Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Fjalorth
E diele, 04.10.2020, 08:59 AM
Fjalorth
Nga
Edison Ypi
Patriotizëm
- Teori dhe praktikë folklorike gjërësisht e përhapur në ditët e sotme që të vë
në dyshim gjithçka të ka rrënjosur edukata familjare dhe ke mësuar në libra
seriozë; Vlerat njerëzore, rregullat e jetesës në komunitet, respektin e
ndërsjelltë, rrënjët pellazge, prejardhjen ilire, Skënderbeun, pushtimin turk,
Ali Pashën, Rilindjen, Pavarësinë, Mbretërinë, Demokracinë, Pluralizmin,
Zgjedhjet e lira, lirinë e shprehjes, përkatësinë europiane.
Politikë
- Sport popullor mbarëkombëtar me të cilin mund të merren të gjithë. Prej
fanatikëve syskuqur të kafeneve që u telefonojnë televizioneve në mëngjez për
tu bërë thirrje qeverive të botës tu ndihmojë në krruarjen e bythës, deri te
çdo bandit, hajdut, mafjoz, halabak, që i shkrep në mendje të bëhet deputet.
Gazetë
- Diçka që dihet se çfarë është, por përderisa del me humbje se nuk e blen
askush, nuk dihet si dhe pse ekziston, si mbijeton.
Televizion
privat - Barrakë e ngritur prej dikujt që ndërton grataçiela ku gatuhen habere
të manipuluara për të shantazhuar qeverinë ti japi leje ndërtimi abuzive dhe
favore e paligjshmëri të tjera që njeriu normal nuk është mirë ti dijë se luan
mendsh.
Militant
politik - Shejtanbudalla i paskrupullt, fundërrinë shoqërore, plehër njerzore
në pritje të kockës së ardhëshme që duke zënë hapësirën që normalisht i përket
një idealisti të vërtetë e çon partinë në greminë.
Hashash
- Bimë medicinale kurative ose vdekjeprurëse kultivimi i të cilës s'dihet pse
pengohet përderisa viktimat më të shumta i shkakton nëpër metropolet europiane,
ndërsa me paret që mbeten këtu begatohet Shqipëria, janë ndërtuar dhe vazhdojnë
të ndërtohen vila dhe plot mrekulli të tjera.
Analist
- Çdo rrugaç gagaç që politikën e interpreton me të njëjtin fjalor dhe të
njëjtën papërgjegjësi si ndeshjen e futbollit.
Opinionist
- Zagar i paguar për ta ndrruar pllakën sa herë nuhat erën e llokmës.
Korrupsion
- Sëmundje e pashërueshme e tokës arbnore.
I
korruptuar - Dikush që s'ka arsye të mos jetë i tillë përderisa gjithë kohën
është i rrethuar nga të ngjajshëm.
Luftë
- Sakrificë sublime e pakushtëzuar për të mirën e Atdheut. Por halli se ndodh
gjithmonë larg. Në vende që nuk i gjen dot. As me Google Earth e as me GPS.
Atje ku nuk është e mundur të verifikohet nëse vërtet ka ndodhur. Ku, e shumta,
gjen një lapidar me një mbishkrim që flet për sulmin fshehtas nga maja e malit
të një çete ndaj një autokolone që po kalonte andejpari. Çeta iku. Autokolona
dogji katundin. Lufta është diçka që pasardhësit e Skënderbeut nuk e kanë bërë
kurrkund tjetër veçse në Kinostudion Shqipëria e Re.
Roman
- Qindra faqe të shkarrashkruara jo për tu lexuar, vetëm për të bërë një
promuovim, për të përhapur një nam, për të marrë ca pare.
Diplomat
perëndimor në Tiranë - Nëpunës i emëruar në ambasadën përkatëse ku e ku më i
qytetëruar e i shkolluar se diplomatët tanë që janë copa mishi. Kur qëndrimet e
këtij nëpunësi nuk pëlqehen, shqipua hakmerret ndaj ndaj tij në mënyrën më
skifoze dhe më kontraproduktive të mundëshme; ja deformon fotografinë në
Photoshop dhe ja nxjerr në Fejsbuk.
Artist
- Gjithkush që thotë se era e blirit e deh, hëna e fut në mendime, tingujt e
lahutës dhe lypsarët e rrugës e bëjnë ti ikin lot.
Aktor
- Gjithkush që përveçse ka luajtur ca role në skenë hiqet dhe orator, arkitekt,
urbanist, antikorrupsionist.
Teatër
- Barrakë fashisto-komuniste që pasi zbrazi trutë e shqiptarëve, u zbraz ehe
vet.
Shkrimtar
- Çdokush që shkruan libra me rrena, historinë e katundit, jetën e manipuluar
të xhaxhait dëshmor, kujtime nga luftra imagjinare, dhe ç'i thotë mendja duke
ikur rrugës.
Poezi
- Fjalë magjike të thurura në vargje që i mësojnë përmendësh ca budallenj si
puna ime.
Poet
- Një derdimen pa asnjë talent apo frymëzim mbetur ora te gazeta Drita rrotull
të cilit nuk mungojnë kurrë ca hajvanë që e ngrenë në qiell me komplimenta duke
pirë birrë të ftohtë shoqëruar me salcë kosi dhe panine të ngrohta dhe duke
fshirë buzët me gazetën Panorama me në faqen e parë fotografinë e kurvit.
Prozë
- Grafologji e bërë me shatë e lopatë mbi një ranishte që nuk mund të jetë as
vreshtë as ullishtë nga gjithkush që e mban veten për të ndjeshëm dhe të ditur.
Prozator
- Grafoman i papërgjegjshëm që shkruan e shkruan pafund, teksti i të cilit ka
vetinë e rrallë të jetë i shkrueshëm por jo dhe i lexueshëm.
Thikë
- send metalik prej çeliku të fortë dhe të mprehtë që vlen për tu prerë
gurrmazin atyre që votën e blejnë.
Hell
- Hu' i trashë druri me gunga dhe thepa që vlen për tua shkuar tejpërtej nga
poshtë lartë dhe për ti pjekur javash-javash mbi prush ata që votën e shesin.
Votim
- Shpikja më e mrekullueshme e njerëzimit, rregullat e të cilës, shqiptarët, po
ashtu ai pjesët e pushkës dhe kundragazit të zborrit nuk i mësuan kurrë.
Zgjedhje
lokale - Fundi i përpjekjeve disavjeçare për të vënë në krye të kopesë çakallin
që ha kërrma.
Zgjedhje
parlamentare - Lojë e kushtueshme për të vënë të bëjnë ligje ata që janë të
parët që nuk i zbatojnë.
Fejsbuk
- Vendi më i përshtatshëm për ta paraqitur veten ashtu si s'je.
Instagram
- Hale me brisqe rroje, zorra uji, sapuna, legena, peshqira, ku bëhen selfie aq
të përsosura sa mashkullit i heqin çdo kuriozitet për skutat dhe humnerat e
thella të femrave që u kushton 1 milionë dollarë 1 qime pridhi.