Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Qajtore
E marte, 20.10.2020, 12:10 PM
Qajtore
Nga
Edison Ypi
Në
Prishtinë e shkruajnë “Qajtore”, por është “Çajtore”. Në Tiranë e shkruajnë
Bar, Kafene, Pub, por është “Qajtore”. Pronari i Qajtores së Tiranës 20 vitet e
para të jetës ka ngrënë dy herë në ditë përshesh me kos. Tani mban zinxhira
floriri rreth qafës së dhjamur. Në Qajtore dy studente flasin pa u ndalur me sy
e vetulla duke flakur sa majtas sa djathtas qafave të bardha floknajat e zeza
duke i thënë njëratjetrës asgjë. Tre djem të rinj me mjekrra të vizatuara si
parzmore mesjetare nga ata që s'kanë prekur kurrë femër me dorë, diskutojnë
seriozisht për selfie dhe aventura sentimentale inekzistente. Një mesoburrë që
lexon gazetat duke rrufitur kafenë përballë murit, bën reforma, thur e çthur me
mendje parlamente e qeverira, dënon, fal, bllokon e çbllokon situata të
ndërlikuara politike, juridike, ekonomike, gjeopolitike. Muzika e sfondit sipas
shijeve të banakierëve, shkatërron pa mëshirë kiminë cerebrale të qajtoristave.
Tre tipa "bëjnë biznes" përmbys mbi ca skica me shifra dhe vizatime
që duken si harta yjore. Disa vogelushë i vërsulen një qajtoristi për t'i
shitur të njëjtat paketa dhe çakmaqe. Fitimtari është gjithmonë një kërthi
sykaltër qethur tullë. Të afrohet dikush që ta bën falas testin e
budallallëkut. Të thotë rrëzë veshit se ka mbetur pa "miell".
Tmerrohesh se e mendon të uritur. Por vjen shpejt në vete, kupton për çfarë
"mielli" është fjala kur të thotë se ta shet për 10 mijë lekë të
vjetra një zinxhir "prej floriri", që në fakt është prej bronxi. Sa
shumë Qajtore. Rogneri, Sheratoni, Grandi, Qajtore luksoze. Gabi Qajtore që na
vesh me zhelet dhe zhulat e dynjasë. Qajtore restorantat ku shqiptarët ngopin
urinë e etërve me male mishi, bërxolla, tava dheje, rrëke dhjami nëpër turi.
Qajtore dhe Vajtore gjithandej.