E merkure, 09.10.2024, 09:55 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Surrati i Shqiptarit

E merkure, 21.10.2020, 12:16 PM


Surrati i Shqiptarit

Nga Edison Ypi

Surrati i spiunit, surrati i sekretarit, surrati i komshiut, surrati i drejtorit, surrati i kolegut, surrati i pedagogut, surrati i puntorit, surrati i kunatit, surrati i baxhanakut, surrati i vjehrrit, surrati i shokut të ushtrisë, surrati i shokut të zborrit, këta dhe të tjerë surretër shqiptarësh, cilësoheshin surrat qen, surrat derr, surrat majmun, surrat gjarpër, surrat skuth.

Shtrembërimi katastrofik i surratit të shqiptarit ndodhi si produkt i mardhënies së atij surrati me një send, me një makinë, me një automobil të vogël rus që edhepse ishte pikërisht e kundërta e të qeshurës quhej Gaz.

Gazi i drejtorit, Gazi i sekretarit, gazi i shokut Kadri, Gazi i shokut Hekuran, gazi i shokut Pilo, ishin nga gazat më të njohur.

Gazi nuk ishte projektuar për shokun Mehmet as për shokun Simon apo shokun Manush, por për tjetër gjë, për ndjekje, arrestime, internime.

Tmerri i rrugëve, rrugicave, lagjeve, fshatrave, ishte gazi i Degës.

“Erdhi Gazi” ! tmerronte të madh e të vogël.

Gazi të dilte përpara si ujk, të kalonte anash si dhelpër, të vinte nga mbrapa si zagar.

Gazi kalonte dhe frenonte zhurmshëm edhe pa ndonjë shkak të dukshëm, vetëm për tu kallur datën surretërve që Gazin e kishin frikë, madje e nderonin.

Misteri i shfytyrimit monstruoz të surratit të shqiptarit, pra spiunave, servilave, sahanlëpirësve, zorraxhinjve, dhe të gjithë edepsëzëve të tjerë, nuk mund të kuptohet pa kqyrur si duhet surratin e Gazit.

Me parafango, fenera, xhama, llamarina, pasqyra, goma, surrat kafsha, surrat bisha, surrat vrasësi, surrat krimineli, e gjithë pështirosja njerëzore, egërsia, ftohtësia, ligësia, memecllëku, budallallëku, tuhafllëku, turpi, llumi, mungesa e stilit, mungesa e elegancës, mungesa e finesës, ishin në surratin e përbindëshit metalik, Gaz-it.

Surrati i Gazit të dhunës dhe surrati i shqiptarit të keq jepnin e merrnin për ti ngjarë njëri-tjetrin.

Njerëzit normalë i largoheshin Gazit

Për ti bishtnuar rrezikut të ngjajshmërisë, njerëzit normalë Gaz-it i largoheshin.

Zagarët që nuk e kishin problem se surrati u bëhej si i Gazit, i afroheshin.

Jo pak shqiptarë ranë në dashuri me Gazin si me xhelatin. Me kalimin e kohës surrati i shqiptarit u bë si surrati i Gazit të Rusisë dhe vetë shqiptari u bë si Gazi i botës.

Që një popull i tërë të binte në dashuri me një makinë, dhe ta linte surratin e vet të bëhej si surrati i asaj makine, kjo vetëm në Shqipëri ka ndodhur.

Ka sot plot shqiptarë me surrat aq të deformuar sa Mitsubishin ose Fordin e Komisariatit të Policisë e quajnë Gazi i Degës.

Kur brezat e ardhshëm ta shohin Gazin në ndonjë muze, të habitur dhe të dëshpëruar  do thonë;

Prandaj s'bëjmë hajër ne surratbaltat. Gjyshat dhe gjyshet na i paska përdhunuar Gazi. Qënkemi kopilat e një makine.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora