Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Dasma ime
E shtune, 21.11.2020, 03:51 PM
Dasma ime
Nga
Edison Ypi
-Që
thua ti, në katundin tim kurrë nuk ka ndodhur gjë më interesante se dasma ime.
Pas pesë vitesh që erdha nga emigracioni ku fitova ca çika lek, vendosa të
martohem. Pyet këtu e këtje, ja vura syrin për shoqe të jetës një perrie në
katundin tjetër. Fola me babanë e vajzës. Bëra përgatitjet. Erdhi dita e
dasmës. U nisën krushqit për të marrë nusen. Kur arritën mbetën me goj hapur;
Gjysëm ore para mbërritjes së krushqëve, nusja ishte zhdukur. Ishte rrëmbyer me
dikend që e dashuronte fshehtas prej kohësh. U llaftarisa. Dasma ime paskish
qënë një ëndërr. "Shoqja e jetës" doli tradhëtare. Jeta skëterrë.
Çfarë gabimesh kisha bërë që dasma mu avullua ?
Ku s'më vajti mendja. Ndoshta duhej të kisha bërë më tepër kujdes me
perrinë, ta kisha puthur, përkëdhelur, shoqëruar, sajdisur. Por nuk mund ta
zgjasja me teorira. Rrethanat dramatike kërkonin zgjidhje të shpejtë. Mblodha
veten. I them babait të tradhëtares; Ç'më bëre o i uruar ? Vajzën e desha,
dasëm përgatita, ku të mbytem unë tani ? Mos u shqetso, tha babai i besëprerës.
Ajo që iku, iku. Tani, që unë të mos luaj mendsh, dasma jote të mos prishet dhe
jeta jote të mos nxihet, propozoj këtë zgjidhje për të dalë nga situata. Kam dy
çupa të tjera. Merre për grua njërën prej tyre. Cilën të duash prej të dyjave. Hajt
u trashëgofsh. Mora kokën mes grushtave. Thashë me vete; Ç'thotë ky vjehërr
monstër ? Le nusja dhe dasma, po jetës time si i bëhet ? Problemi duhet parë me
seriozitet, me thellësi, me gjakftohtësi. Po ta prish këtë dasëm, mendova, do
më ikin dëm përgatitjet, do më duhet të lodhem të gjej një tjetër nuse dhe të
bëj një tjetër dasëm. Por mbase gjëndja nuk është aq dramatike. I them vjehrrit
shejtanbudalla; Dëgjo o vjehërr, Femrat janë bërë të gjitha njëlloj. Zere se mu
ça goma e makinës në mes të rrugës dhe do ta zëvendësoj. Vish nuse cilën të
duash nga dy çupat. Le të vazhdojë dasma ime dhe të kërrcasë ahengu që për qime
desh u prish. Ashtu u bë. Mora për grua njërën nga dy çupat e vjehrrit. Një
surrat nallane që s'shihet me sy, edhe lugatin e tremb. Kështu mbaroi dasma
ime. Kujdes me dasmën tënde.
-Un
nuk do martohem.
-Pse
?
-Sepse
para dasmës tënde katastrofike preferoj dasmën time inekzistente.