Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Ornela homerike
E hene, 28.09.2020, 10:40 AM
Ornela homerike
Nga
Edison Ypi
Ornela Vorpsi ishte një ulurimë shetitëse. Ornela Vorpsi ishte Femër nga ato për shkak të të cilave nisin eksode biblike, urdhërohen masakra, shpërthejnë luftra. Pra Ornela Vorpsi ishte Femër homerike. Ornela Vorpsi ishte aq e bukur, aq kryelartë, kishte një rrezatim aq energjik, sa vetëm me prezencë, pa shqiptuar asnjë fjalë, i bënte pluhur e hi; luftën e klasave, moralin proletar, rrethimin kapitalisto revizionist, komitetet, mbledhjet, plenumet, duartrokitjet, parakalimet, dhe të gjitha çmenduritë e tjera. Është e imja, e jotja, e këtij, e atij, në rastin e Ornela Vorpsit s'kishin asnjë kuptim. Ornela Vorpsin e dashuronin të gjithë. Ornela Vorpsi ishte e të gjithëve. Ornela Vorpsi ishte kordoni ombelikal që shqiptarët në hjekë i lidhte me Jetën. Ecja e Ornela Vorpsit ishte një errupsion kaotik, nervoz, tekanjoz, i hireve femërore kombinuar me kryelartësinë, seriozitetin, guximin. Ornela Vorpsi ishte nga fort të rrallat Femra që marrëzitë e kohës nuk e kishin ligur, por vetëm trimëruar, vetëm zbukuruar. Tek kalonte Ornela Vorpsi dukej sikur i klithte turmës; O njerëz, Femra nuk është për tu veshur me kominoshe të pista, për të punuar me turne nëpër fabrika të qelbëta. Femrën e ka bërë Zoti për tu komplimentuar, puthur, përkëdhelur. Turma e torollepsur nga herezia uluritëse dhe e heshtur e Ornelës, mbante frymën, për pak çaste harronin urinë dhe rreckat që mbanin veshur. Kur kalonte Ornela Vorpsi, dridhej toka, binte tërmet. Kur Ornela Vorpsi fliste, binte shi me rrebesh. Kur Ornela Vorpsi zemërohej, ngriheshin dallgët në det. Ornela Vorpsi nuk ishte njeri i zakonshëm. Ornela Vorpsi ishte dukuri natyrore. Si stinët, si mali i Tomorrit, si lugina e Vjosës, si uji i burimeve, si flladi i alpeve. Ajo femra e asaj fotografisë ku 10 meshkuj i afrojnë njëherësh 10 çakmakë për ti ndezur cigaren, krahasuar me Ornela Vorpsin, është qesharake. 100 mijë shqiptarë i afronin Ornela Vorpsit njëherësh 200 mijë qirinj të ndezur me të dyja duart duke j'u lutur si Zotit, në pritje të ethëshme nëse Ornela Vorpsi do merrte frymë dhe flaka e qirinjve do gjallërohej, apo do nxirrte frymë dhe qirinjtë bashkë me lutjet do fikeshin. Regjimi i druhej Ornela Vorpsit më tepër se grupeve armiqësore, sabotimeve, pabesive, intrigave, komploteve, NATO-s, Traktatit të Varshavës. Pse nuk e degdisin, pse nuk e vrisnin, pse nuk e zhduknin Ornela Vorpsin ?! Përgjigja e mbytur dhe solemne vinte nga Shekspiri, nga Hamleti; "Më mirë vuajmë belarat që po kemi, se të hidhemi në ato që s'i dimë". Për shqiptarët e aso kohe Ornela Vorpsi ishte gjithçka; shpresë, mëshirë, maturi, çmenduri, problem, zgjidhje. Pasi shihje Ornela Vorpsin, s'lypsej të lexoje Dostojevskin për të mësuar se Bukuria Botën e ndreq, diktaturën e shemb. Spiunat, zagarët, llapaqenat, ziliqarët, delirantët, turiqenat, surratbajgat, që të mos zbuloheshin sa të këqinj e të zinj ishin, fshiheshin. Por kur kalonte Ornela Vorpsi, nuk mundeshin. Para Saj të gjithë dorzoheshin, torollepseshin, iknin nga fiqiri. Para Saj u zbulohej gjithçka; analizat, diagnozat, sëmundjet, çrregullimet psikike. Ornela Homerike u kallte tmerrin. Vetëm sepse Ornela Vorpsi ekzistonte, u dilnin gjithato probleme; Lufta e klasave nuk po zhvillohet si duhet. Vigjilencën proletare e ka marrë lumi. Komunistat me armiqtë e brendshëm e të jashtëm janë bërë si këmbët e dhisë. Morali komunist për ibret. Uniteti sup më sup i armatës së shkrimtarëve me batalionet e artistëve dhe hallet e bujqërve, janë cënuar. Aleanca e klasës punëtore grusht bashkuar me inteligjencën kooperativiste po çalon. Kultura borgjeze po ja shkon ujin në rrogoz syçelësisë proletare. Llogoret soc-realiste të artit proletar janë mbushur me baltë mikroborgjeze. Nëse Ornela Vorpsi do dashuronte ndonjë katundar, nuk do ishte keq. Por për shkak të magësive të punës sonë agjitative dhe mos plotësimin si duhet të orientimeve të partisë, Ornela Vorpsi nuk është në dijeni se në cilin katund vuan heroi ynë i heshtur, katundari i tashëm, spiuni i ardhshëm, në cilën kooperativë dergjet ai zagar, cilat ara prashit ai qen, nga cila skutë spiunon, me cilën dhì bën qef. Do ta pres deri te rradha e dyqanit të bulmetit në 3 të natës kur të dy do jemi kërrusur - thoshte njëri. Deri në varr e përtej varrit - ja priste një tjetër. Të tjerë betoheshin se për ti rënë sadopak në sy Ornela Vorpsit ishin gati të bënin disa herë rrotullimin e Magelanit, udhëtimin e Kolombit, Shtegun e Mëndafshit, Rrugën e Qumështit.