E enjte, 28.03.2024, 09:14 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Roskoveci

E diele, 13.09.2020, 04:39 PM


Roskoveci

Nga Edison Ypi

I vetmi vend në Shqipëri ku zemra punon si pompë, gjaku vërshon lumë, stomaku bluan si mulli, gjymtyrët lëvizin si vinça, veshët dëgjojnë deri në Vermosh, sytë shohin në fund të botës, goja buçet si daulle, bytha pjerdh si top, është Roskoveci.

Gishtat kodrinorë të Mallakastrës dhe luginëzat e Myzeqesë, zgjatur dhe mpleksur me njëratjetrën si duar të dashuruarish, diell, qiell, ajër, dritë, ujë, fusha, kodra, Roskoveci është aq magjepsës sa ta merr frymën, ta shpupuris mendimin, ta prish gjumin, ta sjell ëndrrën.

Roskoveci është vendi më i begatë i rruzullit. Edhe gurët hedhin rrënjë e nxjerrin fruta në Roskovec, të gjitha mizat bëjnë mjaltë, çfarë lëviz dashurohet e shumzohet, çfarë mbin rritet e korret, çfarë rrjedh pihet, çfarë kafshohet hahet, çfarë ëndërrohet realizohet.

Kalorës madhështor dhe krenar rrëzë kodrave anës fushës, Roskoveci ka tre gra, Myzeqenë, Mallakastrën, Lushnjen. Me tre gratë e tija Roskoveci ka bërë një tufë me kalamaj vajza e djem njëri më i bukur se tjetri; Patosin, Krutjen, Kutallinë, Marinzën, Zharrëzën, Ngurrëzën, Gorrenë, Strumën, Cukalatin, Bubullimën, si dhe plot hyzmeqarë dhe hyzmeqarka nëpër fushë e pëmbi kodra që ç'u sheh syri u bën dora.

Në çdo vend të bukur njeriun e kap një merak dhe pyet veten; Mirë unë e dua këtë vend, por ky vend a më do vallë mua ? Në Roskovec kjo pyetje s'ka kuptim. Në Roskovec nga kjo dilemë nuk vuan. Mendo sa e do ti Roskovecin, se dashuria e Roskovecit për ty është e garantuar, e pakursyer.

Roskoveci që ka gjithçka nuk trembet nga asnjë konkurrencë. Nuk ka në Shqipëri vend si Roskoveci që fqinjët i do më tepër se veten. Aq e vërtetë është kjo, sa kur ndodhesh në Roskovec dhe sytë i ke hedhur nga veriu, ndjehesh myzeqar. Pa luajtur nga vendi, sheh nga jugu, në çast kthehesh në mallakastriot. Kthen kokën nga perëndimi, shndrrohesh në fierak. E rrotullon nga lindja, bëhesh beratas.

Kur i afrohesh Roskovecit konstaton se pakngapak gjithçka e egër që ke brenda vetes, po të zbutet. Ndjen sa e dëmshme është të gënjesh, të thurësh intriga, të merresh me thashetheme. Kur në Roskovec je, ndjen shplodhje, vuan më pak, dhimbjet paksohen, hallet  largohen, taksiratet harrohen.

Magjia e Beratit, energjia e Fierit, butësia e Lushnjes, konspiracioni i Myzeqesë, solemniteti i kishave dhe manastireve, perëndimet e përgjakura, laryshia e kodrave, pjelloria e tokës, kripa e detit, të gjitha mrekullitë e botës dhe ëmbëlsitë e jetës, takohen në Roskovec.

Kur pyet veten se ç'janë këto çudira që ndodhin në Roskovec, dhe nuk e gjen dot, të bëhet të besosh se diku aty rrotull Zoti ka mbledhur Krishtin, Muhametin, Budën, profetët, dhe të gjithë bashkë kokë më kokë po pinë kafe e po llafosen për të mirën e njerzisë.

Si të vishesh, si të krihesh, në cilën orë të nisesh, sa duhet të jetë temperatura, lagështia, nga duhet të fryjë era, çfarë të kesh ngrënë e pirë para se të nisesh në Roskovec, janë probleme që secili i zgjidh vet. Rëndësi ka kalorësin Roskovec të shkosh ta shohësh nga afër; sa të sigurtë e ka parzmoren, sa të madh e ka topuzin, a e ka të mprehtë shpatën, a e ka të thatë batutin, sa e ngul plugun, sa të thellë e bën qilizmën, si e ka Rosinantin, a e gjeti Dylqinjën.

Në Roskovec mund edhe të mos nisesh fare në stilin e Konfucit i cili ka thënë; "Nëse të shkrepet të shkosh diku, mos u nis, atje je". Por e mira është të mos ngatërrohesh me kinezërira dhe në Roskovec të shkosh. Kur të kthehesh nga Roskoveci, të përgjumurve të divaneve, zvarranikëve të bulevardeve, dembelave të kafeneve, sedentarëve të zyrave, thuaju; Çfarë shqiptarësh jeni o të mjerë që nuk njihni magjinë e Roskovecit ? Turp që s'e keni parë. Faqa e zezë që s'e keni ndjerë. Ferri ju pret po nuk vajtët në Roskovec para se të vdisni.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora