Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Zoja Shkodër
E hene, 07.09.2020, 06:24 PM
Zoja Shkodër
Nga
Edison Ypi
Nuk
ka shi e breshër, ngricë e dimër, verë e vapë, me të ndal me shku me pa Zojën
Shkodër.
“Udhëtar
i vërtetë është ai që niset dhe nuk e di për ku. Udhëtar i përsosur është ai që
niset dhe ka harru prej ku është nisur”. Të dyja i provon vajtja n'Shkodër.
N'Torrovic
duket gjithmonë e shtunë.
E
premtja s'dihet ku ndodhet.
N'Zadrim
asht gjithmon e diel.
Fill
atje Shkodra jep vibracionet e para.
Tu
hy n'Shkodër një urë mbi një lumë që vjen nga larg e lart, e fill pas urës një
“Zoj' e Mir' ’” ta urdhnojn me solemnitet mirseardhjen për tek Zoja e Madhe
Shkodër.
Brenda
Liqerit shelgjet duken si peshkatarë të kërrusur me çizme dhe kapuça që rrinë
në mes të ujit të ngrimë si shtatore mermeri.
Rozafa
hijerëndë, pa moshë, pa stinë, pa naze, pa lëvizje, “Pa zemër pa ndjenja, syt'
e saj rrufena, qarkullojn' rreth Shkodrës, tue synue vranshëm”.
Kalojnë
tre Zonja shkodrane elegante me të ikë menia e kres,
-A
asht e bukur Shkodra o Zonja ?
-Sigurisht
Zotëri. Shkodra është llaftarisht e bukur. Si ka than Koliqi;
"Kendojnë
në mengjez pesë kumbonare,
kendojnë
në ajri mbi Shkoder ende fjetë".
Pa
hyrë në qytet, ndaj një dyqani një djalë dhe një mesoburrë,
-Po,
përgjigjen energjikisht të dy, Shkodra është tmerrësisht e bukur.
Bëj
sikur nuk dëgjoj.
-Poooooooooooo
klithin të dy sa tundet Rozafa.
Sillem
nëpër qytet. Plot njerëz nëpër rrugë. Shumë biçikleta. Diku një “Lavazh me ujë
të bollshëm". Nëpër lokale shkodranë të hijshëm dhe shkodrane nazelie nga
ato qe flasin e shkruajnë me apostrofa; t'ana t'mirat, t'marsha t'ligat, nga
ato që për "Këtë" dhe "Kokë" thonë aq bukur;
"Kyt" dhe "Kryt".
Pyes-pyes-pyes,
Po-po-po
përgjigjen të gjithë; Zoja Shkodër asht qyteti ma i bukur i botës. Shkodra asht
vetë Bukuria.
Dikush
thotë; “Shkodra asht e bukur, por duhen edhe pare”.
Dikush
tjetër shton; Po, Shkodra asht e bukur, por…dhe bën plotësime, sqarime,
spjegime.
“Kafja
e Madhe” me dyer të mbyllura duket si gjymtyrë e mpirë ku nuk qarkullon gjaku.
Pjesa
më mahnitëse e Shkodrës, ajo me rrugica, kthesa, kalldrëme, harqe, portale, ka
shtepi dhe dyqane të heshtura, të mbyllura, me qepena te ulura, me sy përdhe,
sikur thonë; Ne presim. Ne durojmë. Ngutuni ju". Pjesa tjetër
soc-realiste, zjen si kazani dreqit, pazar hesapi, pordh e piskama gjithkund.
Pyes;
-A
ka këtu shkodranë të vjeter, nga ata të kockës, të palcës, të bërthamës, të
qelizës, prejnga del drita, prejnga buçet dituria, shpërthen qytetaria ?
-Ka,
më thonë, por vështirë t'i gjesh.
Një
shkodran sqaron me krenari se; “La lana scutariana”, pra leshi i bagëtive që e
përpunon industria tekstile, ka qënë ndër më të preferuarit në Europë.
-A
asht e bukur Shkodra moj goca ?
-Po,
po, po, po... përgjigjen me breshëri të njëzeta.
Puntori,
fshatari, malësori, dukagjinsi, tregëtari, kioskaxhiu, sudentja, studenti,
demokrati, socialisti, komunisti, sigurimisti, një “Drago” shkodran, musulmani,
katoliku, ortodoksi, fëmijë, gra, burra - plot 100, kur i pyeta;
-A
asht e bukur Shkodra ?
Të
gjithë thanë;
-Po
!
Kaq
desha. Për kaq erdha. Nuk du me dit' kurgja tjetër.
Në
kthim gjunjët me dridhen. Koka më zjen. Truri më shpërthen. Në Shkodër ka
gjaqe, hakmarrje, halle, por të gjitha janë provizore. Shkodra e përjetëshme
asht llaftarisht e bukur.
Gjithçka
mund të vdesi e të lindi në Shkodër, të zbukurohet a shëmtohet, të
fukarallepset, të vritet e të pritet, por shpirti, Shpirti i Zojës Shkodër,
sharmi i saj, fryma e saj, s'kan me vdek kurrë.
Si
me qenë njeri Shkodra o burr' i dheut. Si me qen' femër. Mundesh me e dash ti
Shkodrën, asht diçka. E Shkodra me t’dash ty është diçka tjetër. Mundesh me j'u
lut gjithë jetën Zojës Shkodër për me i kërku pak prehje nën hijeshinë e saj,
me i lyp pak dashuri, me i hy sadopak n’zemër, ah, kjo asht' e veshtirë, Zoja
Shkodër e di vet çfarë ban. Ka kushte Zoja Shkodër. Nuk munesh me j’u afru
dosido. Veçse me kujdes, me perunjësi, me respekt, me delikatesë, mos e
shqetsosh, mos e pengosh, mos ja prekësh përhumbjen mendimtare, hijeshinë,
misterin që e rrethon.
Tesh
Zoja Shkodër po pushon pak. Ështe largu pak. Jo larg. N’ato malet me borë me
majat ne re'. Kur t'zgjohet e t’afrohet, do ndriçoheni, do tmerroheni, do luni
mendsh, nga bukuri e Saj. Kush n’Shkoder priton me shku, nuk ka dek, kurrë nuk
ka le.