E enjte, 07.11.2024, 01:43 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Rrahja

E marte, 13.10.2020, 08:54 AM


Rrahja

Nga Edison Ypi

Rrahja ishte i vetmi akt dhune për të cilin flitej hapur, dhe gjërësisht.

Burgosjet, vrasjet, varjet, i fshihnin. Rrahjen jo.

Grushti i rrugaçit, këpuca e oficerit, çizmja e ushtarit, shkopi i policit, këmba, dora, të gjitha "rrihnin".

Për ndonjërin që aspironte karrierë, thoshin "rreh lart".

Për të tjerë që "rrihnin poshtë", domethënë ishin nisur drejt greminës, nuk thuhej gjë.

Rrahja ishte e kudondodhur.

Gjithçka që lëvizte në mënyrë ciklike quhej "rrahje".

Zhurmat e pazakonta brenda gjithçkaje që rrotullohej apo thjesht lëvizte, quheshin "rrahje".

Kur doje ta përgëzoje dikend, s'lypsej t'i jepje dorën, apo ta përqafoje, mjaftonte t'i "rrihje" shpatullat.

Për plogështinë që shkakton ndërrimi i stinëve thoshin "ndjehem si i rrahur".

Sapo dilnin nga shtëpia në mëngjez thoshin; Jam aq i lodhur sa më duket sikur më kanë "rrahur".

Nuk thoshin filani kalon vazhdimisht në X rrugë, por; Filani "rreh" shpesh atë rrugë.

Rriheshin "çështjet", me kujdesin më të madh.

Dajaku, pra rrahja, ka dalë nga Xheheneti. Rast i rrallë ky, ndoshta i vetmi ku "xheheneti" shqiptohej pa frikë se mund të burgosnin për "ideologji fetare".

Flamurin "e rreh" era

Shpendët "rrahin" krahët.

Të "rreh" ai që të do.

Filani është "i rrahur" me vaj e me uthull.

Në futboll, për skuadrën që kishte pësuar më tepër gola, nuk thoshin "u mund" por thoshin, dhe thonë, "u rrah".

Lebërit "e rrihnin" aq tepër gjoksin sa gjoksi u ishte bërë gropë.

Gruaja, thoshin, është për dy gjëra, për të bërë kalamaj dhe për ta "rrahur".

Rrahja kishte hyrë edhe nëpër proverba; "Më mirë të hash dy herë se të rrihesh dy herë".

Era dhe dallgët kurrë nuk e preknin ose lëpinin bregun e detit dhe shkëmbinjtë; gjithmonë vetëm i rrihnin.

Nuk rrihej vetëm njeriu. Rrihej edhe qeni, macja, madje edhe uji në havan, si dhe qumështi, veza, mishi, bifteku.

Më tepër se të gjithë rrihnin policët nëpër rajone policie dhe gardianët nëpër burgje. Por ata dhe rrahjet e tyre askush nuk guxonte t'i zinte në gojë.

E vetmja rrahje për të cilën nuk u fol kurrë, ishte rrahja e zemrës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora