E enjte, 28.03.2024, 06:04 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Biçikleta

E premte, 18.12.2020, 07:03 PM


Biçikleta

Nga Edison Ypi

Biçikleta ishte një rraqe metalike tepër e vyer.

Biçikleta blihej, shitej, falej, këmbehej, vidhej, flinte, zgjohej, plagosej, rënkonte, sëmurej, shërohej, por kurrë nuk vdiste.

Biçikleta në shitje kishte aq rrallë sa nuk mbahej mend kur kishte ndodhur.

S'dihej kush e kur e ku e kishte blerë biçikletën. Biçikleta gdhihej e ngrysej anonime si breshka brenda zhguallit.

Biçikleta ishte sendi më i lakmueshëm për tu vjedhur. Vjedhja e biçikletës ishte fatkeqësi nga më të mëdhatë që mund të pllakosnin. Për ta lidhur biçikletën pas ndonjë shtylle për mos ta vjedhur përdorej një lukuni me dryna, kavo, litarë, zinxhirë.

Nëse ndodhte që po atë ditë kur të vidhnin biçikletën të vidhnin edhe antenën dhe ndonjë rrobë që e kishe varur në tel për ta tharë, kupa derdhej, jeta sterrosej.

Një herë e një kohë biçikleta kishte targë dhe një si tesër. Ndoshta kishin kopjuar Kinën ose Rusinë ku biçiketat ishin me miliona.

Shqiptarin barkzbrazur veshur keq me një biçikletë përdore duke u endur nëpër Tiranë - nuk doli asnjë Mikelanxhelo ta pavdekësonte në mermer atë kryevepër.

Pse nga Rusia prejku vinin të shumtat e hekurishtave nuk erdhën kurrë biçikleta ? askush nuk e dinte.

Biçikleta e parë më e përhapur quhej "Diamant". Çonin në Gjermaninë Lindore domate e kastraveca, merrnin Diamanta.

Pastaj sollën Mifa, e ngjajshme me Diamant-in por jo aq e fortë.

Ca kohë qarkulloi një biçikletë vietmeze. Ishte e dobët. U zhduk shpejt.

Provuan të prodhonin biçikleta "me forcat tona". Dështuan me sukses.

Biçiketat kineze që i sollën me shumicë në vitet 70-80 kishin të pikturuara ca gjarpërinj, nuk kishin emër. Quheshin të gjitha "biçikletë kineze".

Biçikletat ishin dy llojesh;

Me hekur, të cilës nuk mund t`i hipnin femrat se u dukeshin brekët, dhe bëhej hataja.

Pa hekur, demek tip Vespa, që mund të përdorej pa frikë nga femra e meshkuj edhe pa brekë.

Mirmbajtja e biçikletës s'ishte problem. Për mirëmbajtjen e biçikletës zbatohej me sukses parimi "kam te puna". Nëse duke ndrequr biçikletën "te puna", ndodhte që andejpari kalonte brigadieri, shefi, drejtori, ata jo vetëm s'të pengonin, por të shihnin me dashamirësi.

Ndonjëherë biçikleta ishte shpëtimtare.

I thanë njërit; Mbete me biçikletë a ditëzi. E ke që e ke një kushuri në Greqi. Thuaji të sjelli një motocikletë ?

Ua priti miku; Jo. Kurrë. Tani që lëviz me biçikletë, më vënë nga pas një spiun me biçikletë, dhe janë të qetë që nuk do arratisem. Po të marr motoçikletë, unë me motoçikletë, spiuni im me makinë, është shpenzim i tepërt për një përkujdesje që nuk e meritoj, dhe më degdisin në Spaç.

Disa biçikleta kishin një fener elektrik për tu ruajtur nga trafiku inekzistent.

Varkat, gomonet, komardaret, krahët fluturues si të Ikarusit, mjete arratisjesh këto, dalë me tërsëllëmë nga truri i ndezur gjatë delireve nokturne me sytë në tavan, me gjithato pedale, timona, zinxhira, rrotëza, ishin të frymëzuara nga biçikleta.

Nga pjesët e biçikletës më e famshmja ishte "shala" ku rehatohej bytha.

Në memorjen kolektive shqiptareske, shala mbeti e paharruar si "rehati mikroborgjeze" e paevitueshme. Prej shpikësave dhe racionalizatorëve të panumurt, askush nuk pati fantazinë e duhur për të shpikur një mekanizëm për të evituar rrezikut e nguljes së tubit të shalës në brimën e bythës.

Në zgarën e biçikletës mbahej ajo që quhej "bukë me vete".

Ndonjëherë mbi zgarë rrinte gruaja.

Disqet, telat, zinxhiri, pedalet, kontrapedali, etj. sado të vjetër e difektozë s'ishin problem.

Problem ishin komerdaret dhe kopertonat. Por u bëhej dermani.

Kamerdaret mbusheshin me pulla mbi pulla si arna mbi arna për shumë vite.

Kopertonat arnoheshin nga brenda dhe qepeshin me spango.

Aq e dashur, e urtë, besnike, ishte rraqa biçikletë, sa edhe në filmat e luftës imagjinare nacional çlirimtare, halabakët atentatorë nëpër rrugica nuk paraqiteshin kurrë mbi kuaj, apo gomerë, apo makina, vetëm mbi biçikletë.

Shqiptari biçikletën e dashuronte. E përkëdhelte. I puthte shalën.

Shqiptari dhe biçikleta u divorcuan kur u derdhën nëpër ambasada, u ngjitën nëpër trageta, dhe u martuan përsëri para pak kohe mbi korsitë e dedikuara.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora