Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Petro Zheji
E shtune, 19.09.2020, 08:37 AM
Petro Zheji
Nga
Edison Ypi
Mua
letargut, mua gjarpërit të përgjumur në pritje të zgjohesha kur të ngrohej
moti, nuk më interesonin të tjerë, më mjaftonin dhe më tepronin Lasgushi dhe
Kadareja. Pata lexuar Don Kishoti, Foma Gordejev, Ringjallja, Zoti President,
dhe të tjera, por mjeshtrin e përkthimit të këtyre kryeveprave Petro Zhejin nuk
e njihja. Kureshtja për ta njohur Petro Zhejin mu ngjall një behar te shtëpia e
Lasgushit në Pogradec. Atje, gjatë një pasditeje të trishtë kur në breg të
Liqerit qante Nositi dhe kërciste çizmja e kufitarit, Kadare, me ton
konfidencial tipik të muhabeteve të zararshme, u sugjeroi të pranishmëve të
lexonin "Zoti President" nga Migel Asturia përkthyer nga Petro Zheji.
E lexova me një frymë romanin e hatashëm latinamerikan me rezonim shqiptar. Për
ta njohur Petron nga afër prita ndonjë rast. Rasti erdhi. Punoja në një
ndërmarrje afër Kino Studios. Atje rrotull në një barrake-kafene, u njoha me
Adhurim Lako, Ndoc Papleka, Jamarbër Marko, dhe të tjerë me të cilët flisnim e
bërtisnim për Letërsinë, Poezinë, filmat. Lako çmendej pas vargjeve "Do të
buças në krisma jete / prej buçim-heshturit durim" që ja klithja me zë të
ulët rrëzë veshit dhe më lutej t'ja përsërisja pafund. Duke më dëgjuar që
ulurija Lasgushin dhe citoja Kadarenë, një piktor i kinostudios që ndodhej
atje, më tha; Duhet të njohësh Petro Zhejin. Mori në dysheme një paketë
cigaresh bosh, e shqeu, mbi të bëri një skicë me laps. Vajta te Petro sipas
udhëzimeve të skicës në katin e pestë të një parafabrikati në Allias. Më priti
me dashamirësi. Nuk më pyeti kush ma dha adresën tij e qysh e tek. U mahnita
nga jeta e heremitit që bënte. Në kuzhinë kishte një shtrat dhe ca rraqe. Çdo
herë që e vizitova, ndoqi të njëjtin ritual. Çajin tim, pastaj kafen e vet, i
zjeu në një xhezve të vjetër mbi një plitkë të rrezikëshme me telat e korentit
zbuluar. Në dhomë kishte një dërrasë të zezë si të shkollave, dhe asgjë tjetër.
Para dërrasës, me shkumës në dorë, bënte skicat përkatëse për spjegimet që
jepte. Petro kishte energji dhe shkathtësi cerebrale demoniake. Për gjithçka që
ta pyesje përgjigjej bindshëm përmes një elaborimi të thellë filozofik,
teologjik, linguistik, historik, matematik. Petro fliste për zero-n, brenda së
cilës ndryhej asgjëja dhe gjithçkaja, për origjinën e gjuhëve, historinë e
qytetërimit, historinë e kohës, fillimin dhe fundin e botës, ekzistencën,
ëndërrat, cakun e dijeve, pas të cilit cak shkencëtarët hiqen mënjanë për tua
lenë fjalën teologëve etj. etj. Prej Petros dëgjova për "Gjeomtrinë
fractale", kodet zhvillimore të paracaktuara nga Krijuesi, të cilën
gjeometri e aplikojnë matematicinët-filozofë për të studiuar zhvillimin të
botës dhe të jetës duke udhëtuar mbrapsht nga e sofistikuara e tashme tek e thjeshta
e mëparshme. Petro thoshte se në gjuhën hindiane historia e botës shprehet në
një fjalë të vetme onomatopeike me tre tinguj, "Aum". A, fillimi
shpërthyes. U, vazhdimi i rrëmujshëm. M, fundi i shurdhët. Hera-herës Petro më
lemeriste duke shqiptuar përmendësh kapituj të tërë nga romane që i kishte
përkthyer prej vitesh. Fliste për karakterin relativ të njëkohshëmisë së
ngjarjeve, fundin e të gjitha fundeve ose "horizontin e eventeve",
tkurrjen e Universit, supernovat, kolapsin e materies, sidomos për rolin e
transhendencës. Tregonte episode groteske me të vdek së qeshuri nga shtëpia
botuese ku kishte përkthyer me normë. Bisedat me Petron më kënaqnin pafund.
Çudia ishte se, me përjashtim të dy herëve, një herë kur te Petro gjeta Artur
Zhejin që nuk tha asnjë fjalë por vazhdoi gjithë kohën të pikturonte në një
letër kurmin e një femre, dhe tjetrën herë kur te Petro shoqërova Dan Klosin,
të pesë apo gjashtë herët e tjera, sapo hyja unë, një tjetër dilte, sapo dilja
unë, një tjetër hynte. Kjo lloj rrokade më zbaviste dhe më kallte tmerrin
njëkohësisht. Unë dhe miqtë e mi ishullarë me të cilët na lidhnin internimet,
burgjet, varjet, pushkatimet, hynim e dilnim në shtëpitë e njëritjetrit për të
klithur kundër kurvit spontanisht, pa teklif, pa rend, pa kode, pa rrokada. Te
shtëpia e Petros lëvizjet ishin të programuara. Nisa të dyshoj se rrokada te
dera ishte këmbimi që Petro më bënte mua letargut me një spiun. Mu forcua kjo
bindje më vonë kur u muar vesh cilët ishin frekuentuesit e tij. Shtëpia e
Petros nuk kishte pra lidhje vetëm me gjeometrinë fractale, Obllomovin, Don
Kishotin, kolapsin e materies, por edhe me Sigurimin. Megjithatë, përtej këtyre
supozimeve, që supozime ishin dhe të tillë mbetën, Petron vazhdova ta adhuroj,
madje më tepër se më parë.
I thashë një ditë; I beson ti këta që thonë
"Jam nxënës i Petros" në stilin "Jam nxënës i Aristotelit"
? Janë hajvanë, tha me përbuzje.
Një
herë tjetër më kërkoi ta qartësoja për një inxhinier të përndjekur që, siç i
kishin thënë, kishte bërë një shpikje që do revolucionarizonte motorristikën
planetare. E njihja atë inxhinier, dhe "shpikjen" e tij. I thashë se
inginieri në fjalë është një njeri tmerrësisht i vuajtur nëpër internime dhe
burgje, që për të mos e mbajtur gjithë kohën në burg, hiqet si shpikës dhe beson
deliret e veta. Petro për mitomanët e mi të shumëvuajtur gjysëm të çmendur, unë
për sigurimsat aristotelianë të Petros, ja plasëm gazit të dy.
Iku
në Itali pak para shembjes së regjimit. Mori me vete një numur audio-kasetash
ku kishte regjistruar me italishten e tij absolutisht mahnitëse ligjërime
teologjike-linguistike-filozofike. M'i pat' vënë t'i dëgjoj ato kaseta. Janë
përçartje. Ndonjë spiun mund ta mohojë. S'ka problem. Unë letargu jam më i
besueshëm dhe më i fuqishëm se krejt ndyrësirat e botës.
Audiokasetat
i çoi në Vatikan ku ja dëgjuan kardinalët, ndoshta vetë Papa. Buja e
shumëpritur prej "nxënësve aristotelianë" nuk ndodhi. Pastaj iku në
Amerikë, ku edhe atje nuk pati sukses. Më kanë tmerruar endjet e tij
rraskapitëse në kërkim të asgjësë.
Petro
erdhi në Shqipëri. Por Petros nuk j'u ndje zëri. Petros i mungon një spjegim
sado i shkurtër për arsyen e heshtjes. Është rraskapitës fakti se kur shumicës
goja ju hap, Petros ju mbyll. Ndoshta për të qënë pak më i lirë në vendin ku
proletarët të nxirrnin sytë, pranoi të mbante afër një tufë mediokrish që
Sigurimi ti kontrollonte lehtësisht. Kjo nuk e prek Petron. Madje po të kesh
parasysh se askush pranë Petros nuk përfundoi në burg, kjo ja shton lavdinë.
Sigurimi që zaptoi Zërin e Amerikës me dhjetra vite, dhe sot e kësaj dite po e
mban në zap, e pamumdur të mos gllabëronte një llokëm aq të shijshme. Ndonse të
tërthorta, për këtë kam prova. Pak pas demonstratës së heshtur, një skuth që
punonte në spitalin psikiatrik dhe hynte e dilte tek Petroja (kombinim
interesant ky me skuth, Petro, spital psikiatrik) më tha një ditë; "A
formojmë një parti ?". Nuk ju përgjigja. Pas pak skuthi u zhduk.
Një
tjetër frekuentues i Petros, një libohovit krushqi e largët me mua, duke i
cilësuar të dy "Korifej", më foli disa herë për miqësinë e Petro Zhejit me Namik Hotin. Namik Hoti e thoshte
vetë që ishte i Sigurimit. Libohobiti më thoshte se Petro dhe Hoti bënin
diskure të larta dhe të ashpra, duele intelektuale, si dhe vej e vinin më këmbë
në Elbasan për Yoga. Të vërteta ose trillime, këto lidhje të Petros, ishin
njëlloj të pakëndëshme dhe dëshpëruese. Edhe libohoviti pas pak s'u bë më i
gjallë.
Prandaj
duhen hapur urgjent dosjet. Për të qartësuar edhe dilema të tilla. Që
shqiptarët të mësojnë se Sigurimi nuk ishte vetëm ai që burgoste fshatarët e
pabindur sikur gjoja i kishin vënë zjarrin mullarëve apo kishin helmuar
ujësjellësin, por edhe ky me Don Kishot, Obllomov, Gjeometri fraktale.
Çfarë
po thonë se Petro ka zbuluar që Gjuha Shqipe është Gjuha e Gjuhëve, dhe të
tjera marrina, janë hajvanllëqe.
Petro
Zheji nuk ishte filozof, matematicien, gjuhëtar. Petro Zheji ishte një
përkthyes gjenial, një i çartun bukur, një mendimtar rrebel, antikonformist i
vendosur, vizionar që diti ta ruaj nderin e vet duke u larguar nga skena një
çast para katastrofës, kur çfaqja mbaroi, perdja ra, dritat u ndezën, plateja u
ndriçua.