Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Martiri Sadik Bejko
E premte, 23.10.2020, 09:06 PM
Martiri Sadik Bejko
Nga
Edison Ypi
Sadik
Bejko nuk është vetëm ai qytetari i urtë që njohim, ai bashkëbiseduesi i
këndshëm, poeti i ndjeshëm, studjuesi rigoroz, pedagogu perfeksionist.
Sadik
Bejko është ku e ku më tepër.
Sadik
Bejko është një vuajtës i paepur, një martir i pamposhtur që mes flakëve të
Ferrit ka kaluar për së gjalli.
Më
1972 Martiri Sadik Bejko nuk bëri poezi për garat socialiste, traktorat që
çanin ugaret, kapitalistat dhe revizionistat që Shqipërinë e zheleve dhe bunkerave
e kishin halë në sy.
Martiri
Sadik Bejko, 50 vjet të shkuara shkroi një poezi kushtuar një femre,
"Ditët Everest të jetës sime". Pra ditët më të larta, ditët më të
lumtura, ditët e ekstazës së jetës, ato ditë kur një të dashuruari i duket
sikur ka hipur mbi Everest, dhe prej majës më të lartë të botës i flet
njerzimit.
Ndërkohë
që ushtria e poetëve dhe regjimentet e shkrimtarëve ditët më të lumtura dhe
ekstazën e jetës nuk ja kushtonin asnjë femre, por vetëm Diktatorit, Martiri
Sadik Bejko bëri të kundërtën. Bëri atë që nuk duhej ta bënte. Ra në prehër të
armikut. Brodhi pas fustaneve të zuskave. Harroi kauzën. Fjeti mbi dafina. Me
këto kujtoi se na e hodhi. Vgjilencën e proletarëve, syçelësinë e spiunave,
cmirën e inatçinjve, zilinë e intrigantëve, kujtoi se e mposhti. Pra i tha
belasë bujrum.
E
çë ? E ç'e gjet' Shqipërinë krenare nga rebelimi i një poeti ? E ç'u bë ?
U
bë ajo që në errësirën e bodrumeve të Bibliotekës Kombëtare, një arkivist, një
zhuls, një anonim, një Ebu Qerim nga lukunia e lakejve të papërtuar të
regjimit, një që poezinë në fjalë nuk e lexoi (e çrëndësi ka poezia, femrat me
fustanet e shkurtëra dhe breçkat e tyre të ngushta, moda dhe të tjera, ato janë
sende të kota, rëndësi ka partia, vigjilenca, revolucioni) skuthit të bodrumeve
ju duk e pabesueshme që një poet, jetën e tij, ditët e jetës së tij, t'i lidhte
me një mal të lartë diku në Indi. Ky titull nuk ka kuptim. Ai titull nuk bën
sens. Kemi të bëjmë me një absurd, një lajthitje të këtij të lojturit që e ka
shkruar, tha pisi me vete, poeti ditët nuk ja fal një mali sado të lartë. Poeti
dhe populli ditët ja falin udhëheqësit që jeton më gjatë se mali më i lartë.
Kështu, Ebu Qerimi i bodrumeve të Bibliotekës, me iniciativë proletare dhe zell
revolucionar, për ta bërë "Everestin" "Enver" dhe
"Enverin" "Everest" titullin e ndryshoi. Nga "Ditët
Everest të jetës sime", në përputhje të plotë me përfytyrimin e vet
halucinant të një spiuni bodrumesh, e bëri; "Ditët Enverit të jetës
time". Pra ditët, dhe krejt jetën time, ja fal Enverit. O tmerr !
Kaloi
gjysëm shekulli.
Për
të tilla dhe të tjera, Martirin Sadik Bejko e detyruan të punojë nëpër kantiere
dhe miniera ku spiunat dhe vigjilentat nuk ju ndanë asnjë çast.
Nuk
i ra ferrit pash m'pash Migjeni. Nuk punoi Migjeni nëpër miniera sovjetike dhe
kantiere kineze. Migjeni lindi shëndetlig. Vajti në Pukë për ajër të pastër.
Iku në Itali me u shëru. Lula t'Vocërr dhe femra që shiten duke thirr rrugëve
"A do qymyr Zotni ?" ka pa numurim sot e ksaj dite Londra, Parisi,
Roma. Ferrit milimetër për milimetër, kryq e tërthor e rrethepërqark, i ra me
dhjetra vite Martiri Sadik Bejko.
Gjatë
gjysëm shekulli Martiri Sadik Bejko dhe askush tjetër nuk dinin çfarë kishte
bërë Ebu Qerimi në errësirën e Bodrumeve të Bibliotekës Kombëtare. Makabriteti
grafologjik i Ebu Qerimit nuk do ishte marrë vesh kurrë.
Kur
një ditë të bukur, një tjetër dishepull i krimit, censurës, deformimit, një
lloj Lej Feni lindur në vitet '80, një majmun me shtresa si qepë me cipën e
sipërme oksidentale, një më bosh se boshi, një Horror Vacui rrethuar me
konferenca, katedra, takime, një çapaçul modern, një gjym llamarine që godet
veten e vet për me bo sa më tepër zhurmë dhe me ra sa më tepër në sy, një
gjydyrym ngrehaluc nga ata që ke frikë tua përmendësh emrin se i bën të
famshëm, bëri të njëjtën gjë si Ebu Qerimi.
Lej
Feni revolucionar shqiptaresk, si i betuar para varrit të Diktatorit për të mos
e lënë Martirin Sadik Bejko asnjë çast të qetë përgjatë gjithë jetës së vet, në
mënyrë të paramenduar, i futet të gërmojë e të gjejë një krim kompromentues
bërë në të kaluarën. Rrëmoi e rrëmoi Lej Feni ynë, gjeti titullin e ndryshuar
të kontrafigurës së vet, inkuizitorit mesjetar Ebu Qerim. Vetëm titullin.
Poezinë nuk e lexoi. Nuk ka rëndësi leximi. Rëndësi ka kallximi, spiunimi,
denoncimi. Me ngutin karakteristik prej spiuni të lindur, atypëraty e akuzon
Martirin Sadik Bejko për hiç më pak se ka shkruar një poezi për diktatorin.
E
të tjera e të tjera. Boll me ndyrësira se vjen e vjella.
Nga
Ebu Qerimi te Lej Feni, në një vend të bukur, të pasur, dhe të mallkuar, e
tmerruar në çdo çast të saj, jeta e Martirit Sadik Bejko nuk mund të rrëfehet
veçse me sy të përlotur.