Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Zavalina pi
E diele, 27.09.2020, 09:30 AM
Zavalina pi
Nga
Edison Ypi
Zavalina
ndodhet në mes të kurrkundit.
Zavalina
është fshati më i bukur i botës.
Në
Zavalinë mund të shkosh nga Gjinari duke zbritur, ose nga Gramshi duke u
ngjitur.
Duke
zbritur a duke u ngjitur, çdo herë që arrin në Zavalinë, të gjithë janë duke
pirë, të gjithë i gjen të dehur.
Bujku
dhe blegtori i Zavalinës pijnë sepse s'dinë nga t'ja mbajnë; Me i shit
produktet bujqësore blegtorale në Gjinar, për shkak të afërsisë me Elbasanin ku
tregu është i madh, çmimi është i lartë, por halli rruga është e përpjetë.
Për
me i shit ato produkte në Gramsh, rruga është e tatëpjetë, por halli se Gramshi
është treg i vogël, dhe çmimi është i ulët.
Prerësi
i pyllit pa leje ja ka fut me raki për të hequr frikën se një ditë do ta kapin
duke bërë krim dhe do ta rrasin në burg.
Një
të ri e ka hedhur në krahët e avujve të rakisë konstatimi cfilitës se në një
vend kaq të bukur sa Zavalina mami dhe babi nuk e bënë bilbil gjyzar të
këndonte duke fluturuar nëpër qiej, por njeri që duhet të punojë tokën dhe
kullosi bagëtinë.
Një
mesoburrë pi nga mahnitje që i shkakton një fakt historik; Procesi i
islamizimit nisur me pushtimin turk, në Zavalinë ende nuk ka mbaruar. Prandaj
gjysmën e banorëve të Zavalinës e quajnë "Mark", gjysmën tjetër
"Hasan". Për këtë arsye, e gjithë Zavalina në kishë, e gjithë
Zavalina në xhami, të gjithë Zavalinasit në pijetore.
Besimtari
kristian rrëkëllen raki nga inati që Xhamia i duket më e madhe se Kisha.
Muslimani
nga zilia që Kisha i duket më e bukur se xhamia ?
Fanatikët
politikë pijnë sepse gjatë fushatave elektorale asnjë parti nuk vjen ta
asfaltojë rrugën.
Zavalinasit
që ëndërrojnë të bëjnë biznes ja kanë rras me të pime në pritje derisa paret
për të ngritur ferma dhe baxho të bien nga qielli ose t'i sjelli era nga
Sulova.
Ka
edhe zavalinas që pijnë nga keqardhja për luftrat në Lindjen e Mesme, dyndjet
migratore nga vendet e varfëra drejt vendeve të pasura, terrorizmi që kërcënon
qytetërimin.
Një
numur edhe më të madh zavalinasish, në prehërin e rakisë i ka hedhur meraku për
Reformën në Drejtësi; Kujt do ja fusin hellin, cilit do ja rjepin lëkurën, kujt
do ja pjekin mishin në prush ?
Në
Zavalinë askush nuk është esëll.
Në
Zavalinë të gjithë janë të dehur.
Në
Zavalinë të gjithë pinë që të mos çmenden.