Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Ne budallejt
E enjte, 15.10.2020, 08:20 PM
Ne budallejt
Nga
Edison Ypi
Ne
budallejt e duam pushtetin që ta bëjmë më të mirë. Ju skilet pushtetin e doni
që ta vidhni.
Ne
budallejt i besojmë meritokracisë dhe transparencës. Ju të squtët i besoni
nepotizmit, klientelizmit, regjionalizmit, mercenarizmit, sidomos rrenës.
Ne
budallejt themi atë që mendojmë dhe e besojmë atë që ju të squtët na thoni. Ju
tl shkathtit nuk thoni atë që mendoni dhe nuk e besoni atë që ne budallejt j’u
themi.
Ne
budallejt u besojmë Rilindasve që thanë "Lind andej nga perëndon". Ju
inteligjentët që nuk dihet kujt i besoni, thoni se lind andej nga lind.
Për
ne budallejt ekonominë e mbajnë në këmbë biznesmenët. Ju pehlivanat thoni se
këtë shërbim të çmuar e bëjnë proletarët. Thoni si të doni, veç mos u habisni
kur kallaballëku të zbresi në shesh të xhvasi gjithçka pa bërë asgjë.
Ne
budallejt e kemi të qartë se banakierët televizivë të së enjtes mbrëma janë
pararoja e dallavereve dhe hajdutllëkut. Ju kopilat këtë bëni sikur nuk e
kuptoni. Sytë j’u dalçin. Juve dhe atyre.
Ne
budallejt përdorim nja një mijë fjalë kur flasim dhe nja pesë mijë kur
shkruajmë. Ju eruditët as flisni as shkruani. Derisa të mësoni ca fjalë ju
kokpalarët, do vazhdojmë të dërdëllisim ne budallejt.
Ne
budallejt që nuk kemi asgjë dhe nuk fitojmë asgjë, e marrim faturën tatimore
për çikërrimat që blejmë. Ju banditët që keni gjithçka, faturë tatimore as
merrni as e jepni edhe kur blini e shisni grataçiela.
Ne
budallejt nuk vjedhim. Ju gjenialët vidhni. Po të vidhnim ne, budallej do ishit
ju.
Ne
budallejt lexojmë poezi. Madje ka ndër ne budallejtë ca hajvanë që poezitë i
mësojnë përmendësh. Poezitë më të bukura për ne budallejt janë ato që dridhin
zemrën. Për ju gjenialët janë ato që tregojnë si bëhet dhe hahet pilafi me lëng
mishi.
Ne
trashanikët femrave u bëjmë komplimenta. Ju elegantët femrave u mbani leksione.
Prandaj ne budallejve femrat na falin pyllin në fund të barkut, ndërsa juve noc
rrokun.
Ne
budallejt nuk ikim nga Shqipëria. Ju ikni. Veç një gjë duhet të dini; Duke ikur
ju, ne budallejt që tashpërtash jemi pakicë, dalngadalë bëhemi shumicë. Kur të
ndodhi kjo rrokadë, ne budallejt që nuk ikim do bëhemi të squtë, budallej do
bëheni ju të squtët që do mbeteni.
Ne
budallejt e dimë që era, shiu, breshëri, toka, qielli, deti, malet, kodrat,
lumenjtë, përrenjtë, janë të juajat. Por Bota është e jona.