Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Libri i keq
E shtune, 24.10.2020, 05:54 PM
Libri i keq
Nga
Edison Ypi
S'ka
gjë më të keqe dhe më të dëmshme se libri i keq.
Libri
i keq është një zhgarravitje dhe një llomotitje e papërgjegjshme, pa punë të
lodhëshme, pa sakrifica të mundimshme, pa shkak të madh, pa arësye e lartë, pa
talent, energji, ndjeshmëri, dashuri, frymëzim, përkushtim, vetflijim.
Libri
i keq është një çthurje e thurur pa magjepsje, pa dehje, pa dalldi, pa çmendje
të bukur, pa marrosje të këndëshme.
Libri
i keq është një vjellje e kollajshme pa lodhje për tu shprehur sa më shkurt dhe
sa më bukur.
Libri
i keq është një koleksion ligësish plot me përdredhje konformisti, insistim
budallai, stoicizëm edepsizi, vuajtje të paafti, përpëlitje oportunisti,
shkretëtirë shpirtërore materialisti.
Libri
i keq është një ankth prej të cilit do të shpëtosh por s'di se si, do të ikësh,
por s'di se ku.
Libri
i keq, pa lodhje në secilën fjalë, pa mundim në secilën rrokje, pa vuajtje në
secilën gërmë, pa mahnitje në secilin tingull, pa përdorim të filtrave
artistikë që s'lejojnë të depërtimin e llumrave, pa atë misterin që të
shkruarën e bën Art, pa atë delirin që të bën të fërgëllosh, pa atë dorën e
padukëshme që ndez dritën e përtejme, pa atë flakën e zbehtë që leximin e bën
të këndshëm dhe librin Letërsi, është një batak i amanozotshëm plot me zhaba,
gaforre, gjarpërinj, insekte.
Libri
i keq është një përpjekje e kotë për të mbushur me bosh një humnerë të
dobishme.
Libri
i keq është një kombinim situatash banale që s'bëjnë asnjë tablo, s'formojnë
asnjë mozaik.
Libri
i keq është një stinë e mërzitshme. Behar pa Dashuri. Dimër pa acar. Pranverë
pa aroma. Vjeshtë pa fruta.
Libri
i sotëm i këllirshëm është më i keq se libri i keq i diktaturës që na
shkaktonte gajasje spasmatike.
Libri
i keq i sotëm është një ferr që s'të bën të qeshësh por vetëm të vuash.
Libri
i keq është shkaku që shumicës së shqiptarëve të sotëm u merren mëntë pasi
lexojnë një paragraf.
Libri
i keq është arsyeja pse u duket vetja shkrimtarë po arritën të shkruajnë një
rrjesht e gjysëm në kompjuter.
Libri
i keq nuk ekziston për tu lexuar.
Libri
i keq ekziston për tu shitur dhe për të bërë të njohur menderautorin e
plehërveprës duke dëshpëruar lexuesin.
Libri
i keq është mënyra me efikase për ta ndotur Tempulline Artit duke i vënë kazmën
Letërsisë.
Libri
i keq nuk është për shqiptarë, as për njerëz.
Libri
i keq është për gjallesa primitive të një planeti të largët ku e shkruara
artistike pritet të nisi pas miliona vitesh.
Libri
i keq është shpërdorimi më i përbindshëm që i bëhet Lirisë. Poshtërimi më i
padenjë për një komb të vjetër. Dënimi më i pamerituar për një popull
leximtarësh.