Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Kosova s'ka qen
E diele, 18.10.2020, 11:38 AM
Kosova s'ka qen
Nga
Edison Ypi
Më
pat' marrë malli për perritë e Sharrit, hyjnitë e Istogut, shalgjatat e Pejës,
elegantet e Prizrenit.
Anipse
e korruptuar dhe e islamizuar, po digjesha për hiret e Kosovës, nazet e Saj, me
ja bo ca komplimenta, ca ledhatime, me e kap për qafe, me e puth në faqe.
Mezi
po duroja Kosovës me ja heq krejt rrobat. Dorpërdore me Kosovën cullak dhe
flokët që ja merr era, me shetit nga Kaçaniku në Leposaviq, nga Deçani në
Kamenicë.
Nuk
u nisa në Kosovë se më mori malli për imamët rrogëtarë pëllitës, as për
ministrat hajduta. U nisa në Kosovë për qef.
Kur
kisha bërë disa kilometra drejt Prizrenit, nuk po u besoja syve; Ku janë qentë
e shtypur me zorrë përjashta nga rrotat e makinave si në autostradat e
Shqipërisë ? Këtu makina ka, pse s'ka edhe qen të shtypur nga rrotat ? Ku po e
çon breshka e progresit këtë vend me makina dhe rrota, por pa pellgje gjaku
qensh të shtypur ?
Deri
në Kukës pashë disa qen të shpartallum nga rrotat e makinave. Shqipëria është
plot me makina, rrota, qen që me kryt nga hëna kuisin nëpër zyra e nëpër rrëza,
pranë restoranteve, nëpër sheshe, ca zgjuar duke marrë frymë me zor, të tjerë
kutullaç duke fjetur, duke dremitur, duke u krruajtur.
I
habitur nga kjo asimetri numerike qensh të shtypur nga rrotat, ndala në
Suharekë. Rrotull kasapit të Suharekës, asnjë qen. Ky konstatim u bë sebep për
me mësu më tepër për qentë e Kosovës të cilët mungonin edhe aty ku gjithmonë
janë, në thertore. Ku janë, si janë, çfarë hanë, çfarë lëpijnë vallë qentë
kosovarë ? Në një Restorant pa qen te dera dhe as brenda, mik i hershëm nga
Dobërdalani po ha e pi me dikend me mustaqe të trasha si degustator birre dhe
një tjetër me një seriozitet epik në surrat sikur sapo ka dalë nga një ep. Ne
kosovarët, tha miku nga Dobërdalani, nuk kemi pyje të prerë, nuk kemi kamarierë
që të shajnë nga mami po u hyre në restorant, nuk kemi qen zorraxhinj nëpër
rrugë e nëpër kazana. Autostrada nuk është për ty. Kalo nga Budakova.
Bëra
si tha miku. Duke u ngjitur në drejtim të Bjeshkës, para Budakovës, një
kalimtar që s'dukej si qen më qartësoi; Kemi kryesisht qen stani me e rujt
bagëtinë mos me e ça ujku. Nuk mundesh me i pa qent e stanit. Janë larg në
bjeshkë. Në katund kemi qen seriozë, qen gjahu. Për qen kockash, qen rrugësh,
qen plehrash, nuk bëhet fjalë. Budakova është një ballkon natyror prejnga
mundesh me pa gjysmën e Kosovës pa qen dhe një cop' Shqipëri plot me qen. Disa
budakovarë të rinj në verandën e një lokali; Kemi shpia, kemi kerra, kemi UÇK,
kemi emigracion, kemi pare. Kemi dhe një kerr të policisë serbe që deshte me na
shkel si kerrat e Shqipnis shkelin qent. Atë kerr kriminel, ne budakovarët
trima e dogjëm gjatë luftës. E kemi vu anës rrugës si muzeum në natyrë. Qen si
ata që thua ti, nuk kemi. I shmangem me kujdes ftesës së përsëritur të
budakovarëve për me ndejt për drekë e darkë me mish e pilaf e muhabet. Tabelat
e panumurta të rrugëve nuk kanë emra qensh, emra atentatorësh halabakë, si
rrugët e Shqipërisë. Kanë emra luftëtarësh të UÇK.
Katunde
mahnitëse njëri më i bukur se tjetri, fusha të mbjella, panorama pyjesh dhe
shkëmbinjsh në të majtë e të djathtë rrëshqasin si në dy filma që çfaqen
njëkohësisht për secilin sy. Shtëpitë, kopështet, arat, gjithçka e skalitur,
gjithçka si e vizatume me kompjuter. Por, çudi e madhe, asnjë qen. Asnjë qen
edhe pranë apo brenda disa restoranteve në vende turistike ku kamarierët
përgjigjen me mirsjellje për gjithçka i pyet. Kalimtari, çuni i minimarketit,
shoferi i furgonit, një çoban, një fëmijë me çantë shpine, çika që pret
autobuzin, për gjithçka me i pyt, të përgjigjen si njerëz, jo si qen. Diku te
një burim në një majë mali që u qujke "Kroi i Mbretit", kosovarë e
kosovaresha kanë ndal makinat, po pijnë ujë, po freskohen e po çlodhen duke
kqyrur pamjen sy-lumnuese. Pranë burimit duke lëpi mbeturinat, duke u krrujt a
duke flejt, asnjë qen. Më tutje, ku mbaron bjeshka dhe fillon fusha, kompleksin
modern të banjave nuk e ka ndërtu një qen për qentë por një njeri për njerzit.
Në Ferizaj, brenda në qytet, mundesh me kqyr nëpër qoshe, vrima, zgavra, para,
mbrapa, afër, larg, majtas, djathtas, por nuk sheh asnjë qen. Në mes të
qytetit, ku është një rrethrrotullim, ka restoranta ku klasa puntore e lodhur
nga puna ndërtimtare ha me qef Pasul dhe pi birrë. Por kurrkund nuk ka qen që
hanë mbeturina, lëpijnë kocka, apo sillen kot.
Një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, qytetarë të Ferizajt kur i pyta; Ku
jan qent, ku i keni qent, ku i mbani qent ? ngritën supet të habitur sikur u
fola në gjuhën vjetnameze. Me siguri më kan qujt budall Shqipnie që ka ardh me
pa qen ku qen s'gjen. Para Çajtores, rretheqark Spitalit, pranë farkëtarit, ku
shiten pjesë për kompjutera, ku gdhenden çelsa, ku shiten rroba, asnjë qen.
Boshatisa një tas me Pasul. Pas Pasulit më kapi paniku. Hamendja ndjellakeqe se
pavarsisht se s'ka qen në Ferizaj mund të ketë qen në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë,
Gjakovë, ma bëri trurin lëmsh. E pata bo në men me flejt një natë në Prishtinë.
Jo. Nuk do fle në Prishtinë. Për mos me e prish magjinë e Kosovës ku s'ka asnjë
qen, do kthehem në Tiranë ku të gjithë janë qen. Prej Ferizajt deri në Fush
Kosovë ku nis autostrada për Morini, asnjë qen, as i gjallë as i shtypur nga
rrotat. Në Fush Kosovë mora një autostopist. Jam drenicak, tha autostopisti.
Jam elektricist. Punoj në Prishtinë. Ja ndreq korentin shqiptarit. Ja ndreq
korentin edhe shkaut. Ndjej kënaqësi kur bëj sikur nuk kuptoj serbisht dhe
shkau detyrohet me më fol Shqip. Çfar qensh more. Nuk ka qen Kosova. Kemi qen
rrace, qen stani, qen gjahu. Nuk kemi qen langaraqë, buçe, bushtra që gërmojnë
nëpër plehra me lëpi kocka. Jam mysliman. Kujdesem të mos jem unë më tepër
musliman se shkau është ortodoks. Mbaj Ramazan. Nëse një shqiptar Shqipnie më
vjen mysafir gjatë Ramazanit, nuk e kam problem ta prish agjërimin me raki,
mish e pilaf. Ty të duket se Shqipnia ësht plot me qen dhe Kosova plot me
njerëz sepse ju të Shqipnis qentë i lini të lirë. nuk i lidhni. Ne të Kosovës,
qentë i lidhim, ose i vrasim. Faleminderit drenicak. Faleminderit që ma
zbukurove udhëtimin që e nisa me qef, e mbarova me qen.