Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Po japim lajmet
E merkure, 25.11.2020, 08:33 PM
Po japim lajmet
Nga
Edison Ypi
Të
dashur bashkatdhetarë vllavrasës, kafepirës, gazetangrënës, internetshetitës,
hashishtymosës, zemërbardhë, mëlçizinj, shpirtkatranë, ku jeni e ku s'jeni para
tavave të dhesë, zjarreve të ftohura, vatrave të fikura, oxhakëve pa tym,
ndalni llomotitjet, thashethemet, intrigat, dallaveret, kollitjet, teshtitjet,
frymat, dhe zgjatni veshët - Po japim lajmet !
Sipas
disa të dhënave për vërtetësinë e të cilave nuk mbajmë asnjë përgjegjësi, kanë
dalë në dritë disa të vërteta me rëndësi madhore Kombëtare.
Më
në fund j'u dha përgjigje kryepyetjes që prej shekujsh torturon kryemendjet e
shqiptarëve, europianëve, amerikanëve, kinezëve, japonezëve, dhe banorëve të
mbarë planetit; Pse shqiptarët vrasin njëritjetrin ?
Ky
fenomen ka ndodhur, po ndodh dhe do ndodhi, jo ashtu si padrejtësisht është
thënë, po thuhet, e do thuhet, pra për arsye të selektimit natyral darvinian,
apo për arësye politike, ideologjike, korruptive etj, por për një shkak më të
thjeshtë dhe më të komplikuar njëkohësisht, që është ky; Mbi truallin e pellazgëve
dhe ilirëve, në periudhën kohore nga kastriotët tek proletarët, mpleksja e
gravitacioni të tokës me rrezet kozmike, fushat elektromagnetike, mineralet e
nëntokës, plus flladin e pranverës, trishtimin e lunës, muzgun dëshpërues,
perëndimin e përgjakur, të gjitha këto pra, mpleksen në atë mënyrë që mendjen e
shqiptarit e torollepsin aq tepër dhe aq bukur saqë për shkak të këtij
turbullimi të pavetdijshëm, duke ngatërruar lugën që fut në pjatë me sqeparin
që ngul në kurrizin e babait, apo pirunin që ngul në sallatë me thikën në
zemrën e vëllait, s'di katranos, s'di ç'ther, s'di ç'vret.
Pyetja
tjetër; Pse në disa vende të Shqipërisë lopët lindin viça me 3 koka të
shtrembëra, gjarpëreshat pjellin gjarpërinj me 5 gjuhë të helmatisura, pulat
nxjerrin nga bytha vezë të bardha pa asnjë të verdhë brenda ?
Siç
na njofton blogu që menaxhohet me pare të vjedhura nga Nampanam Bythlëpirsi, u
zbulua se shkaku i kësaj mënxyre ndodhet në katundin Varilesht të Komunës
Moserruj ku femrat kanë nga jo më pak se 7 vrima. Hutimi i meshkujve para
gjithatyre vrimave, vështirësia për të gjetur me ment se cila nga atë brima
është kryesorja, kjo paqartësi dhe pavendosmëri e ankthshme, është arësyeja e
atij ndërlikimi genetik monstruz.
Pyetjen
tjetër; Në cilin zgëq të Shqipërisë flitet dhe shkruhet gjuha e pastër shqipe ?
e sqaron portali i Futjakot Pordhacakut nga i cili mësojmë se, së pari ai zgëq
ekziston, çka është në vetvete një haber i mirë, dhe se vendndodhja e asaj
skute aq të rëndësishme më së fundi u zbulua dhe ndodhet ku askush nuk e di,
askujt nuk i vlen, kurrkujt nuk i intereson, për askend nuk ka rëndësi. Nëse
zgëqi në fjalë ekziston sepse nuk ka asnjë rëndësi, apo duke mos pasur asnjë
rëndësi as nuk ekziston, pritet ta qartësojë Fiqir Firifiu në programin e tij
televiziv "Sofra e Rrotave" ku llomotitet pafund për këto dhe të
tjera tema të kësaj natyre.
Ku
ndodhet katundi Liria ? Ai pa Kushtetutë, pa Parlament, pa qeveri, pa ligje, pa
Kod Penal pa prokurori, pa gjykatë, si dhe natyrisht pa pare, pa korrupsion, me
bakshish zero, me taksa inekzistente, korent dhe ujë që nuk paguhen sado të
konsumosh. Dilemën për pyetjen madhore për fatet e Kombit lidhur me
vendndodhjen e atij katundi e zbardhi sajti i Tarallak Biçimsëzit, i cili, për
katundin në fjalë jep këto koordinata; Katundi Liria ndodhet prapa maleve, në
luginën e lumit, pranë kaçubeve, përballë ujvarës, rrëzë pellgut me ujë të
ndënjur ku guakin zhabat, pickojnë mickonjat, kafshojnë gaforret, helmojnë
gjarpërinjtë. Për fat të keq, këtë katund nuk e kap asnjë hartë, për fat të zi
nuk e njeh asnjë administratë, për fat të sterrosur nuk mund ta shohi asnjë
njeri normal. Por s'është për tu mërzitur. Katundin Liria mund ta nuhasi,
shohi, vizitojë, madje dhe mund ta blejë dhe shesi, cilido shqiptar me gjak të
prishur, tru të munguar, mendim të avulluar, farefis me Kuqo Thika, Hajn
Koburja, Gurrmaz Brisku.
Dhamë
lajmet.
Faleminderit
për vëmendjen e munguar. Vëmëndjet e tjera e dini vet ju për çfarë i përdorni.