tjerë.
Ndërkohë, mbi korsitë lëviznin mijëra e mijëra biçikleta.
Brenda
kësaj euforie, një ditë ndjeva një bezdi të çuditëshme të këndëshme si trikoja
e leshit e veshur në mish, që të ngroh, të masazhon, dhe gërvisht pak. E
ndjeja, por s'po e kuptoja çfarë ishte, nga më vinte mrekullia që kishte
ndodhur brenda meje. Pas pak minutash, erdha në vete. Pas disa muajsh biçikletë
mbi korsitë e dedikuara, nuk ndjeja më asnjë dhimbje mesi. Ai mes prej të cilit
kisha shumë dimra që ankohesha dhe e kisha konsideruar të marrë fund, brenda
pak muajve ishte bërë më i fortë se mesi i Herkulit.
Gjatë
euforisë së mesit të ringjallur, mora vesh se Tirana ka 45 kilometra korsi
biçikletash. Nëse kjo shifër, të cilën e verifikova, të duket e ekzagjeruar,
mund të vazhdosh të jetosh rehat pa asnjë kokëçarje, testi i arsyetimit të
shkrutër dhe ndjeshmërisë së pakët, pra
testi i bastardit, të ka dalë pozitiv.
I
hyra një hesapi për të pasur një ide rreth efekteve pozitive që shkaktojnë mbi
shëndetin e 100 mijë përdoruesve 45 kilometra korsi të dedikuara.
-Korsitë
në fjalë, apo Venat e Qytetit, gjallërojnë 100 mijë Tru, po aq Zemra, dhe po aq
sisteme qarkullimi gjaku.
-Heqin
dhimbjet eventuale nga 100 mijë kolona vertebrale.
-Përmirësojnë
punën, fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë, e 3 milionë e 300 mijë rruazave
kurrizore që u përkasin 100 mijë përdoruesve të korsive.
-Përmirësojnë
punën e mijëra e miliona, nerva, muskuj, kyçe, artikulacione.
-Meqënse
gjaku atje ku shkon shëron, biçikletat dhe korsitë, forcojnë në përgjithësi
shëndetin. E po u ndreq shëndeti i disave, nuk mund të qëndrojë indiferent
shëndeti i të gjithëve.
Pra,
me vetëm një biçikletë dhe korsinë përkatëse që të ruan mos hysh derr e dalësh
sallam mes ndonjë Benzi 100 mijë Euro të ndonjë fukarai pukjan dhe Toyotas 80
mijë Euro të një fukarai mallakastriot, duke përmirësuar rrënjësisht shëndetin,
i ke thënë ciao ankesave, dhimbjeve, dyshimeve, ecejakeve, farmacive, ilaçeve,
antidepresivave, këshillave, vizitave, dietave
palestrave, pishinave.
Bitëllsat
mund t'i grisin kapuçat e njëritjetrit, por jo të prishin korsitë e
biçikletave, Venat e Qytetit.