Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Makap
E diele, 30.08.2020, 07:50 AM
Makap
Nga
Edison Ypi
Katundi
Makap atë mëngjez u ngrit i shqetësuar. Gjatë natës ishte zhdukur një djalë.
Prindërit e djalit thanë se kishte vajtur në disko. E kishin marrë në celular.
Zilja binte, djali s’përgjigjej. Hamëndje të frikëshme mbushën kafenenë e
Makapit. Lajmëruan Policinë të vinte urgjent në Makap. Policia u tha;
"Djali mund të jetë mbyllur diku duke bërë qef me ndonjë femër. Ligji
thotë se zhdukja duhet të zgjasi të paktën 72 orë që të vihemi në veprim".
Pra mund të ishte ndonjë nga ato raste që duken si fatkeqësi por janë kënaqësi.
Policia nuk vete atje ku ka qef. Policia vete atje ku ka krim. Përgjigja e
Policisë i dëshpëroi prindërit e djalit të zhdukur dhe i habiti makapsit, të
cilët, me këtë rast, me kafe dhe raki përpara, nisën të bëjnë kritika për
mungesën e shtetit, rendin e korruptuar, policinë e ngathët.
Nga
mesdita gjendja u rëndua; Dy prindër të tjerë që deri në atë moment kishin
heshtur për vajzën e tyre 19 vjeçare të zhdukur nga Makapi para 32 orësh, me
buz në gaz i bënë të ditur kafenesë haberin e këndshëm se vajza sapo kishte
telefonuar nga Italia. U kishte thënë se ishte kuq si molla dhe të mos bëheshin
merak. Ishte rrëmbyer me vullnet të plotë me një azgan djalë të cilin e kishte
njohur ne Fejsbuk dhe e dashuronte marrëzisht. Shtëpia ku ishin vendosur në
Milano ngjante pak si bordello, por azgani e kishte siguruar se pas pak do
jetonin në një vilë me pishinë të kaltër. Paksa të dyshimta këto habere.
Megjithatë prindërit e vajzës i dhanë karar të mos e njoftonin Policinë derisa
të merrej vesh nëse çupa qe fejuar apo qe bërë kurvë.
Pa
mbaruar muhabeti për të fejuarën makapse ose kurvën milaneze, j’a behu tjetri
haber; Ndaj të gdhirë në të dalë të Makapit dy makapsa që tërhiqnin nga pas me
litar secili nga një lopë i kishin thënë njëri-tjetrit plot mirsjellje
"Mirmëngjez". Por me të arritur secili në shtëpinë e vet ishin
tmerruar kur kishin parë grazhdin bosh dhe kishin kuptuar se kishin vjedhur
lopën e njëri-tjetrit. Njëkohësisht edhe vjedhës edhe të vjedhur, morën ndër
grushta kokën e vet si Hamleti kafkën e tjetrit.
Rrokada
e lopëve të vjedhura i ndezi edhe një herë muhabetet e kafenesë së Makapit; Për
Policinë që nuk e bën punën si duhet, për fukarallëkun që po bën kërrdinë,
korrupsionin që ka marrë dhenë, etj.
Një
makaps që kishte parë botë me sy tha,
-Mos
i bini kot më qafë Policisë. Në vendet kapitaliste bilancet e të vdekurve nga
qefi janë si bilance lufte. Mos kërkoni nga policia e Makapit më tepër se
policia e Parisit.
-E
ke gabim, j’a priti një tjetër. Para ca ditësh mes fshatit tonë Makap kaloi një
amerikan i veshur teptil. Demek si udhëtar, si turist. Por në fakt ishte spiun.
Ku është syçelësia e bashkëfshatarëve tanë në mbrojtje të tërësisë territoriale
të Makapit ?
-Jemi
në NATO o idiot, ja priti një i tretë. Edhe ajo na duhet, të na ndjekë Policia
turistat që na sjellin valutë.
Atë
çast në kafene hyri me vrull një djalosh,
-Dajua
vari veten, tha djaloshi duke j’u marrë fryma.
-Ku,
si ?
-Në
degë të fikut, me tel rreth qafës.
-Pse
?
-Kish
ca kohë thoshte; I kam lexuar të tëra librat, i kam parë të tëra filmat, i kam
bërë të tëra muhabetet, i kam shijuar të gjitha qejfet, i kam jetuar të gjitha
sistemet, tani do iki të shoh ç‘bëhet matanë, përtej murit, në anën tjetër të
Jetës.
Afër
mesnatës erdhi haberi për një therje. Therësi i kishte ngulur të therurit
thikën e bukës në gjoks ngaqë delet e të therurit kishin ngrënë pakëz bar në
arën e therësit. Therësi i dehur nga gjaku kishte ikur nëpër fushë. Njëri i
therur, tjetri i arratisur, s’u muar vesh kush e njoftoi ngjarjen. Me këtë
rast, dikush kujtoi me simpati kohën e kurvit kur të tilla krime ndodhnin
përditë por nuk merreshin vesh kurrë. U fol për një peticion në formë kushtrimi
që makapsat ja drejtuan trupit diplomatik në Tiranë në mbrojtje të jetës së
shqiptarëve të pafajshëm që ikin për dhjamë qeni. Në Peticion u vu në dukje
ngjajshmëria mes Policisë dhe femrave të cilat kurrë nuk vinë menjëherë por
gjithmonë me ickla dhe naze. Një plak i moçëm spiun me nam u kujtoi kafexhinjve
se nuk ishte mirë të ndodhnin të tilla therje në Makap ku 100 e ca vjet të
shkuara kishte kaluar me qerre Ismail Bej Vlora. Këto habere u përhapën atë
mbrëmje jo vetëm në Makap, por edhe në Malag, në Marruj, në Mathith, e deri në
Mathaj.