| E premte, 18.12.2020, 08:03 PM |
Biçikleta
Nga
Edison Ypi
Biçikleta
ishte një rraqe metalike tepër e vyer.
Biçikleta
blihej, shitej, falej, këmbehej, vidhej, flinte, zgjohej, plagosej, rënkonte,
sëmurej, shërohej, por kurrë nuk vdiste.
Biçikleta
në shitje kishte aq rrallë sa nuk mbahej mend kur kishte ndodhur.
S'dihej
kush e kur e ku e kishte blerë biçikletën. Biçikleta gdhihej e ngrysej anonime
si breshka brenda zhguallit.
Biçikleta
ishte sendi më i lakmueshëm për tu vjedhur. Vjedhja e biçikletës ishte
fatkeqësi nga më të mëdhatë që mund të pllakosnin. Për ta lidhur biçikletën pas
ndonjë shtylle për mos ta vjedhur përdorej një lukuni me dryna, kavo, litarë,
zinxhirë.
Nëse
ndodhte që po atë ditë kur të vidhnin biçikletën të vidhnin edhe antenën dhe
ndonjë rrobë që e kishe varur në tel për ta tharë, kupa derdhej, jeta
sterrosej.
Një
herë e një kohë biçikleta kishte targë dhe një si tesër. Ndoshta kishin kopjuar
Kinën ose Rusinë ku biçiketat ishin me miliona.
Shqiptarin
barkzbrazur veshur keq me një biçikletë përdore duke u endur nëpër Tiranë - nuk
doli asnjë Mikelanxhelo ta pavdekësonte në mermer atë kryevepër.
Pse
nga Rusia prejku vinin të shumtat e hekurishtave nuk erdhën kurrë biçikleta ?
askush nuk e dinte.
Biçikleta
e parë më e përhapur quhej "Diamant". Çonin në Gjermaninë Lindore
domate e kastraveca, merrnin Diamanta.
Pastaj
sollën Mifa, e ngjajshme me Diamant-in por jo aq e fortë.
Ca
kohë qarkulloi një biçikletë vietmeze. Ishte e dobët. U zhduk shpejt.
Provuan
të prodhonin biçikleta "me forcat tona". Dështuan me sukses.
Biçiketat
kineze që i sollën me shumicë në vitet 70-80 kishin të pikturuara ca
gjarpërinj, nuk kishin emër. Quheshin të gjitha "biçikletë kineze".
Biçikletat
ishin dy llojesh;
Me
hekur, të cilës nuk mund t`i hipnin femrat se u dukeshin brekët, dhe bëhej
hataja.
Pa
hekur, demek tip Vespa, që mund të përdorej pa frikë nga femra e meshkuj edhe
pa brekë.
Mirmbajtja
e biçikletës s'ishte problem. Për mirëmbajtjen e biçikletës zbatohej me sukses
parimi "kam te puna". Nëse duke ndrequr biçikletën "te
puna", ndodhte që andejpari kalonte brigadieri, shefi, drejtori, ata jo
vetëm s'të pengonin, por të shihnin me dashamirësi.
Ndonjëherë
biçikleta ishte shpëtimtare.
I
thanë njërit; Mbete me biçikletë a ditëzi. E ke që e ke një kushuri në Greqi.
Thuaji të sjelli një motocikletë ?
Ua
priti miku; Jo. Kurrë. Tani që lëviz me biçikletë, më vënë nga pas një spiun me
biçikletë, dhe janë të qetë që nuk do arratisem. Po të marr motoçikletë, unë me
motoçikletë, spiuni im me makinë, është shpenzim i tepërt për një përkujdesje
që nuk e meritoj, dhe më degdisin në Spaç.
Disa
biçikleta kishin një fener elektrik për tu ruajtur nga trafiku inekzistent.
Varkat,
gomonet, komardaret, krahët fluturues si të Ikarusit, mjete arratisjesh këto,
dalë me tërsëllëmë nga truri i ndezur gjatë delireve nokturne me sytë në tavan,
me gjithato pedale, timona, zinxhira, rrotëza, ishin të frymëzuara nga
biçikleta.
Nga
pjesët e biçikletës më e famshmja ishte "shala" ku rehatohej bytha.
Në
memorjen kolektive shqiptareske, shala mbeti e paharruar si "rehati
mikroborgjeze" e paevitueshme. Prej shpikësave dhe racionalizatorëve të
panumurt, askush nuk pati fantazinë e duhur për të shpikur një mekanizëm për të
evituar rrezikut e nguljes së tubit të shalës në brimën e bythës.
Në
zgarën e biçikletës mbahej ajo që quhej "bukë me vete".
Ndonjëherë
mbi zgarë rrinte gruaja.
Disqet,
telat, zinxhiri, pedalet, kontrapedali, etj. sado të vjetër e difektozë s'ishin
problem.
Problem
ishin komerdaret dhe kopertonat. Por u bëhej dermani.
Kamerdaret
mbusheshin me pulla mbi pulla si arna mbi arna për shumë vite.
Kopertonat
arnoheshin nga brenda dhe qepeshin me spango.
Aq
e dashur, e urtë, besnike, ishte rraqa biçikletë, sa edhe në filmat e luftës
imagjinare nacional çlirimtare, halabakët atentatorë nëpër rrugica nuk
paraqiteshin kurrë mbi kuaj, apo gomerë, apo makina, vetëm mbi biçikletë.
Shqiptari
biçikletën e dashuronte. E përkëdhelte. I puthte shalën.
Shqiptari
dhe biçikleta u divorcuan kur u derdhën nëpër ambasada, u ngjitën nëpër trageta,
dhe u martuan përsëri para pak kohe mbi korsitë e dedikuara.